Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939 në Lushnjë. Lindi në kohën e luftës dhe si gjithë të tjerët ndjeu pasojat e saj. Ajo që në moshë të vogël tregoi talent të rrallë dhe të jashtëzakonshëm për këngën. Ajo këndonte këngë dhe i binte kitarës. Kishte një zë magjepës dhe bënte shumë përshtypje me të. Gjyshja e ndëgjonte shpesh e pëlqente shumë dhe e përgëzonte për zërin e saj. Shpejt familja e saj iku nga Lushnja dhe vajti në Tiranë. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë.
Në familjen e saj Vaçja do të kishte këngëtar edhe vëllain e saj, Hysniun. Vaçja deshi të studionte në Liceun Artistik, por qe e pamundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. Vaçja në vitin 1962, në moshë fare të re, ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës, me këngën “Fëmija i parë”. Ajo u bë një nga këngëtaret më të dashura dhe më të njohura të Radio Televizionit Shqiptar. Vaçja qe ndër figurat kryesore të Festivalit të Këngës në RTSH.Ishte një nga zërat më të mëdhenj dhe më të dashur të këngës së lehtë shqiptare. Ajo kishte një interpretim të fuqishëm, një zë emocionues dhe të paharrueshëm…
Nga këngët e repertorit të Vaçe Zelës, ndër të tjera, përmendim: “Fëmija i parë”, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, ” Valsi i lumturisë , “Flakë e borë”, “Gjurmë të arta”, “Një zambak i bardhë në gurë ,”Gonxhe në pemën e lirisë”, “Nënë moj, do pres gërshetin”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Shoqet tona ilegale”, “Mesnatë”, “Natën vonë”, “Kur jam pranë teje”, ” Sot jam 20 vjeç”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Gjyshja”, “Mësuesit hero”, “Ylli partizan”, “Për ty, atdhe”, “Mirëmëngjes”, “Lulëkuqja”, “Përherë me këngë”, “Çelu si mimoza”, “Shqiponj e lirisë , “Të lumtur të dua”, “O diell i ti”, “Këngët e popullit tim”, “Këngë për Shkurte Vatën”,” Ku po shkon, o partizan”, ” Erë pranverore”, “Për Arbërinë”, “Esperanza”, “Lumi Ebro”, “Manushaqja”, “Në shtëpinë tonë”, “Shokët”, “Më ka zënë meraku”, etj.
Disa nga këngët e saj si: “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.
Për meritat e saj, në interpretimin me nivel të lartë artistik të këngëve të muzikës së lehtë shqiptare i’u dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçja ka marrë pjesë me qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit dhe është mirëpritur, vlerësuar, dhe duartrokitur nga publiku. Ajo qe këngëtare ikonë e muzikës së lehtë dhe bëri epokë në këtë zhaner të muzikës shqiptare.
Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Si ikonë e këngës shqiptare ajo ka qenë 12 herë fituese e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Ajo ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës shqiptare…
Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, më 24 dhjetor 2002, nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacion:
“Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.
Vaçja gjatë kohës që këndoi, gjatë epokës së regjimit komunist, ka qenë ylli i këngës sonë. Në atë periudhë u rrit si këngëtare, u bë këngëtare e vërtetë, këngëtare me zë brilant dhe të paarritshëm. Këngën e shoqëronte edhe me kitare. Ishte shumë kërkuese në çdo këngë që i bënin kompozitorët dhe në çdo varg që i shkruanin poetët. Zë i veçantë, artiste e madhe, njeri me vlera…
Vdiq më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës. Pavarësisht se ajo qe e sëmurë dhe u largua me banim tek vajza e saj në Zyrih, vdekja e saj qe humbje e madhe për muzikën e lehtë shqiptare. Homazhet për të u mbajten në Tiranë në TKOB dhe u varros me nderime të larta në Tiranë.
Shumë këngëtarë, artistë, kompozitor, pedagogë, dirigjentë, muzikologë, poetë, regjizor, kantautor, shkrimtarë, mjekë, aktor, mësues, etj e kanë vlerësuar maksimalisht Vaçen si artiste, e kanë falënderuar për arritjet dhe bashkëpunimin, i janë mirënjohëse asaj, kanë krijuar për Vaçen mbasi ajo ka qenë dhe do mbetet model në arritjet e saj. Ndër të tjerë për Vaçen, janë shprehur dhe e kanë vlerësuar me fjalët më mira: Dritëro Agolli, Nexhmije Pagarusha, Osman Mula, Tish Daija, Gjokë Beci, Avni Mula, Zija Saraçi, Limoz Dizdari, Nora Çashku, Zana Shuteriqi, Adriatik Kallulli, Ferdinand Deda, Leka Bungo, Mimoza Ahmeti, Fatmir Hysi, Luan Zhegu, Shqipe Zani, Pavlina Niksi, Visar Zhiti, Aleksandër Peçi, Lirim Deda, Ardit Gjebrea, Liljana Çabolli, Sytki Bushati, Rikard Ljarja, Mirush Kabashi, Nirvana Pistuli, Besnik Dizdari, Hasan Huta, Violeta Librazhdi, etj. Për Vaçe Zelën kanë bërë libra monografik Nexhat Agolli, Mikaela Monga. I kanë kënduar edhe këngë. Naim Krasniqi i ka krijuar dhe kënduar këngën: “Jetë na dhurove”. Muhamet Tartari i ka kënduar këngën: “Vaçe, ç’këngë kombit i fal”.Mariana Koreshi i ka kënduar këngën: “Për ty Vaçe Zela”.
Vaçes i janë thurur edhe poezi nga poetët: Përparim Hysi, Xhavit Gasa, Iljaz Bobaj, Kudret Isaj, Vehbi Skënderi, Sylejman Qyqalla, Agim Pepa, Niko Tyro, etj. Për Vaçen është ngritur një shtatore në Lushnje. Në Tiranë ka rrugë me emrin e saj.
Vaçja si këngëtare do të mbetet pjesë e identitetit tonë kombëtar. Zëri i saj do të rrezatojë në çdo zemër shqiptari në jetë të jetëve, sepse është pjesë e pazëvendësueshme e identitetit të kombit shqiptar …
Unë me këtë shkrim, për këngëtaren e madhe të muzikës së lehtë shqiptare Vaçe Zela, i bëj një homazh për shpirtin e saj. Aq më tepër kur ky mesazh është një homazh i “munguar” pasi nuk munda të marr pjesë në homazhet e dedikuara asaj në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, në ditën e përcjelljes së saj për në banesën e fundit. Me shkrimin ,për të unë realizova edhe një dëshirë të kahershme të shpirtit tim me vlerësimin e këngëtares së madhe, Zela. Në ato vite ajo me zërin e saj më “imponoji” me forcën e këngës që buronte nga shpirtit i saj që edhe unë të ndiqja muzikën e lehtë shqiptare dhe veçanërisht, Vaçen, por edhe këngëtarë të tjerë të mirënjohur. Ajo më futi edhe në “hullinë” e pëlqimit të muzikës së lehtë, ndonëse unë pëlqeja dhe adhuroja muzikën popullore. E pavdekshme në shekuj do të mbetet Vaçe Zela me veprën e saj. I lehtë qoftë dheu i tokës mëmë për Të…
Ibrahim Kabili
Tiranë, 06.04.2026











