Për kombin, dëshmorët dhe fëmijët tanë – ardhmërinë e shqiptarisë
Isuf B. Bajrami
Sot kuq e zi vishet çdo vatër shqiptare,
Sot flet historia me gjuhën e krenarisë,
Sot ngrihet lart shqiponja dykrenare,
Mbi tokën e lashtë, në zemër të shqiptarisë!
Sot dridhet qielli nga zëri i lirisë,
Sot malet jehojnë me emrat e të rënëve,
Sot zemra e kombit rreh për Shqipërinë,
Dhe lotët bëhen dëshmitarë të brezave!
Ky flamur në palët e tij mban histori,
Mban gjakun e dëshmorëve që për liri ranë,
Mban lotët e nënave, dhimbjen e fëmijëve,
Dhe ëndrrat e atyre që më nuk u kthyen pranë!
Nuk është veç pëlhurë që era e përkund,
As vetëm dy ngjyra që shkëlqejnë në stuhi,
Është zëri i të parëve që jehoi në shekuj,
Është zemra e një kombi që kërkoi liri!
Në çdo palë të tij fshihet një sakrificë,
Në çdo valëvitje zgjohet një kujtim,
Në çdo zemër shqiptare jeton një Shqipëri,
Në çdo shpirt atdhetar ndizet një betim!
Por sot një amanet na thërret nga historia,
Një zë që s’duhet kurrë të mbetet në harresë,
Për fëmijët tanë, për dritën e ardhmërisë,
Për brezin që do ta mbajë kombin në besë!
O prindër, mos ua lini vetëm flamurin në duar,
Pa ua mësuar peshën që mbart në histori,
Mësojuni gjuhën që të parët na e ruajtën,
Mësojuni dashurinë për atdhe e liri!
Mos ua trashëgoni urrejtjen dhe përçarjen,
Mos ua lini barrë gabimet që ne bëmë,
Jepuni librin, dijen, shpresën dhe arsimin,
Që të ndërtojnë nesër atë që ne nuk e bëmë!
O fëmijë shqiptarë, ju filiza të atdheut,
Ju jeni pranvera që pas dimrit do të vijë,
Ju jeni drita që ndriçon udhën e kombit,
Ju jeni shpresa që kurrë nuk duhet të shuhet në Shqipëri!
Mbajeni librin fort, se dija është fuqi,
Mbajeni gjuhën shqipe si një thesar në gji,
Mos harroni rrënjët, mos harroni vendin,
Se ju jeni e nesërmja, ju jeni ardhmëria!
O nënë shqiptare, që rrite bij për liri,
Që me lot në sy i nise në rrugë të vështira,
Sot rriti fëmijët me dashuri e urtësi,
Që nesër të jenë dritë për trojet shqiptare!
O mësues, në duart tuaja nuk është vetëm një libër,
Por është një e ardhme që pret të ndriçohet,
Çdo fëmijë është një yll që kërkon dritë,
Një mendje që pret të zgjohet e të lartësohet!
Dhe ju, o të rinj, që mbani shpresën gjallë,
Mos e lini atdheun të mbetet vetëm kujtim,
Ndërtoni me dije, me punë e me ndershmëri,
Që nesër të keni krenari në çdo agim!
Le të mos jetë nëntori vetëm festë e kujtim,
As një ditë që vjen e ikën në kalendar,
Por le të bëhet betim, përkushtim e bashkim,
Për një komb më të drejtë, më të fortë e më të mbarë!
Se kombi nuk jeton vetëm në gurë e përmendore,
As vetëm në këngët që këndohen me mall,
Ai jeton te fëmijët që ëndërrojnë të lirë,
Te sytë e tyre që nesër do të shkëlqejnë si yje!
Prandaj valëvitu, flamur, mbi çdo mal e fushë,
Mbi çdo shtëpi shqiptare, mbi çdo zemër e vatër,
Sa të ketë fëmijë që shqip flasin me krenari,
Nuk do të shuhet kurrë emri i shqiptarisë!
Lavdi të rënëve që na e lanë lirinë,
Nderim nënave që me dhimbje rritën brezin,
Respekt mësuesve që ndriçojnë ardhmërinë,
Bekim fëmijëve që do ta trashëgojnë atdheun!
Dhe sot, në këtë ditë të madhe të shqiptarisë,
Le ta japim fjalën me zemër e me besë,
Flamurin na e lanë të parët amanet,
Ne t’u lëmë fëmijëve një atdhe me shpresë!
Flamurin na e lanë të parët amanet,
Ne duhet t’ua lëmë fëmijëve një komb të denjë,
Një atdhe me dinjitet, me dije e drejtësi,
Që të krenohen përjetë se janë bij të Shqipërisë!
Gëzuar 28 Nëntorin!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Kosova!
Rroftë kombi shqiptar në shekuj e përjetë!
Vendi i Lekës, 28.11.2026











