Lazam Dan Ҫeliku dhe Kalosh Dani – Zajazi…

0
57
Lazam Dan Çeliku - Kalosh Dani

GJURMË TË KAÇAKËVE KËRÇOVËS

KALOSH DAN ÇELIKU (1880 – 1926)

Bajram Çeliku - Bali NGA BAJRAM ҪELIKU – BALI

Kalosh Zajazi, lindi në vitin 1880, në lagjen Çelike të Zajazit, dhe rrjedh nga një familje trime e cila me pushkë në dorë nëpër periudha të ndryshme pushtuese të Perandorisë osmane dhe serbe shkruajti me pushkë histori. I pari si trim e luftëtar i pa kompromis u tregua gjyshi i tij Fazli Dan Çeliku, në luftë kundër Hajredin Pashës, duke rënë dëshmorë në luftën e Sopit. Luftë, e udhëhequr si krahu Djathtë i Dervish Carës nga Emin Xhambazi Kërçova – Çeliku (1843 – 1844), nga fshati Cërvicë i Kërçovës. Përndryshe, i njohur si, Krahu djathtë i Dervish Cara – Tetovës.

Edhe babai i Kalosh Dan Zajazit, Dan Çeliku i ndihmuar edhe nga djali i tij Kalosh Dani, edhe pse shumë i ri, ra dëshmorë në luftën e Karbunicës, në fushë të Gjurgjejcës, kundër forcave komite bullgare gjatë vitit 1903, të udhëhequra nga vojvoda Jordan Piperka, nga fshati Kozicë i Kërçovës. Në këte luftë, më rrëfente gjyshi im Emin Çeliku, Dan Çeliku ka qenë zëvendës komandant i Sefer Zajazit, e që të dy kanë ra dëshmorë në këte betejë, të cilën e fituan, duke vra vojvodën Jordan Piperkën e shumë komita bullgarë, por ranë dëshmorë edhe vetë ata në mbrojtje të Trojeve tona Etnike, nga terrori i paparë bullgarë. Luftën, ore nip i dashur më rrëfente gjyshi e vazhduan edhe shumë trima tjerë nga Kërçova, si Osman Gjini, Sadin Selmani, Nezir Koxha, Hamit Shitova, por edhe djemtë e Dan Çelikut, Kalosh e Lazam Dani, të cilët shkruajtën histori për Kërçovën Heroike, jo me pendë, por edhe me pushkë në dorë, duke luftuar nëpër male të larta, fusha e kodrina, kundër hordhive barbare serbe.

Unë në këtë tekst publicistik – historik, nuk do të shkruaj shumë për trimëritë e kaçakëve të Zajazit të Kërçovës, ato të Dibrës, Kosovës e viseve tjera shqiptare. Edhe, pse: kanë lidhëshmëri në mes veti historik, por do të koncentrohem pak më shumë për veprimtarinë patriotike, dhe heroike të Kalosh Dan Çelikut, trimit të Zajazit.

Trim mbi trima, më rrëfente gjyshi ishte Kalosh Dan Çeliku nga Zajazi. Trim, që rrallë e lindë Nana. Për nderë të trimërisë tij, kur më lindi djali i dytë, pas pesëmbëdhjetë fëmijëve që jetojnë mes varrreve nga Nana, pas babait tënd Ramës, djalin e pagëzova me emrin Kalosh, por më vonë u pendova, sepse djali im Kaloshi, nuk doli si ai me “nagëntin” në brez. Në vend të pushkës, e kapi Penën dhe u bë shkrimtar. E, jo kaçak si Kalosh Dani Zajazi…! E desha si ai, ore nip maleve, ai me pushkë në dorë shkruajti histori, e ky i jemi filloi të shkruaj libra, dhe doli kaçak fushave me Penë…

-Ani mirë, bre gjysh. Edhe, ky është i joni duke shkruajtur libra do t’u pri në Luftë shqiptarëve për në Liri, dhe jo në Robëri. Se: lufta, ka mbaruar që moti me pushkë dhe topa. E, tani është koha, kur duhet luftuar edhe me Penën me Dy tyta nëpër libra…

-Pajtohem, o nip. Ani, por, unë do të rrëfej për trimëritë e Kalosh Danit dhe vëllait të tij Lazamit. Sepse: unë, ata i kam dashur, vazhdoi gjyshi. Posa, shkeli këmba e serbit në Trojet Tona Shqiptare, Kalosh Dani me vëllain Lazamin, si dhe shumë trima tjerë nga Kërçova, vazhdoi gjyshi doli në mal për ta luftuar serbin pushtues historik. Zhvilloi disa luftëra të përgjakshme kundër serbit, dhe gjithmonë doli fitues historik. Prandaj, serbi për kokën e tij jepte para të majme, vetëm e vetëm koka e tij të mbaronte në Beograd para këmbëve të Krajlit Serbisë.

Trimi i Zajazit nuk kapet dot rob i armikut shekullor. Aqmëpak, nga plumbi turk, as nga i serbit historik. Nuk e kapte plumbi, ore nip?! Edhe, pse: kalonte nëpër shumë prita serbi, nuk kapej i gjallë duke kaluar shpesh herë nga Zajazi, përtej kufinjëve në Shqipëri, ku në fshatin Kurdare të Burrelit, jetonte familja e tij, ku posedonin edhe shtëpi dhe tokë punuese. Atje, ore nip familja e Kalosh Danit, lidhi miqësi të ngushtë me trimin e Dibrës Elez Isufin, i cili nëpër shumë luftëra serbit i vrau jo vetëm se shumë luftarë, por edhe i vrau edhe shumë gjeneralë. Miqësi të mirë kishte edhe me Bajram Currin, Hasan Prishtinën, por edhe me Azem Bejtën e Shotë Galicën.

Shtëpia e tyre shpesh-herë, më rrëfente gjyshi ka qenë si konak, jo vetëm për kosovarët e lartëpërmendur, por edhe nga të tjerë. Vëllezërit Dani gjithmonë luftonin të pa ndarë, shpesh ndihmonin Elez Isufin kundër forcave serbe, e shpesh edhe ndihmonin Bajram Currin në Kosovë, e kur ishte nevoja kalonin në Maqedoni, ku së bashku me trimat e Rekës, Dibrës, Strugës e Kërçovës, shtynin forcat serbe deri në malet e Manastirit. Gjatë kohës së Mbretërisë serbo-slloveno-kroate, ore nip jeta ishte shumë e rëndë, gjandarit serb po i the mirdita në rrugë, të dërrmonte në çotek, po nuk i the, përsëri të dërrmonte në çotek. Njeri nuk dinte çka të bënte, a t’i thotë mirdita, a mos t’i thotë, e punët e fushës nuk pritnin, duhej punuar ditenatë.

E, tortura serbe nuk durohej dot, prandaj shumë trima i bashkoheshin trimave të Zajazit për të luftuar të keqen që e kishin në prag të shtëpisë. Vëllezërit Dani zhvilluan shumë luftëra kundër serbit, por vlen të dallohen ajo e Bukojqanit, mbi fshatin Zajaz, ku trimave të Zajazit u ndihmuan edhe shumë Dibranë, luftë të cilën e fituan trimat e Zajazit. Në këte luftë morën pjesë edhe disa mercenarë shqiptarë nga Zajazi në anën e serbit, ku populli përmes këngës dallon mercenarin Abidin Vojvodën nga Zajazi dhe Rexhë rushit Zajazin, ku në një strofë të këngës thuhet: “Mun ke çeshmja, more na u bo nëmi,/ hajde ke liftonte more, Kalosh Dani,/ Abidinit na i çon selam,/ Hajde Abidin more çaushi rej,/ Mun ke gara, na ke vou pusej,/ Kalosh Dani na rrinë mështet,/ Me një plumb në kokë, Abidinin trimi po na e vret”. Si që shihet nga kënga, Kalosh Dani me një plumb në kokë vret mercenarin, i cili një vit më parë gjatë vitit 1921, ia kishte vra shokun e tij të ngushtë nga Zajazi, Sadin Selmanin gjatë rrethimit afër malit “Ҫelvjollcë” të Makedonski Brodit.

Gjatë Revolucionit Demokratik të Fan Stylian Nolit, vëllezërit Dani, u rreshtuan në anën e Nolit, duke qëndruar një kohë të mirë në mbrojtje në Tiranë, ku hasnin edhe në konflikte me njerëz të mbretit Zog, dhe Kaloshi rrënonte çdo kend që i paraqitej si pengesë. Sipas rrëfimit të nipit të Kalosh e Lazam Danit, Kamerr Dokle nga fshati Llagje të Kërçovës, mësova se njëherë kur Lazam Dani ishte këthyer nga Tirana në shtëpi, kishte lutur nënën e tij që të qortonte pak Kaloshin, sepse ai mori nënë e nis belanë pa pritur e kujtuar në mes të kafes në Tiranë. Lutju oj nënë se, do të ma hajë edhe mua kokën, le të përmbahet pak oj nënë!… Nëna i këthehet Lazamit: ,,Qysh të bëj ore bir, unë shpesh e lus që të përmbahet pakës, por ai nuk më dëgjon as mua si nënë e as të tjerët. ,,Zoti u ruajtë, o bijtë e mijë!”

Qeveria shqiptare e cila u formua pas dështimit të Revolucionit Demokratik të Nolit, në bashkëpunim me atë serb, afronin para të majme për çdo kokë kaçaku, e në veçanti për kokat e vëllezërve Kalosh e Lazam Danit. Këtij qëllimi ia arritën gjatë vitit 1926, kur Kalosh Dani, kishte mësuar se jatakut të tij nga fshati Drenovë e Krushevës, serbët ia kishin burgosur djalin. Kalosh Dani me vëllain e tij Lazamin, dhe dy dibranë, njëri Beqir Marku e tjetri edhe ai me mbiemrin Marku, nga Shqipëria shkojnë atje. Kur arrijnë në fshatin Krrap afër Barbarasit, rrëfente gjyshi afër një burimi uji, Kaloshi u thotë dibranëve që ata të parët të pijnë ujë, por dibranët i përgjigjen se, ata nuk dalin para tij në shenjë respekti.

Vëllezërit i lënë pushkët pranë, rrëfente gjyshi dhe fillojnë të pinë ujë. Dhe, dibranët qëllojnë pas shpine, duke lënë në vend të vrarë Kaloshin, e plagosur rëndë Lazamin, i cili ende i nxehtë shtërngon pushkën e vret Beqir Markun, duke plagosur dibranin tjetër i cili ik në drejtim të pyllit, ku bie në pritë të serbëve. Se si mbaroi dibrani i dytë tregonte gjyshi nuk dihet, a e vranë serbët dhe varrosën diku në mal. Sepse, ai tjetri Beqir Marku në prani të serbëve, dhe shumë të pranishmëve tjerë u varros pranë vëllezërve Kalosh e Lazam Dani në fshatin Krrap të Makedonski Brodit. Para se të bëhej varrimi i trupave të pajetë të trimave të Zajazit, është bë një foto ku shihen trupat e tyre të pajetë lakuriq dhe të pranishmëve tjerë.

Si variantë e dytë e vrasjes të trimave Zajazit jepet forma kinse vrasjen e tyre e ka pregaditur pushteti shqiptarë duke paguar dibranët me para të majme serbe. E, serbët duke dijtë se ku do të shkonin vëllezërit Dani, ishin përgatitur për eliminimin e tyre. Pra vrasja e tyre ka qenë e programuar dhe e kurdisur mirë nga të dy qeveritë…

Për trimat e Zajazit rapsodët e Kërçovës thurën shumë këngë të cilat këndoheshin nëpër konakë të dasmave por edhe nëpër manifestime tjera. Më poshtë po ju paraqesim një këngë të tillë e cila është kënduar nëpër konakë të dasmave:

KËNGA E KALOSH DANIT

Hajde na u rraf teli ne, more pi në Dibër -o,
Pi në Dibër ej more, në Tiron -o,
Hajde ç’na ka dalë, ej more një kapido.
Kapidoni, ej more Kalosh Doni,
Hajde pret ke çeshmja, ej more mbi Bukujçon, ene,
Hajde mun ke çeshmja more na u bo nomi,
Hajde ke liftonte more, Kalosh Doni!
Abidinit -ej na i çon selam -e,
Hajde Abidini more, nji çaush i reje ene,
Mun ke Gara, ej na ka vou puseje!
Hajde mun ke Gara ej more në ate përrou -e,
Me Kaloshin -e, ej more me liftou -e.
Hajde ky Kaloshi ne, ej more rrejë mështet -e,
Kjo manxerrja trejmit,o veç i kërset -o,
Hajde sa herë qetë ene, ej nga dy po i vret -e,
Vëlla Lazamin trejmi po e thërret -o!
Hajde o çu bone Lazom bre vëlla,
Unë nja dy vetë vëlla bre i kamë vra!
Hajde njonin Turk e atë tjetrin shja -e,
Nja tre vetë more i kamë zënë të gjallë.
Hajde ky Kaloshi more një burrë i unjët,
Mol më mol, ej more fliron si flutur -o,
Haj fliron si flutur -o, ej more fliron hava -e,
Në mole të Brodit trejmi bre kishte ra -e,
Haj Kalosh Zajazi ne, ej u nal me pejë ujë -e,
Këta Dibrojtë ej pusej i kanë vou -e,
Hajde ja çu bone ej Lazom bre vëlla,
Se Dibrojtë ej në besë na kanë vra -e.
Hajde mos kij gajle ne, Kalosh bre vëlla,
Se Dibrojtë ej nuk t’i lë pa vra -e!…

Pra, si që mund të vërejmë edhe në tekstin e këngës, mund të konstatojmë se vrasja e trimave të Zajazit mund të ketë qenë e kurdisur nga Qeveria shqiptare e mbretit Zog, dhe ajo serbe. Në fund, mund të konstatojmë se Kërçova dha shumë trima gjatë kësaj periudhe, por pushteti i vrau një nga një duke paguar mercenarë shqiptar, që për disa para të fëlliqura serbi u zhdukën pa asnjë nderim…

 (E përcolli për publikim Kalosh Ҫeliku, shkrimtar).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.