10.2 C
Tirana
E mërkurë, 25 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Midis historisë dhe ideologjisë: një kundërlexim i interpretimit të Milazim Krasniqit mbi...

Midis historisë dhe ideologjisë: një kundërlexim i interpretimit të Milazim Krasniqit mbi veprën e Noel Malcolm-it

0
Agjentë perandorakë - Noel Malcolm
Zef Noka
Zef Noka

Zef Noka

Në shkrimin e tij mbi librin Agjentë perandorakë të Noel Malcolm-it, Milazim Krasniqi parashtron disa teza që meritojnë një shqyrtim kritik, jo vetëm nga pikëpamja historiografike, por edhe nga ajo epistemologjike dhe metodologjike. Problemi nuk qëndron në vlerësimin që ai i bën veprës së Malcolm-it, por në mënyrën se si përzgjedh të dhënat historike, i shkëput ato nga konteksti i tyre dhe i vë në funksion të një narrative të caktuar mbi sundimin osman dhe procesin e formimit të identitetit kombëtar shqiptar.

Duke u nisur nga mikrohistoria e dy familjeve shqiptare, Bruni dhe Bruti, Krasniqi ndërton një interpretim makrohistorik të kombit shqiptar dhe, tërthorazi, një narrativë rehabilituese të Perandorisë Osmane. Mirëpo, nga pikëpamja e kritikës historiografike, duhet bërë një dallim ndërmjet asaj që dokumenton Malcolm-i dhe përfundimeve që Krasniqi nxjerr nga dokumentacioni i paraqitur prej tij. Përfundimet e komentuesit nuk janë domosdoshmërisht përfundimet e historianit (Malcolm, 2015a).

  1. Antonio Bruni dhe çështja e kryengritjes kundër sundimit osman
Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi

Një nga interpretimet më problematike të Krasniqit lidhet me traktatin e Antonio Brunit të vitit 1596. Ai shkruan:

«Traktati i famshëm i Antonio Brunit, tregonte gjithë kujdesin që të mos nxitej nga shtetet e krishtera rebelim në viset shqiptare, që do ta dëmtonte popullsinë shqiptare» (Krasniqi, Sinteza e kombit shqiptar duket të jetë ngjizur në shekullin XVI, në Facebook, 24.11.2026 ).

Ky formulim, i marrë më vete, nuk është domosdoshmërisht i pasaktë, por është i mangët nga pikëpamja e kontekstualizimit historik. Ai lë jashtë pikërisht çështjen themelore: përse një kryengritje e papërgatitur do të ishte e rrezikshme për popullsinë shqiptare dhe nga kush i kanosej asaj ky rrezik?

Kundërshtimi i nxitjes së një kryengritjeje pa përgatitjen strategjike dhe mbështetjen e nevojshme ushtarake nuk është i barasvlershëm me kundërshtimin e çlirimit nga sundimi osman. Aq më pak mund të interpretohet si shprehje e miratimit apo e legjitimimit të këtij sundimi.

Vetë Malcolm-i, në studimin e tij të posaçëm mbi traktatin e Antonio Brunit, e trajton dokumentin në kontekstin e projekteve për organizimin e kryengritjeve në territoret shqiptare dhe të rrezikut që paraqisnin ndërmarrjet ushtarake të destinuara për dështim (Malcolm, 2015b, f. 76).

Kujdesi i Brunit për fatin e popullsisë shqiptare duhet kuptuar pikërisht në kontekstin e pasojave që mund të shkaktonin represioni dhe hakmarrja e pushtetit osman. Qëndrimi i tij përmbante, në këtë kuptim, një dimension të përgjegjësisë politike ndaj një popullsie që kishte përjetuar dhunën e sundimit perandorak.

Të mos dëshirosh që populli yt të bëhet viktimë e një kryengritjeje të papërgatitur nuk do të thotë të dëshirosh vazhdimësinë e robërisë së tij.

Në interpretimin e Krasniqit, vëmendja zhvendoset nga dhuna që mund të ushtronte pushteti perandorak te rreziku që paraqiste nxitja e kryengritjes nga fuqitë e krishtera. Në këtë mënyrë, raporti shkakësor ndërmjet sundimit, kryengritjes dhe represionit rrezikon të përmbyset.

Madje, në studimin e botuar më 2015 në revistën Revue des Études Sud-Est Européennes, Malcolm-i shpjegon se traktati i Brunit trajtonte dobësinë ushtarake të osmanëve, gatishmërinë e popujve të Ballkanit për kryengritje, rrezikun e kryengritjeve që mbeteshin pa mbështetje nga jashtë, si dhe gjendjen e rëndë të Kishës Katolike në viset shqiptare (Malcolm, 2015b, f. 76).

Këtu qëndron dallimi thelbësor ndërmjet tërësisë së asaj që dokumenton historiani britanik dhe përzgjedhjes së të dhënave që bën komentuesi shqiptar.

  1. Toleranca osmane dhe relativizimi i dhunës

Krasniqi, duke iu referuar faqes 33 të librit të Malcolm-it, nxjerr përfundimin se ruajtja e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme ishte ndihmuar edhe nga fakti se Perandoria Osmane nuk e nxiste konvertimin fetar.

Mirëpo, në citatin që sjell vetë Krasniqi, Malcolm-i përdor një përcaktim me rëndësi të veçantë metodologjike: «Në rrethana normale» (Malcolm, Agjentë perandorakë, f. 33, sipas citimit të Krasniqit).

Ky përcaktim nuk është i rastësishëm. Ai kushtëzon vlefshmërinë e pohimit dhe nuk nënkupton se gjatë gjithë periudhës së sundimit osman nuk kishte konvertime të detyruara, përndjekje fetare, diskriminim juridik apo presion ekonomik ndaj popullsisë së krishterë.

Edhe nëse pranohet teza se Perandoria Osmane nuk zbatonte një politikë universale dhe sistematike të konvertimit të dhunshëm, mungesa e një politike të tillë nuk përbën dëshmi të mungesës së dhunës fetare.

Një pushtet mund të mos e urdhërojë drejtpërdrejt ndryshimin e përkatësisë fetare, por mund të krijojë kushte të tilla juridike, ekonomike, institucionale dhe shoqërore, në të cilat ruajtja e besimit të trashëguar bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Në këtë kontekst, taksa e posaçme mbi jomyslimanët, kufizimet juridike, pabarazia në qasjen ndaj pozitave të caktuara shtetërore, institucioni i devshirmesë, presionet e ushtruara nga pushtetarët lokalë dhe format e represionit në periudha të ndryshme përbënin mekanizma që ndikonin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në transformimin fetar të popullsisë.

Madje, në studimin Early Modern Albanians in the Hands of the Inquisition, vetë Malcolm-i dokumenton raste të konvertimit të shqiptarëve për arsye ekonomike, të cilat, kur lindnin nga kushtet diskriminuese të sistemit, mund të interpretohen së paku si forma të presionit të tërthortë. Ai dokumenton gjithashtu raste kur ndryshimi i fesë kishte ndodhur në një moshë në të cilën personat nuk mund të shprehnin pëlqimin e kërkuar sipas praktikës juridike islame (Malcolm, 2020c).

Për rrjedhojë, për ta kuptuar mendimin historiografik të Malcolm-it, nuk mjafton përzgjedhja e një paragrafi që përputhet me bindjet paraprake të interpretuesit dhe paraqitja e tij para lexuesve apo ndjekësve nëpërmjet një interpretimi që rrezikon të shtrembërojë kuptimin e burimit. Një qasje e mirëfilltë shkencore kërkon shqyrtimin e tërësisë së kërkimeve të autorit dhe ballafaqimin e tyre me dokumentacionin historik.

Tolerimi i ekzistencës së një bashkësie fetare nuk është i barasvlershëm me garantimin e lirisë dhe të barazisë së saj juridike, politike dhe shoqërore.

  1. Kriptokatolicizmi shqiptar si kundërargument historik

Një nga kundërargumentet më domethënëse ndaj interpretimit të Krasniqit është vetë fenomeni historik i kriptokatolicizmit shqiptar.

Përse një pjesë e shqiptarëve u detyruan ta jetonin identitetin e tyre fetar në dy rrafshe të ndryshme, publikisht si myslimanë dhe privatisht si të krishterë?

Përse familje të tëra shqiptare, për breza me radhë, e ruajtën besimin e tyre në fshehtësi?

Në studimin Crypto-Christianity and Religious Amphibianism in the Ottoman Balkans: The Case of Kosovo, Malcolm-i trajton pikërisht këtë fenomen, duke identifikuar ndër faktorët që ndikonin në shfaqjen dhe vazhdimësinë e tij edhe presionin fiskal ndaj popullsisë së krishterë (Malcolm, 2020b).

Dëshmitë e klerikëve katolikë nga shekulli XVII deri në shekullin XIX, përfshirë dokumentacionin mbi Karadakun e Kosovës, paraqesin një realitet historik shumë më kompleks sesa ai i tolerancës perandorake që rezulton nga interpretimi i Krasniqit.

Veçanërisht domethënës është rasti i katolikëve të Stubllës dhe të Karadakut, të cilët në mesin e shekullit XIX u përballën me përndjekje pasi deklaruan publikisht përkatësinë e tyre të krishterë.

Ky rast dëshmon kontradiktën ndërmjet ekzistencës formale të një bashkësie fetare dhe mundësisë reale të pjesëtarëve të saj për ta deklaruar e praktikuar lirisht besimin e tyre.

Sigurisht, nga pikëpamja metodologjike, ngjarjet e shekullit XIX nuk mund të projektohen mekanikisht mbi realitetin historik të shekullit XVI. Megjithatë, ato e vënë në pikëpyetje dhe e rrëzojnë përgjithësimin sipas të cilit sundimi osman mund të karakterizohet përgjatë gjithë historisë së tij nëpërmjet një tolerance të qëndrueshme fetare.

Kriptokatolicizmi shqiptar nuk duhet trajtuar thjesht si një dukuri e veçantë e historisë fetare, por edhe si një tregues i marrëdhënieve ndërmjet pushtetit politik, përkatësisë fetare, pozitës juridike dhe strategjive të mbijetesës së popullsisë.

Një besim që duhet të fshihet për të mbijetuar nuk është dëshmi e lirisë fetare, por e kufizimit të saj.

  1. Sinan Pasha: prejardhja shqiptare nuk është program politik shqiptar

Një problem tjetër metodologjik në shkrimin e Krasniqit është interpretimi i pozitës së Sinan Pashës dhe i marrëdhënieve të tij me familjet shqiptare të besimit katolik.

Askush nuk e vë në pikëpyetje prejardhjen shqiptare të Sinan Pashës, as rëndësinë e lidhjeve të tij farefisnore me pjesëtarët e familjeve të trajtuara në veprën e Malcolm-it (Malcolm, 2015a).

Mirëpo, një analizë historike kërkon që të bëhet një dallim ndërmjet katër dimensioneve:

  1. Prejardhjes etnike të një funksionari perandorak;
  2. Interesave të tij personale dhe familjare;
  3. Besnikërisë së tij politike dhe institucionale ndaj pushtetit që përfaqësonte;
  4. Interesave kolektive të popullsisë shqiptare.

Këto katër dimensione nuk përputheshin domosdoshmërisht dhe nuk mund të trajtohen si kategori historikisht të njëvlershme.

Sinan Pasha ishte një nga përfaqësuesit më të fuqishëm të rendit perandorak osman. Karriera e tij politike dhe ushtarake zhvillohej brenda një sistemi në të cilin ushtrimi i pushtetit, konkurrenca ndërmjet elitave perandorake, besnikëria ndaj sulltanit dhe ruajtja e pozitës personale përbënin faktorë përcaktues.

Edhe sikur Sinan Pasha t’u ketë ofruar mbështetje dhe mbrojtje të afërmve të tij katolikë, ky fakt nuk provon se ai përfaqësonte interesat politike të shqiptarëve si bashkësi etnike.

Mbrojtja e një kushëriri nuk është mbrojtje e një populli. Favorizimi i një familjeje nuk është program kombëtar.

Po kështu, prania e shqiptarëve në nivelet më të larta të administratës osmane nuk mund të përdoret automatikisht si dëshmi e mirëqenies së popullsisë shqiptare në territoret prej nga vinin këta funksionarë.

Madje, nga pikëpamja e historisë ekonomike dhe shoqërore, mund të shtrohet edhe hipoteza e kundërt: ngritja e individëve me prejardhje shqiptare në hierarkinë perandorake mund të bashkëjetonte me shfrytëzimin sistematik të viseve prej nga ata vinin.

Gjendja ekonomike, arsimore, kulturore dhe institucionale në të cilën ndodheshin viset shqiptare pas shpërbërjes së sundimit osman përbën një tregues të rëndësishëm për shqyrtimin kritik të trashëgimisë së kësaj perandorie. Mjerimi material, prapambetja arsimore dhe varfëria institucionale që karakterizonin një pjesë të konsiderueshme të këtyre viseve nuk mund të anashkalohen në një vlerësim të përgjithshëm të sundimit osman.

Një shqiptar mund të arrinte majat e pushtetit në Stamboll, ndërkohë që bashkëvendësit e tij në një krahinë shqiptare përjetonin varfëri, pasiguri, detyrime të rënda fiskale dhe represion.

Suksesi individual brenda strukturave të një perandorie nuk përbën dëshmi të emancipimit kolektiv të popullit të cilit i përket individi.

  1. Çfarë thotë vetë Antonio Bruni për sundimin osman?

Përtej interpretimit të Krasniqit, është me rëndësi t’i kthehemi vetë burimit parësor, përkatësisht traktatit të Antonio Brunit të vitit 1596, të transkriptuar dhe të botuar në mënyrë shkencore nga Noel Malcolm-i.

Në faqen 83 të botimit shkencor të vitit 2015, Bruni, duke folur për popullsinë e një pjese të Ballkanit, përdor shprehjen:

«Liberarsi dalla tirannide Turchesca», në shqip: «Të çlirohen nga tirania turke» (Bruni, 1596, në Malcolm, 2015b, f. 83).

Në vijim, ai e ndërlidh dëshirën për çlirim me gjendjen e njeriut që jeton në robëri. Po kështu, në faqen 80, duke përshkruar gjendjen e popullsisë së krishterë në Rumeli, Bruni trajton varfërinë, nënshtrimin, dobësimin e jetës fetare dhe përparësitë praktike që sillte kalimi në fenë e pushtetit sundues (Bruni, 1596, në Malcolm, 2015b, f. 80).

Këto dëshmi nuk janë interpretime të historiografisë së shekullit XIX, as produkte të ideologjisë pansllaviste dhe as shprehje të ndonjë ideologjie moderne nacionaliste shqiptare.

Ato përbëjnë dëshmi të një autori shqiptar të shekullit XVI, pikërisht të atij autori mbi të cilin Krasniqi mbështet një pjesë të konsiderueshme të tezës së tij.

Nga pikëpamja e kritikës së burimeve, terminologjia e përdorur nga Bruni ka rëndësi të veçantë. Konceptet e tiranisë, robërisë dhe çlirimit dëshmojnë mënyrën se si autori e perceptonte dhe e konceptonte realitetin politik të kohës së vet.

Pikërisht këtu interpretimi i Krasniqit ndeshet me përmbajtjen e vetë burimit historik.

Antonio Bruni nuk e përshkruan sundimin osman si një mjedis të harmonisë ndërfetare. Përkundrazi, ai njeh nga afër realitetin perandorak, dobësitë e tij strukturore, gjendjen e popullsisë së nënshtruar dhe dëshirën e saj për çlirim.

Prandaj, kujdesi i Brunit ndaj organizimit të një kryengritjeje nuk mund të shkëputet nga gjykimi i tij mbi natyrën e pushtetit kundër të cilit drejtohej ajo kryengritje (Malcolm, 2015b, f. 76, 80–83).

  1. A u ngjiz kombi shqiptar në shekullin XVI?

Teza qendrore e Krasniqit, sipas së cilës sinteza e kombit shqiptar filloi të ngjizej në shekullin XVI nëpërmjet marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve të krishterë dhe atyre myslimanë, përbën një hipotezë historiografike që nuk provohet në mënyrë të mjaftueshme nga historia e familjeve Bruni dhe Bruti.

Në interpretimin e Krasniqit ndërthuren tri kategori historike që, nga pikëpamja konceptuale dhe metodologjike, duhen trajtuar veçmas: identiteti etnik, gjuhësor dhe kulturor shqiptar; bashkëjetesa ndërfetare dhe solidariteti farefisnor; si dhe procesi modern i kombformimit dhe i ndërtimit të shtetit kombëtar.

Identiteti etnik shqiptar nuk lindi me ardhjen e osmanëve dhe as me islamizimin e një pjese të popullsisë shqiptare.

Për më tepër, në faqen 81 të traktatit të vitit 1596, Antonio Bruni përdor termin natione Albanese, duke përshkruar një popullsi shqiptare me gjuhë të dallueshme dhe me shtrirje gjeografike përtej kufijve të krahinës së Shqipërisë (Bruni, 1596, në Malcolm, 2015b, f. 81).

Natyrisht, termi natione në kontekstin e shekullit XVI nuk ka domosdoshmërisht të njëjtën përmbajtje semantike dhe politike me konceptin modern të kombit, të zhvilluar veçanërisht gjatë shekullit XIX. Megjithatë, përdorimi i tij dëshmon ekzistencën e një vetëdijeje për përkatësinë etnike shqiptare.

Me rëndësi është edhe fakti se, në dokumentin konkret, kjo vetëdije artikulohet nga një autor shqiptar i traditës së krishterë dhe jo nga përfaqësuesit e islamizuar të elitës perandorake osmane. Prandaj, nuk mund t’u atribuohet këtyre të fundit, pa dëshmi përkatëse dokumentare, merita e artikulimit apo e themelimit të kësaj vetëdijeje.

Lidhjet ndërmjet shqiptarëve të përkatësive të ndryshme fetare nuk përbëjnë domosdoshmërisht dëshmi të lindjes së identitetit shqiptar. Përkundrazi, ato mund të interpretohen si dëshmi të vazhdimësisë së një identiteti që ekzistonte përpara ndryshimit të përkatësisë fetare.

Në këtë kuptim, ruajtja e solidaritetit familjar dhe e lidhjeve etnike përtej ndarjeve fetare nuk dëshmon krijimin e një identiteti të ri, por qëndrueshmërinë e një identiteti tashmë ekzistues.

Nëse shqiptarët arritën ta ruanin përkatësinë e tyre etnike edhe pas transformimeve fetare, kjo nuk mund t’i atribuohet automatikisht si meritë Perandorisë Osmane. Përkundrazi, ajo përbën, para së gjithash, dëshmi të aftësisë së vetë shqiptarëve për të ruajtur gjuhën, lidhjet familjare, kujtesën kulturore dhe vetëdijen e përkatësisë së tyre.

Në këtë rrafsh, teza e Krasniqit rrezikon të ngatërrojë vazhdimësinë historike të identitetit shqiptar me gjenezën e tij.

  1. Perandoria Osmane dhe çështja e zhvillimit të viseve shqiptare

Në shkrimin e Krasniqit pothuajse mungon një dimension themelor i historisë së perandorive: marrëdhënia ndërmjet qendrës perandorake dhe popullsisë së periferisë.

Perandoria Osmane nuk ishte një shtet kombëtar shqiptar, turk apo i ndonjë populli tjetër në kuptimin modern të konceptit. Ajo ishte një strukturë dinastike, ushtarake, administrative dhe fiskale, që synonte zgjerimin territorial, administrimin e territoreve të nënshtruara dhe ruajtjen e pushtetit të saj.

Për këtë arsye, vlerësimi historiografik i trashëgimisë osmane në viset shqiptare nuk mund të kufizohet në evidentimin e numrit të vezirëve, pashallarëve dhe funksionarëve perandorakë me prejardhje shqiptare.

Një vlerësim i tillë kërkon shqyrtimin e zhvillimit ekonomik, të arsimit në gjuhën shqipe, të institucioneve kulturore, të gjendjes së popullsisë fshatare, të sistemit fiskal, të sigurisë juridike dhe të mundësive reale për emancipim shoqëror.

Perandoria ndërtoi institucione administrative, objekte fetare, infrastrukturë dhe qendra urbane, ndonëse në përmasa dhe me intensitet të ndryshëm. Mirëpo, funksioni parësor i një pjese të konsiderueshme të kësaj infrastrukture ishte konsolidimi i pushtetit perandorak, administrimi i territoreve dhe sigurimi i të ardhurave fiskale e i burimeve materiale të rajonit.

Ekzistenca e këtyre ndërtimeve nuk përbën, në vetvete, dëshmi të një zhvillimi të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm të popullsisë shqiptare.

Nga kjo pikëpamje, duhet bërë një dallim ndërmjet zhvillimit të infrastrukturës së nevojshme për funksionimin e aparatit perandorak dhe zhvillimit ekonomik, kulturor e intelektual të popullsisë së sunduar.

Veçanërisht problematike mbetet çështja e zhvillimit të institucioneve arsimore dhe kulturore në gjuhën shqipe, si dhe pasojat afatgjata që pati kufizimi i këtij zhvillimi për emancipimin intelektual dhe shoqëror të shqiptarëve.

Gjithashtu, në një analizë të tillë nuk duhet anashkaluar përgjegjësia historike e vetë elitave shqiptare në shërbim të Perandorisë. Shfrytëzimi i popullsisë shqiptare nuk ushtrohej vetëm nga funksionarët e ardhur prej qendrës perandorake, por edhe nga strukturat lokale të pushtetit dhe nga pjesëtarët e elitave shqiptare të integruara në sistemin osman.

Përkatësia etnike shqiptare e ushtruesve të pushtetit nuk e eliminon përgjegjësinë e tyre historike ndaj popullsisë mbi të cilën e ushtronin atë pushtet.

Prandaj, përgjegjësia historike duhet kërkuar te vetë sistemi i pushtetit dhe te ushtruesit e tij, pavarësisht prejardhjes etnike apo përkatësisë fetare.

  1. A ishte kundërshtimi i sundimit osman produkt i pansllavizmit?

Ndoshta teza më e pambështetur nga pikëpamja historike në shkrimin e Krasniqit është pretendimi se armiqësia shqiptare ndaj sundimit osman u farkua në një periudhë të mëvonshme, si rezultat i depërtimit të ideologjisë pansllaviste në mendimin historik shqiptar.

Kjo tezë ndeshet, para së gjithash, me një problem elementar kronologjik, por edhe me një problem të marrëdhënies shkakësore ndërmjet dukurive historike.

Qëndresa e Skënderbeut, kryengritjet shqiptare të shekullit XVI, projektet politike dhe ushtarake për çlirim gjatë shekujve XVI dhe XVII, si dhe qëndresa e popullsisë së Himarës dhe të Kelmendit, i paraprijnë me disa shekuj formimit të pansllavizmit si ideologji politike moderne.

Madje, vetë traktati i Antonio Brunit i vitit 1596 dëshmon se dëshira për çlirim nga sundimi osman ishte e pranishme ndër popullsitë ballkanike dhe se viset shqiptare përbënin një nga hapësirat ku shqyrtoheshin mundësitë për organizimin e kryengritjes (Malcolm, 2015b, f. 76, 80–83).

Përdorimi i shprehjes «liberarsi dalla tirannide Turchesca» nga një autor shqiptar i fundit të shekullit XVI e dëshmon ekzistencën e një qëndrimi kritik ndaj sundimit osman shumë përpara shfaqjes së pansllavizmit si ideologji politike (Bruni, 1596, në Malcolm, 2015b, f. 83).

Si mund të shpjegohet nëpërmjet pansllavizmit një qëndrim politik i dokumentuar disa shekuj përpara lindjes së tij?

Natyrisht, ndikimet e historiografive nacionaliste ballkanike mbi historiografinë shqiptare mund dhe duhet të bëhen objekt i kërkimit shkencor. Mirëpo, një gjë është të analizohen ndikimet e mundshme ideologjike mbi interpretimin e mëvonshëm të historisë dhe një gjë krejt tjetër është t’u atribuohet atyre origjina e vetë kundërshtimit historik shqiptar ndaj sundimit osman.

Në rastin e dytë, kemi të bëjmë me një interpretim anakronik, nëpërmjet të cilit një ideologji e një periudhe të mëvonshme përdoret për të shpjeguar dukuri historike që i paraprijnë asaj.

Shqiptarët nuk kishin nevojë për pansllavizmin që të kundërshtonin nënshtrimin politik, diskriminimin fetar, shfrytëzimin ekonomik apo mohimin e të drejtave të tyre. Ata kishin përvojën e tyre historike.

Mohimi apo relativizimi i kësaj përvoje nëpërmjet atribuimit të saj ndikimeve ideologjike të jashtme rrezikon t’ua mohojë shqiptarëve edhe autonominë e tyre si subjekt i historisë.

  1. Shqipëria, Evropa dhe instrumentalizimi politik i historisë

Në pjesën përmbyllëse të shkrimit të tij, Krasniqi kalon nga historia e familjeve shqiptare të shekullit XVI te marrëdhëniet bashkëkohore ndërmjet atlantizmit dhe pansllavizmit.

Ky kalim nga mikrohistoria e shekullit XVI te konstelacionet gjeopolitike të së tashmes tregon se interpretimi i tij nuk kufizohet vetëm në analizën e veprës së Malcolm-it, por synon të ndërtojë edhe një narrativë gjeopolitike për shqiptarët e sotëm.

Mirëpo, historia nuk duhet të instrumentalizohet për legjitimimin e orientimeve politike të së tashmes, duke përzgjedhur nga e kaluara vetëm ato elemente që i shërbejnë një teze të paracaktuar ideologjike.

Një qasje e tillë rrezikon ta nënshtrojë interpretimin e burimit historik ndaj nevojave politike të kohës së interpretuesit.

Orientimi evropian i shqiptarëve nuk kërkon mohimin e trashëgimisë osmane, por as rehabilitimin historiografik të sundimit osman.

Po kështu, përkatësia myslimane e një pjese të shqiptarëve nuk nënkupton domosdoshmërinë e mbrojtjes historiografike të Perandorisë Osmane.

Islami si besim fetar dhe Perandoria Osmane si sistem politik, juridik dhe historik përbëjnë dy kategori të ndryshme analitike, ndonëse rendi fetar dhe një pjesë e rendit juridik e institucional osman mbështeteshin në parimet islame.

Njohja e këtij ndërveprimi ndërmjet fesë dhe pushtetit nuk nënkupton identifikimin e plotë të një besimi fetar me një formacion të caktuar historik dhe politik.

Kritika ndaj një perandorie nuk është, në vetvete, kritikë ndaj një feje. Në të njëjtën mënyrë, përkatësia ndaj një besimi fetar nuk duhet të kushtëzojë gjykimin historiografik mbi një sistem të caktuar sundimi.

Ngatërrimi i këtyre kategorive pengon pikërisht atë emancipim intelektual dhe metodologjik që duhet të karakterizojë mendimin historik shqiptar.

Përfundim

Vepra e Noel Malcolm-it përbën një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e historisë shqiptare dhe mesdhetare të shekullit XVI. Mirëpo, vlera e saj historiografike nuk qëndron në mundësinë e rehabilitimit të një perandorie, por në aftësinë për të zbuluar kompleksitetin e jetës së shqiptarëve në një botë të karakterizuar nga rivalitetet politike, ushtarake, fetare dhe perandorake (Malcolm, 2015a).

Historia e familjeve Bruni dhe Bruti dëshmon aftësinë e shqiptarëve për të vepruar, për t’u përshtatur, për të mbijetuar dhe për të ruajtur lidhjet e tyre familjare dhe etnike përtej kufijve politikë e fetarë. Mirëpo, kjo nuk e shndërron në asnjë mënyrë Perandorinë Osmane në faktorin themelues të identitetit të tyre kombëtar.

Problemi themelor i interpretimit të Krasniqit qëndron në përzgjedhjen asimetrike të të dhënave historike dhe në peshën e ndryshme që ai u jep elementeve të dokumentuara nga Malcolm-i.

Krasniqi përzgjedh pragmatizmin politik të Antonio Brunit, por nuk i kushton të njëjtën vëmendje përshkrimit që ky i fundit i bën tiranisë së sundimit osman.

Ai nxjerr në pah lidhjet farefisnore me Sinan Pashën, por nuk analizon në mënyrë të mjaftueshme gjendjen e popullsisë së sunduar dhe as rrethanat politike që paraprinë dhe pasuan largimin e Sinan Pashës nga pushteti.

Thekson tolerimin e ekzistencës së krishterimit, por nuk e trajton me të njëjtën peshë pabarazinë juridike, presionin ekonomik dhe kufizimet fetare që ndikonin në jetën e popullsisë së krishterë.

Në fund, kundërshtimin historik të sundimit osman përpiqet ta shpjegojë nëpërmjet një ideologjie që u shfaq disa shekuj më vonë.

Një mënyrë e tillë e leximit të historisë nuk e kapërcen amnezionin historik, për të cilin flet vetë Krasniqi. Përkundrazi, ajo rrezikon ta zëvendësojë një formë të amnezionit historik me një tjetër, këtë herë nëpërmjet ndërtimit të një kujtese selektive.

Shqiptarët nuk kanë nevojë as për demonizimin e pakushtëzuar dhe as për idealizimin e Perandorisë Osmane. Ata kanë nevojë për një historiografi të emancipuar nga apologjetika fetare, nostalgjia perandorake dhe instrumentalizimi ideologjik i së kaluarës.

Një historiografi e tillë duhet ta vendosë në qendër njeriun shqiptar si subjekt të historisë së vet, përvojën e tij, vuajtjet, qëndresën, transformimet identitare dhe përpjekjet e vazhdueshme për liri dhe emancipim.

Merita e mbijetesës historike të shqiptarëve nuk duhet t’u atribuohet automatikisht strukturave të pushtetit nën të cilat ata u detyruan të mbijetonin.

Historia e mbijetesës së një populli nën sundimin e një perandorie nuk mund të shndërrohet në histori të meritave të perandorisë që e sundoi.

Burimet dhe literatura:

Bruni, Antonio (1596). Traktati mbi bejlerbejllëkun e Rumelisë. Dokument i transkriptuar dhe i botuar në Malcolm (2015b).

Krasniqi, Milazim. Sinteza e kombit shqiptar duket të jetë ngjizur në shekullin XVI. Shkrim mbi veprën Agjentë perandorakë të Noel Malcolm-it.

Malcolm, Noel (2015a). Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Sixteenth-Century Mediterranean World. Oxford: Oxford University Press.

Malcolm, Noel (2015b). “An Unknown Description of Ottoman Albania: Antonio Bruni’s Treatise on the Beylerbeylik of Rumeli (1596)”. Revue des Études Sud-Est Européennes, LIII, veçanërisht f. 76, 80–83.

Malcolm, Noel (2020a). Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians. Oxford: Oxford University Press.

Malcolm, Noel (2020b). “Crypto-Christianity and Religious Amphibianism in the Ottoman Balkans: The Case of Kosovo”. Në: Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians. Oxford: Oxford University Press.

Malcolm, Noel (2020c). “Early Modern Albanians in the Hands of the Inquisition”. Në: Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians. Oxford: Oxford University Press.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.