Ajete Zogaj
Butrint Hasanaj – Përkola, “Hasan Hasani – Përkola – Katalogu i botimeve 1967-2022”, “Faik Konica” Prishtinë 2022
Pesëdhjetë e pesë (55) vjet veprimtari botuese të shkrimtarit Hasan Hasani – Përkola, janë përmbledhur në një Katalog, i cili përfshin botimet e tij të viteve 1967- 2022.
“Hasan Hasani – Përkola, Katalogu i Botimeve 1967 – 2022”, sheh dritën e botimit, pas kalimit në amshim të autorit, Hasan Hasani – Përkola, përgatitur me përkushtim nga Butrint Hasanaj – Përkola, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” Prishtinë 2022.
Botimi i këtij Katalogu, thënë figurativisht, është një ‘bibliografi më vete’, ku ndriçohet rrugëtimi letrar i njërit prej autorëve tanë të dëshmuar në fushën e letërsisë dhe të kulturës shqiptare.
Duke e shfletuar këtë Katalog shpërfaqet mirëfilli profili i njërit ndër autorit e rëndësishëm të letërsinë sonë, gazetarit, redaktorit, hartuesi të veprave leksikografike, autorit të monografive, tregimtarit e kritikut letrar.
Për përgatitjen këtij Katalogu, hartuesi Butrint Hasanaj – Përkola, ka ndjekur dy parime të botimeve të veprave të autorit: parimin kronologjik dhe atë të ndarjes sipas llojeve.
Përmes këtij Katalogu studiuesit e veprës së Hasan Hasanit – Përkolës do të kenë mundësinë të njohin në mënyrë të plotë gjithë krijimtarinë e tij letrare të botuar, por edhe punën tjetër të vyer shumëdimensionale. Pra, botimi i këtij Katalogu, i hap rrugë njohjes më të plotë të veprës së tij, duke e bërë të pavdekshme, veprën dhe shëmbëlltyrën e një njeriu me vlera të larta njerëzore e intelektuale.
Katalogu është hartuar në 10 kapituj, ku shpaloset krijimtaria letrare 55 vjeçare e Hasan Hasanit:
I. Poezi për të rritur;
II. Poezi për fëmijë;
III. Tregime për të rritur;
IV. Romane për të rritur;
V. Kritikë letrare;
VI. Monografi;
VII. Vepra publicistike;
VIII. Vepra leksikografike;
IX. Vepra letrare 1-15; X.
Të tjerët për shkrimtarin.
Katalogu i botimeve 1967-2022, është një lloj modeli, i cili do t’u shërbejë edhe shkrimtarëve të tjerë që të bëjnë një gjë të ngjashme.
Ajo që e bën të veçantë hartimin e këtij Katalogu, është rëndësia letrare, faktografike e bibliografike.
Mund të them me bindje të plotë se botimi i këtij Katalogu është një ‘abazhur drite’ që ndriçon në secilën faqe të librave të këtij autori, për të depërtuar deri tek lexuesit e studiuesit e veprës së tij; është një homazh përkujtimi e nderimi për Të dhe për veprën e tij.