8.3 C
Tirana
E martë, 24 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj NJËQIND E DHJETË VJET HISTORI DHE IDENTITET KOMBËTAR NË NJË BOTIM TË...

NJËQIND E DHJETË VJET HISTORI DHE IDENTITET KOMBËTAR NË NJË BOTIM TË RI NË GJUHËN ITALIANE

0
Hysen Dizdari - Skënderbeu

Skënderbeu në pullat postare shqiptare (1913–2023)

Nga Aldo Diomedes[1]

Në kulturën e një kombi pulla postare nuk është vetëm  një mjet administrativ për qarkullimin e korrespondencës, por ajo është një dokument i vogël ,  një ambasador i heshtur që mban të stampuar vulën e institucioneve dhe frymën e kohës së vet, duke ruajtur historinë, artin dhe identitetin e një populli. Pikërisht këtë dimension të thellë kulturor e ka dëshmuar prej më shumë se tridhjetë e pesë vitesh studiuesi dhe koleksionisti i njohur shqiptar, Hysen S. Dizdari, anëtar i Shoqatës botërore të autorëve dhe gazetarëve në filateli (AIJP).

Gjatë rrugëtimit të tij kërkimor, Hysen S. Dizdari ka ditur të gërshetojë shkencën e filatelisë me studimin e historisë, arkeologjisë dhe mbrojtjes së pasurisë natyrore të Shqipërisë, duke sjellë në dritën e botimit shtatë vepra monografike dhe bibliografike:  nga vepra kushtuar Shën Nënës Tereze, arkeologjisë dhe florës e faunës shqiptare në pullat postare, e deri te vëllimi «Bibliografi: Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë (1480–2023)».

Në qendër të gjithë veprimtarisë së tij studimore ka qëndruar përherë figura e ndritur e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405–1468), si strateg, si burrë shteti, si diplomat dhe mburojë e lirisë evropiane.

Në vitin 2018, brenda vitit mbarëkombëtar të 550-vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit, autori botoi në Tiranë edicionin e parë dygjuhësh (shqip-anglisht) të veprës «Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare (1913–2017)». Veprën e hapi simbolikisht me vargjet e njohura të poetit kombëtar, Naim Frashërit [«Porosi e Skënderbeut për shqiptarët»] dhe me parathënien e çmuar të mjeshtrit të paharruar të historiografisë filatelike shqiptare, Thimi Nika, autor i veprës monumentale «Historia e filatelisë shqiptare».

Puna kataloguese dhe analizuese e autorit Dizdarit është fryt i dekadave të tëra kërkimesh arkivore, punë e afirmon  prestigjin e filatelisë shqiptare në skenat më të rëndësishme botërore, duke u vlerësuar nga juritë ndërkombëtare me medalje të shumta (Vermeil, Large Vermeil, Groß Vermeil ,Silver e Vermeil)  në ekspozitat botërore e ndërkombëtare Italia 2018, Cinisello Balsamo 2019 dhe 2020 në Itali, China 2019, Naposta 2020 në Gjermani , London 2022 e Boston-2026 në ShBA.

Lidhja historike, kulturore dhe vëllazërore që bashkon prej shekujsh dy brigjet e Adriatikut — e dëshmuar nga aleanca e Skënderbeut me Papatin dhe me Mbretërinë e Napolit, nga ekspedita e tij legjendare ushtarake në Pulia dhe nga prania e gjallë e komuniteteve arbëreshe në Itali — bëri që të lind bashkëpunimi im miqësor dhe editorial me autorin e librit, Hysen S. Dizdarin.

Nga ky bashkëpunim e sheh sot dritën e botimit në platformën Amazon dhe në webin:www.aldoweb.net, me një paraqitje krejtësisht të ripunuar dhe të përditësuar deri në ditët tona, vëllimi në gjuhën italiane: «Giorgio Castriota Scanderbeg – Storia, battaglie, fortezze e legami con l’Italia dell’Eroe d’Albania raccontati attraverso oltre un secolo di iconografia e francobolli storici (1913–2023)» [“Gjergj Kastrioti Skënderbeu – historia, betejat, kështjellat dhe lidhjet me Italinë të hHeroit të Shqipërisë, të rrëfyera përmes më shumë se një shekulli ikonografie dhe pullash historike, 1913–2023”], për të cilin kam pasur nderin të realizoj përkthimin në italisht, përgatitjen e botimit në gjuhën italiane.

Botimi i ri, duke u krahasuar me studimin e parë të vitit 2018, shtrirja kohore e veprës përfshin tashmë njëqind e dhjetë vjet të historisë së pullës postare shqiptare (1913–2023), duke përmbledhur të tridhjetë e pesë emisionet postare që i kushtohen drejtpërdrejt ose tërthorazi Skënderbeut përgjatë tri epokave të mëdha të historisë bashkëkohore të Shqipërisë (1913–1944, 1945–1990 dhe 1991–2023).

Ky rrugëtim hapet me emisionin e parë historik të 1 dhjetorit 1913, të emetuar nga qeveria e përkohshme e patriotit, Ismail Qemali, të realizuar nga medalisti Heinrich Kautsch dhe të shtypur pikërisht në Itali, në Torino. Që nga ai portret i parë, çdo pullë e analizuar nga Dizdari , është e shoqëruar me të dhëna të përpikta mbi datat e emetimin, tirazhet, ngjyrat, vlerat nominale, mbishtypjet, blloqet dhe zarfet e Ditës së Parë  (FDC), të cilat e  bëjnë këtë vepër një laborator të vërtetë historik.

Duke shfletuar faqet e librit lexohen tensionet politike të Luftës së parë botërore të pasqyruara në mbishtypjet me monedhën osmane (Grosh dhe Para), qëndresa e kështjellave të lashta ilire dhe mesjetare nga Kruja në Berat e Shkodër, ciklet e mëdha përkujtimore të vitit 1951 dhe të 500-vjetorit më 1968, si dhe jehona e përjetshme e përkrenares me kokën e dhisë dhe e shpatave të heroit që ruhen në muzetë e Vjenës.

Njëkohësisht shpaloset një galeri e jashtëzakonshme arti në miniaturë që bashkon skulptorë e piktorë shqiptarë dhe evropianë: nga monumenti i Odhise Paskalit në Tiranë dhe Janaq Paços në Krujë dhe deri tek kryevepra murale «Përballimi» e Naxhi Bakallit në Muzeun Kombëtar të Krujës.

Në këtë botim, krahas librit të shtypur dhe atij digjital, kemi dashur të hedhim edhe një hap më tej për t’u ardhur pranë lexuesve të sotëm, nxënësve të shkollave, studiuesve dhe bashkatdhetarëve shqiptarë kudo në botë, duke e shoqëruar vëllimin me dy portale uebi interaktive për thellim dhe konsultim falas, të realizuara si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën italiane:

Në këto dy faqe digjitale lexuesi mund të shfrytëzojë në mënyrë ndërvepruese gjeografinë, kronologjinë dhe pasurinë ikonografike të veprës; brenda të dyja portaleve gjenden gjithashtu lidhjet e drejtpërdrejta për blerjen e librit në Amazon në shtete të ndryshme (Itali, Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Angli, Francë dhe vende të tjera evropiane), duke u mundësuar kështu studiuesve, koleksionistëve të huaj si dhe mbarë diasporës shqiptare e arbëreshe ta porosisin lehtësisht vëllimin kudo ku jetojnë.

Ky botim i ri i Hysen S. Dizdarit dhe mjetet digjitale që e shoqërojnë u shërbejnë jo vetëm studiuesve të filatelisë, por mbi të gjitha brezit të ri dhe publikut evropian: njohja e thellë e historisë dhe e shembullit të pavdekshëm të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili  mbetet një pasuri e përbashkët kulturore që bashkon Shqipërinë dhe Italinë në zemër të Evropës.

[1] Përkthyes, studiues i historisë dhe botues – www.aldoweb.net.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.