FRYMËZIM DOMËTHËNËS I KRIJUESIT KAVAJAS HASAN KORBI

0
353
Hasan Korbi - Kuq e zi

Kopertinat e librit “Për Ty Vargjet Kuq E Zi”, autori Korbi dhe personazhi Maxharraj (Foto: RTV “Fontana”)

IDRIZ ZEQIRAJ

Rast i rrallë që një krijues e frymëzon një personazh, të cilin e kishte parë e përcjellur në televizor, në kërcimet e tij, ndër vite, në festivalet të organizuara anekënd trojeve shqiptare. Arsimtari veteranë, Sadik Maxharraj-Baca, i apasionuar pas historisë, hulumtues e studjues të historisë sonë ndër shekuj; ndriçues të  biografive të luftëtarëve zonalë, tashmë, të botuara në vëllimet “E djathta shqiptare”, me përkujdesje botuese të historianëve të shquar, Muhamet Shatri dhe Nue Oroshi, me kolegë. Në faqet e saj zënë vend, kryesisht, figura të anatemuara nga regjimet e shteteve komuniste jugosllave dhe shqiptare.

Kryepersonazhi i librit, Sadik Maxharraj-Baca, veprimtar shumë demensional, pjesëmarrës në protesta e demonstrime, ndër vite e dekada, për barazi dhe liri të popullit tonë; arsimtar veteran, kërcimtar brilant, veprimtar dhe i parë në fshat e më gjerë.

Sadik Maxharraj-Baca në “Sheshin Pavarësia”, në Vlorë

Në lokalet e Restorant “Freskia”, në Istog, Familja Maxharraj, në bashkëpunim me komunën, nën patronazhin e kryetarit, Ilir Ferati, organizoi përurimin e librit “Për ty vargjet Kuq e Zi”, të autorit nga Shqipëria, Hasan Korbi, botues të 23 librave me poezi, prozë, monografi, në shtrirje në kohë prej gjysmë-shekulli krijimtari.

Një sallë e stolisur me shije, me pjesëmarrje solide: përfaqësuesit komunalë; drejtuesit e Shoqatës të Historianëve “Ali Hadri”, dega në Istog; udhëheqësit e Klubit letrar “Podguri”, të Istogut; intelektualë e artdashës vendorë; miq e dashamirë të Bacës si dhe familjarë të shumtë të personazhit të librit, Sadik Maxharraj-Baca.

Autori i librit, poeti Hasan Korbi, duke marrë fjalën i pari, u prezantua para audiencës: “Kam trokitur tek ty, Istog. Sot ti je edhe Istogu im. Tek fletët tua të jetës, unë gjeta një personazh, Sadik Maxharraj-Baca. Erdha 300 e ca kilometra, për të biseduar me të, për të njohur Istogun dhe Kosovën e vlerave të mëdha historike dhe për të shijuar bukuritë natyrore perlë, sikur Zoti ia ka dhuruar.

Trokita në portën hyrëse të Istogut dhe ju më thatë “bujrem poet”, me një frymë. Erdha dhe vargëzova për personazhin Sadik Maxharraj, 36 poezi të temave e të detajeve të ndryshme të Bacës. Menjëherë ky personazh më hyri nën lëkurë, për specifikën e tij të veshjes. Kudo me kësulën e bardhë dhe me kostumin kombëtar kuq e zi. Kjo është ngjyra shoqëruese e gjithë ecjës së Bacës, ngjyra e kuqe. Andaj dhe vija përshkuese e poezia është flladi kuq e zi, përshkues i gjithë vargjeve:

Me plisin e bardhë borë,
Shikimi derdhur në largësi,
Mustakët derdhur kosovar,
Veshur kuq e zi“.

Në ekspozenë e tij, mësuesi i gjuhë-letërsisë shqipe dhe gazetari, Idriz Zeqiraj, veç tjerash, tha se “krijuesi letrar kavajas, Hasan Korbi, ka një krijimtari sasiore dhe cilësore. Në qendër të librit “Për ty vargjet Kuq e Zi”, janë arsimtari, artisti, veprimtari, Sadik Maxharraj-Baca, Istogu dhe Kosova. Autori me një mjeshtëri të veçantë poetike, me frymëzim të virgjër, thurë vargje me ndjesi të hollë, duke gërshëtuar artistikën me kombëtarën. Personazhi kryesor dedikues, është Sadik Maxharraj, ose Sadik Rexha, qysh i pëlqen atij ta thërrasin, por mbizotëron emërtesa nderim – Baca.

I lindur dhe i rritur me halle-shumë, i edukuar dhe shkolluar nga një familje e urtë dhe fisnike. Në një kohë zezonë për Kosovën, me bashkëshortën ideale, Gjylshahe Bujupaj- Maxharraj, lindën, rritën, edukuan dhe shkolluan 6 (gjashtë) fëmijë, katër djemë dhe dy vajza, të gjithë kanë mbaruar fakultetin dhe janë punësuar. Mësimdhënës i zellshëm i shumë gjeneratave. Hulumtues i vyeshëm i historisë të Podguerit dhe më gjerë në Kosovë. Meritë parësore e Profesor Sadik Bacës është se ai ka nxjerrur nga harresa shumë figura të shquara, duke i bërë pjesë të historisë sonë lavdi-plote.

Tej një dekade i pensionuar, por gjithnjë aktiv, në veprimtaritë shoqërore e politike të fshatit, bashkësisë lokale dhe të komunës të Istogut. Një artist i përkushtuar, me kërcimin brilant, duke sfiduar peshën e dekadave të jetuara, për të përformuar anekënd Kosovës, Shqipërisë dhe gjetkë në rajon.

Manastiri i Studenicës vazhdon të kontestohet për përkatësinë e tij iliro-romake, përkatësisht, shqiptare. Akademia Serbe, me kishën e saj autoritare në shtet dhe pushtetin serb, të shquar për falsifikimin e historisë, kanë ndërruar përkatësinë reale, duke e konsideruar si pronë të Kishës Ortodokëse Serbo-Sllave. Studjuesi Sadik Maxharraj-Baca, Idriz Zeqiraj, Milazim Maraj, së bashku me veprimtarët e moshuar të fshatit Studenicë, Zymer Zeqiraj, Ibrahim Belaj, me shokë, kanë bredhur Prizren e Prishtinë, duke konsultuar priftërinjtë katolikë; studjuesit e Institutit të Historisë, të Arkeologjisë, të prirë nga drejtori simpatik, Akademik Enver Rexha, me kolegët akademikë, organizuan një seminar, nën patronazhin e kryetarit të komunës të Istogut, atëbotë – Haki Rugova, (ndjesë pastë), me kumtesat e tyre, dëshmuan se Kisha nuk është Ortodokëse. Përkundrazi, ajo ishte iliro-romake.

Është, pikërisht, angazhimi i gjithanshëm i veprimtarit veteran, Sadik Maxharraj-Baca, i cili u bë frymëzim i poetit Hasan Korbi, për t`ia kushtuar një libër të tërë. Autori Korbi, i pakët në trup, i madh në mendje e vepra, e përjetësoi në art Bacën tonë”.

Drejtori i Drejtorisë të Arsimit në Komunën e Istogut, Prof. Mr. Naim Behlulaj, përshëndeti në emër të kryetarit të komunës, Ilir Ferati. Ai përgëzoi autorin e librit, Hasan Korbin, për mjeshtërinë e tij krijuese dhe përzgjedhjen si personazh të veprës së tij, arsimtarin veteran, valltarin brilant dhe veprimtarin e pandalshëm, pavarësisht moshës, Sadik Maxharraj-Baca, si një personalitet i shquar. Ai ka dhënë kontribut të çmuar në arsimimin e brezave, në afirmimin e kulturës kombëtare, madje edhe në kohët e vështira të pushtimit të egër.

Drejtori Behlulaj i dorëzoi një dhuratë Bacës, të ndarë nga kryetar Ferati, e cila u jipet vetëm individëve, për kontribute të veçanta. Ne do t`i jemi për jetë mirënjohës për shërbimet e bëra për Kosovën tonë. Dhe,  zotohemi se do ta vazhdojmë me veprat e Bacës, si udhërrëfyese për gjeneratat tjera. Urime nga zemra, shëndet dhe gjithë të mirat për Bacën veprimtar veteranë”, – u shprehë drejtori Naim Behlulaj.

Pamje e pjesëshme nga përurimi i librit “Për Ty vargjet Kuq e Zi” (Foto: RTV “Fontana”)

Profesor Sadik Bicaj, është autor i disa librave; i një mori artikuj studimorë gjuhësor e pedagogjik dhe krijime letrare; kryetar i Klubit letrar “Podguri”, në Istog; si dhe drejtor shumëvjeçarë i Shkollës 9-vjeçare, në Vrellë; bëri vështrimin letrar të lbrit poetik “Për Ty vargjet Kuq e Zi”, kushtuar Sadik Maxharraj-Baca. Ndonëse është botuar, më parë, si shkrim me vete, këtu po sjellim vetëm disa fragmente nga reçensioni i librit në fjalë:

“Vëllimi poetik” Për Ty vargjet kuq e zi…” i tejkalon kufijtë e Shqipërisë dhe depërton në Kosovë, në një pjesë të gjeografisë së copëtuar shqiptare. Në këtë botim me poezi, me një theks të veçantë, autori i këndon, në variante të ndryshme, personazhit kryesor të këtij libri, valltarit, atdhetarit dhe misionarit të arsimit shqip Sadik Maxharrajt, Bacës.

Vëllimi poetik “ Për Ty vargjet kuq e zi”,  hapet me poezinë “ Brezave do t’ua lë…”, e cila është një poezi e realizuar artistikisht dhe përkushtuese, për të ardhmen e brezave të rinj, për një të ardhme të ndritur.

“Të kërcejmë vallën, këngën ta këndojmë”, është vargu më i fuqishëm me një porosi të qartë, një porosi kjo që Baca ua lë fëmijëve të tij, por edhe gjeneratave të reja:

Kostumet kombëtare të vishën me krenari,
E kuqja dhe e zeza është ngjyra Shqipëri.

Autori i këtij vëllimi poetik, Hasan Korbi, me kënaqësi të veçantë, me zemër të hapur, me dashuri të zjarrtë dhe me plot mall, i këndon edhe Kosovës te poezia “ Kosova ime”. Në këtë poezi, poeti Korbi, paraqet edhe qëndresën historike të shqiptarëve në Kosovë, përmes simbolikës së kullës:

E lindur në kulla.
Në lartësi malesh e gjerësi fushash.
Kudo mbjellë trimëri…” (Kosova ime)

Dhe, nga qëndresa, autori i këtij vëllimi poetik, kalon prapë në valle, sepse vallja për Bacën është dëshira e tij e zjarrtë. Baca, krahas vallëzimit veçohet edhe si bartës i kostumeve kombëtare, bashkë me simbolet kombëtare, sidomos në shënimin e datave të ndryshme historike apo edhe në lojëra të ndryshme sportive. (Krejt kuq e zi).

Një poezi tjetër mjaft e fuqishme është edhe poezia “ Për Ty Bacë”, ku autori Bacën e krahason si shpirt të madh dhe me plot vlerë:

Ti je një dritës, një pemë e ngjyer… Një zë folës.
Një shpirt i madh i punës me plot vlerë…” (Për Ty Bacë)

Dhe pas gjithë kësaj poeti Korbi i kthehet prapë Istogut të lashtë, vendlindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, bukurive natyrore të këtij qyteti të paqes, ku shprehet edhe lumturia dhe krenaria e tij poetike:

Istog…
I imi Istog…
Krenohemi me Ty,
Me flladin tënd…

Ose:

I lumtur ndjehem … Istog të dua.” ( Istog.)

Atdhetarizmi zë një vend të veçantë në këtë vëllim poetik. Autori i librit Bacën e vlerëson si atdhetar të madh, i cili qëndroi i pathyeshëm në erëra të ndryshme, që frynë gjatë kohërave të ndryshme historike, por edhe si pishtar i lirisë së vendit, kundër pushtuesit serb:

O Atdhe!
Më je i dashur sa ma s’ka…

Te poezia “ Portreti yt” poeti Korbi përshkruan, pos realitetit të pamjes së personazhit, të cilin për herë të parë fizikisht e ka parë një ditë para promovimit të këtij libri në Istog, edhe për qëndresën e tij, duke e krahasuar atë me “trupin lis të gjatë shekullor”, që është edhe një krahasim shumë i fuqishëm:

Flokë thinjur,
Plis të bardhë mbi ballë,
Me emrin Kosovar…” (Portreti yt)

Ose:

Ti qëndron si malet,
Fluturon si shqiponja,
Vishësh Ti kombëtarësh.
Kërcimi yt nuk ndalet“. (Po aty)

Libri mbyllet me poezinë “ Lexoj në foto…”  Poezia është përmbledhëse dhe trajton përmes fotografive pjesëmarrjen e Bacës në festivale dhe simpoziume shkencore, të mbajtura viteve të fundit në Prizren, Krujë, Vlorë, Lezhë, Elbasan, etj.:

Hapi yt është kudo ku ka shqiptarë e kosovarë.
Zëri të buçet me zjarr zemre, për Ty o Atdhetar…” (Lexoj në foto)

Vëllimi poetik “ Për ty vargjet kuq e zi – Sadik Maxharraj – Baca”, veçohet edhe me gjuhën dhe stilin e shkrimit, si dhe me përdorimin e shumtë të figurave stilistike, si: epitete, krahasime, etj., që ia shtojnë edhe më shumë vlerën gjuhësore dhe letrare këtij vëllimi poetik të mrekullueshëm”,- referoi, veç tjerash, drejtori dinjitar, Sadik Bicaj.

Nxënësja e Shkollës fillore “Hysni Zajmi”, në Studenicë, Edonisa Zeqiraj, recitoi dy poezi: “Kosova ime” dhe “Mësuesi”, e cila u mirëprit dhe u duartrokit ngrohtësisht.

Kryetari i Shoqatës të Historianëve, “Ali Hadri”, dega në Istog, Profesor Isuf Mavraj, studjues i zellshëm i historisë të kohës së re dhe të sotme, foli, në supërlativë, për kolegun dhe bashkëpunëtorin e tij, Sadik Maxharraj; për veprimtarinë e shumanshme arsimore, krijuese, politike dhe personalitetin e kompletuar si njeri i mirë, komunikues, i cili rrezaton mirësi e dashuri të çiltër dhe të gjithmonshme.

Sekretari i Shoqatës të Historianëve, “Ali Hadri”, dega në Istog, historiani Naim Sadriu, shpalosi kujtime nga aktivitetet e ndryshme, si pjesëmarrës në shumë evenimente, ngjarje historike, përkrah kolegut Sadik Maxharraj-Baca. “Kam shumë përjetime të shkëlqyera, përgjatë shoqërimit me atë, sepse Baca, nga pjesëmarrësit dhe qytetarët e rastit shikohej me syrin e veçantë. Ishim duke ecur nëpër qendrën e qytetit të Lezhës. Duke parë Bacën shtatlartë, të veshur me kostumin tradicional kombëtar, disa të rinj për Bacën thonin: “Qenka ngjallë Prenk Cali”, e të tjerë, duke rikujtuar figurat historike, që bënë historinë”.

Folësi i radhës, Xheladin Zymberaj, me referencë për kolegun, Sadik Maxharraj-Baca, me shokë, kujtoi “aktivitetin e qytetarëve, sa herë që kanë ndodhur lëvizje në nivel kombëtar, Istogu me fshatrat dhe popullatën e tyre, u bënë krah i fortë i këtyre lëvizjeve. Sadik Maxharraj, i lindur dhe i rritur në këto anë, pati material të bollshëm për të shkruar, që nga viti 1963 e deri në ditët e sotme, kurrë nuk pushoi se vepruari, për atdhe, liri, gjuhë dhe flamur.

Autori i librit “Për Ty vargjet Kuq e Zi”, krijuesi Hasan Korbi, ka bërë një punë të mrekullueshme poetike. Veçantia e poetit Korbi nuk janë vetëm shprehjet e figurave në vargjet e tij, por edhe gjuha e pastër që përdorë ai. Ritmi, rima, njësitë suprasegmentale, i japin shpirt poezisë së tij. Fund e krye ajo përshkohet nga kohezioni dhe koherenca gjuhësore”.

Në përmbyllje, kryepersonazhi karizmatik, i librit poetik “Për Ty vargjet Kuq e Zi”, të autorit kavajas, Hasan Korbi, Profesor Sadik Maxharraj-Baca, fort i emocionuar, shprehu mirënjohjen e thellë, për Familjen Korbi. Të ardhur, enkas, nga Kavaja e zëshme për traditat kombëtare, për perurimin e librit, pikërisht, në Podgurin historik dhe piktoresk, në vendlindjen e burrështetasit unik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili, për rolin historik, të bërjes të Kosovës shtet, nuk ka ndërmjetës në Shqiptari, që nga Gjergji ynë i Mesjetës.

Sadik Baca, me elokuencën shprehëse, si dhunti profesionale në mësimdhënie, zgjodhi fjalët më të mira, për të shprehur miqësinë, respektin dhe dashurinë e dlirë, për audiencën e përzgjedhur, në përurimin e librit artistik-biografik. Ishte një perurim festiv domëthënës.

Në nderim të motrave e vëllezërve nga Shqipëria dhe pjesëmarrësve të tjerë, Kuvendi komunal i Istogut, në koordinim me Familjen Maxharraj, shtruan drekë në Restorant “Freskia” të qytetit.

Të gjithë veprimtarinë peruruese e përcolli, mjeshtërisht, RTV “Fontana” dhe medie të tjera.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.