ARGOS
Kur Odiseu shkeli në Atdheun e vetë, qeni Argos, i dërmuar prej viteve të pritjes së gjatë, iu vërsul të zotit tek këmbët, me fuqinë e fundit që i kishte mbetur
Grigor JOVANI
Është një personazh anësor tek poema madhore e njerëzimit, “Odiseu”, e kryebardit të antikitetit, Homerit, i cili nuk flet asnjë fjalë në vepër (për arsye objektive), por ka mbetur në kujtesën e mijëvjeçarëve si simbol i besnikërisë. Fjala është për qenin Argos, të cilin i zoti, mbreti i Itakës, Odiseu, e la pas, kur u nis me ekspeditën e akejve, që organizoi Agamemnoni, mbreti i Mikinës dhe i Argus, kundër Trojës së Priamit dhe bijve të tij, Hektorit dhe Paridit.
20 vjet e priti ky qen të zotin, në një kohë kur shumica e njerëzve e kishin fshirë nga të gjallët. Iku nga jeta, më në fund, tek këmbët e të zotit, kur ky u kthye në Atdhe. E kishte bërë detyrën e tij, duke shkruar një nga dëshmitë më emocionuese që përmbajnë mitet antike greke, të cilat udhëtuan gjer në kohët moderne…
Odiseu, heroi historik i Homerit, që u mbijetoi betejave të ashpra dhjetëvjeçare në epopenë trojane, si edhe mërisë hyjnore të perëndisë së detit, Posejdonit, i cili bëri ç’ishte e mundur t’i pengonte udhëtimin për në Itakë, ngaqë i vrau të birin, ciklopin Polifem në “Ishullin e ciklopëve”, më në fund u kthye në mbretërinë e tij. Por tashmë nuk ishte më luftëtari i ashpër që ishte nisur dikur për në Trojë.
Luftërat, vështirësitë dhe koha kishin shënuar me plagë të thella trupin, shpirtin dhe pamjen e tij. Askush, gjer edhe gruaja e tij, Penelopa, simbol i pritjes bashkëshortore, nuk e kishin njohur. Ndërmjet njerëzish të ndryshëm dhe të shumtë që kalonin në ishullin kozmopolit të Itakës, në këtë udhëkryq lundërtarësh të botës, askush nuk e dinte se kush mund të ishte ky plak i mjerë lypsar (ngaqë si i tillë ishte maskuar për të mos u njohur), që kushedi cili fat e kishte hedhur në këtë vend.
Vetëm një qenie frymëmarrëse, jonjerëzore, ky qen i heshtur dhe i plakur edhe ai, dalloi të vërtetën përtej kohës dhe fenomeneve. Argos, qeni i mbretit Odise, i cili e priti të zotin të kthehej për njëzet vite të tëra, edhe kështu siç qe në gjendjen e tanishme, i verbër, i dobët dhe në prag të vdekjes, e kuptoi menjëherë se zoti i tij ishte kthyer. Lidhja e tyre tejkaloi kohën, luftën, maskimin e qëllimshëm të një mjeshtri. Kur Odiseu shkeli në Atdheun e vetë, qeni Argos, i dërmuar prej viteve të pritjes së gjatë, iu vërsul të zotit tek këmbët, me fuqinë e fundit që i kishte mbetur. Gjithë qenia e fundme i reflektonte heshturazi kënaqësia e pafund. As vetë Odiseu nuk mund të pretendonte një vetëmohim të tillë.
Në pamundësi për të shpallur identitetin e tij, ngaqë do t’i zbulohej plani i veprimit, Odiseu nuk mund ta ftonte pranë vetes, por lotët që i rrodhën në faqe – gjithmonë sipas Homerit – dëshmuan dhimbjen dhe dashurinë që ekzistonte në këtë ribashkim. Bishti i Argos u tund nga kënaqësia për të fundit herë, me një lëvizje të ngadalshme, përcaktuar nga kohëgjatësia e një pritjeje plot besnikëri. Dhe atje, tek këmbët e të zotit, la frymën e fundit.
Kjo vdekje simbolizon diçka më tepër se besnikërinë e qenve. Është dëshmi se dashuria e vërtetë, qoftë e heshtur dhe e durueshme, nuk shuhet kurrë. Ia vlen të ndodhë. Është e shenjtë dhe e bekuar nga perënditë.
Për më tepër, historia e qenit Argus nuk është thjeshtë një histori besnikërie. Është një kujtesë e përhershme, se pavarësisht sa larg jemi prej atyre që dashurojmë, dashuria e vërtetë përherë njeh kthimin. Siç ndodhi me qenin besnik Argos, i cili edhe pas 20 vjetëve nuk harroi kurrë dashurinë e tij.