11.3 C
Tirana
E dielë, 29 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Një shoqëri në luftë me vetveten

Një shoqëri në luftë me vetveten

0
Friedrich Nietzsche

Friedrich Nietzsche: “Në kushte paqësore, njeriu luftarak sulmon vetveten!”

Urrejtja, zemërimi, robëria e brendshme, manipulimi ideologjik dhe përgjegjësia e individit në shoqërinë shqiptare

Zef Noka
Zef Noka

Zef Noka
Master of Mediatio, ILP Dipl., Coach

Zemërim, urrejtje, fyerje, sharje, krenari e lënduar dhe ego e shfrenuar. Secili kundër secilit. Një gjendje shoqërore që ngjall shqetësim të thellë. Njeriu lufton kundër tjetrit, me bindjen se kështu po fiton diçka. Por çfarë po fiton në të vërtetë? Dhe kundër kujt po fiton? Kundër tjetrit apo kundër vetvetes?

Sa mirë do të ishte sikur kjo luftë të drejtohej nga brenda, sikur të ishte një përballje e ndërgjegjshme e njeriut me vetveten. Mirëpo, në vend që të përballet me botën e vet të brendshme, njeriu e zhvendos konfliktin jashtë vetes, duke e projektuar atë te të tjerët.

Në një pjesë të shoqërisë shqiptare vërehet një agresivitet emocional shqetësues, i cili shpërfaqet veçanërisht në komunikimin publik. Një gatishmëri e theksuar për t’u përleshur, një fjalor i mbushur me mllef, mungesë durimi dhe fyerje që duket se nuk njohin më kufij.

Kundër individit, kundër besimit të tjetrit, kundër partisë, kundër bindjeve politike, kundër atij që mendon ndryshe, kundër atij që jeton ndryshe. E kundër kujt jo?

Po nga buron gjithë ky zemërim? Nga na erdhi gjithë kjo urrejtje? Mos na ra prej qiellit, apo e mbollëm vetë?

Rrënjët psikosociale të urrejtjes

Nga këndvështrimi psikologjik, agresiviteti mund të jetë shprehje e konflikteve të pazgjidhura të botës së brendshme të individit. Lëndimet emocionale, përvojat e poshtërimit, mungesa e dashurisë dhe e mirënjohjes, si dhe një vetëvlerësim i brishtë, mund ta shtyjnë njeriun që tensionet e veta të brendshme t’i zhvendosë te të tjerët.

Në psikologji, njëri prej mekanizmave mbrojtës që lidhet me këtë dukuri njihet si projeksion. Njeriu ia atribuon tjetrit ndjenja, tipare apo impulse me të cilat nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të përballet brenda vetes.

Ai që e do dhe e respekton vetveten, që ka ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme me qenien e vet, zakonisht nuk ka nevojë ta zvogëlojë tjetrin për ta madhëruar veten. Nuk ka nevojë ta poshtërojë tjetrin për t’ia dëshmuar vetes vlerën e tij.

Një pjesë e kësaj urrejtjeje mund të jetë prodhim i vetë mjedisit tonë familjar e shoqëror. Është mbjellë në shtëpitë tona, në mënyrën se si komunikojmë, se si i edukojmë fëmijët, se si përballemi me njëri-tjetrin dhe se si i trajtojmë dallimet ndërmjet nesh.

Familja është instanca e parë dhe njëra prej më të rëndësishmeve në procesin e socializimit të individit. Pikërisht aty njeriu fillon të ndërtojë marrëdhënien me vetveten dhe me botën që e rrethon.

Fëmija që rritet në një mjedis të përshkuar nga poshtërimi, fyerja, dhuna verbale, ftohtësia emocionale apo edukimi autoritar, rrezikon t’i përvetësojë këto modele sjelljeje dhe t’i riprodhojë ato në jetën e mëvonshme.

Çfarë mbillet në familje, nesër mund të japë fryte në shoqëri.

Kur këto modele transmetohen nga një brez në tjetrin dhe pranohen si forma normale të komunikimit, krijohet një ngarkesë kolektive psikosociale. Kjo dukuri, në kuptimin metaforik, mund të marrë përmasat e një pandemie emocionale: një shoqëri që, nëpërmjet urrejtjes së ndërsjellë, shpërfaq plagët e veta të pashëruara.

Shoqëria e zhvendosjes së fajit

Njeriu bërtet, shan, fyen dhe lufton me një zemërim të papërshkrueshëm. Kjo dukuri vërehet si në marrëdhëniet e përditshme, ashtu edhe në ligjërimin politik, intelektual e publik. Si poshtë, ashtu edhe lart në hierarkinë shoqërore.

Por pas këtij zemërimi, që drejtohet vazhdimisht nga jashtë, mund të fshihet një pakënaqësi e thellë e njeriut me vetveten.

Përgjegjësia për vuajtjen personale zhvendoset te të tjerët. Fajin e ka fqinji, politika, feja, partia, historia, institucionet apo kundërshtari i radhës.

Madje, as historia nuk i shpëton këtij mllefi. Në vend që të jetë objekt i njohjes, i studimit dhe i reflektimit kritik, ajo shndërrohet shpesh në arenë të përplasjeve identitare dhe në instrument të konflikteve të së tashmes.

Edhe e kaluara bëhet objekt i luftës sonë emocionale, ndërkohë që e tashmja humb orientimin dhe e ardhmja paraqitet gjithnjë e më e zymtë.

Traumat historike, përndjekjet, shtypja politike, luftërat, pasiguria ekonomike dhe transformimet e thella shoqërore mund të kenë ndikuar në formësimin e këtyre dukurive. Megjithatë, shpjegimi i rrethanave historike nuk e përjashton përgjegjësinë individuale për sjelljen e sotme.

Një shoqëri që përpiqet t’i zgjidhë konfliktet e veta vetëm duke kërkuar fajtorë jashtë vetes, rrezikon ta humbasë aftësinë e vetëreflektimit.

E pa vetëreflektim, çfarë të ardhmeje mund të ndërtojmë?

Brishtësia emocionale, manipulimi ideologjik dhe radikalizimi i individit

Një dimension tjetër shqetësues i kësaj gjendjeje psikosociale është cenueshmëria e individit ndaj ndikimeve manipuluese të natyrave të ndryshme, qofshin ato politike, fetare, ideologjike apo mediatike.

Individi që përjeton pasiguri emocionale, kriza identitare, mungesë përkatësie dhe konflikte të pazgjidhura me vetveten, në rrethana të caktuara, mund të bëhet më i ndjeshëm ndaj ideologjive që i ofrojnë përgjigje të thjeshta për probleme komplekse.

Ai kërkon siguri atje ku përjeton pasiguri, përkatësi atje ku ndien zbrazëti dhe një armik të identifikueshëm atje ku nuk arrin t’i kuptojë shkaqet e vuajtjes së vet.

Në këtë kontekst duhet parë edhe prirja për t’u besuar teorive konspirative. Ato i ofrojnë individit një shpjegim në dukje të kuptueshëm të realitetit, një ndjenjë kontrolli mbi botën dhe bindjen se ai zotëron një të vërtetë që të tjerët nuk janë në gjendje ta kuptojnë.

Kështu, individi mund të krijojë iluzionin e një epërsie intelektuale, morale apo shpirtërore ndaj të tjerëve. Ai nuk e vë më në pikëpyetje bindjen e vet, por aftësinë e të tjerëve për ta kuptuar atë që ai e konsideron të vërtetë.

Në rrethana të caktuara, e njëjta nevojë për siguri, përkatësi dhe domethënie mund të shfrytëzohet edhe nga rrymat ekstremiste politike apo fetare.

Individi që nuk ka arritur të ndërtojë një identitet të qëndrueshëm personal mund të kërkojë strehim në një identitet kolektiv absolut. Ai mund ta ngatërrojë përkatësinë me identitetin, bindjen me të vërtetën, fanatizmin me besimin, agresivitetin me guximin dhe urrejtjen me atdhedashurinë.

Në vend që të ndërtojë personalitetin e vet, ai ia dorëzon gjykimin e tij një autoriteti të jashtëm, një ideologjie, një udhëheqësi politik apo fetar.

Problemi nuk qëndron te besimi fetar apo te përkatësia politike në vetvete, por te absolutizimi i tyre dhe instrumentalizimi i nevojave psikologjike të individit.

Në hapësirën tonë shoqërore, veçanërisht në rrjetet sociale, krijohet një përzierje shqetësuese e mllefit personal, teorive konspirative, fanatizmit fetar, ekstremizmit politik, nacionalizmit agresiv dhe interpretimeve selektive të historisë.

Kur këto dukuri ndërthuren, ato mund të ushqejnë njëra-tjetrën dhe të krijojnë një klimë të polarizimit shoqëror, ku dialogu zëvendësohet nga përplasja, argumenti nga fyerja dhe mendimi kritik nga besnikëria e verbër ndaj grupit.

Njeriu nuk e sheh më tjetrin si bashkëqytetar, por si kundërshtar, si kërcënim, madje edhe si armik. Përkatësia e përbashkët shoqërore e kombëtare copëzohet në identitete antagoniste.

Kjo përbën një rrezik serioz për kohezionin e shoqërisë shqiptare.

Por duhet theksuar se brishtësia emocionale nuk çon domosdoshmërisht në radikalizim. Edhe faktorët ekonomikë, politikë, kulturorë, arsimorë dhe dinamikat e grupeve shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces.

Prandaj, përgjegjësia nuk është vetëm individuale, por edhe familjare, institucionale dhe shoqërore.

Një shoqëri që nuk kultivon mendimin kritik, pavarësinë intelektuale, edukimin emocional dhe kulturën e dialogut, rrezikon të bëhet terren i përshtatshëm për manipulime të natyrave të ndryshme.

Njeriu që nuk arrin të kuptojë botën e vet të brendshme rrezikon t’ua dorëzojë të tjerëve të drejtën për t’ia shpjeguar botën e jashtme. E ai që heq dorë nga gjykimi i pavarur, rrezikon të bëhet instrument i interesave dhe i konflikteve që nuk janë as të tijat.

Kah po shkon, o shqiptar?

Kah dëshiron të shkosh, nëse nuk je i gatshëm të përballesh me vetveten?

Jo çdo mendim ndryshe është sulm kundër teje. Jo çdo kritikë është poshtërim. Jo çdo bindje fetare apo politike, që dallon nga e jotja, përbën kërcënim për qenien dhe identitetin tënd.

Nuk është gjithmonë fqinji, nuk është gjithmonë politika dhe as feja ajo që të bën të ndihesh i fyer apo i kërcënuar.

Nganjëherë është fëmija i lënduar brenda teje. Ai fëmijë që dikur nuk është dëgjuar, nuk është kuptuar, nuk është vlerësuar apo nuk ka marrë dashurinë dhe sigurinë emocionale për të cilat kishte nevojë.

Ai fëmijë është rritur në një familje, në një mjedis dhe në një shoqëri të caktuar. Pikërisht aty ka mësuar se si të përballet me dhimbjen, refuzimin, frikën, kundërshtimin dhe konfliktin.

Pyete njëherë vetveten:

Nga buron gjithë ky zemërim që bart në vete? Përse mendimin ndryshe e përjetoj si kërcënim? Përse ndiej nevojën ta poshtëroj tjetrin? Përse dua ta lëndoj atë që nuk mendon si unë? Kush dhe çfarë i ka mbjellë në mua këto mënyra të të menduarit e të të reaguarit?

Përballja me këto pyetje nuk është dobësi. Përkundrazi, është shenjë e pjekurisë psikologjike dhe e përgjegjësisë personale.

Lufta më e vështirë e njeriut nuk është lufta kundër tjetrit, por përballja me vetveten.

Për sa kohë që nuk e ke kuptuar këtë, rrezikon të vazhdosh t’i shohësh të tjerët si fajtorët e vuajtjes sate.

Liria e jashtme dhe robëria e brendshme

Po, ekziston liria, por ekziston edhe përgjegjësia. Liria dhe përgjegjësia ecin dorë për dore. Një liri e shkëputur nga përgjegjësia rrezikon të shndërrohet në arbitraritet dhe në cenim të dinjitetit të tjetrit.

Liria e fituar në rrafshin politik, kombëtar, juridik apo shoqëror nuk e ka kuptimin e saj të plotë, nëse individi vazhdon të jetojë në robëri emocionale.

Ç’të duhet liria që ke fituar jashtë vetes, nëse brenda vetes vazhdon të jetosh në burg?

Ç’të duhet liria kombëtare, nëse nuk arrin të çlirohesh nga mllefi yt, nga urrejtja, nga frika, nga paragjykimet dhe nga plagët që bart në shpirt?

Asnjë fe, asnjë parti politike dhe asnjë përkatësi ideologjike nuk mund të të çlirojë vetvetiu nga kjo robëri e brendshme. Aq më pak mund të të çlirojë urrejtja ndaj tjetrit.

Çlirimi yt fillon atëherë kur gjen guximin t’ia shtrosh vetes një pyetje themelore:

Përse jam kështu siç jam?

Liria e brendshme nuk nënkupton mungesën e dhimbjeve, të konflikteve apo të përvojave të rënda jetësore. Ajo nënkupton aftësinë për t’i njohur, për t’i kuptuar dhe për t’i menaxhuar emocionet tona, pa i shndërruar njerëzit e tjerë në viktima të konflikteve tona të brendshme.

Përgjegjësia për paqen me vetveten

Çlirohu nga mllefi që bart në vete. Sepse, ndërsa mendon se nëpërmjet urrejtjes, fyerjeve dhe poshtërimeve po e dëmton tjetrin, në të vërtetë po e dëmton edhe vetveten.

Armiqësia e vazhdueshme, zemërimi kronik dhe tensionet e përhershme emocionale mund ta rëndojnë mirëqenien psikologjike të individit, t’i shkatërrojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ta dobësojnë besimin brenda shoqërisë.

Mendohu njëherë para se të flasësh. Para se të fyesh. Para se ta poshtërosh tjetrin. Para se ta gjykosh për bindjet e tij. Para se ta urresh gjithçka që të rrethon.

Pyete vetveten nëse ajo që ia përplas tjetrit në fytyrë ka të bëjë vërtet me të, apo është shprehje e një konflikti të pazgjidhur brenda teje.

Ndryshimi shoqëror nuk fillon vetëm në institucionet politike, në bashkësitë fetare apo në institucionet arsimore. Ai fillon edhe te individi, në familje, në edukimin e brezave dhe në përgjegjësinë që secili merr për mendimin, fjalën dhe veprimin e vet.

Një shoqëri nuk mund të ndërtojë kulturën e respektit, nëse fyerjen e konsideron guxim, arrogancën dinjitet, britmën argument dhe urrejtjen virtyt.

Mos e kërko gjithmonë zgjidhjen atje jashtë, duke e harruar botën tënde të brendshme. Ka beteja që askush nuk mund t’i zhvillojë në vendin tënd.

Përndryshe, rrezikon të biesh verbërisht në grackën që ia ke ngritur vetes: në grackën e një bote emocionale të dalë jashtë kontrollit, të ushqyer nga mllefi yt dhe nga konfliktet e tua të pazgjidhura.

Kërkoje paqen me vetveten!

Sepse një shoqëri, individët e së cilës janë vazhdimisht në luftë me vetveten, vështirë se mund të gjejë paqe në bashkëjetesën me të tjerët.

Literaturë psikologjike, sociologjike dhe filozofike

  1. Adorno, Theodor W. et al.: Studien zum autoritären Charakter.
  2. Arendt, Hannah: Elemente und Ursprünge totaler Herrschaft.
  3. Bandura, Albert (1979): Aggression. Eine sozial-lerntheoretische Analyse. Stuttgart: Klett-Cotta.
  4. Bourdieu, Pierre (2005): Die männliche Herrschaft. Frankfurt am Main: Suhrkamp.
  5. Bowlby, John (1975): Bindung. Eine Analyse der Mutter-Kind-Beziehung. München: Kindler.
  6. Butter, Michael (2018): «Nichts ist, wie es scheint». Über Verschwörungstheorien.
  7. Elias, Norbert (1939): Über den Prozess der Zivilisation.
  8. Freud, Anna (1936): Das Ich und die Abwehrmechanismen. Wien: Internationaler Psychoanalytischer Verlag.
  9. Fromm, Erich (1974): Anatomie der menschlichen Destruktivität. Stuttgart: Deutsche Verlags-Anstalt.
  10. Fromm, Erich: Die Kunst des Liebens. (Botimi origjinal: 1956).
  11. Fromm, Erich: Die Furcht vor der Freiheit. (Botimi origjinal: 1941).
  12. Gross, James J. (1998): Das entstehende Forschungsfeld der Emotionsregulation: Eine integrative Übersicht. Review of General Psychology, 2(3), S. 271–299. (Titulli i përkthyer nga anglishtja).
  13. Heitmeyer, Wilhelm (2018): Autoritäre Versuchungen. Signaturen der Bedrohung I. Berlin: Suhrkamp.
  14. Hoffer, Eric: Der Fanatiker. Eine Psychologie des Massenwahns.
  15. Lamberty, Pia; Nocun, Katharina (2020): Fake Facts. Wie Verschwörungstheorien unser Denken bestimmen.
  16. Lamberty, Pia; Nocun, Katharina (2021): True Facts. Was gegen Verschwörungserzählungen wirklich hilft.
  17. Le Bon, Gustave: Psychologie der Massen.
  18. Mansour, Ahmad (2015): Generation Allah. Warum wir im Kampf gegen religiösen Extremismus umdenken müssen.
  19. Mansour, Ahmad (2018): Klartext zur Integration. Gegen falsche Toleranz und Panikmache.
  20. Miller, Alice (1980): Am Anfang war Erziehung.
  21. Miller, Alice (1979): Das Drama des begabten Kindes und die Suche nach dem wahren Selbst.
  22. Rosenberg, Marshall B.: Gewaltfreie Kommunikation. Eine Sprache des Lebens.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.