50-vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, institucioni përfaqësues më i lartë i shkencës dhe kërkimit shkencor në Shqipëri

0
184
Akademia e shkencave - 50 - vjetori

Administrata e Shoqatës, Tiranë, 10.10.2022

Nga data 9-11 tetor 2022 në Tiranë u zhvilluan disa veprimtari për kremtimin e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Që prej datës së themelimit të saj, më 10 tetor të vitit 1972, Akademia e Shkencave të Shqipërisë u kthye në një qendër elitare të zhvillimit të kërkimit shkencor, krahas veprimtarisë kërkimore universitare, duke e shtrirë veprimtarinë e saj në të gjitha fushat e dijes.

Në këtë 50-vjetor ishte i ftuar edhe një delegacion i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë, i kryesuar nga kryetari i saj z. Hysen Ibrahimi dhe nga anëtar nderi i shoqatës, shkrimtari Viron Kona.

Delegacioni u prit nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Skënder Gjinush, nga sekretari i saj z. Shaban Sinani, si dhe nga personalitete shtetërorë, akademikë, profesorë të shquar etj.

Delegacioni ishte prezent në të gjitha veprimtaritë që përmbante programi i 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, konkretisht në:

– Cermoninë e nderimit pranë busteve të dy akademikëve themelues, Aleks Buda dhe Eqrem Çabej, ku u vendosën buqeta me lule.

– Në Konferencën Jubilare kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave (në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë) ku merrnin pjesë zyrtarë të lartë të vendit dhe personalitete të ndryshme shtetërore e akademike nga Shqipëria dhe vende të tjera. Delegacioni ndoqi me vëmendje fjalën e znj. Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë; z. Skënder Ginushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; akad. Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; znj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit; akad. Antonio Loprieno, President i ALLEA-s ; z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

– Delegacioni i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë ishte prezent gjithashtu në foton zyrtare të 50-vjetorit (para selisë së Kuvendit të Shqipërisë); në zbulimin e pllakës së nderimit kushtuar Ansamblesë së parë të Akademisë së Shkencave (në sallën “Aleks Buda”); në shfaqjen e dokumentarit “50 vjet Akademi e Shkencave të Shqipërisë”(në sallën “Aleks Buda”); në ceremoninë e dhënies së diplomave të mirënjohjes dhe të titujve të nderit personaliteteve të shquara të shkencës; në koncertin festiv nga formacioni orkestral Academia “Albanica” etj.

Gjatë veprimtarive jubilare të festimit të 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, delegacioni i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë u takua me: kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë znj. Lindita Nikolla; me Ministren e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi; me Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Skënder Gjinushi; me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akad. Mehmet Kraja; me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri z. Skënder Dyrmishi; me kryegjyshin e bektashive dhe sufive në Tiranë dhe Ballkan, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ose Baba Mondi; me akademikë dhe profesorë të shquar si: Neritan Ceka, Emil Lafe, Ethem Ruka, Gjovalin Shkurtaj, Jani Thomai, Vaso Tole, Skënder Hoxha, Skënder Muçaj etj.

Në të gjitha takimet e zhvilluara, delegacioni shprehu dhe përcolli: përshëndetjet e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë; përgëzimet për nivelin e lartë të zhvillimit të veprimtarive festive me rastin e 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; urimet për suksese të mëtejshme dhe forcimin e bashkëpunimit mes Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Me këtë rast, po bashkangjesim falënderimin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi:

F A L Ë N D E R I M

Drejtuar: Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Prof. dr. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Suedi, më 12 tetor 2022

Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë, ju falënderojmë nga zemra për ftesën që na bëtë me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë!

Delegacioni ynë, i kryesuar nga Hysen Ibrahimi (kryetar) dhe Viron Kona (anëtar nderi i shoqatës), mori pjesë në të gjitha veprimtaritë e programuara për festimin e 50–vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe zhvilloi takime miqësore e dobiprurëse me zyrtarë, akademikë dhe profesorë të shquar shqiptarë të pranishëm në atë veprimtari jubilare.

Duke ju falënderuar dhe përgëzuar për mbarëvajtjen dhe nivelin e lartë të zhvillimit të veprimtarive të programuara, që nisën me nderimin e themeluesve të Akademisë së Shkencave, Aleks Buda dhe Eqrem Çabej, që kulmuan me Konferencën jubilare, të mbajtur më 10 tetor 2022, si dhe me veprimtaritë e tjera, ju shprehim Juve Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Prof. dr. Skënder Gjonushi dhe ju të nderuar të tjerë akademikë dhe profesorë të shquar, respektin, konsideratën e lartë dhe urimet tona më të ngrohta për suksese të tjera në punët dhe veprimtaritë tuaja të çmuara në dobi të shkencës dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri.

Ftesa Juaj ishte njëherazi shprehje e respektit dhe e bashkëpunimit Tuaj të frutshëm si institucioni përfaqësues më i lartë i shkencës dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, me Shoqatën tonë, por edhe një nxitje për bashkëpunime të tjera të frutshme mes nesh.

Në emër të Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë.

Kryetari, Hysen Ibrahimi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.