TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 21 )

0
Traktet në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Trakti “III” dhe hetuesia pa drejtim në Maqedoni

Shpërndarja e traktit të njohur në literaturën e kohës si “Trakti III”, në natën e 27/28 marsit 1981 në Shkup, shënoi jo vetëm një akt të guximshëm të ndërgjegjes kolektive shqiptare në Maqedoni, por edhe një moment konfuzioni dhe frike të thellë për aparatin shtetëror të sigurisë. Në raportimet e brendshme të hetuesisë jugosllave, ky trakt evidentohej si një ndër dokumentet më të artikuluara politikisht dhe më të drejtpërdrejta në qëndrimin e tij ndaj procesit të regjistrimit të popullsisë dhe politikave të ç’kombëtarizimit të shqiptarëve në Maqedoni.

Ajo që e veçonte këtë trakt nga të mëparshmit ishte mungesa totale e gjurmëve që mund të çonin drejt autorëve. Nuk kishte parulla ideologjike identifikuese, nuk kishte shenja grafike të ndonjë organizate ilegale, nuk kishte emra, as nënshkrime – vetëm fjalë, por fjalë të fuqishme, të strukturuara, të pakontestueshme në përmbajtje. Dhe pikërisht ky anonimat e shtyu aparatin shtetëror drejt një rruge të errët hetimore, ku nuk dihej nga të nisej dhe kujt t’i jepej përgjegjësia.

Në pamundësi për të identifikuar autorët realë të traktit, hetuesia jugosllave ra në kurthin e vet të përhershëm: frika kolektive. Në vend që të pranonte se përballë kishte një ndërgjegje të zgjuar shoqërore që refuzonte të nënshkruhej me emra individualë, shteti zgjodhi rrugën e përndjekjes së gjerë, të paemëruar, të përgjithësuar. Shqiptarët e Maqedonisë, veçanërisht të rinjtë, punonjësit e arsimit, studentët dhe intelektualët, u bënë objekt i një vale të re dyshimesh dhe përndjekjesh, jo për atë që kishin bërë, por për atë që mund të kishin thënë – ose thjesht për atë që përfaqësonin në identitet.

Frika që përshkoi strukturat shtetërore në këtë kohë nuk ishte thjesht reagim ndaj një flete letre të hedhur nëpër rrugët e Shkupit – ishte reagim ndaj vetë mundësisë së ekzistencës së një mendimi të organizuar, të heshtur dhe të pamposhtur. Frika ishte pasqyrë e dështimit të propagandës dhe e paaftësisë për të kontrolluar mendimin, dhe ajo u shndërrua menjëherë në akt dhune institucionale ndaj qytetarëve shqiptarë që tashmë cilësoheshin si “të dyshimtë” vetëm pse ishin pjesë e një grupi etnik që refuzonte të zhbëhej.

Në këtë mënyrë, trakti “III” u kthye në një lloj metafore të frikës së pushtetit nga fjala e lirë. Ai nuk kishte autor të njohur, por kishte peshën e një zëri të përbashkët. Ai nuk kishte orientim të deklaruar politik, por kishte guximin e një populli që po fliste për veten. Dhe më e rëndësishmja, ai nuk kishte adresë – por kishte një synim të qartë: t’i jepte zë së vërtetës në një kohë të heshtjes së organizuar.

Në përfundim, reagimi i hetuesisë jugosllave ndaj këtij trakti nuk dëshmoi vetëm dobësinë e strukturave hetimore përballë lëvizjeve të padukshme por të fuqishme, por edhe një logjikë sunduese që, në mungesë të fakteve, kërkon armikun në identitet dhe jo në veprim. Dhe kjo e bën këtë moment një nga episodet më të ndriçuara të ndërgjegjes kombëtare, e cila, edhe kur nuk ka fytyrë, ka forcë.

Vetëdija ilegale për strategjitë e ç’kombëtarizimit

Në diskursin e literaturës ilegale shqiptare gjatë viteve të sundimit jugosllav, regjistrimi i popullsisë nuk përjetohej si një akt i thjeshtë statistikë, por si një instrument i sofistikuar i inxhinierisë politike dhe identitare, i cili përdorej me qëllim të qartë për shkombëtarizimin e shqiptarëve në Jugosllavi, veçanërisht në trevat jashtë Kosovës, si në Maqedoni dhe Mal të Zi. Ilegalja shqiptare, në mënyrë të vazhdueshme, denonconte me qartësi se gjithë ky proces nuk ishte as spontan, as teknik, por i drejtuar nga lart – nga një “qendër” e njohur për të gjithë: Beogradi. Ajo qendër që, me anë të strukturave të kontrollit të brendshëm dhe aparatit ideologjik shtetëror, diktonte mënyrën e manipulimit me identitetet kombëtare, duke ua imponuar shqiptarëve një realitet të rremë përmes formularëve dhe klasifikimeve të qëllimshme.

Në një prej trakteve më përfaqësuese të kësaj periudhe, denoncimi bëhet edhe më i drejtpërdrejtë. Aty thuhet qartazi se: “Ashtu sikurse krerët e tyre në Beograd, armiqtë tanë pushtues këtu në Maqedoni hiqen sikur gjoja ndjekin një rrugë ‘marksiste’ të barazisë nacionale, sikur kanë krijuar kushte që të deklarohet lirisht çdokush për përkatësinë kombëtare.” Kjo fjali, në vetvete, shpërfaq me saktësi ironinë dhe hipokrizinë e sistemit jugosllav, i cili, ndërsa në aparencë predikonte barazi ndërkombëtare dhe vetëvendosje, në praktikë instalonte struktura të frikshme të kontrollit dhe presionit të heshtur që shtynin individët të mohonin përkatësinë e tyre etnike.

“Liria e deklarimit” në regjistrimet e popullsisë ishte në fakt një fasadë – një iluzion i ndërtuar për konsum ndërkombëtar, ndërsa në terren ajo shoqërohej me mekanizma të frikësimit, me forma të tërthorta shantazhimi dhe me orientime të dhëna paraprakisht për regjistruesit, që dinin mirë se “rezultati i saktë” duhej të përputhej me interesat politike të shtetit, e jo me të vërtetën demografike. Për këtë arsye, literatura ilegale nuk mjaftohej me denoncimin, por thërriste në vetëdijesim, duke e bërë të qartë se nuk bëhej fjalë vetëm për një gabim administrativ apo për një formë të papërsosur burokratike – bëhej fjalë për një politikë të qëllimshme të zhbërjes identitare, që kishte për synim të zhdukte nga dokumentet dhe nga ndërgjegjja kolektive vetë qenësinë shqiptare.

Pikërisht sepse ky proces vishej me petkun e “barazisë marksiste” dhe të “vetëdeklarimit të lirë”, rreziku ishte edhe më i madh – sepse mohimi nuk vinte më me dhunë të drejtpërdrejtë, por me iluzionin e zgjedhjes. Dhe këtu qëndronte ironia e dhimbshme: individi shtyhej të mohonte veten duke menduar se po bënte një zgjedhje të lirë – një “liri” e cila, në fakt, ishte forma më e sofistikuar e robërisë. Në këtë kontekst, veprimi i lëvizjes ilegale për të demaskuar këtë farsë ishte një akt i thellë ndërgjegjeje kombëtare. Ajo e dinte mirë se fati i një populli nuk vendoset vetëm në luftëra, por edhe në tabela statistikash; jo vetëm nëpër kufij shtetërorë, por edhe në kolonat e formularëve të regjistrimit. Prandaj refuzimi i asaj “barazie të rrejshme” ishte një formë tjetër e luftës për dinjitet dhe për të vërtetën historike të shqiptarëve në trojet e tyre.

Regjistrimi si instrument dhune institucionale

Procesi i regjistrimit të popullsisë, i konceptuar në shoqëritë demokratike si një akt administrativ dhe statistikor, në kontekstin e ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve u shndërrua në një instrument të rafinuar të dhunës së heshtur dhe të shkombëtarizimit të organizuar. Prandaj, regjistrimi i vitit 1981 – ndonëse shpesh trajtohet si një moment kritik për ndërgjegjen kolektive shqiptare në Jugosllavi – nuk përbënte as një përjashtim historik dhe as një fillim të ri të politikave të manipulimit etnik. Ai ishte, në të vërtetë, një hallkë e re në një zinxhir më të gjatë të abuzimeve sistematike.

Pikë kthese në këtë histori të errët ishte regjistrimi i popullsisë i vitit 1953, i cili, sipas burimeve të kohës dhe dëshmive të dokumentuara në shtypin ilegal shqiptar, ishte shndërruar në një nga aktet më agresive të ndërrimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi. Në këtë proces, që nuk kishte të bënte aspak me llogaritjen e saktë të popullsisë por me projektimin e një realiteti të manipuluar etnik, autoritetet shtetërore ushtruan presion të drejtpërdrejtë mbi qytetarët shqiptarë për t’u deklaruar si turq – një përkatësi që nuk i korrespondonte as gjuhës, as kulturës, as vetëdijes së tyre kombëtare.

Kjo formë “regjistrimi me dhunë” nuk ishte vetëm fizike – në kuptimin e imponimit me forcë, shantazhit apo kërcënimeve të hapura – por ishte edhe një dhunë simbolike, e ushtruar përmes presioneve administrative, mohimit të të drejtave, dhe frikësimit psikologjik. Shpesh, individët që refuzonin të deklaroheshin si turq, rrezikonin vendet e punës, të drejtën për arsim, madje edhe për të qëndruar në vendlindjen e tyre pa represione të mëvonshme.

Për rrjedhojë, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare u detyrua të nënshkruajë mbi një identitet që nuk ishte i veti, duke e humbur në letra atë që në shpirt e kishte të patjetërsueshëm- përkatësinë shqiptare. Ky manipulim i dhunshëm i të dhënave demografike shërbeu si themel për politika të mëvonshme të diskriminimit institucional, duke krijuar një realitet të rremë në të cilin shqiptarët figuronin më pak në numër sesa ishin në të vërtetë – një taktikë që i shërbente justifikimit të mohimit të të drejtave kombëtare dhe kolektive.

Prandaj, kur në vitin 1981 lëvizja ilegale shqiptare ngriti zërin kundër regjistrimit të popullsisë, ajo nuk vepronte në boshllëk – ajo vepronte mbi bazën e një historie të dhimbshme të mbushur me precedentë të qartë të përdorimit të regjistrimeve si armë të shtetit kundër të vërtetës kombëtare. Ajo e dinte mirë se nën petkun e barazisë formale dhe të “vetë deklarimit të lirë” fshihej një strategji e rrezikshme e zhbërjes së identitetit, që kishte filluar qysh në vitin 1953 dhe që vazhdonte me formë të sofistikuar edhe dekada më vonë.

Në këtë prizëm, denoncimi i regjistrimit nuk ishte akt kundërshtimi ndaj një procedure teknike, por një thirrje për të mbrojtur të drejtën themelore të një populli për të qenë vetvetja – në dokumente, në institucione dhe në ndërgjegjen e tij historike. Dhe historia e vitit 1953 mbetet një kujtesë e qartë se, për shqiptarët në Jugosllavi, edhe statistikat ishin të politizuara, edhe identiteti ishte i rrezikuar, edhe “liria e vetë deklarimit” ishte një iluzion i rrezikshëm.

Politikat e shpërnguljes si formë e dhunës së institucionalizuar

Në historinë politike të pasluftës në ish-Jugosllavi, një prej faqeve më të errëta dhe më pak të njohura publikisht mbetet ajo e marrëveshjeve ndërqeveritare për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone, e cila u shoqërua me forma të ndryshme të dhunës strukturore dhe psikologjike. Në këtë kontekst, regjimi jugosllav nuk e konsideronte shpërnguljen si një veprim të rastësishëm apo si pasojë të kushteve socio-ekonomike, por si një politikë të mirëfilltë shtetërore të projektuar dhe të ndërmarrë me qëllim të qartë strategjik: reduktimin e prezencës shqiptare në territoret e Jugosllavisë, veçanërisht në Kosovë, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.

Ky projekt u legjitimua përmes marrëveshjeve bilaterale, më së shumti me shtetin turk, ku Jugosllavia merrte përsipër të shpërngulte një numër të madh shqiptarësh drejt Turqisë, nën maskën e migrimit vullnetar. Megjithatë, asgjë nga kjo nuk ishte vullnetare. Në realitet, bëhej fjalë për një formë të rafinuar të dhunës së institucionalizuar, e cila operonte jo përmes pushkës, por përmes administratës, regjistrimeve të manipuluara, politikave diskriminuese dhe përjashtuese, dhe mbi të gjitha – përmes trysnisë së vazhdueshme që bënte të pamundur jetën e përditshme për shqiptarët që refuzonin të largoheshin.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Jugosllavia ishte zotuar të shpërngulte deri në 250.000 shqiptarë drejt Turqisë, një kuotë që u trajtua si detyrim ndërkombëtar, dhe që nuk ishte thjesht një shifër teknike, por një strategji e planifikuar për ta ndryshuar strukturën etnike të territoreve me shumicë shqiptare. Kjo kuotë buronte nga një plan më i gjerë i projektuar për të reduktuar ndikimin demografik, kulturor dhe politik të shqiptarëve në federatën jugosllave, duke i trajtuar ata si “tepricë etnike” që duhej zhvendosur për ruajtjen e “balancës” së brendshme të shtetit.

Ky akt nuk ishte një përjashtim në politikën e brendshme jugosllave – përkundrazi, ishte pjesë përbërëse e filozofisë shtetërore që identitetin shqiptar nuk e konsideronte si një komponent të barabartë të shoqërisë jugosllave, por si një problem që duhej menaxhuar, zbutur dhe nëse ishte e mundur – larguar. Dhe në këtë përpjekje për largim të heshtur e të sistematizuar, shpërngulja drejt Turqisë, e justifikuar përmes marrëveshjes, u shndërrua në një mjet të shkatërrimit të strukturës natyrore të popullsisë shqiptare në viset e veta amtare.

Për pasojë, forma të tilla të dhunës administrative – të fshehura nën petkun e diplomacisë dhe të juridiksionit ndërkombëtar – janë ndër më të rrezikshmet, sepse nuk shihen menjëherë si agresion klasik, por prodhojnë pasoja të thella dhe afatgjata në strukturën e popujve që prekin. Shqiptarët, përmes këtij procesi të heshtur por të dhimbshëm, u vunë përballë zgjedhjes midis shpërnguljes ose përballjes me një realitet shtypës që i bënte të huaj në tokën e vet. Sot, kjo përvojë përbën një kapitull të rëndësishëm për ta rikujtuar se çrrënjosja e një kombi nuk ndodh gjithnjë me zjarr dhe armë – ajo mund të ndodhë edhe përmes marrëveshjeve të ftohta, numrave të shifrave të thata dhe firmave të heshtura që vendosin fatin e qindra mijëra njerëzve pa zërin e tyre.

Rritja artificiale e “kombësisë turke” në regjistrimin e vitit 1953

Një ndër mekanizmat më të rafinuar për ndryshimin e strukturës etnike në territoret e banuara me shumicë shqiptare në ish-Jugosllavi ishte ai i manipulimit të të dhënave demografike përmes procesit të regjistrimit të popullsisë. Ky proces, që në dukje mund të konsiderohej si teknik administrative, në realitet shërbente si një instrument i ideologjisë shtetërore për të zhbërë identitetin shqiptar dhe për të ndërtuar një pasqyrë të rreme të kompozicionit etnik në rajon.

Një nga shembujt më të qartë të këtij manipulimi evidentohet në ndryshimet drastike në vetëdeklarimin e përkatësisë kombëtare gjatë regjistrimeve të popullsisë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Në regjistrimet e para të pasluftës, konkretisht në periudhën 1945–1951, të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë figuronin pothuajse fare pak qytetarë të deklaruar si turq. Ky fakt përputhej me realitetin sociokulturor dhe historik të asaj kohe, ku pjesa dërrmuese e popullsisë në Kosovë përbëhej nga shqiptarët etnikë, ndërsa komuniteti turk ekzistonte në përmasa shumë më të vogla dhe të përqendruara në disa qendra urbane.

Megjithatë, në regjistrimin e vitit 1953 ndodhi një ndryshim befasues dhe tronditës në të dhënat zyrtare, i cili nuk mund të shpjegohej me migrime natyrore, ndryshime lindshmërie apo lëvizje të brendshme, por vetëm me presionin sistematik që pushteti ushtroi mbi popullsinë shqiptare për të ndryshuar përkatësinë e tyre etnike – konkretisht, për t’u vetë deklaruar si “turq”. Sipas të dhënave të këtij regjistrimi, në Kosovë u regjistruan 34.583 qytetarë si turq, ndërkohë që vetëm pak vite më parë, kjo kategori kishte qenë statistikisht e papërfillshme. Kjo rritje “marramendëse” e kombësisë turke nuk ishte pasqyrë e realitetit shoqëror, por rezultat i politikës shtetërore të shkombëtarizimit, e cila synonte të krijonte një alibi të përshtatshme për shpërnguljen masive të shqiptarëve në drejtim të Turqisë – një proces i mbështetur në marrëveshje bilaterale të fshehta dhe të njëanshme.

Kjo dukuri nuk kufizohej vetëm në Kosovë. Në territorin e Serbisë, numri i turqve të regjistruar arriti në 54.526, ndërsa në Maqedoni, fenomeni mori përmasa edhe më të mëdha – me një katërfishim të menjëhershëm të “popullsisë turke”, duke arritur në 203.938 persona. Në nivel të gjithë Jugosllavisë, shifra zyrtare e të regjistruarve si turq në vitin 1953 arriti në 259.535, një numër i fryrë artificialisht që pasqyronte më shumë realitetin politik sesa atë demografik.

Ky manipulim statistikor nuk ishte një veprim i izoluar, por pjesë e një projekti më të gjerë për të ndryshuar përbërjen etnike të rajonit dhe për të krijuar kushte sa më të volitshme për zbrazjen graduale të trevave shqiptare nga shqiptarët. Duke u deklaruar si turq, shumë shqiptarë ishin të detyruar të përballeshin më pas me valë shpërnguljesh të organizuara në drejtim të Turqisë, gjë që i shkëpuste nga rrënjët e tyre historike dhe kulturore.

Përfundimisht, regjistrimi i vitit 1953 nuk duhet trajtuar thjesht si një proces administrativ, por si një kapitull i dhunshëm dhe i maskuar i historisë së zhbërjes identitare shqiptare në Jugosllavi, ku përmes një loje me statistikat, u legjitimuan qëllime të rrezikshme politike që lanë pasoja të thella dhe të dhimbshme për të ardhmen demografike dhe kulturore të shqiptarëve në rajon.

Regjimi jugosllav, në përputhje me synimet e veta politike dhe në koordinim me marrëveshjet ndërqeveritare me Turqinë, nuk humbi kohë që të kapitalizonte mbi manipulimin statistikor të vitit 1953, i cili kishte për qëllim krijimin e një baze “të ligjshme” për shpërnguljen masive të shqiptarëve nga trojet e tyre. Vetëm ky fakt – rritja artificiale e numrit të të deklaruarve si turq – mjaftonte për ta justifikuar fillimin e një vale të re të çrrënjosjes së shqiptarëve etnikë, veçanërisht nga Kosova dhe Maqedonia, për t’i dërguar drejt Turqisë.

Në këtë periudhë, u vu re një aktivizim i menjëhershëm dhe i zellshëm i aparatit shtetëror, i cili, nën arsyetimin e “vullnetit të mirë” institucional, filloi të krijojë një varg të ashtuquajturash “kushte favorizuese” për të nxitur dhe lehtësuar largimin e shqiptarëve. Ky vullnet i pretenduar mirëdashës, në të vërtetë, ishte një maskë e hollë që fshihte prapa saj një mekanizëm të organizuar të presionit, diskriminimit dhe përjashtimit, që synonte të eliminonte në mënyrë të heshtur prezencën shqiptare në territore të caktuara.

Këto “kushte” që përmendeshin në gjuhën zyrtare si ndihmë apo lehtësim administrativ, në praktikë përktheheshin në trysni të drejtpërdrejtë psikologjike, ekonomike dhe institucionale. Qytetarëve shqiptarë – pa marrë parasysh nëse ishin apo jo të deklaruar si turq – u mohoheshin vendet e punës, u mbylleshin shkollat në gjuhën amtare, u ndërpritej e drejta për shërbime sociale dhe përjashtoheshin nga proceset arsimore e politike, duke i detyruar të ndiheshin të padëshiruar në vendin e tyre.

Për më tepër, procedurat për pajisjen me dokumente udhëtimi drejt Turqisë u përshpejtuan në mënyrë të jashtëzakonshme, ndërsa gjithçka që kishte të bënte me qëndrimin në vendlindje ngadalësohej, burokratizohej ose pamundësohej. Në këtë mënyrë, shpërngulja nuk ndodhte vetëm si rezultat i një zgjedhjeje të diktuar nga rrethanat ekonomike, por si pasojë e një strategjie të mirëorganizuar shtetërore për ta bërë jetën e shqiptarëve në Jugosllavi sa më të padurueshme.

Ky proces nuk kursente as ata që kishin qëndruar të palëkundur në identitetin e tyre shqiptar. Fakti nëse dikush ishte deklaruar si turk apo jo nuk përbënte më kriter për shpërngulje – mjaftonte të ishte shqiptar. Prandaj, shpërngulja u shndërrua në një mekanizëm të përgjithshëm diskriminimi, ku përkatësia etnike, historia, dhe rrënjët e individit nuk kishin më rëndësi – rëndësi kishte që ai të largohej, të boshatiste hapësirën dhe të hapte rrugë për planet e kolonizimit dhe homogjenizimit etnik të hapësirave shqiptare.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, marrëveshjet politike dhe manipulimet statistikore u shndërruan në instrumente të fuqishme të një forme të heshtur por të qëndrueshme të dhunës shtetërore, ku zhvendosja e një populli nuk ndodhte përmes deportimeve masive me dhunë klasike, por përmes politikave që e shtynin njeriun drejt largimit si formë vetëmbrojtjeje nga një realitet gjithnjë e më i pasigurt dhe i papërballueshëm.

Ky model i shpërnguljes së ndihmuar nga shteti, i paraqitur si ndihmë por i përjetuar si presion, mbetet një nga shembujt më domethënës të asaj se si një sistem politik autoritar mund të përdorë aparencën e ligjshmërisë dhe të mirëqenies për të arritur qëllime të thella politike të zhdukjes së një përkatësie të tërë nga harta etnike e një territori.

( vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.