Isuf B. Bajrami
Historia e pavarësisë shqiptare është njëkohësisht histori e një qëndrese të jashtëzakonshme kombëtare dhe e një padrejtësie të rëndë ndërkombëtare. Shqipëria fitoi të drejtën e shtetësisë, por vendimet e Fuqive të Mëdha ia mohuan mundësinë që shteti shqiptar të përfshinte pjesën dërrmuese të hapësirës së tij etnike. Më shumë se një shekull më vonë, Evropa vazhdon të kërkojë bashkëpunim, integrim dhe pajtim, ndërkohë që çështja e ndarjes së kombit shqiptar mbetet një plagë historike e pazgjidhur.
Nga Kuvendi i Lezhës te Pavarësia e Vlorës – një orientim historik drejt Evropës
Hasan Prishtina, duke reflektuar mbi zhvillimet tragjike të Luftërave Ballkanike dhe humbjen e mundësisë që pavarësia shqiptare të shpallej në Kosovë, do të shprehej:
„Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël“.
Kjo fjali përmbledh një nga paradokset më të mëdha të historisë shqiptare: pavarësia u shpall në një kohë kur trojet shqiptare po pushtoheshin, ndërsa shteti që po lindte rrezikohej të mbetej vetëm një pjesë e territorit dhe e popullsisë së kombit.
Më 28 nëntor 1912, në Kuvendin e Vlorës, Ismail Qemali shpalli mëvetësinë e Shqipërisë. Ky akt ishte përmbyllja e një procesi të gjatë historik, që kishte kaluar nëpër kryengritje, përpjekje kulturore, veprimtari diplomatike dhe sakrifica të panumërta.
Përpjekjet për liri dhe vetëqeverisje nuk kishin filluar me Ismail Qemalin. Ato kishin rrënjë shumë më të hershme, në qëndresën e Arbërisë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444, kur princërit shqiptarë dëshmuan se bashkimi politik ishte kusht për mbijetesën e vendit.
Megjithatë, historia shqiptare nuk mund të lexohet vetëm si përballje me pushtuesit. Ajo duhet lexuar edhe si histori e marrëdhënieve të ndërlikuara me fuqitë evropiane, të cilat, në momente vendimtare, i vendosën interesat e tyre strategjike mbi të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Për shqiptarët, orientimi drejt Evropës nuk ishte një zgjedhje e vonshme politike. Ai ishte pjesë e një procesi të gjatë kulturor, arsimor dhe kombëtar. Rilindja Kombëtare e shndërroi këtë orientim në program politik, duke e vendosur gjuhën, kulturën, arsimin dhe bashkimin kombëtar në themel të shtetformimit.
Por, ndërsa shqiptarët kërkonin të hynin në familjen e popujve të lirë evropianë, një pjesë e Evropës po vendoste kufijtë e tyre pa i marrë parasysh të drejtat dhe vullnetin e tyre.
Rilindja Kombëtare – bashkimi përtej ndarjeve fetare
Shembja graduale e Perandorisë Osmane gjatë shekullit XIX krijoi rrethana të reja politike në Ballkan. Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria, me mbështetjen e fuqive të ndryshme ndërkombëtare, po ndërtonin projektet e tyre shtetërore dhe territoriale.
Në këtë proces, çështja shqiptare përballej me një rrezik të dyfishtë: nga njëra anë, politika centralizuese osmane pengonte zhvillimin e identitetit kombëtar, ndërsa nga ana tjetër, projektet ekspansioniste të shteteve fqinje kërcënonin drejtpërdrejt hapësirën etnike shqiptare.
Shqiptarët duhej të dëshmonin se ishin komb me identitet të veçantë, pavarësisht përkatësive të ndryshme fetare dhe dallimeve krahinore.
Në këtë drejtim, Rilindja Kombëtare luajti rol vendimtar. Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa dhe shumë atdhetarë të tjerë krijuan bazat intelektuale dhe politike të një lëvizjeje që synonte bashkimin kombëtar.
Motoja „Feja e shqiptarit është shqiptaria“ u bë shprehja më e fuqishme e kësaj filozofie kombëtare. Ajo nuk synonte mohimin e besimeve fetare, por vendosjen e përkatësisë kombëtare mbi ndarjet fetare.
Kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme politike dhe qytetëruese. Në një kohë kur nacionalizmat ballkanikë shpesh ndërtoheshin mbi përkatësinë fetare dhe pretendimet historike territoriale, shqiptarët zgjodhën gjuhën dhe kulturën si themele të bashkimit të tyre.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 e shndërroi këtë vetëdije në program politik. Kërkesa për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një njësi autonome ishte hapi vendimtar drejt krijimit të një strukture të përbashkët politike.
Kjo kërkesë nuk ishte projekt për zgjerim mbi territoret e të tjerëve. Ishte përpjekje për të bashkuar hapësirat ku shqiptarët jetonin, për të mbrojtur identitetin e tyre dhe për të siguruar të drejtën e vetëqeverisjes.
Megjithatë, as Perandoria Osmane dhe as fuqitë që përcaktonin rendin politik në Evropë nuk ishin të gatshme ta trajtonin çështjen shqiptare në të njëjtën mënyrë si çështjet e popujve të tjerë ballkanikë.
Kontradikta e Fuqive të Mëdha: interesat gjeopolitike mbi të drejtën shqiptare
Kriza Lindore dhe dobësimi i Perandorisë Osmane e shndërruan Ballkanin në arenë të rivalitetit ndërmjet fuqive evropiane.
Rusia mbështeste zgjerimin e ndikimit të saj nëpërmjet aleatëve sllavo-ortodoksë. Austro-Hungaria dhe Italia synonin të pengonin daljen e Serbisë dhe të Rusisë drejt Adriatikut. Britania, Franca dhe Gjermania ndiqnin interesat e tyre strategjike, të lidhura me ruajtjen e ekuilibrit evropian.
Shqipëria u gjend në mes të këtij rivaliteti.
Austria-Hungaria dhe Italia mbështetën krijimin e një shteti shqiptar të pavarur, por kjo mbështetje nuk buronte vetëm nga respektimi i së drejtës shqiptare për vetëvendosje. Ajo lidhej edhe me interesat e tyre strategjike në Adriatik dhe me synimin për të penguar zgjerimin e ndikimit serb dhe rus.
Në anën tjetër, Rusia mbështeti fuqishëm interesat e Serbisë dhe të aleatëve të saj ballkanikë, duke kundërshtuar një Shqipëri me shtrirje të gjerë territoriale.
Britania, Franca dhe Gjermania, megjithëse me qëndrime dhe interesa jo gjithmonë të njëjta, morën pjesë në kompromiset diplomatike që përcaktuan fatin territorial të Shqipërisë.
Këtu qëndron një nga padrejtësitë themelore të politikës evropiane ndaj shqiptarëve: çështja e një kombi u trajtua si objekt pazari ndërmjet fuqive, ndërsa të drejtat e tij u nënshtruan ndaj interesave strategjike të shteteve më të fuqishme.
Në vend që parimi i kombësisë, i cili ishte përdorur për të legjitimuar krijimin dhe zgjerimin e shteteve të tjera ballkanike, të zbatohej edhe për shqiptarët, ai u la mënjanë pikërisht kur bëhej fjalë për fatin e tyre.
Konferenca e Londrës 1912–1913: vendimi që e përgjysmoi hapësirën shqiptare
Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912 nuk e përfundoi betejën për shtetin shqiptar. Përkundrazi, ajo e zhvendosi luftën në terrenin diplomatik ndërkombëtar.
Më 17 dhjetor 1912 filloi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha – Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Italisë – morën përsipër të përcaktonin çështjet që lidhnin fatin e Shqipërisë dhe të Ballkanit. [1]
Kjo konferencë nuk ishte një proces ku shqiptarët kishin mundësi të barabartë për të mbrojtur interesat e tyre. Vendimmarrja ishte në duart e fuqive që kishin interesat dhe agjendat e tyre gjeopolitike.
Më 29 korrik 1913, Fuqitë e Mëdha vendosën që Shqipëria të ishte principatë sovrane dhe e trashëgueshme, nën garancinë e tyre. Ky vendim njohu ekzistencën e shtetit shqiptar, por kufijtë e tij u përcaktuan në një mënyrë që la jashtë pjesën dërrmuese të hapësirës shqiptare në veri, verilindje dhe jug. [2]
Kosova, pjesë të rëndësishme të Maqedonisë së sotme të Veriut, viset shqiptare në Mal të Zi dhe Çamëria mbetën jashtë shtetit shqiptar.
Kjo nuk ishte një pasojë e mungesës së identitetit shqiptar në këto territore. Ishte rezultat i një procesi diplomatik ku pretendimet territoriale të shteteve ballkanike patën peshë vendimtare.
Studimet historike mbi përcaktimin e kufijve shqiptarë dëshmojnë se komisionet ndërkombëtare dhe fuqitë pjesëmarrëse i ndërthurën kriteret etnografike me interesat politike dhe strategjike. Në shumë raste, interesat e këtyre të fundit mbizotëruan. [3]
Përgjegjësia historike nuk mund t’i atribuohet në mënyrë të njëjtë të gjashtë fuqive. Rusia ishte ndër kundërshtarët kryesorë të një Shqipërie të gjerë, ndërsa Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën pavarësinë shqiptare për arsye të lidhura edhe me interesat e tyre. Por asnjëra prej fuqive nuk arriti ose nuk u angazhua që parimin e vetëvendosjes shqiptare ta vendoste mbi kompromisin e përgjithshëm të interesave evropiane.
Britania, Franca dhe Gjermania, duke pranuar kompromiset për kufijtë, mbajnë përgjegjësi politike dhe diplomatike për rendin territorial që doli nga Konferenca e Londrës.
Kështu, shqiptarët fituan një shtet, por jo shtetin që do të pasqyronte shtrirjen e tyre kombëtare.
Ky është dallimi ndërmjet njohjes së një shteti dhe respektimit të së drejtës së një kombi.
Evropa e njohu Shqipërinë, por njëkohësisht pranoi ndarjen e një pjese të madhe të popullsisë shqiptare jashtë kufijve të saj.
Kosova dhe viset e tjera shqiptare – çmimi i kompromisit evropian
Pas vendimeve të vitit 1913, Kosova dhe viset e tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë u përballën me administrim, politika shtetërore dhe procese të dhunshme që synonin ndryshimin e strukturës së tyre kombëtare.
Pushtimi i Kosovës nga Serbia dhe Mali i Zi gjatë Luftërave Ballkanike u shoqërua me vrasje, dëbime dhe dhunë të gjerë ndaj popullsisë civile shqiptare.
Raportimet ndërkombëtare të kohës dhe dokumentacioni historik dëshmojnë për krime të rënda kundër popullsisë shqiptare. Këto ngjarje nuk mund të reduktohen në një pasojë të zakonshme të luftës. Ato përbënin tragjedi njerëzore dhe kombëtare, të cilat kërkojnë trajtim serioz historik. [4]
Vendimet e Konferencës së Londrës krijuan një realitet të ri politik, por nuk e zgjidhën çështjen shqiptare. Përkundrazi, e ndërkombëtarizuan atë në një formë të re, duke lënë jashtë shtetit shqiptar miliona njerëz dhe territore me rëndësi historike, kulturore dhe kombëtare.
Për këtë arsye, pavarësia e vitit 1912 duhet parë si një fitore e madhe, por jo si përmbushje e plotë e projektit kombëtar shqiptar.
Pavarësia e Kosovës – një kapitull i ri i historisë shqiptare dhe evropiane
Gjatë shekullit XX, shqiptarët vazhduan përpjekjet për liri, barazi dhe vetëvendosje.
Kosova kaloi nëpër periudha të gjata diskriminimi, shtypjeje politike dhe dhune shtetërore. Heqja e autonomisë së saj në vitin 1989, represioni i regjimit të Millosheviqit dhe lufta e viteve 1998–1999 e bënë çështjen e Kosovës një nga sfidat më të mëdha të sigurisë dhe të së drejtës ndërkombëtare në Evropë.
Ndërhyrja e NATO-s më 1999, administrimi ndërkombëtar dhe procesi politik që pasoi krijuan rrethanat për shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin këshillëdhënës se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. [5]
Megjithatë, edhe pas kësaj, njohja ndërkombëtare e Kosovës mbetet e papërfunduar.
Këtu shfaqet një tjetër kontradiktë e politikës evropiane.
Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ky qëndrim e pengon BE-në të ketë një politikë plotësisht të unifikuar ndaj Kosovës dhe krijon një pengesë të vazhdueshme në marrëdhëniet e saj me institucionet evropiane. [6]
Nuk mund të kërkohet nga Kosova që të ndërtojë marrëdhënie të plota evropiane, të zbatojë standardet demokratike dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal, ndërkohë që një pjesë e shteteve anëtare vazhdojnë të mos e njohin shtetësinë e saj.
Ky është një standard politik që meriton kritikë të drejtpërdrejtë.
Nuk bëhet fjalë për të mohuar të drejtën e shteteve për të pasur qëndrimet e tyre diplomatike, por për të kërkuar që këto qëndrime të mos shndërrohen në pengesa të përhershme ndaj barazisë, bashkëpunimit dhe integrimit evropian.
Bashkimi Evropian dhe paradoksi i bashkimit: bashkëpunim për Evropën, por pengesa për shqiptarët?
Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi idenë se konfliktet historike mund të kapërcehen përmes bashkëpunimit, institucioneve të përbashkëta, respektimit të të drejtave dhe integrimit ekonomik e politik.
Neni 2 i Traktatit për Bashkimin Evropian e përcakton demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit, pluralizmin dhe respektimin e të drejtave të njeriut si vlera themelore të Unionit. [7]
Por këtu lind një pyetje thelbësore politike dhe morale:
Si mund të pretendojë Evropa se po ndërton një kontinent gjithnjë e më të bashkuar, ndërkohë që vazhdon të mos e trajtojë me një standard të qëndrueshëm dhe të barabartë çështjen e një kombi që historia e saj e la të ndarë?
Është e kuptueshme se Bashkimi Evropian i sotëm nuk është i njëjti subjekt politik me Fuqitë e Mëdha të vitit 1913. Nuk mund t’i ngarkohet çdo shteti të sotëm përgjegjësi e drejtpërdrejtë për vendimet e një shekulli më parë.
Por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë politike dhe morale për mënyrën se si trajtohen pasojat e atyre vendimeve.
Evropa e sotme ka mundësi të dëshmojë se ka mësuar nga gabimet e së kaluarës. Ajo mund ta bëjë këtë duke mbështetur të drejtat demokratike, duke hequr pengesat politike ndaj njohjes së Kosovës dhe duke krijuar mekanizma që mundësojnë bashkëpunimin e lirë ndërmjet shqiptarëve në të gjitha hapësirat ku jetojnë.
Është veçanërisht kontradiktore që integrimi evropian të promovohet si proces i kapërcimit të kufijve historikë, ndërsa kërkesat për bashkëpunim më të thellë kombëtar ndërmjet shqiptarëve shpesh trajtohen me dyshime dhe rezerva politike.
Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm: bashkimi kombëtar nuk duhet të ndërtohet përmes dhunës, cenimit të sovranitetit të shteteve të tjera apo ndryshimit të njëanshëm të kufijve. Ai duhet të jetë rezultat i vullnetit demokratik të qytetarëve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, kushtetutat dhe marrëveshjet paqësore.
Por as këto parime nuk mund të përdoren si justifikim për të ndaluar diskutimin demokratik mbi të ardhmen e shqiptarëve.
Nëse Evropa beson në të drejtën e qytetarëve për të përcaktuar të ardhmen e tyre, ajo duhet të jetë e gatshme ta trajtojë edhe këtë çështje pa paragjykime dhe pa standarde të dyfishta.
Nga njohja simbolike te përgjegjësia konkrete evropiane
Për shqiptarët, integrimi evropian nuk duhet të jetë vetëm një proces formal anëtarësimi. Ai duhet të jetë edhe një proces i drejtësisë historike, i barazisë politike dhe i kapërcimit të pasojave të ndarjeve të së kaluarës.
Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa konkretë:
Së pari: Shtetet anëtare që ende nuk e njohin Kosovën duhet ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre, duke marrë parasysh realitetin demokratik, institucionet e saj dhe mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Së dyti: BE-ja duhet të ndërtojë një politikë më të qartë dhe më të drejtë ndaj Kosovës, duke shmangur situatat ku mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve anëtare e mbajnë të bllokuar perspektivën evropiane të një populli.
Së treti: Duhet të mbështetet bashkëpunimi gjithëpërfshirës ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, ekonomisë, shkencës dhe zhvillimit institucional.
Së katërti: Të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe Kosovës duhet të trajtohen si çështje e barazisë qytetare, e mbrojtjes së identitetit dhe e respektimit të standardeve evropiane për pakicat kombëtare.
Së pesti: Evropa duhet të mbështesë mekanizma demokratikë për trajtimin e padrejtësive historike dhe të pasojave të shpërnguljeve, diskriminimit dhe dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve.
Së gjashti: Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të shndërrohet në instrument për ngrirjen e padrejtësive historike, por në mundësi për krijimin e marrëdhënieve të barabarta ndërmjet popujve.
Këto kërkesa nuk janë kundër Evropës. Përkundrazi, janë kërkesa që Evropa të jetë konsekuente me parimet që vetë i ka shpallur.
Përfundim
Shqipëria u kthye në Evropë, por çështja shqiptare mbeti e hapur
Më 28 nëntor 1912, shqiptarët shpallën pavarësinë për të siguruar të drejtën e tyre për të jetuar të lirë dhe për të ndërtuar shtetin kombëtar.
Ata nuk kërkuan të bëheshin pjesë e një Evrope që i ndante, por e një Evrope ku popujt kishin të drejtën e lirisë, dinjitetit dhe vetëvendosjes.
Megjithatë, Konferenca e Londrës e vitit 1913 e la kombin shqiptar të ndarë në disa shtete, duke krijuar një realitet që vazhdon të ketë pasoja politike, shoqërore dhe kombëtare edhe sot.
Kjo histori nuk duhet të shndërrohet në urrejtje ndaj popujve të tjerë evropianë. Përgjegjësia duhet të kërkohet te politikat, vendimet dhe qeveritë që i morën ato, si dhe te institucionet që sot kanë mundësi t’i kapërcejnë pasojat e tyre.
Evropa nuk mund të ndërtojë bindshëm një projekt bashkimi nëse vazhdon të tolerojë standarde të ndryshme për të drejtat dhe aspiratat demokratike të popujve të saj.
Nuk kërkohet që historia të rishkruhet përmes konflikteve të reja. Kërkohet që ajo të kuptohet, të pranohet dhe të shërbejë si bazë për një të ardhme më të drejtë.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për një Evropë që vetëm u flet për integrim, ndërkohë që i mban peng të vendimeve politike të së kaluarës. Kanë nevojë për një Evropë që i trajton si partnerë të barabartë, respekton të drejtat e tyre dhe nuk i përdor kufijtë historikë si instrument për të kufizuar bashkëpunimin demokratik.
Pavarësia e vitit 1912 ishte fitore e shqiptarëve. Konferenca e Londrës e vitit 1913 ishte dëshmi e kufijve të drejtësisë evropiane. Pavarësia e Kosovës më 2008 ishte një kapitull i ri i vetëvendosjes shqiptare. Ndërsa e ardhmja duhet të jetë koha e bashkëpunimit, integrimit dhe vendimmarrjes demokratike.
Historia nuk mund të zhbëhet, por padrejtësitë e saj nuk duhet të trashëgohen si norma të përhershme politike.
Evropa duhet të dëshmojë se bashkimi i saj është më shumë se një projekt ekonomik dhe gjeopolitik. Duhet të jetë edhe një projekt drejtësie, barazie dhe respektimi të vullnetit demokratik të popujve.
Burimet:
[1] Nicola C. Guy, “Fixing the Frontiers? Ethnography, Power Politics and the Delimitation of Albania, 1912 to 1914”, Journal of Historical Geography, 2008.
Studimi akademik – Wiley
[2] Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vendimi i 29 korrikut 1913 për statusin politik të Shqipërisë; dokumentacioni historik i përkthyer dhe publikuar nga Robert Elsie.
Vendimet e Konferencës së Londrës, 1913
[3] Frashër Demaj, “The Attitude of the Great Powers towards the Albanian Question at the Ambassadors’ Conference in London 1912–1913”, Istoricheski pregled, 2012.
Studimi mbi qëndrimin e Fuqive të Mëdha
[4] Dokumentacioni historik dhe studimet mbi përcaktimin e kufijve shqiptarë dhe politikën e Fuqive të Mëdha gjatë viteve 1912–1914.
Nicola C. Guy, Linguistic Boundaries and Geopolitical Interests: The Albanian Boundary Commissions, 1878–1926, 2008.
Studimi mbi kufijtë shqiptarë dhe interesat gjeopolitike
[5] Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Accordance with International Law of the Unilateral Declaration of Independence in Respect of Kosovo, Mendimi këshillëdhënës, 22 korrik 2010.
Dokumenti zyrtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
[6] Parlamenti Evropian, The Western Balkans – Fact Sheets on the European Union, pjesa për Kosovën dhe pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e saj.
Dokumentacioni i Parlamentit Evropian
[7] Bashkimi Evropian, Traktati për Bashkimin Evropian, Neni 2 – Vlerat themelore të Unionit: demokracia, barazia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Teksti zyrtar i Traktatit të BE-së
Vendi i Lekës, 28.11.2026











