Proza e zgjedhur e së dielës
Prozë e shkurtër nga Hysen Kobellari
Mbi dymijë vjet më parë, dy njerëz fort të ditur u takuan në breg të detit. Bregu i detit qëlloi që ishte edhe këmba, fundi i një mali shkëmbor. Shkëmbore ishte edhe maja e malit, por mesi i tij ishte qendisur për bukuri, me lugina të ëmbla, me ujin që rrjedh duke gurgulluar ëmbëlsisht, me livadhe e kullota plot gjelbërim ku rriteshin gjë e gjallë, të buta e të egra.
Sapo u takuan të dy filozofët, njëri i tha tjetrit : “Nga po vjen e tek ç’e mirë po shkon ?!” Dhe tjetri iu përgjigj : “ Vij nga mesi dhe po kërkoj nisjen, fillimin, shkakun dhe burimin e lindjes, dhe e di se gjendet që këtu e lart, drejt majës, drejt diellit. E di se po kërkoj shumë … Po zotrote, pse ke dalë dhe ç’po kërkon ?!”
Dhe tjetri iu përgjigj: “Po kërkoj përfundimin. Nëse ka një fund, kush është ai dhe kur vjen. Mbase është vdekja. Po kërkoj misterin e saj. “
Të dy dijetarët e kuptuan shpejt se po kërkonin gjëra të kundërta dhe nisën të shanin dhe akuzonin njëri-tjetrin për rrugë të gabuara dhe qëllime të mbrapshta; për verbëri qëllimi dhe zbrazëti shpirtërore.
Teksa të dy filozofët po kacafyteshin me fjalë të ngatëruara dhe gjeste luftarake, një burrë i qetë, trupmadh, veshur me shajak e me një kërrabë të bukur në dorë u shfaq aty afër; qëndroi të shihte se ç’po ndodhte dhe shpejt e kuptoi përse bëhej fjalë. Ai ishte peshkatar dhe çoban, bari; natën peshkonte, ditën kulloste delet e dhitë në bjeshkë, maleve. Për të fjetur u kishte marrë hua natës dhe ditës nga tre orë secilës. Në ato tre orë bariu peshkatar edhe flinte po edhe merrej me matematikë; e kishte shkencën e numërave në vend të gruas, bashkëshorte. Bota e numërave për të ishte bota e mrekullive të parrëfyera, që ia hijeshonte dhe zbukuronte jetën atij njeriu.
Buri i tretë iu afrua të dy dijetarëve të inatosur deri në xhindosje dhe iu tha :
“ Mos u zini, o njerëz të mirë ! Me sa shoh e kuptoj unë ju të dy jeni në të njëjtën rrugë, po kërkoni dhe po flisni për të njëjtën gjë, po vetëm se njëri kërkon të shkojë në kreun e rrugës, kurse tjetri, në fundin e saj. Që të dy po kërkoni; kërkimi është qëllimi dhe kuptimi i njeriut si qenie. Nuk e di nëse do ta gjeni dot atë që kërkoni, se rruga ku ju ndodheni nuk ka skaje, është infinit …; s’mund t’i gjendet as fillimi, as fundi. Në fakt rruga është brenda nesh, brenda njeriut. “
Burri u nis të largohej duke murmuritur diçka me vete : “ Mbeçi me shëndet, o kërkimtarë të përjetshëm ! “ Ai po i vështronte të dy dijetarët me një nënqeshje të përmbajtur. Filozofët tashmë të qetësuar e të befasuar nga shfaqja e papritur e bariut peshkatar shikuan njëri-tjetrin me sy paksa të zmadhuar. Donin të nënqeshnin edhe ata, po nuk po mundnin.
Bariu peshkatar që po largohej drejtoi gishtin nga dijetari që kishte folur i pari dhe i tha : “ Në qoftë se … “ Pastaj iu kthye tjetrit, pa e ulur gishtin tregues dhe i tha : “ Atëhere … “ Kushte dhe perfundime “. Të dy dijetarët e mblodhën veten sakaq dhe e kapën për dore me dashamirësi burrin që po largohej; ata thanë njëzëri : “ Në qoftë se … ka jetë, atëhere … ka edhe vdekje. “ Ata donin të diskutonin gjatë me njeriun e matematikës, por ai nuk kishte kohë për të humbur me fjalë …
Kështu lindi ajo që matematikanët e mëvonshëm do ta quanin T e o r e m ë, e cila fillon me fjalët kushtore : “ Në qoftë se … “ dhe vazhdon me fjalën konkludore : “ Atëhere … “
Erdhi puna që bashkëbiseduesit u pajtuan midis tyre. U bënë shokë dhe miq.
Më në fund, njëri prej dijetarëve qeshi me të madhe dhe tha :
– Epo, tani le të bashkohemi dhe të kërkojmë së bashku, duke ftuar sa më shumë njerëz të tjerë të na bashkohen !











