Nga Prof. Dr. Pajtim RIBAJ, President, Marshall Center Alumni Association – Albania
Shkurtesë
Siguria konsiderohet njëherazi një vlerë universale dhe një koncept shumë kompleks, i veçantë, i përkulshëm etj. Perceptimi dhe realizimi i saj janë tashmë detyrë dhe përgjegjësi e aktorëve të shumtë kombëtarë e ndërkombëtarë. Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë (LF), u shfaqën kaq shumë përcaktime për termin “siguri”, saqë shumë shkencëtarë filluan ta quajnë atë “kuptim i kontestueshëm në thelb”. Konfuzioni bazë lidhet jo aq me vetëkuptimin e sigurisë, sesa me çështjet e vlerave dhe të elementeve socialë, të cilët duhen mbrojtur domosdoshmërisht.
Bota sot është nën sundimin e globalizimit, një proces ndryshimi afatgjatë, i cili mbart me vete kulme, sfida, rreziqe, kriza e pasiguri që përfshijnë gjithë botën. Në këtë kontekst, “pasiguria do të jetë realitet i përhershëm, ndërsa përpjekja për siguri kombëtare, preokupim i vazhdueshëm”. Shqipëria është një shtet i vogël dhe sfidat e sigurisë së shteteve të vegjël në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare (MN) përbëjnë një veçori në krahasim me sfidat që duhet të përballojnë shtetet e mëdha. Shtetet e vegjël duhet të kuptojnë se siguria e tyre fillon në shtëpinë e tyre dhe se janë vetë ato që duhet të identifikojnë zbrazëtitë në fushën e sigurisë. Ato mund të përllogarisin përfitime nga sistemi ndërkombëtar, duke mbajtur parasysh se në këtë sistem “institucionet janë në qendër të sjelljes së çështjeve ndërkombëtare” dhe se alternativa e tyre, si edhe kryefjala, është bashkëpunimi ndërkombëtar. Shteti shqiptar, si institucioni themelor i sigurisë kombëtare, ka luajtur rol të pazëvendësueshëm, përderisa ka ruajtur atributet dhe vijimësinë e qeverisjes.
Ndjeshmëria dhe angazhimi i botës universitare në studimet e sigurisë janë tashmë prioritet dhe domen i elitave, të cilat u rekomandojnë institucioneve vendimmarrëse zgjidhje racionale për politika dhe strategji sigurie dobiprurëse. Në vendin tonë, këto studime janë të rralla dhe të pavlerësuara nga lidershipi politik, i cili ka manifestuar mungesë të theksuar të kulturës së sigurisë. Kjo mungesë shpesh ka përbërë rrezik e kërcënim për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit. Rivlerësimi dhe shëndoshja e institucioneve akademike, vlerësimi i arsimit si çështje e sigurisë kombëtare, krijimi i një mjedisi të ngrohtë dhe realizimi i një kulture bashkëpunuese institucionale e intelektuale mbeten, njëherazi, sfidë dhe domosdoshmëri për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin e vendit.
Fjalë kyçe: marrëdhënie ndërkombëtare, siguri kombëtare, studime kritike të sigurisë, vend i vogël, rrezik i radikalizmit fetar.
Complexity of Security and Albania as a Small Actor
Abstract
At the same time, security is considered both a universal value and a complex, unique, flexible concept. Its own perception and implementation are already the responsibility and obligation of many national and international actors. After the end of the Cold War, many definitions of the term “security” emerged, to the extent that many scholars began to describe it as an “essentially contested concept”. The key confusion is related not so much to the meaning of security itself as to questions of values and social elements that must necessarily be protected. The world today is under the influence of globalisation, a long-term process of change that brings with it peaks, challenges, risks, crises and insecurity. These affect the entire world, where “insecurity is a permanent reality, while efforts to achieve national security remain a continuous preoccupation.” Albania is a small state, and the security challenges faced by small states within the framework of International Relations are distinctive when compared with the challenges that large states must face. Small states have to understand that their security begins at home and that they themselves must identify their gaps in the security sector.
They may estimate the benefits offered by the international system, bearing in mind that, within this system, “institutions are at the core of the conduct of international affairs” and that their alternative and main objective is international cooperation. The Albanian state, as the key institution of national security, has played an irreplaceable role by preserving its attributes and ensuring continuity of governance. The sensitivity and commitment of the academic world to security studies have become a priority and a domain of the elites. Their role is to recommend rational solutions to decision-making institutions in support of beneficial policies and security strategies. In our country, such studies are rare and are undervalued by the political leadership, which has demonstrated a considerable lack of knowledge about security issues. This has often constituted a risk and a threat to the country’s stability and development. The reassessment and strengthening of academic institutions, the recognition of education as an issue of national security, the establishment of a supportive environment, and the development of a cooperative institutional and intellectual climate remain both a challenge and a necessity for national security and the country’s development.
- Hyrja
Problemet e sigurisë janë bërë prej kohësh fushë përgjegjësie e institucioneve më prestigjioze dhe intrigojnë gjithnjë e më shumë elitat intelektuale të çdo kombi. Gjithsesi, siguria vlerësohet si një koncept mjaft kompleks. Në terma të përgjithshëm, mund të përcaktohet si një “mbrojtje e identitetit”. Në terma të veçantë, bëhet fjalë për një strukturë shumëdimensionale që tregon shkallën e “mbrojtjes”, duke filluar nga “siguria e brendshme” e deri te “siguria globale”, e cila garanton shkallën e ekuilibrit të sistemit ndërkombëtar të sigurisë në tërësi. Mund të thuhet se shumica e koncepteve në shkencat sociale nuk janë diskutuar më shumë sesa koncepti i “sigurisë”, për nga gjerësia e njohurive dhe natyra e tij. Cilat janë shkaqet e pasigurisë dhe cilat parime janë më të përshtatshme për të pasur aftësinë të pakësojnë ndikimin e rreziqeve dhe kërcënimeve në shoqëri, shtete, rajone dhe në sistemin global ndërkombëtar? Dhe më tej: Sa siguri? Nga cilat rreziqe? Me çfarë mjetesh? Me çfarë kostoje? Në çfarë periudhe kohore?
Këto pyetje kyçe tashmë janë analizuar dhe debatuar nga hartuesit e politikave dhe strategjive në ministritë qeveritare, parlamentet, analistët akademikë, organizatat joqeveritare, korporatat transnacionale dhe organizatat ndërkombëtare. Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, si dhe politikat e strategjitë e sigurisë që janë formuluar nga shtetet dhe shoqëritë për të menaxhuar pasiguritë, do të përcaktojnë cilësinë e paqes dhe stabilitetin në shekullin e 21-të. Parë në këtë këndvështrim, njohja e kompleksitetit të sigurisë, e testuar përmes qasjes shqiptare si vend i vogël, disa refleksione mbi arsimimin në fushën e sigurisë, si dhe dinamikat dhe sfidat e së ardhmes marrin rëndësi të veçantë. Kuptohet që trajtimi i kësaj tematike i kalon caqet e këtij referati modest, por ajo që trajtohet më poshtë synon të qartësojë historinë e shkurtër të konceptit, kompleksitetin, metodat dhe qasjet e sigurisë në MN, përkufizimet e sigurisë, si dhe disa aspekte të debateve mbi studimet e sigurisë dhe studimet kritike etj. Trajtesa paraprake më orienton në hapin tjetër të studimit: sfidat e sigurisë në vendet e vogla dhe qasja shqiptare, për të vijuar me disa përfundime, refleksione dhe trajtimin e rolit të botës universitare.
Dihet se, për rëndësinë e kësaj teme, trajtesat janë të shumta, por në këtë referat janë përdorur burime të dorës së parë, dokumente strategjike të NATO-s, botime të Qendrës së Studimeve të Sigurisë Evropiane “George C. Marshall”, “Strategjia e Sigurisë Kombëtare – 2014” e Republikës së Shqipërisë (SSK-2014), si dhe dokumente të disa vendeve të rajonit. Janë përdorur gjithashtu vepra të autorëve të huaj si Allan Collins, Barry Buzan, Henry Kissinger, Guy N. (?), Charl (?) Ë. Kugley (?), Joseph S. Nye, Giovanni Cimbalo, Joshua S. Goldstein, si dhe burime të tjera, si “Fjalori Politik i Oxford-it”, botimet e Tim Dunne, Milja Kurki dhe Steve Smith, botime të Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA) etj.
- Histori e shkurtër e konceptit
Evoluimi i konceptit të sigurisë, si edhe ndryshimet në këtë konceptim, të bazuara në hamendësime të ndryshme politike dhe teorike, kanë lidhje të ngushtë me evoluimin historik të sistemit ndërkombëtar, si edhe me progresin intelektual në përpjekjet për të interpretuar konceptin e sigurisë. Çdo konceptim i sigurisë i korrespondon vlerave të veçanta, kërcënimeve dhe aftësive për të përmbushur sfidat që perceptojmë. Përcaktimi tradicional i sigurisë, që nga sistemi i Vestfalisë, lidhej ngushtë me konceptin e shtetit-komb, i parë pothuajse gjithnjë në prizmin ushtarak. “Siguria është tipari më dallues i një vendi sovran”, shprehej në vitin 1651 Tomas Hobs. Ngritja e nacionalizmit dhe e shteteve-kombe në shekujt XVIII dhe XIX u shoqërua me përpjekjet e Fuqive të Mëdha (FM) për të orkestruar stabilitetin në sistemin ndërkombëtar përmes ekuilibrit të pushtetit, nëpërmjet zbatimit të teorisë së ekuilibrit të pushtetit.
Lufta e Parë Botërore (LIB), me ndërhyrjet e saj të pafundme ekonomiko-shoqërore, politike dhe ushtarake, theu ekuilibrin e sistemit të pushtetit dhe çoi në ngritjen e një sistemi të bazuar në parimet e sigurisë kolektive, të institucionalizuara në Lidhjen e Kombeve (LK), organizata e parë e sigurisë kolektive në historinë e re pas LIB. Megjithatë, dështimi i LK-së, me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore (LIIB), e çoi këtë përpjekje për të frenuar agresionin shtetëror dhe për të promovuar paqen ndërkombëtare e stabilitetin në “koshin e plehrave të historisë”. Pa u zgjeruar shumë në histori, veçoj se periudha midis LIB-së dhe LIIB-së ka qenë shumë domethënëse për zhvillimin e studimeve për sigurinë.
Gjatë kësaj periudhe, studiuesit kanë theksuar vazhdimisht faktin se demokracia, mirëkuptimi dhe marrëveshjet ndërkombëtare ishin mënyrat kryesore për të arritur paqen dhe sigurinë. Këta studiues kanë theksuar më së shumti rëndësinë dhe rolin e pazëvendësueshëm të institucioneve dhe të së drejtës ndërkombëtare, më tepër sesa të forcës ushtarake. Sistemi i ri ndërkombëtar konceptohej si një “bashkësi që bënte fuqinë”, në të cilën të gjitha shtetet do të bashkëpunonin për kauzën e përbashkët të garantimit të sigurisë dhe të drejtësisë për të gjithë aktorët dhe do të hiqnin dorë nga konkurrenca dhe nga mjetet shtrënguese.
Gjatë gjithë periudhës së LF-së kanë ekzistuar një sërë mendimesh e konceptimesh për çështjen e sigurisë në lidhje me konfliktin midis “Lindjes” dhe “Perëndimit”. Forca shtytëse e këtij debati lidhej me praninë e armëve bërthamore, fenomen që përmbante në vetvete një forcë të madhe shkatërruese dhe që, si i tillë, ndryshoi ndjeshëm konceptin për MN në përgjithësi, si edhe atë të sigurisë në veçanti. Në vitet e fundit të dekadave 1970 dhe 1980, me ngritjen e shumë lëvizjeve sociale, si ambientalizmi dhe feminizmi, si dhe me rritjen e ndërgjegjësimit për ndikimin transformues të globalizimit mbi sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, debatet për kufijtë e subjektit që zinin vend si perceptime të sigurisë filluan të rivlerësoheshin.
Kriza e naftës e vitit 1973 e përqendroi vëmendjen te burimet energjetike dhe siguria ekonomike, ndërsa shkatërrimi i impianteve kimike në Bhopal (Indi) – me 2 000 të vrarë dhe 200 000 të plagosur – në vitin 1984, si dhe katastrofa bërthamore e Çernobilit (Bashkimi Sovjetik) në vitin 1986, ndihmuan në promovimin e vetëdijes për burimet joushtarake të paqëndrueshmërisë dhe ndikimet transnacionale të katastrofave të tilla, duke mbështetur nevojën për menaxhim bashkëpunues të këtyre kërcënimeve të sigurisë. Komisioni Botëror për Mjedisin dhe Zhvillimin i vitit 1987 (Raporti i Brundtland-it) dhe Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin, e mbajtur në Rio në vitin 1992, ishin prova se marrëdhënia midis varfërisë, padrejtësisë, mungesës së mbrojtjes së mjedisit dhe konfliktit ishte pranuar dhe se kjo çështje tashmë kishte një interes strategjik dhe rëndësi më të madhe për shtetet.
Fundi i LF-së duket se i ka shtangur si akademikët, ashtu edhe studiuesit e fushës së MN-së. Asnjëra prej teorive ekzistuese të kësaj fushe nuk e kishte parashikuar fundin e një epoke që e kishte mbajtur peng mbarë botën. Prej fillimit të viteve ’90 e në vazhdim, një sërë debatesh akademike kanë riformuluar trajtesat dhe mendimet mbi sigurinë. Fundi i LF-së u ofroi studiuesve të MN-së dhe të studimeve rreth sigurisë mundësinë të fokusoheshin në tema që ndryshonin nga ato të teorisë së parandalimit dhe të ekuilibrit të forcës. Vëmendje të veçantë fituan çështje të tjera, ku një nga më të rëndësishmet lidhet me konceptin dhe përcaktimet e globalizimit. Politika botërore në fillim të shekullit XXI përfshin shtete që po formësohen si të tilla, shumë aktorë joshtetërorë që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, si dhe organizata ndërkombëtare. Këto procese bashkëvepruese janë strukturuar në formën e rrjeteve dhe këto rrjete të ndërkombëtarizuara po bëhen gjithnjë e më të dukshme në arenën e politikës ndërkombëtare. Këto forma të reja krijohen duke ndryshuar marrëdhëniet shoqërore dhe mënyrën e zhvillimit të “luftës”, si produkt i globalizimit dhe i teknologjive të reja.
Në dekadën e parë të shekullit XXI e në vijim, kjo disiplinë e riformësuar duket se po fiton vëmendje në rritje dhe po prodhon më shumë kurse universitare dhe projekte, shpeshherë të prirura drejt studimeve doktorale. Kjo rritje dhe kjo joshje mbështeten në rëndësinë e “sigurisë” në epokën e “luftës globale kundër terrorit” dhe në ekzistencën tashmë të një sërë teorish, që lindën gjatë viteve ’90 të shekullit XX. Kryesisht, teoritë evropiane përpiqen t’i japin kuptim sigurisë mjedisore, sigurisë shëndetësore, çështjeve të gjinisë dhe të identitetit, ndërsa teoritë e SHBA-së do të jenë më aktive në fusha si ndalimi i përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe stabiliteti ushtarak botëror. Të dyja këto grupe do të punojnë për terrorizmin, emigracionin dhe tensionin midis sigurisë dhe lirisë, si dhe për rolin dhe natyrën e teknologjisë, globalizimit etj.
- Kompleksiteti i sigurisë kombëtare
Në kuptimin më themelor, pasiguria është rreziku që diçkaje me vlerë t’i ndodhë një e keqe. Koncepti i sigurisë mund të zbatohet për shumë gjëra të ndryshme që kanë vlerë. Studiues autoritarë na mësojnë se siguria konsiderohet njëherazi një vlerë universale dhe një koncept shumë kompleks, i veçantë, i përkulshëm etj. Perceptimi dhe realizimi i saj janë tashmë detyrë dhe përgjegjësi e aktorëve të shumtë kombëtarë e ndërkombëtarë. Si koncept, siguria ka të bëjë me garancinë që jepet në një sistem demokratik, me nivelin në rritje të “paqes sociale” të shoqërisë në tërësi. Siguria në vetvete është pjesë e hierarkisë së nevojave jetike për çdo qenie shoqërore, prej së cilës përcaktohen natyra njerëzore e shoqërore dhe mbijetesa e tyre. Ajo ka domethënie universale dhe është komplekse e dinamike në veçantinë e saj. Për rëndësinë që paraqet, ajo trajtohet gjerësisht nga teoritë e MN-së.
Siguria kombëtare është gjithëpërfshirëse dhe ka një spektër të gjerë veprimi, duke filluar nga integriteti territorial dhe stabiliteti politik, te mënyrat demokratike të ndërtimit të jetës institucionale, mirëqeverisja dhe transparenca e qeverisjes, ku funksionimi demokratik i shtetit dhe i institucioneve civile është i garantuar dhe, për rrjedhojë, shoqëria dhe kombi sigurojnë e shtojnë përparimin dhe zhvillimin. Ajo ka të bëjë me kohezionin sociokulturor, konsensusin shpirtëror dhe moral, si dhe me garancinë për paqe sociale, pa kërcënime të brendshme nga situata të paqëndrueshme.
Ka të bëjë gjithashtu me përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës së qytetarëve, mirëqenien dhe shëndetin e tyre, me sistemin e edukimit të qytetarëve, me sistemin e komunikimit midis njerëzve, me ndërtimin e kujdesshëm të një legjislacioni cilësor dhe me përzgjedhjen e një lidershipi efektiv, efikas dhe cilësor për hierarkinë e shtetit, si dhe me një jetë të pastër publike e private të njerëzve që e duan dhe punojnë për vendin e tyre. Në mënyrë figurative, termi i sigurisë shtrihet në dy rrafshe. Siguria në rrafshin vertikal fillon nga individi, kalon te shteti dhe përfundon në sistemin ndërkombëtar. Ndërsa në rrafshin horizontal kemi të bëjmë me sigurinë në fusha të ndryshme, siç janë ekologjia, emigracioni, terrorizmi, radikalizmi fetar, sëmundjet, katastrofat natyrore dhe humanitare etj.
Në periudha të ndryshme, koncepti dhe përmbajtja e saj janë pasuruar. Për një kohë të gjatë, siguria është konceptuar në përgjithësi si një çështje që i takon shtetit dhe që reflektohet e gjen zbatim nëpërmjet formulimit dhe përcaktimit të politikës së jashtme e të brendshme të këtij shteti. Por, që prej përfundimit të LF-së, shumë çështje që lidhen me sigurinë i kanë kapërcyer kufijtë kombëtarë të shtrirjes së tyre, duke u bërë kështu gjithnjë e më ndërkombëtare. Kështu, Barry Buzan, i Shkollës së Kopenhagës, sugjeron se, ndërkohë që siguria nuk duhet të preokupohet vetëm me ushtritë, siguria ushtarake përbën një prej pesë sektorëve, së bashku me sigurinë mjedisore, ekonomike, shoqërore dhe politike. Human Security është një koncept tjetër i sigurisë. Në bazë të këtij koncepti nuk qëndron më siguria e shteteve, por njerëzit dhe situatat konkrete në të cilat ata jetojnë. Pra, tashmë kemi të bëjmë jo vetëm me sigurinë shtetërore, ushtarake apo policore, por edhe me siguri të tjera, si ajo ekonomike, ekologjike, politike etj.
- Përkufizimet, dy fjalë për studimet e sigurisë dhe studimet kritike të sigurisë
5.1. Çfarë është siguria?
Termi siguri shfaqet me disa kuptime, si në përmbajtje, ashtu edhe në format e saj, dhe u referohet një sërë vlerash dhe çështjesh të ndryshme. Wolfers-i e ka karakterizuar sigurinë kombëtare si një “simbol dykuptimësie”, i cili, kur përdoret pa u specifikuar, “lë hapësira për më tepër konfuzion nga sa mund ta përballojë çdo shpjegim politik apo studimor”. Në këtë kontekst, Haftendorn-i është i mendimit se fusha e sigurisë “vuan nga mungesa e një kuptimi të përgjithshëm për atë se çfarë është siguria, si mund të konceptohet dhe cilat janë çështjet më të rëndësishme që ajo vë në diskutim”. Sipas Buzan-it, koncepti i sigurisë, në pjesën më të madhe të përpjekjeve për t’u vënë në përdorim, “vërteton se është kaq i pazhvilluar, saqë nuk mund ta realizojë qëllimin e tij”. Buzan sugjeron pesë shpjegime të mundshme për atë që ai e quan “zhvillimi i pamjaftueshëm i mendimit mbi sigurinë”. Në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90, koncepti i sigurisë mori forma më të plota dhe u zhvillua më shumë sesa ishte parashikuar. Garnett thekson se “siguria” është bërë tashmë një koncept tejet i zhvilluar, “kaq e zgjeruar në qëllimet e saj, saqë rrezikon të humbasë kuptimin e vërtetë”.
Vështirësitë për të përcaktuar më së miri konceptin e sigurisë njihen edhe nga shumë studiues të tjerë, ndër ta edhe danezi Ole Wæver, si dhe David Baldwin, i cili, në kërkim të një konceptimi më koherent për sigurinë, e përcakton atë si “një mundësi e ulët e dëmit ndaj vlerave të fituara”. Baldwin-i gjithashtu shton se, nëse synojmë t’i bëjmë të krahasueshme me njëra-tjetrën politikat e ndryshme alternative për sigurinë, si edhe politikat që lidhen me përmbushjen e qëllimeve të tjera, nevojiten specifikime dhe sqarime të mëtejshme. Sa siguri? Nga cilat rreziqe? Me çfarë mjetesh? Me çfarë kostoje? Në çfarë periudhe kohore? Një prej përpjekjeve më interesante për të zgjeruar agjendën e sigurisë është bërë nga Barry Buzan dhe kolegët e tij. Ata theksojnë se siguria kolektive njerëzore ndikohet nga faktorë të ndryshëm të pesë fushave kryesore, që janë: fusha ushtarake, politike, ekonomike, shoqërore dhe mjedisore.
Përgjithësisht, siguria ushtarake ka të bëjë me aspektin bashkërendues që ndërtohet në dy nivele. Në njërën anë qëndron aftësia mësymëse dhe mbrojtëse e shteteve, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë perceptimet e shteteve për qëllimet e njëri-tjetrit. Siguria politike ka të bëjë me stabilitetin e organizimit të shteteve, të sistemeve të qeverisjes, si edhe të ideologjive që u japin atyre legjitimitet. Siguria ekonomike ka të bëjë me përdorimin e burimeve, financave, si edhe të tregjeve, të cilat janë të nevojshme për të ruajtur nivele të pranueshme të mirëqenies dhe të pushtetit shtetëror. Siguria shoqërore ka të bëjë me mirëmbajtjen dhe ruajtjen, brenda kushteve të pranueshme për evolucionin, të formave tradicionale të gjuhës, kulturës, zakoneve, si edhe të besimit fetar dhe identitetit kombëtar. Siguria mjedisore ka të bëjë me përkujdesjen ndaj biosferës lokale dhe planetare, si sistemi thelbësor mbrojtës nga i cili varen të gjitha veprimtaritë e tjera njerëzore. Megjithëse këto pesë fusha veprojnë të ndara nga njëra-tjetra, emëruesi i tyre i përbashkët janë rreziqet që i kanosen shtetit, si edhe mbrojtja që do të përpilojë ky i fundit. E thënë ndryshe, koncepti i Buzan-it për sigurinë, i marrë edhe sipas formulimit që përcaktojnë këto pesë fusha, ka në qendër shtetin dhe sovranitetin e tij si objekt thelbësor referimi.
Përpjekjet e shumta që bëjnë studiuesit për të zgjeruar agjendën e sigurisë kanë vlerë të madhe si për debatet akademike, ashtu edhe për ato politike. Gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, Barry Buzan dhe kolegët e tij duket sikur janë distancuar disi nga përqendrimi te shteti, gjë që mund të vërtetohet nga paraqitja e konceptit të “sigurisë së përbashkët shoqërore”. Ata dalin në përfundimin se formulimi fillestar që i bën Buzan pesë fushave kryesore të sigurisë mbetet një përcaktim i dobët, pa baza të forta, për shkak se i kushtohet vëmendje e tepruar stabilitetit të shtetit.
Sipas konceptimit të mëparshëm, objekti referues i çdo fushe të sigurisë ishte shteti, ndërsa shoqëria shihej thjesht si një fushë në të cilën mund të kërcënohej shteti. Duke ripërcaktuar konceptin fillestar të Buzan-it për sigurinë, Wæver-i ka përpunuar një tjetër koncept të sigurisë, të bazuar në dualitetin e sigurisë së shtetit dhe të sigurisë së përbashkët. Të dyja llojet e sigurisë kanë të bëjnë me përpjekjen për mbijetesë, por koncepti i mëparshëm pranon dominimin dhe kontrollin si kriter përfundimtar, ndërsa ky i fundit lidhet ngushtë me çështjet e identitetit. Ndërkohë, nuk kanë reshtur përpjekjet për rikonceptimin e sigurisë në çështje që lidhen me “zgjatimet” e shumëfishta që mund të marrë koncepti i sigurisë, gjë që është propozuar nga studiues të shumtë që prej viteve ’80 e në vazhdim.
Këto hapësira gjithëpërfshirëse ose “zgjatime” mund të përmblidhen në katër fusha, të cilat lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Debati për “zgjerimin” e sigurisë paraqet dy lloje të ndryshme të gjithëpërfshirjes, që lidhen me vetë burimin e kërcënimeve të sigurisë. Së pari, “zgjatimi” horizontal mund të kuptohet sipas koncepteve të sigurisë që përfshijnë një sërë kërcënimesh joushtarake, të tilla si terrorizmi ndërkombëtar, degradimi mjedisor dhe emigracioni ndërkombëtar. “Zgjatimi” horizontal i sigurisë shoqërohet nga një “zgjatim” i dytë, ai vertikal, ku përfshihet zgjerimi i përgjegjësive politike për të garantuar sigurinë.
5.2. Dy fjalë për debatin mbi studimet e sigurisë
Për sa i përket lindjes dhe konsolidimit të Studimeve të Sigurisë si një nëndisiplinë e MN-së, ajo trajtohet si një fryt i periudhës së Luftës së Ftohtë, e përqendruar në sigurinë e shteteve dhe në dimensionin ushtarak të sigurisë, duke privilegjuar status quo-në e atëhershme. Libri i studiuesit Barry Buzan, Njerëzit, Shtetet dhe Frika, konsiderohet shpesh si vepra që hapi rrugën për zgjerimin e konceptit të sigurisë përtej kufijve tradicionalë, të përqendruar në rreziqet ushtarake, të cilave, sipas Buzan-it, u ishte kushtuar vëmendje disproporcionale. Sipas tij, studimet strategjike duhet të merreshin me studimin e aspektit ushtarak të agjendës së sigurisë dhe, më konkretisht, me analizimin e ndikimit të teknologjisë ushtarake në MN. Ndërsa disiplina që ai e quan studimet e sigurisë ndërkombëtare duhet të merret me rreziqe të përkufizuara më gjerësisht. Disa studiues ankoheshin se zgjerimi i konceptit të sigurisë e bënte disiplinën “potencialisht të pakufishme”, madje vetë sigurinë e kthente në “një koncept dukshëm të padobishëm”. Në artikullin Rilindja e Studimeve të Sigurisë, Walt pretendonte se një zgjerim i tillë do të minonte bazat e vetë disiplinës dhe koherencën e saj intelektuale.
Shqetësimet lidhur me zgjerimin e konceptit të sigurisë erdhën jo vetëm nga kampi tradicional, por edhe nga një zë i ri, i ashtuquajtur Shkolla e Kopenhagës për sigurinë. Kjo shkollë, e cila u ngrit mbi bazën e punës dhe veprës së studiuesve Barry Buzan dhe Ole Wæver-it, si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre në Institutin e Kopenhagës për Kërkimet e Paqes, ka dhënë një kontribut të çmuar në rivlerësimin e fushës së sigurisë, sidomos me njohjen e konceptit të “sigurizimit”, i cili është i lidhur ngushtë me veprën e Wæver-it. Ndonëse e shqetësuar për zhvillimin e armëve bërthamore, Studimet e Paqes, përpara përfundimit të LF-së, po vërenin edhe pasojat e degradimit mjedisor dhe të varfërisë mbi sigurinë. Ndërkohë, është me interes të theksojmë se hulumtimet akademike dhe Studimet e Paqes, ndonëse me agjendë të gjerë, nuk erdhën vetëm nga politika dhe MN-ja, por edhe nga disiplina të tjera të shkencave sociale, sidomos nga antropologjia dhe sociologjia, si dhe nga shkencat e natyrës, si fizika dhe matematika.
5.3. Studimet kritike të sigurisë dhe debati mbi thellimin
Në rastin e studimeve tradicionale të sigurisë, hipoteza bazë është se njerëzit janë të sigurt kur shteti është i sigurt. Por, çfarë duhet bërë në rastin kur shtetet e injorojnë sigurinë e disa prej shtetasve të tyre, kur i kanë shtypur ata në mënyrë aktive, si në rastin e Kosovës dhe Bosnjës e gjetkë, apo kur shtetit i mungon kapaciteti për t’u garantuar njerëzve siguri? Cili duhet të jetë objekti referues i sigurisë? Këto pikëpyetje, së bashku me të tjera të ngritura në rrafshin teorik rreth ontologjisë dhe epistemologjisë së realizmit, shkaktuan një valë kritikash në fushën e studimeve të sigurisë, të ardhura nga sfondе të ndryshme, të cilat u bënë të njohura nën etiketën e studimeve kritike të sigurisë, pas publikimit të librit Studimet kritike të sigurisë: koncepte dhe raste, nga Keith Krause dhe Michael Williams.
Për më tepër, ajo që i bashkon studiuesit me sfondе të ndryshme akademike – postmodernistë, kritikë, feministë etj. – nën këtë emërtim është kundërshtimi i supozimeve dhe praktikave të realizmit, më shumë sesa një agjendë e përbashkët kërkimore-studimore apo një vizion alternativ. Këta studiues preferonin të nxisnin pluralizmin intelektual dhe një shumëllojshmëri qasjesh për të studiuar sigurinë, në vend që të përqafonin një qasje të vetme. Ata u mbështetën te dallimi që Robert W. Cox bën midis teorive problemzgjidhëse (që synojnë zgjidhjen e problemit) dhe teorive kritike: e para e merr rendin shoqëror, marrëdhëniet politike dhe institucionet ekzistuese si pikënisje për analizë dhe shqyrton më pas se si mund të ndreqen problemet; ndërsa e dyta heton se si janë formuar këto marrëdhënie dhe institucione të dhëna dhe se si mund të ndryshohen. E thënë shkurt, ndryshimi është i mundur, pasi siguria ndërtohet dhe vendoset në një kontekst shoqëror e historik, ndryshe nga mendimi realist, i cili i sheh rreziqet si diçka objektive dhe jashtë perceptimit tonë për to, për më tepër si ahistorike dhe statike.
Studimet kritike të sigurisë janë zhvilluar edhe në një variant tjetër, i cili përshkruhet ose me gërma kapitale si Studimet Kritike të Sigurisë (SKS), ose si Shkolla e Uellsit. Ky dallim në emërtim shërben për të treguar natyrën më koherente të kësaj qasjeje apo një vizion alternativ ndaj studimeve tradicionale. Ndryshe nga studiuesit e tjerë kritikë, Ken Booth, së bashku me kolegët e tij në Aberystwyth (universiteti i parë në botë ku nisi studimi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare), është përpjekur të ndërtojë një teori koherente, duke i lidhur studimet e sigurisë me traditën e Teorisë Kritike të frymëzuar nga Shkolla e Frankfurtit. Të qenit “kritik”, për Booth-in, nënkupton “…një perspektivë që rreket të qëndrojë jashtë strukturave, proceseve, ideologjive dhe ortodoksive dominuese, ndërsa pranon që çdo konceptualizim i sigurisë përftohet prej pozicioneve të caktuara politike/teorike…”. Sipas tij, teoria kritike e sigurisë përbën një angazhim teorik dhe një orientim politik.
Si angazhim teorik, ajo “përqafon një grup idesh, duke u angazhuar në një hulumtim kritik dhe të vazhdueshëm të ontologjisë, epistemologjisë dhe praktikës së sigurisë së komunitetit dhe të emancipimit të politikës botërore”. Si orientim politik, ajo rrjedh nga synimi “i forcimit të sigurisë nëpërmjet politikave emancipuese dhe rrjeteve të komunitetit në të gjitha nivelet…”. Hipoteza bazë e SKS-së e konsideron gjithë dijen si një proces social që prodhohet nëpërmjet ndërveprimit shoqëror dhe që nuk është thjesht “aty” për t’u zbuluar. Pra, nëse e pranojmë që dija prodhohet politikisht, atëherë ekzistojnë “interesa të dijes”, prej të cilave disa përfitojnë dhe disa dëmtohen. Kjo është shprehur mjeshtërisht nga Cox-i, sipas të cilit çdo teori “është gjithmonë për dikë dhe për një qëllim”. Dija që ka dominuar MN-në dhe studimet e sigurisë, e fshehur nën petkun e “objektivitetit”, u ka shërbyer shteteve të fuqishme dhe, në vend të paqes, vazhdon të gjenerojë konflikt dhe pasiguri për pjesën tjetër. Këto argumente patën ndikim të veçantë në debatet mbi zgjerimin dhe thellimin. Megjithatë, zgjerimi nuk duhet kuptuar si kthimi i çdo problemi politik në një çështje sigurie (sigurizimi i politikës), proces të cilit me të drejtë i druhet Shkolla e Kopenhagës, por si kthimi i çdo çështjeje sigurie në një problem të teorisë politike, pra si politizim i sigurisë.
Siç shprehet Smith, “teoritë nuk vlejnë thjesht për të shpjeguar apo parashikuar; ato gjithashtu na tregojnë se çfarë mundësish ekzistojnë për veprimin njerëzor dhe ndërhyrjen; pra, ato përcaktojnë jo vetëm mundësitë tona shpjeguese, por edhe horizontin tonë etik dhe praktik”. Ky argument tregon për një lidhje të ngushtë ndërmjet teorisë dhe praktikës. Gjithsesi, në një epokë në të cilën siguria është tejet e rëndësishme dhe, njëherazi, shumë komplekse e problematike, për ata që janë përkushtuar ndaj lirisë dhe drejtësisë, pra ndaj tipareve karakteristike të demokracisë, “studimi i sigurisë kërkon një nivel kritik, madje edhe njohjen e faktit se ai nuk siguron një destinacion që mund ta arrijmë përfundimisht”.
- Sfidat e shteteve të vogla, një qasje shqiptare
6.1. Shtetet e vogla
Sa herë që shqyrtohet pozicioni i shteteve të vogla në kuadrin e çdo lloj sistemi ndërkombëtar dhe kërkohet të zbatohen teoritë e MN-së mbi to, problemet janë të shumta, sepse teoritë janë përqendruar kryesisht te FM-të. “Roli i shteteve të vogla në sistemin ndërkombëtar dhe ndikimi i tyre mbi politikat e FM-ve nuk është trajtuar sa duhet…”. Probleme lindin gjithashtu edhe për sa i përket përkufizimit të shtetit të vogël, por, në mënyrë tipike, vlerësohet se këto shtete paraqesin një sërë tiparesh të përbashkëta: popullsi të vogël, sipërfaqe të vogël gjeografike, dobësi ekonomike dhe, shpesh, mungesë stabiliteti politik. Për rrjedhojë, tipikisht, ato kanë një pozicion të dobët dhe jo ndikues në sistemin ndërkombëtar në të cilin operojnë. Gjithsesi, në pikëpamje të madhësisë, ndonëse madhësia e vogël zakonisht konsiderohet disavantazh, pasi mund ta bëjë shtetin të dobët e të varur nga mbështetja apo patronazhi i shtetit ose shteteve të fuqishme, gjë që, për politikëbërësit në fushën e marrëdhënieve me jashtë të shtetit në fjalë, lë vend vetëm për një përqindje të vogël gabimi, ajo mund të jetë edhe avantazh.
Ajo mund të ndihmojë në ushqyerjen e shpirtit dhe unitetit kombëtar, si dhe në shmangien e burokracive të mëdha. Një faktor i dytë i rëndësishëm për shtetet e vogla është pozicioni i tyre gjeografik dhe vlera e perceptuar strategjike e tyre nga ana e shteteve të tjera. Një faktor i tretë, ashtu sikurse trajtohet edhe nga teza mbi asimetrinë e pritshmërive të Sven Holtsmark-ut, është këndvështrimi i shtetit të vogël lidhur me çështjen kombëtare. Komponenti i katërt vendimtar është pika e veçantë në ciklin e MN-së dhe në tipin e sistemit ndërkombëtar. Dilema tradicionale e shteteve të vogla qëndron në kontradiktën midis influencës dhe autonomisë: shtetet e vogla do të dëshironin të rrisnin influencën e tyre, ashtu si edhe autonominë, ose të paktën ta ruanin atë.
6.2. Dy fjalë për sfidat e sigurisë së shteteve të vogla
Ka disa arsye për këtë neglizhim të studimeve të shteteve të vogla në disiplinën e MN-së. Një arsye vjen nga perspektiva e sociologjisë së dijes, ku është argumentuar se, për shkak se MN-ja është kryesisht një disiplinë amerikane dhe SHBA-të janë një fuqi e madhe, perspektiva e shteteve të mëdha u lidh me literaturën. Megjithatë, para LIIB-së, MN-ja ishte një disiplinë britanike dhe Britania është një nga nyjet më të rëndësishme. Një arsye e dytë përse shtetet e vogla nuk janë studiuar është se ka pasur vështirësi për studimin e tyre. Një arsye tjetër është se studiuesit që studiojnë shtetet e vogla shpesh punojnë në shtete të vogla dhe i bëjnë publikimet në gjuhët e tyre kombëtare. Një arsye e katërt pse MN-ja, si disiplinë, po i kushton vëmendje të pamjaftueshme studimit të shteteve të vogla është se këto shtete nuk mund të ndikojnë te FM-të dhe t’i bëjnë ato të luftojnë për to. Sfidat e sigurisë së shteteve të vogla, kuptohet edhe të Shqipërisë, në kuadër të MN-së, përbëjnë një veçori në krahasim me sfidat e sigurisë që duhet të përballojnë shtetet e mëdha.
Në radhë të parë, shtetet e vogla duhet të ndërgjegjësohen se ato mund të ofrojnë po aq sa edhe shtetet e mëdha për sigurinë ndërkombëtare. Globalizimi, si shfaqje dhe si prirje, e justifikon plotësisht këtë përfundim. Për shembull, një veprim terrorist me efekte strategjike, në kushtet e globalizimit, mund të ndodhë njëlloj si në shtetet e mëdha, ashtu edhe në shtetet e vogla. Madje, për shkak të mungesave që mund të kenë në kapacitetet monitoruese e kontrolluese, këto rreziqe mund të gjejnë “parajsën” pikërisht në shtetet e vogla. Prandaj, përgjegjësia e shteteve të vogla nuk është vetëm aq e ngushtë sa popullsia apo territori i tyre, por shumë më e gjerë. Nga ana tjetër, shtetet e vogla duhet të kuptojnë se siguria e tyre fillon në shtëpinë e tyre, pavarësisht se nuk i kanë të gjitha kapacitetet për të menaxhuar e përballuar rreziqet dhe kërcënimet. Ato duhet të kuptojnë se janë vetë ato që duhet të identifikojnë zbrazëtitë e tyre në fushën e sigurisë.
6.3. Një qasje shqiptare
Shqipëria përfshihet në grupin e shteteve të vogla, me të gjitha kufizimet që normalisht përballon kjo kategori shtetesh. Në kuadër të marrëdhënieve të saj ndërkombëtare, që nga krijimi e deri në fund të shekullit të 20-të, Shteti Shqiptar, si institucioni themelor i sigurisë kombëtare, ka luajtur rol të pazëvendësueshëm, përderisa ruajti atributet dhe vijimësinë e qeverisjes.
Duke shmangur teorinë se mund të gjesh forcë te dobësia, lidershipi shqiptar e ka marrë në konsideratë dobësinë e shtetit shqiptar dhe është përpjekur të përdorë fuqinë relative të vendit, për t’u rreshtuar me FM-të dhe për të siguruar mbështetje nga çdo fuqi rajonale ose e madhe. Kjo mbështetje ishte e domosdoshme për mbrojtjen e interesave në atë kohë. Kjo u manifestua më së shumti në krijimin e aleancave asimetrike, një politikë kjo që pati nivele të ndryshme suksesi, në varësi të rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare. Në perspektivën historike, rreshtimi me një fuqi të madhe, në një kohë të caktuar, ishte në gjendje ta shpëtonte Shqipërinë nga rënia ekonomike apo kërcënimi ushtarak.
Në një periudhë tjetër, kjo kërkonte që shqiptarët të sakrifikonin sovranitetin e tyre ose të vepronin në interes të shteteve të forta. Ndërsa asimetria ka qenë e vazhdueshme, niveli i përfshirjes dhe i ndikimit të jashtëm ka qenë i ndryshueshëm, duke nisur që nga ai i marrëdhënies midis shtetit patron dhe shtetit vartës. Përjashtimi më i rëndësishëm nga karakteristika tipike e formimit të aleancave prej Shqipërisë ndodhi në kohën e E. Hoxhës. Ai, megjithëse ishte shfrytëzuesi më i devotshëm i kësaj strategjie, realizoi shkëputjen më të thellë prej kësaj qasjeje, duke zbatuar një politikë të rreptë izolimi, që e çoi vendin në izolim të plotë, apo në një gjendje autistike, siç e quan Buzan (1993, f. 341), nga të gjitha ndikimet dhe komunikimi me jashtë.
Po t’i referohemi periudhës pas LF-së, çështja që mbetet për t’u diskutuar është nëse Shqipëria do ta rreshtojë vazhdimisht veten përkrah një fuqie të madhe dhe nëse kjo do të vazhdojë të jetë politika e saj e jashtme, për aq kohë sa ajo të karakterizohet nga dobësia shtetërore. Gjithsesi, fakti që Shqipëria, në krahasim me shtetet e tjera të vogla të rajonit e më gjerë, përgjithësisht është e vonuar në kapjen e ritmeve politike dhe, prej këtej, edhe të ritmeve të ekonomisë e të gjithë jetës së vendit, flet për njëfarë pamjaftueshmërie të kapaciteteve të institucioneve të saj përfaqësuese.
Gjatë një gjysmëshekulli, shumë vende pas LIIB-së i përkushtuan një vëmendje të veçantë sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, duke u bazuar në një koncept që, në themel, vinte çdo gjë në shërbim të mbrojtjes. Edhe strategjitë kombëtare e shprehnin që në titujt e tyre prirjen për mbrojtjen e çdo pjese të territorit me të gjitha resurset kombëtare dhe me çfarëdo lloj çmimi për kombin. Në këtë rast, përshkrimi i modelit të Shqipërisë është shumë domethënës për Mbrojtjen Totale.
Shqipëria përjetoi jo vetëm një ndër sistemet më të egra komuniste, por edhe u vetizolua tërësisht, pasi doli e zhgënjyer nga aleancat e saj të pasuksesshme me Bashkimin Sovjetik e më pas me Kinën. Duke u nisur nga ideja vetëizoluese dhe besimi se mund t’ia dilte vetëm me forcat e veta, ajo hoqi dorë nga çdo lloj mbështetjeje nga jashtë.
Çuditërisht, forca politike e kohës besonte se Shqipëria, pavarësisht se ishte një vend i vogël dhe me resurse njerëzore e ekonomike të kufizuara, mund t’ia dilte të përballonte, madje edhe të fitonte kundrejt një armiku të mundshëm shumë më të madh në numër dhe fuqi. I gjithë ky besim bazohej në idenë se, ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria po formonte një Ushtri Popullore me unitet dhe ndjenjë të lartë atdhedashurie. Qëllimet strategjike të Shqipërisë, mbrojtja e lirisë dhe e pavarësisë së atdheut në atë kohë, nuk mbështeteshin në ndihmën e jashtme ose në koniunkturat ndërkombëtare, por tërësisht në faktorin e brendshëm: në forcën, atdhetarinë dhe trimërinë e popullit tonë, në armatosjen dhe përgatitjen e tij të gjithanshme, si dhe në gatishmërinë e lartë dhe të përhershme të Forcave të Armatosura.
Nën psikozën e LF-së dhe në përputhje me konceptin politik të kohës, atë të vetizolimit, Ushtria Shqiptare ndërmori një sërë ndryshimesh, të cilat kryesisht kishin të bënin me përmasat e saj tejet të mëdha. Kështu, deri në fillim të viteve ’90, vetëm Ushtria numëronte 61 000 ushtarakë aktivë ose mbi 2% të popullsisë, 360 000 rezervistë dhe mbi 200 000 forca vullnetare territoriale, pa folur për formacionet e rinisë studentore e shkollore të armatosura. Ndërsa, në përputhje me parimet kryesore të mbrojtjes së vendit “pëllëmbë për pëllëmbë”, ushtria, përveç kazermave, dispononte edhe 2 200 pika hapjeje e garnizone në të gjithë sipërfaqen e vendit. Nën okelion “Çdo gjë për mbrojtjen, çdo gjë për fitoren”, në vitin 1975 filloi fortifikimi i Shqipërisë, i cili vazhdoi deri në vitin 1985, kur vdiq diktatori Enver Hoxha.
Për sa i përket studimeve të sigurisë, kuptohet të orientuara te studimet ushtarake, ndërsa në shumicën e vendeve ish-komuniste presioni dhe kontrolli i shtetit komunist erdhi gradualisht duke u dobësuar, në shtetin shqiptar ndodhi e kundërta. Sidomos pas viteve ’70 të shekullit XX, ai erdhi duke u forcuar, çka i shkëputi studimet ushtarake nga zhvillimet bashkëkohore. Ky fenomen u hapi rrugë fokusimit, madje edhe fetishizimit të vlerave kombëtare. Përshtypja e parë që ofron materiali i grumbulluar arkivor, në bibliotekat tona etj., dhe i studiuar, është se studiuesit ushtarakë janë përpjekur “të gjejnë” e të theksojnë vlerat e një arti ushtarak “origjinal” dhe, ashtu si kolegët e tyre civilë, kanë respektuar maksimalisht logjikën historike të “qëndresës tradicionale shqiptare për të mbijetuar”, duke mos dalë thuajse fare jashtë kufijve historikë të Shqipërisë. Gjatë periudhës komuniste, studimet në fushën ushtarake, si mbarë shkencat sociale, ishin tërësisht të mbyllura ndaj ndikimeve që mund të vinin nga jashtë. Pra, një faktor që ka peshuar mbi brezin tim, më shumë te paraardhësit dhe më pak te kolegët e rinj dhe studentët, ka qenë LF-ja me sistemin e arsimimit e të stërvitjes që ka imponuar. Në atë kohë ishim të shtyrë të përfytyronim e të përgatiteshim për kërcënimet e një lufte kundër kundërshtarëve të shumtë etj. Problemi ishte se, në atë periudhë, nuk mund t’i perceptonim gjithmonë realisht ato. Kushdo që kishte një perceptim ndryshe dhe guxonte të analizonte e të parashikonte zgjidhje sa më reale, e paguante shtrenjtë.
Gjithsesi, pas qindra stërvitjesh me zgjidhje detyrash apo të zhvilluara në njësitë dhe repartet e ushtrisë, shumica u bindën se nuk mundëm të gjenim një mënyrë bindëse dhe logjike që të justifikonte qëllimin e një “lufte” të tillë. Gjithsesi, ky nuk ishte një fenomen shqiptar. LF-ja ishte gjithmonë e pranishme, pra një motiv shumë i mirë për të përligjur programet dhe planet mësimore, si dhe ato të punës kërkimore etj. Kështu, ne përcaktuam mënyrën tonë të të menduarit, organizimin, pajisjet dhe zhvillimin e koncepteve taktike, operative e strategjike. Tani jemi të ndërgjegjshëm se direktiva politike, si dhe doktrina ushtarake e kohës, kanë prodhuar pasoja të rënda etj. Përfundimi i LF-së solli ndryshime thelbësore në axhendën e çështjeve të sigurisë, duke e zgjeruar gamën e problematikës me të cilën përballej arena ndërkombëtare. Në Shqipëri, pas rivendosjes së sistemit demokratik dhe të marrëdhënieve SHBA–Shqipëri, siguria do të fillonte rimëkëmbjen dhe do të vëreheshin hapat e parë të rritjes, duke vazhduar progresin e vet, me oshilacione, gjatë 26 viteve të tranzicionit.
Hyrja e Shqipërisë në rrugën e transformimeve demokratike, pas vitit 1991, ishte e natyrshme që do të reflektohej edhe në fushën e sigurisë. Kjo u pa si te konceptet e reja, ashtu edhe në hapat konkretë, sidomos të natyrës politike e diplomatike, për sigurinë. Që në muajt e parë të vitit 1992, Shqipëria ishte ndër vendet e para që aplikoi për NATO-n. Në shkurt 1994, Shqipëria nënshkroi Dokumentin Kuadër të Partneritetit për Paqe. Ajo u bë vend aspirant në prill 1999, në Samitin e Uashingtonit, si dhe vend aleat në prill 2009, në Samitin e Strasburgut dhe Kielit. Periudha e viteve 1997–1999 ishte një periudhë jo e këndshme dhe me ulje-ngritje në sektorin e sigurisë. Kujtojmë se, veç të tjerash, shqiptarët u ballafaquan me dy probleme aq dramatike dhe gjurmëlënëse: a) shteti shqiptar u përball me revolta të fuqishme; b) shqiptarët e Kosovës u ndeshën me aktin e fundit të barbarisë së politikës serbomadhe.
Ndërsa pas viteve 2000, në tërësi, vihen re disa arritje në ecurinë e reformave. Janë bërë përpjekje për kapërcimin e paradigmës së sigurisë “së ngushtë”, shtetërore apo ushtarake, drejt paradigmës së re të sigurisë së gjerë e komplekse, që integron sigurinë shtetërore me atë shoqërore, politike, ekonomike, njerëzore dhe mjedisore; kalimin nga koncepti i mbrojtjes me forcat e veta te siguria kolektive e NATO-s dhe, më tej, te ESDP-ja në BE. Gjithashtu, është kaluar nga siguria (më saktë, mbrojtja) në LF, e bazuar në përballjen me rreziqe e kërcënime tradicionale, konvencionale dhe simetrike, drejt një sigurie pas LF-së dhe në shekullin XXI, të fokusuar kryesisht në rreziqe e kërcënime jotradicionale dhe asimetrike.
Ndërkohë, veçojmë se ndihmesa e RSH-së dhe e Forcave të Armatosura Shqiptare (FASH) në misionet ndërkombëtare përbën një histori suksesi dhe përfaqësimi dinjitoz. Sfidat ndaj sigurisë i detyrojnë politikëbërësit të adresojnë ndjeshmërinë e njerëzve, votëbesimin ndaj institucioneve shtetërore, si dhe përgjegjësinë që ata duhet të kenë në çdo nivel vendimmarrës. Për këtë, hartohen politika sigurie apo strategji të sigurisë kombëtare, si dokumente strategjike. Pos të tjerash, në funksionin e vet të brendshëm, SSK-ja ka një rol të rëndësishëm: ajo përbën kështu “… një bazament të përbashkët gjuhe, praktikash, shkëmbimi informacioni, aranzhimesh, standardesh… është një mjet për planifikimin dhe verifikimin e politikave të shtetit…”.
Dokumenti i parë shqiptar i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) u miratua në vitin 1995. Në periudhën vijuese, SSK-ja u rishikua edhe dy herë të tjera, në vitet 2000 dhe 2004. Aktualisht, që prej vitit 2014, është miratuar dokumenti i ri i SSK-së. Përgatitja e SSK-2014 është pa dyshim një zhvillim pozitiv në aspektin e sigurisë së vendit, pasi përmbush një boshllëk konceptual për institucionet e sigurisë së vendit, në një kohë kur Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s. Zbatimi i SSK-së ka rëndësi jetike për të ardhmen e vendit dhe mbrojtjen e vlerave tona kombëtare. Historia e pasur dhe komplekse, pozita gjeografike e Shqipërisë dhe e kaluara e afërt krijojnë një ndërveprim dinamik mes kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme dhe mundësive që ofron mjedisi strategjik. Gjithsesi, ende vërehen probleme e dobësi të natyrave të ndryshme. Kujtoj se miratimi i saj në parlament u kalua me 72 vota, ndërsa në dokumentet e mëparshme (2004) miratimi kishte qenë i plotë. Gjithashtu, siç del edhe në dokument, “trajta e arkitekturës së brendshme të sigurisë së RSH-së nuk u përgjigjet tërësisht nevojave dhe sfidave të sigurisë me të cilat përballet vendi… Në rastet e krizave, përgjigjja institucionale ka qenë më shumë reaktive sesa proaktive”. Etj.
- Përfundime, refleksione dhe pesha e botës universitare në studimet e sigurisë
Siguria mbetet një ndër konceptet më të debatuara të kohës, në kërkim të një përcaktimi që mund të jetë i pranueshëm nga të gjithë. Ky koncept i referohet disa çështjeve, qëllimeve dhe vlerave të ndryshme, të cilat shpeshherë reflektojnë kontradiktat që rrjedhin nga teori të ndryshme të fushës së MN-së. Fokusi dhe qëllimi i studimeve të sigurisë kanë evoluar ndjeshëm me kalimin e viteve. Siguria kombëtare (SK) është përkufizuar më parë si aftësia dhe zotësia e një kombi për të mbrojtur vlerat e tij të brendshme nga kërcënimet e huaja, ndërsa SK-ja tregon shkallën e vlerave të fituara më parë. Studimet bashkëkohore të sigurisë kanë përparuar konceptimin e saj, duke zbuluar dhe përcaktuar të gjitha dimensionet që ajo ka. Siguria mund të përkufizohet si shpresa për të ruajtur aftësinë dhe zotësinë për të gëzuar e shijuar vlerat më të shtrenjta, për të qenë i lirë nga çdo pengesë apo kërcënim. Ajo bëhet, në këtë mënyrë, siguri për “rezultate të vlerave” të dëshiruara, nga të cilat formulojmë themelet politike të një kombi etj. Fundi i LF-së i rifokusoi debatet te “kuptimi i sigurisë”.
Pavarësisht nga përpjekjet e shumta që kanë bërë studiuesit e fushës së sigurisë për të dhënë një koncept koherent dhe sistematik të saj, për të përcaktuar konceptin e sigurisë nuk ka asnjë mendim që të jetë i pranuar nga të gjithë. Duhet të themi se siguria mbetet një koncept që gjeneron debat, gjë që nuk na lejon të arrijmë në një përcaktim që do të pëlqehet dhe do të pranohet nga të gjithë. “Siguria” nuk është vetëm një term i thjeshtë, i cili nënkupton një aspekt të caktuar të MN-së, por ajo është më tepër një faktor vendimtar, i cili ndikon jo vetëm politikën në të gjithë spektrin e saj, por i shtrin efektet e saj në psikologjinë, jetën dhe mirëqenien e çdo individi, shoqërie dhe komuniteti. Sot, gjithnjë e më shpesh, burimet e rreziqeve për Europën marrin shfaqje ndërkombëtare. Ndër to përfshihen korrupsioni, krimi i organizuar, terrorizmi, radikalizmi fetar, imigrimi, epidemitë, katastrofat ekologjike etj., të trajtuara edhe nga SSK-ja e vitit 2014 e Shqipërisë. Kapërcimi i këtyre vështirësive mund të realizohet vetëm me veprime të përbashkëta.
Kjo presupozon që parimi i sigurisë nëpërmjet bashkëpunimit të kthehet në normë të marrëdhënieve të tyre. Sot, më tepër se kurrë, kërkohet fleksibilitet për të pasqyruar ndryshimet që dikton mjedisi i ri i sigurisë. Kjo bëhet më e domosdoshme kur siguria e secilit shtet nuk është domen i një diktature, elite partie ose junte, që dikur kishte fituar kontrollin mbi procesin jotransparent të miratimit të mjeteve për mbrojtjen. Sot, qasjet e përzgjedhura janë të mirëpërqendruara, por edhe sfidat janë më të mëdha. Nëse deri dje kemi ecur më shumë me entuziazëm dhe më pak me plane vizionare, sot sfida është: më shumë plane vizionare e reale, më shumë afrim me standardet institucionale dhe jo vetëm konformizëm ndaj vlerave.
Qasjet integruese kërkojnë patjetër edhe vizione, planifikim, seriozitet e luajalitet ndaj këtyre standardeve, sepse vetëm kështu do të mund të shumëfishojmë përfitimet si vend i vogël. Investimi ynë më i madh është dhe duhet të jetë kërkimi i rrugëve të mençura për një bashkëpunim sa më të frytshëm në interes të sigurisë e prosperitetit të vendit. Vendet e vogla, në mos po aq sa të mëdhatë, janë tanimë një pjesë e hapur e gjeografisë së madhe, një pjesë e hapur e shkëmbimeve të mëdha e, po aq, edhe trampolinë e rreziqeve të mëdha jotradicionale. Kësisoj, siguria nuk është njëkahëshe. Për shtetet e vogla, kjo është një “duhet” shumë detyruese, sepse, në mungesë të fuqisë, ato mund të ofrojnë gjeografinë, prestigjin, luajalitetin, shkëmbimin e vlerave dhe sidomos të informacionit, i cili sot, në kushtet e globalizimit, është më shumë sesa fuqi.
Trajtimi i të gjitha sfidave të sigurisë është pjesë e sensibilitetit të opinionit publik, si dhe e axhendave të institucioneve vendore, rajonale, bashkëpunuese dhe globale që merren me këto çështje. Në këtë drejtim, roli i botës universitare ka qenë i ndjeshëm. Bota akademike dhe ajo universitare kanë dhënë kontribute të mëdha në fushën e sigurisë. Kujtojmë rolin e tyre, sidomos në periudhën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në studimet e sigurisë, gjatë epokës së tyre të artë, në vitet ’50–’60, në institucionalizimin e tyre, në ndihmesën e vyer për studimet e paqes, në thellimin dhe zgjerimin e konceptit, në studimet kritike e deri te studimet strategjike. Në dekadën e parë të shekullit të njëzetenjë dhe në vijim, kjo disiplinë e riformësuar duket se po fiton vëmendje në rritje dhe po prodhon më shumë kurse universitare e projekte, shpeshherë të prirura drejt studimeve doktorale.
Kjo përvojë po zhvillohej bindshëm edhe në historinë e institucioneve tona të larta arsimore e kërkimore, ku pesha dhe roli i civilëve nga fusha e shkencave sociale, shkencave të natyrës etj., është sot dominues dhe i vlerësuar. E vërteta është se në Shqipëri, pas hapjes, u panë përpjekje të lavdërueshme e motivuese në studimet e sigurisë në UT dhe në disa universitete jopublike, sidomos nga AFA-ja. Ndihmesa e veçantë e aleatëve perëndimorë në përgatitjen e një numri të konsiderueshëm ekspertësh në institucione autoritare, si Qendra Xh. Marshall dhe disa kolegje të famshme të NATO-s, pati ndikimin e vet në formësimin e kulturës së sigurisë si risi në lidershipin politik dhe te ekspertët, sidomos në institucionet e sigurisë së fortë.
Ajo ndikoi gjithashtu në hartimin e dokumenteve strategjike, zgjimin e interesit nga bota universitare dhe pasurimin e kurrikulave me module nga fusha e sigurisë, gjeopolitikës etj., në disa universitete. Por, për fat të keq, ky investim dhe entuziazëm nuk vijoi. Përkundrazi, arsimimi në këtë fushë u paragjykua dhe, me orientim politik, sjellje autoritariste e metoda revolucionare që shkatërrojnë bazat institucionale, u frenua, u demotivua dhe u kthye drejt paradigmës së vjetër të sigurisë si fenomen i mbyllur në kazermën ushtarake. Megjithëse interesi për këtë fushë mbahet gjallë në UET, ISE dhe me fillesat premtuese të Akademisë së Sigurisë, si dhe sidomos nga disa OJF me botimet e tyre, realiteti i studimeve të sigurisë është në pikën më të ulët.
Mosvlerësimi dhe mosmotivimi i ekspertëve të kualifikuar në institucionet perëndimore të lartpërmendura, kufizimi i statusit të institucionit prestigjioz, ku ekspertiza e sigurisë duhet të ishte domen dhe në dobi të vendimmarrjes politike, si dhe mbyllja në mënyrë arbitrare e programeve MSH dhe e programeve të doktoraturës me problematikë interesante nga fusha e studimeve të sigurisë, gjeopolitikës etj., të cilat janë mjaft dobiprurëse për cilësinë e analizave dhe rekomandimeve në mbrojtje e zhvillim të interesave kombëtare, zhvillimit dhe sigurisë së vendit, janë në vetvete një injorim i dijes si fuqi. Ato përbëjnë goditje ndaj elitës premtuese me formësim kombëtar e kulturë sigurie, mjaft të dobishme për përballjen me sfidat e integrimit euroatlantik etj.
Në fund të fundit, këto veprime rrezikojnë vlerat e fituara dhe mund të çojnë në kthim drejt izolimit. Dhe, nëse flasim për izolimet e Shqipërisë: izolimin osman, si izolim fetar me shkaqe politike; izolimin komunist, si izolim politik me shkaqe ideologjike, tani mund të rrezikohemi nga izolimi kulturor me bazë financiare. Siguria është një koncept i ndikueshëm dhe fleksibël, dhe studimi i politikave të sigurisë pasqyron po aq natyrën objektive të qëndrueshmërisë dhe paqëndrueshmërisë, sa edhe perceptimet subjektive të shoqërive dhe shteteve që e përdorin atë. Duke parë nga e ardhmja, si mund të ndikojnë ndryshimet demografike, resurset natyrore dhe mjedisi, shkenca dhe teknologjia, ekonomia globale dhe globalizimi, qeverisja kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe konfliktet e ardhshme, në sigurinë e individëve, shoqërive, shteteve, rajoneve dhe të sistemit ndërkombëtar të sigurisë?
Megjithëse evolucioni dhe ndikimi i këtyre rrymave globale dhe dinamikave janë të vështira për t’u kuptuar nga studenti i MN-së, ku siguria mbetet një shtyllë e fuqishme, pyetjet në vetvete kanë rëndësi. Angazhimi i botës universitare mbi këto çështje do të na lejojë:
Së pari: të kemi pritmëri dhe shpresë se do të menaxhojmë më mirë burimet e pasigurisë dhe të konflikteve në të ardhmen dhe, kështu, gradualisht, do të arrijmë të ndërtojmë një paqe të qëndrueshme në rajon etj. Të mësosh të zbërthesh së bashku shenjat e së ardhmes dhe t’i kthesh ato në përfytyrime dhe projekte të përbashkëta do të thotë të mësosh tashmë të jetosh bashkërisht. Ne jemi përgjegjës për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes, në suazën që na motivon ekspertiza, por për këtë duhet të shtrojmë edhe pyetjet e duhura. Sot, me zhvillimin e pyetësorit mbi të ardhmen, thellohet një betejë e çuditshme trup më trup midis dijes dhe padijes.
Së dyti: bota sot është nën sundimin e globalizimit, një proces ndryshimi afatgjatë, i cili mbart me vete kulme, sfida, rreziqe, kriza e pasiguri që përfshijnë gjithë botën, ku “pasiguria do të jetë realitet i përhershëm, ndërsa përpjekja për siguri kombëtare preokupim i vazhdueshëm”.
Ndër të tjera, sot, në një hark që shtrihet nga Lindja e Largët, nëpërmjet Lindjes së Mesme, deri në rrugët e qyteteve të Europës dhe SHBA-së, ne përballemi me një kërcënim që është vazhdimisht në zhvillim. Debati i sigurisë shpesh është përqendruar te pasojat. Por ndryshimi i qëndrueshëm varet nga shqyrtimi i shkaqeve rrënjësore të ekstremizmit. Natyrisht, politika e luan rolin e saj. Por toka në të cilën ata mbjellin farën e urrejtjes është e pllenuar me injorancë.
Globalizimi është duke e intensifikuar dhe shumëfishuar këtë ekstremizëm. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ekstremizmin islamik. Ka edhe akte ekstremiste të kryera kundër myslimanëve për shkak të fesë së tyre. Sot ka të krishterë fanatikë, hebrenj, hinduistë dhe budistë që e shpërfytyrojnë natyrën e vërtetë të besimit të tyre. Ekziston një rrezik real që konflikti fetar të zëvendësojë luftën e bazuar në ideologjitë e shekullit të kaluar, në një formë po aq shkatërruese.
Aktet terroriste në Paris, Belgjikë, Turqi e gjetkë, dëshmi të intensitetit të kësaj vale terrorizmi, tregojnë më së miri se është koha “që duhet të flasim të gjithë” dhe të perceptojmë dimensionin e ri real të kërcënimit, si pjesë të një strategjie, e cila nuk është vetëm ekskluzivitet i strukturave përgjegjëse të shtetit, por është shumë më gjithëpërfshirëse. Është detyrë e të gjithëve ne t’u tregojmë njerëzve se kemi një ide më të mirë se ajo e ekstremistëve: të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të jetojmë me njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse arsimi në shekullin XXI është çështje e sigurisë për të gjithë ne. Ai duhet të jetë një pjesë thelbësore e edukimit të të rinjve.
Së treti: Shqipëria ofron përvojën e sistemit të përpunuar prej saj, mbi të cilën duhet reflektuar për të kuptuar se si mund të sigurohet paqja fetare dhe bashkëjetesa në diversitet. Kjo na ndihmon të ndjekim rrugën e duhur, në mënyrë që mbrojtja e komuniteteve që vendosen në territore të reja të mos prodhojë vlera regresive në emër të lirisë së tjetrit; që të kuptojmë se Shqipëria ka një traditë krenare në mbrojtjen e komuniteteve në nevojë; se modeli shqiptar i marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare mund të jetë një rast i mirë reflektimi dhe përsiatjeje për ata që duan t’i zgjidhin paqësisht konfliktet ndërfetare ndërmjet grupeve të ndryshme, sidomos kur përplasjet fetare shoqërohen edhe me konflikte etnike. Ky është një element thelbësor i traditës shqiptare, që ndikon në plotësimin sa më të mirë të parametrave të domosdoshëm për garantimin e sigurisë.
Së katërti: mbi të gjitha, arsimimi dhe studimi do të motivojnë rikthimin e shpresës dhe të frymës optimiste, tani dhe për gjeneratën e ardhshme. Pesimizmi është një sëmundje shumë e rrezikshme, që shpesh na ka dëmtuar. Mjafton të kujtojmë për këtë shqetësimin fishtian në vargjet e vjershës “Çohi të Dekun…”.
Dhe se, pavarësisht vështirësive për matjen e fuqisë, studiues autoritarë e kanë artikuluar atë në formula, ku shihet roli përcaktues i vullnetit dhe strategjisë. Mungesa apo dobësia e tyre i kthen në të pavlerë elementet e tjera të ekuacionit, pra edhe vetë fuqinë.
Ne duhet t’u japim kuptim elementeve ku mbështetet fuqia e dinamizmit, duke e trajtuar atë në këndvështrimin e ri dhe duke përcaktuar drejt veten si subjekt të historisë, jo si objekt çfarëdo që detyrohet t’ia lëshojë veten rrjedhës së ngjarjeve. Universitetet tona duhet të formësojnë elitën kombëtare dhe të mbështesin ata që e përkufizojnë identitetin e tyre me forcën psikologjike, të pajisur me një optimizëm të buruar nga thellësia historike dhe gjeografike. Ata duhet të jenë të aftë të shpalosin një performancë strategjike, e cila të bëhet përcaktuese në proceset shndërruese progresive. Duhet të mbështesim fort ata që kuptojnë dinamikën e sistemit ndërkombëtar dhe të marrëdhënieve mes fushave lokale e globale, si dhe përgatisin truallin që “do t’i bënte brezat e ardhshëm subjekte të ndryshuara e dinjitoze në histori”.
Së pesti: thellimi i përmbajtjes së reformës arsimore. Dhe, nëse flasim për reformën në arsim, duhet të diskutojmë dhe t’u japim përgjigje pyetjeve: Cilat reforma institucionale në lidhje me universitetet dhe institutet kërkimore do të ishin më të favorshme për përpunimin, aq më saktë, për qasjen në vendin tonë, të një teorie më të mirë dhe të një politike më të mirë për sigurinë etj.?
Pos të tjerash, vendi ynë angazhohet në operacione ndërkombëtare të sigurisë, si dhe në shtabe e organizata ndërkombëtare, të cilat në objektin e tyre kanë edhe studime, vlerësime, hartime dhe zbatime planesh e strategjish. Specialistët për çështjet e sigurisë janë të kërkuar pothuajse në të gjitha dikasteret e linjës, deri në qeveri, parlament e presidencë, dhe jo vetëm në Forcat e Armatosura, Forcat e Rendit, Shërbimet Inteligjente etj. Ata kërkohen edhe në institucionet ndërkombëtare të sigurisë.
Në vlerësim statistikor, bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm (disa mijë) personash që angazhohen në çështjet e sigurisë. Ky numër jo vetëm që është në rritje, por cilësia është përcaktuese. Ndërkohë, siç vërejnë edhe ekspertët e huaj, në Shqipëri, në tërësi, ka mungesë njohurish për problemet e sigurisë nga lidershipi politik, administrata e lartë etj. Kjo mungesë njohurish përbën në vetvete rrezik për sigurinë e vendit.
Për të operuar me të njëjtin standard me partnerët, por edhe për të harmonizuar mënyrën e veprimit në nivel kombëtar, e vetmja rrugë për ata që angazhohen në çështjet e sigurisë mbetet arsimimi, kualifikimi dhe trajnimi me kurrikula bashkëkohore. Institucionet akademike kanë rol parësor jo vetëm në atë që theksuam që në krye të radhës, pra në studimet e sigurisë, por edhe në krijimin e një mjedisi dhe klime intelektuale për këto çështje. Mbi të gjitha, është domosdoshmëri një politikë motivuese dhe një klimë intelektuale, ku inkurajimi i arsimimit dhe i botës universitare mbetet parësor. Sepse, edhe pse studimet e sigurisë “bëjnë pjesë në politika relevante dhe teori veprimi, ato, para së gjithash, duhet të jenë fusha dhe disiplina intelektuale, që duhet dhe do të mund të reflektojnë në performancat shtetërore”.
Së gjashti: përgatitja e liderëve të ardhshëm me kulturë sigurie. Gjenerata e re, e lindur dhe e edukuar në liri, me kulturë sigurie dhe pa ngarkesa, paranoja e paragjykime, do t’i tejkalojë “liderët/sundimtarët e tranzicionit të stërlodhshëm” dhe oligarkët e sofistikuar, në mënyrë që stabiliteti dhe prosperiteti të perceptohen e të përjetohen përtej historive të përgjakshme. Duke pasur edhe ndihmën e aleatit strategjik, mbështetja e të cilit testohet bindshëm edhe me reformën në drejtësi, do të mund t’ia dalim, ashtu siç ia doli Italia e viteve ’90, e cila u çlirua nga mafiozët, oligarkët, kontrabandistët, trafikantët dhe mediokrit me pushtet.
Mbi të gjitha, kërkohet të orientohemi nga e ardhmja, të ecim përpara dhe jo si disa shtete në rajon që thonë: “Të ecim përpara me kokën mbrapa”. Kjo kërkon orientim drejt gjeneratave të ardhshme, forcë parashikuese, strategji, hartim dhe, më tepër se kaq, mbështetje serioze për realizimin e tyre, gjë që na ka munguar. Shkaqe të shumta historike, psikologjike, kulturore, institucionale, ideologjike, gjeopolitike etj., si edhe, me ndonjë përjashtim të vogël, mungesa e pajustifikueshme e vizionit të politikanëve të kombit shqiptar, e kanë penguar këtë. Megjithëse shkolla shqiptare ka përgatitur ekspertë dhe specialistë të mirë, në tërësi ka munguar elita me kulturë strategjike, e aftë të ndikojë në hartimin e politikave dhe përgatitjen e strategjive. Megjithëse ekzistojnë struktura institucionale, cilësia dhe efektiviteti i tyre janë të pamjaftueshme. Ritmi rutinë i funksionimit të përditshëm në këto institucione, kërkesat që burojnë nga parapëlqimet politike etj., shpesh i lënë shteg një mendimi dhe një stanjacioni strategjik.
Siguria është një fushë që i është nënshtruar dhe vijon t’i nënshtrohet një analize të plotë të hipotezave të saj qendrore. Prandaj, studiues autoritarë pohojnë se është një kohë e mrekullueshme të jesh studiues i kësaj disipline. Me studiues nënkuptohen “si studentët, ashtu edhe pedagogët, sepse po zhvillohen kaq shumë kuptime të reja, saqë është e pamundur që kjo të mos ju hapë horizonte”. Kuptohet, e ardhmja nuk është e përshkruar. Mesazhi që vjen nga lashtësia, që nga filozofi grek Herakliti, gjenerali enigmatik Sun Tzu e deri te Friedman etj., është i qartë: “Liderët e zgjuar shfrytëzojnë ndryshimin”. Në përgatitjen e tyre, roli i universiteteve është i padiskutueshëm.
(Sqarim: Ky studim është bërë shumë vite prépara por është shumë aktual për rrethanat e attuale politike kombëtare dhe globale).











