E R O S M E T R I – tregim

0
49
Erosmetri - ilustrim

Nga H. KOBELLARI

                                                    E R O S M E T R I

Tregim

Fati e desh që unë të kryej një specializim afatmesëm në Japoni, në lëmin e Shpikjes së Instrumentave të Dobishëm Erotikë (SHIDE). Ishte një specializim i tejngjeshur në njohuri teorike e praktike, mjaft i përparuar për kohën e botën dhe i hapur për brezat e tjerë të njerëzve, pasardhësit tanë…

U ktheva në atdhe pak i lodhur dhe i mbingarkuar me ëndrra dhe energji të reja. Ky specializim më eci vërtet mbarë. Disa karakteristika të mira të njerëzve në vendin ku u specializova m’u ngjitën si punë gripi. I kisha thithur ato bashkë me ajrin e atij vendi.

U bëra shumë praktik: mendja filloi të më punojë shpejt, për së mbari dhe për së tepërmi. Gjithfarë shpikjesh më vinin në kokë, madje disa më shfaqeshin edhe nëpër gjumë, si midis ëndrrave dhe zgjëndrrës. Turli veglash dhe instrumentash ndonjëherë të gjithë të padobishme…

Skicova gjith ato modele çelësash e kasafortash të panjohura më parë, disa prej tyre që mbajnë hajdutin në vend, të tjera me efekte nervoparalizuese; modele armësh të ndryshme, nga më të lezetshmet, disa pajisje të thjeshta dhe praktike për të prodhuar kartmonedha të pothuajse si të vërteta… dhe më në fund pata fatin të arrij të shpik kryeveprën time, “Erosmetrin”, instrumentin më të  dashur, më të famshmëm dhe më fitimprurësin. Te ky instrument kisha shume shpresa; duhej të ishte ai, i cili do të më bënte të pavdekshëm në jetë të jetëve.

Në fakt ky aparat i thjeshtë është “Dashurimatësi” që ka qenë përdorur pak kohë nga fundi i sviteve ’80-të të shekullit XX- të, në vendin ku unë kreva specializimin, por u përdor vetëm për disa ditë, për shkak të një defekti… Nejse.

Fillimisht, instrumenti im i dashur më shërbeu jo gjithaq për fitim, por më tepër për përdorim personal. Dikush ka thënë se një nevojë praktike e jetës njerëzore e shtyn shkencën dhe teknikën përpara më tepër se dhjetra Universitete … Të vërtetën ka thënë, njeriu i mençur … Sakaq diçka ndodhi. Ishte diçka shumë interesante, që më ra ndër mend sakaq. Sapo isha fejuar, por siç ndodh rëndom me njerëzit e kësaj bote, më lindi dyshimi se mos gruaja im e e ardhshme më donte më tepër nga interesi sesa nga sinqeriteti dhe nga dashuria e vërtetë.

Si mund të pikasej djallëzia e saj dhe si mund të matej dashuria që ndjente ajo për mua ?! Me ç’mekanizëm, me ç’vegël !? Kështu, duke i bluar me vete këto pyetje e dyshime në kokën time të ditur, për fare pak kohë ia mbërrita ta parafytyroj dhe pastaj ta ndërtoj të shumëpriturin instrument, “Erosmetrin”, i cili do të bëhej vërtet aq i famshëm, do të më sillte aq e aq fitime, paçka se do të na shkaktonte edhe ndonjë kokëçarje, po edhe ndonjë fatkeqësi … Gjëra të njohura këto në historinë e shpikjeve të mëdha e të rëndësishme të njerëzimit.

Në doni ta dini, natyrisht, në vija të trasha, Erosmetri im, si aparat a instrument, nuk është gjë tjetër veçse një termometër paksa i veçantë, i modifikuar, i cili është në gjendje të matë sasinë, ose të tregojë nivelin e ndjenjave përgjithësisht dhe të dashurisë që kanë njerëzit ndaj njëri-tjetrit veçanërisht. Nga termometri ka vetëm një ndryshim: në depozitën ku instrumenti i vjetër ka zhivën, mërkurin, erosmetri im ka metanolin, të cilin kimistët dhe ata  të cilëve iu është mërzitur jeta tmerrësisht, e njohim mirë …

Erosmetrin e përdora në fillim si një lodër fëmijësh, duke ua vënë atyre në zemër, tek kraharori i butë e i brishtë. Sa shumë dashuri dhe sinqeritet kishte në zemrat e tyre të vogla, të pastra e bujare! Dashuri, pafajësi, sinqeritet, thjeshtësi … Shtylla e metanolit të aparatit ngjitej lart dhe unë isha shumë i kënaqur nga kjo gjë. Gabimisht m’u rrënjos në kokë mendimi, se me rritjen e moshës do të rritej te njerëzit edhe ndjenja e dashurisë, kjo ndjenjë nga më fisniket, më të lartat dhe më të bukurat për njeriun. Se njeriu nga dashuria vjen dhe drejt dashurisë shkon …

Nuk kaloi shumë kohë dhe lodra ime e dashur u mor shumë seriozisht dhe u përdor gjerësisht nga të rriturit. Dhjetra e qindara kërkesa më vinin çdo ditë nga të katër anët e vendit. U kisha dhënë të fejuarve e të martuarve në dorë një armë të fuqishme, me të cilën ata mund të matnin dashurinë, që deri atëhere atyre të gjithëve u dukej si një gjë e pamatshme. Tani ata mund ta njihnin më mirë njëri – tjetrin, shokun apo shoqen e jetës, pa kërkuar e sajuar prova jetësore të vështira, të rrezikshme, kohëhumbëse e sfilitëse. Kërkesat u rritën aq shumë, saqë jo vetëm unë që e shpika dhe e prodhova së pari Dashurimatësin e çuditshëm, por  edhe firma promocionale, që mori përsipër reklamimin e krijesës sime të dashur, korri fitime të hatashme …

Ndërkohë e fejuara ime më ishte afruar edhe më shumë, kurse unë gjithnjë e më tepër dyshoja në sinqeritetin dhe vërtetësinë e dashurisë së saj. Më në fund, pas gjithë atyre hamendjeve e dyshimeve torturuese, vendosa ta përdor instrumentin tek e fejuara ime e shkretë. Ia shfaqa edhe asaj, si me një farë ndrojte këtë mendim.

-As mos e diskuto, – ma ktheu ajo me një zë ledhatues, duke më gudulisur lehtë nën sqetull, atje ku unë në të vërtetë nuk ndjej asgjë. Pastaj shtoi pak hatërmbetur:

– Dashuria ime për ty nuk njeh kufij. Zemra ime …

Koha kishte kaluar dhe unë, Erosmetrin tim të dashur e kisha bërë një aparat vërtet të përsosur. Modifikimi i fundit ishte bërë tek shkallëzimi, atje ku lëviz shtylla e lëngët e metanolit. I qëndisa poshtë, në bazë një vizë të kuqe, e cila kishte të përcaktuar nivelin minimal të ndjenjave; atë minimalen e lejueshme, siç thonë matematikanët e mirëfilltë. Nëse përdoruesi i instrumentit kishte një nivel më të ulët se aq, qelqi delikat çahej dhe … mentanoli përhapej i lirë në ajër dhe avullonte. Mirëpo dihet se metanoli është helm i fortë; ai shndërrohet sakaq në një gaz tepër helumues …

Pyeta mjekë, ekspertë të jurisprudencës, psikologë, sociologë, etj., për problemin e minimales, asaj vijëzës poshtë; vetëm me politikanë nuk më shkoi mendja të këshillohem. Mbase mund të më jepnin ndonjë mendje edhe ata … Ama të gjithë të pyeturit e deriatëhershëm prej meje, ishin të së njëjtën mendje me mua: përse vallë duhet të rrojnë mbi dhe ata njerëz, të cilët nuk kanë një nivel minimal ndjenjash njerëzore, që nuk e kanë ndjenjën e dashurisë në nivelin e duhur ?! Përse ?! …

E fejuara ime e provoi me sukses Erosmetrin tim të famshëm. Qelqi delikat u ça sakaq dhe metanoli i lirë, i shndërruar në avull, shkaktoi vdekjen e menjëhershme të saj. Hajde, ç’vdekje fantastike që ishte ! Një vdekje e lehtë, e sigurt dhe e ëmbël. Vdekje mbretërore. Pa pikën e vuajtjes, të dhimbjes dhe të përpëlitjes. Vdekje si të sajën kishin provuar edhe njerëz të tjerë, përdorues të pasionuar të Erosmetrit tim famëmadh. Ata ndërruan jetë tak-fak për faj të tyre, sigurisht. Po njerëz të tillë sa vinin e shtoheshin. Në zemrat e tyre nuk u gjet aspak dashuri e mirësi, por shumë vrer urrejtjeje dhe zilie. Të gjithë këta njerëz e kishin të theksuar prirjen për t’u bërë kriminelë, vrasës dhe intrigantë, madje edhe kriminelë të vetvetes…

Kështu e kuptova, më në fund, se kjo botë është kaq e keqe, ngaqë në zemrat e shumicës së njerëzve të saj ka kaq pak ndjenja të tilla të larta, siç është dashuria. Doemos, nami mori dhenë, qeveria mësoi gjithçka rreth bëmave të Erosmetrit tim, siç dinë të mësojnë gjithçka shtetet, kur duan. Mori masa të menjëhershme edhe e ndaloi kategorikisht përdorimin e instrumentit im famëmadh. Nuk më takon mua të gjykoj dhe të shprehem nëse bëri mirë apo jo. Sidoqoftë, kësisoj u kursyen jetët e kota e të ndoshta të dëmshme të mijëra e mijëra njerëzve në këtë botë, të cilët jetojnë pa pikë dashurie në zemrat e tyre dhe shkaktojnë trazira nga më të çuditshme në shoqërinë njerëzore të kësaj bote…

Unë kalova ca kohë në paraburgim, por buxheti im i majmë më shpëtoi të dal shpejt prej andej dhe t’ia hedh paq, pa lagur.

Po ç’ndodhi më vonë?!, do thoni ju. Ustallarët e thekur të tregut ma blenë mua për hiç mos gjë modelin e aparatit dhe shkuan ta shesin, ta përdorin dhe ta tregëtojnë atë në vendet e largëta dhe të prapambetura të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, duke nxjerë syresh fitime të mëdha, me të cilat u kthyen duarplot në vendin tonë; ata ndërtuan grataçela të bukura në mes të kryeqytetit tonë të dashur, duke pastruar me marifet e zgjuarsi përfundimisht duart e tyre të ndyra. Ç’t’iu bësh atyre ?! Ata me ato punë janë marrë tërë jetën dhe me atë rrojnë …

Ndërsa unë mbeta me gisht në gojë. As i pasur, as i varfër. Një gjeni i heshtur në mes të lëmazhdave të zakonshme të jetës sonë të përditshme. Shpikje si Erosmetri zor se pjell më mendja e njeriut, tani as edhe kjo mendja ime e bukur.

Megjithatë, aftësia për të shpikur ndonjë gjë jo të zakonshme më zgjohet herë pas here. Në këtë mënyrë, shpesh dal nga klasa e të varfërve dhe hyj në atë të të pasurve e vice-versa. Sepse klasat e shoqërisë nuk qënkan të ndara me thikë, që të dallohe aq lehtë, siç e kemi mësuar në shkollë dikur; nuk ka vijë të kuqe midis tyre, si ajo vija fatale e Erosmetrit tim të famshëm.

Seç më shkon mendja ndonjëherë të shpik ndonjë instrument të ngjashëm me Dashurimatësin tim fatkeq, apo fatndritur, s’di si ta quaj ?! Ose të vë në jetë ndonjë mendim apo ide tuajën, me interes vetjak ose shoqëror …

Nëse dikush kërkon të dijë, për qejf të vet, ndonjë të dhënë shtesë më të rendësishme për mua, për Erosmetrin tim, për punët që kam unë nëpër duar, ose sekrete të tjera që nuk munda t’i shkruaj këtë radhë, mund të më gjeni e të më kontaktoni relativisht lehtë. Se fama ime dhe bëmat e mija u bënë tevatyrë tashmë dhe mua më njohin shumë njerëz tani, mbase më njeh tërë bota, se jam bërë, kur i thonë fjalës, si ai kau balash…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.