Zymer Mehani
Poetja Ferdane Pllana-Zabërgja, pas librave me poezi “Shkëndija jete” dhe “Për ty, nënë”, tani para lexuesve po del me përmbledhjen poetike të radhës, të titulluar “Shpirti binjak”, dedikuar bashkëshortit të saj, fëmijëve dhe familjes së gjerë.
Pa hezitim fare, që në fillim autorja do t’i shpreh ndjenjat e veta ndaj bashkëshortit të saj, bashkë me të cilin e nisën dhe po e ndërtojnë jetën:
Të dua, e them pa pikë turpi
Edhe pse kemi bërë pak moshë
Asnjëherë s’m’le pa mbështetje
Njeriu më i sinqertë, që kam njohë.
(Poezia TË DUA)
Koncepti kryesor i krejt vëllimit në fjalë është motivi i familjes.
Si dy vëllimet poetike të saj, edhe libri i tretë i kësaj autoreje karakterizohet nga poezi të mira, të cilat janë krijuar në thelb me qëllim që të kënaqin imagjinatën e lexuesve, ngase kur lexohen, vërtet shijohen, sepse kanë mesazhe të qarta dhe vlera letrare e artistike.
Kryesisht autorja në vëllimin në fjalë sjell një zgjedhje temash dhe motivesh që janë interesante, e që ato trajtohen në vargjet e saj duke gërshetuar realitetin me dëshirat dhe si të tilla ato bëhen poezi që janë zhytur në realitet, prej nga vjen dhe te zhvillimi i motivit të mjedisit familjar, që lindi si rezultat i respektit të familjes dhe ndryshimet që pëson ajo prej anëtarëve që e përbëjnë (prindërit dhe fëmijët), nga ndjeshmëria e prindërve ndaj fëmijëve dhe anasjelltas.
Çdo pemë rritet nga kujdesi
Ajo trungun e forcon
Po i falëm dashuri
Çdo ditë degët degëzon.
(Poezia PEMA E JETËS)
…do të thotë poetja në një poezi, ku vërtet vërehet se në që qendër të poezive të saj prore del respekti, dashuria dhe kujdesi ndaj bashkëshortit dhe preokupimi për një familje të shëndoshë, edukimi dhe rritja e fëmijëve, për të cilët ajo si nënë s’resht duke u përkujdesur për ta si individë të rinj dhe të brishtë.
Nga vargjet e poetes Ferdane Pllana- Zabërgja do të mësojmë se familja mund të funksionojë si bashkësi vetëm atëherë kur ushqehet me dashuri dhe me respekt të ndërsjellë mes anëtarëve të saj. Prandaj, me të drejtë autorja do të shprehet se familja është më e rëndësishmja prej të gjitha gjërave të tjera:
Se gjërat e tjera Janë të imëta fare
Për mua është familja Vlera më e madhe.
(Poezia NUK E LAKMOJ DOT)
Një familje e tillë, siç është edhe familja e autores në fjalë, përshkruhet si familje që shquhet me ngrohtësi, me dashuri, me harmoni etj., dhe si shembull mund të përmendim poezitë, ku protagonistë janë mami (vetë autorja), babi (bashkëshorti i saj) dhe fëmijët (dy djemtë dhe vajza), pastaj nëna, motrat, vëllezërit, hallat, xhaxhallarët etj.
Autorja, duke ia ditur vlerën dashurisë, respektit dhe njerëzve, pa hezitim do të na porosit:
Me dashuri flisni me miqtë
Jeta do t’ju shpërblejë
E me urrejtje luftojini armiqtë
Mu sikur luftëtari në front a betejë.
Mos lejoni t’ju ikën jeta
Fare pa dashuri, krejt e kotë
Se me dashuri rritet lulja
Dhe prej saj erdhëm n’këtë botë!
(Poezia TA DUAM NJËRI-TJETRIN)
Familja-lajtmotiv i vargjeve të poetes Ferdane Pllana-Zabërgja
I zënë me punët e përditshme, njeriu i sotëm ka lënë pas dore diçka shumë të rëndësishme, siç është edukimi i fëmijës së tij. Ai mund të harrojë që dhoma është e çrregullt ose e palarë, sikurse duhet ta dijë se p.sh., makina mund të presë, por jo fëmija. Ai rritet, zhvillohet dhe ka nevojë për ndihmë në kohë.
Është vetë poetja Ferdane Pllana-Zabërgja ajo që merret në masë të madhe me motivin e familjes, e cila në poezitë e saj çdoherë është në plan të parë, ku familja përshkruhet si një komunitet, në të cilin fëmija fiton moral, socializim dhe kulturë. Në këtë periudhë të jetës, fëmija përgatitet për jetën e ardhshme me ndihmën e prindërve, prandaj s’do mend se familja është shkolla e parë dhe më e rëndësishme e jetës.
Duke qenë kështu, ajo do të shprehet se për të fëmijët vërtet janë forcë dhe motiv për ta dashur jetën, ngase:
Në mesin e tyre
Gjej forcë të paparë
Çdo vuajtje sfidoj
E nis ditën mbarë.
(Poezia KAM ZGJEDHUR)
Dhe me të drejtë do të tregojë se, asgjë s’i mungon në jetë dhe në familje, prandaj përfundon duke e lutur Perëndinë për ta dhe për fatin e tyre:
S’kërkoj asgjë tjetër
Veç fëmijëve t’mi
O i madhi Zot
T’u japësh mbarësi!
(Po aty)
Përjetimi i sinqertë dhe dashuria e natyrshme drejtuar ndaj fëmijëve luan rol të rëndësishëm në formim të karakterit të tyre, prandaj ata gradualisht fillojnë ta kuptojnë dashurinë që marrin nga prindërit e tyre, të cilën do ta reflektojnë së pari pikërisht te prindërit, në rend të parë, por edhe te të tjerët. Mungesa e një dashurie të tillë, sigurisht se në karakterin e fëmijës lë një boshllëk, që ndikon keq tek ai.
Duke qenë se poezitë e vëllimit poetik në fjalë kanë për temë familjen, kuptohet se protagonistë në këto vargje veç prindërve, janë pikërisht edhe anëtarët më të vegjël të familjes, fëmijët, pastaj (poetja thur vargje edhe për prindërit e saj (nënën, babanë, vëllezërit, motrat, rejat etj. etj.).
Tema dhe motivet e familjes janë shumë të nevojshme për t’u trajtuar në letërsi, si një nga mënyrat e orientimit, si për fëmijën, ashtu edhe për prindërit.
Autorja, si nënë vrapon për fitime, dhe më së shpeshti në mënyrë të ndërgjegjshme prioritet i jep kujdesit për familjen, e cila është e mira më e madhe e njerëzimit, ngase është një komponent themelor i shoqërisë dhe për këtë arsye familja dhe shtëpia janë të nevojshme për të qenë përherë si çerdhe e ngrohtë nga dashuria dhe respekti, e zhvilluar në të gjitha nivelet në plotësinë e saj. Prandaj, autorja në vargjet e saj do të tregojë:
Shtëpinë e vjetër me dashuri
Sikur nuse e zbukuruam
Sot kush hyn në oborrin tonë
Shpreh habi si e ndërtuam!
S’ka rëndësi se a është e vogël
Por të ketë harmoni të madhe
Ne i dhamë ngjyrë edhe jetë
Me dashuri mundëm vuajtje e halle.
(Poezia SHTËPIA E VJETËR)
Në poezinë e autores Pllana, ajo paraqet një familje të strukturuar, homogjene; një bashkësi familjare me status social, si familje e nderuar.
Zymer Mehani, në Besianë, më 15 nëntor 2023