Rexhep Çullhaj
Nderimi diçka di… po s’ka problem
- Tregim
Nderimin e kisha njohur në punë, siç njihen njerëzit zakonisht: një përshëndetje, një fjalë në kalim, një bisedë e shkurtër mes lodhjes dhe detyrave të ditës. Por një vit më vonë pata rastin ta njihja ndryshe. Ishte një natë behari. Hëna ndriçonte fort dhe qielli ishte i kaltër e i kthjellët. Edhe pse nata kishte rënë, përreth dukej gjithçka. Ferrat pranë nesh ngjanin si kaçube të mëdha dhe, mes tyre, xixëllonjat ndiznin dritat e tyre të vogla, si cigare që dikush i thithte fshehurazi në errësirë. Nderimi ishte ulur pranë meje. Burrë i mesëm nga shtatlartësia, i zeshkët, me sy që i shkëlqenin gjithmonë. Kishte disa vite martesë. Gruan, Dëshirën, e kishte marrë nga një fshat fqinj.
Së bashku kishin sjellë në jetë nëntë fëmijë: tetë vajza dhe një djalë. Atë natë dukej i lodhur. Jo vetëm nga puna. Ishte ajo lodhja që vjen kur njeriu ka mbajtur për vite me radhë të njëjtën barrë dhe nuk di më ku fillon puna e ku mbaron jeta. Fliste për hallet e përditshme, për mundimet, për fëmijët dhe vështirësinë për t’i rritur. — Sa fëmijë keni? — e pyeta. — Nëntë. Tetë vajza dhe një djalë. E pashë me habi. — Po si e përballon jetën kështu? Ai buzëqeshi lehtë. — E kisha menduar më të lehtë, por qenka e vështirë me njëmbëdhjetë veta në shtëpi. Pas pak e pyeta: — Po gruaja? Punon ndopak? Nderimi heshti për një çast. — Ajo nuk ka fare kohë. Duhet t’i lajë, t’i pastrojë e t’i ushqejë fëmijët.
Pastaj punon edhe në atë pak pronë që kemi. Po të mos jetë ajo, mbarojmë fare. Fjalët i tha ngadalë. Në heshtje. Sikur nuk po fliste vetëm për gruan, por për gjithë jetën e tyre. ⸻ Më vonë, në një moment zgjedhjesh, Nderimi u zgjodh në Këshill. Ishte njeri i njerëzve me halle. Ata i drejtoheshin për ndonjë problem, për ndonjë ndërhyrje, për një fjalë. Ai i dëgjonte. Ndoshta sepse hallet e tyre i kuptonte më mirë se kushdo tjetër. Por në një kohë kur jo gjithmonë shpërblehej drejtësia, Nderimi ra në sy si i papërshtatshëm. Një urdhër pune u bë shkak. Ishte dhënë për një njeri, ndërkohë që më parë ishte biseduar për një tjetër. Një “gabim”. Dhe ai gabim mjaftoi. Nderimi u pezullua. E dërguan me delet e kooperativës. Larg fshatit. Larg familjes. Larg fëmijëve.
Atje ku dimri ishte i gjatë, vera e ashpër dhe rruga shpesh bëhej e pakalueshme. Ai shkoi. Dhe nuk u ankua. Kur pranvera vinte me barin e njomë, lulet shumëngjyrëshe dhe ajrin e freskët, ai ishte në kullotë. Kur vera sillte shiun e rrëmbyeshëm dhe Mati fryhej aq shumë sa dukej i pakalueshëm, ai ishte përsëri me bagëtinë. Kur binte borë, ai ishte atje. Vitet kalonin. Ai largohej nga shtëpia dhe kthehej vetëm herë pas here. Fëmijët e prisnin në prag. Kur e shihnin, gëzoheshin. Për ta, ai nuk ishte njeriu që kishte humbur vitet më të bukura të jetës në male. Ishte babai. Dhe dashuria e fëmijëve nuk njeh llogari. ⸻
Nderimi ishte nga ata njerëz që bënin edhe atë që nuk u takonte. Merrte përsipër punë që askush nuk ia kërkonte. Nuk kishte arsimin përkatës, por kishte diçka tjetër: një lloj urtësie që nuk mësohet në libra. Njerzillëkun. Me kalimin e viteve, fëmijët u rritën. Nderimit iu shtuan thinjat. Por fytyra e tij kishte gjithmonë të njëjtin qetësim. Sikur çdo vështirësi e re i dukej më e vogël se ato që kishte kaluar. ⸻ Erdhi viti 1991. Kooperativa po shpërbëhej. Një botë po mbyllej dhe një tjetër po lindte, pa e ditur askush se çfarë do të sillte. Një ditë e takova Nderimin dhe e ftova për një kafe. Në muhabet e sipër e pyeta: — Si mendon për këtë mishmash që është krijuar? A mendon se ka ardhur momenti të marrim çfarë ka mbetur nga kjo hallvë e përzier dhe të ndahemi? Ai heshti pak. Pastaj foli: — Puna ime do të jetë të formoj një tufë, si dikur në kooperativë. Por këtë herë do ta di se është e imja.
Do të marr edhe një pjesë toke. Pastaj fëmijët e mi do të rriten e do të punojnë secili për vete. U ndal. — Se boll kanë vuajtur. Në ato fjalë kishte më shumë se një plan. Kishte një ëndërr. Një ëndërr të thjeshtë: që fëmijët e tij të mos e jetonin jetën si ai. ⸻ Vitet rrodhën. Jeta i mori njerëzit nëpër rrugë të ndryshme. Dhe një ditë u takova përsëri me Nderimin. — Si i ke hallet? Si po ia kalon me shëndet? Ai buzëqeshi. — Djali punon në Tiranë. Vajzat punojnë në Itali dhe janë mirë. Jetojnë me të fejuarit e tyre. Pastaj shtoi:l — Më ndihmojnë pak, sa për hallet e mia. Në sytë e tij pashë krenarinë e një babai. Ai kishte rritur nëntë fëmijë. Tani ata po i kthenin diçka nga ajo që ai kishte dhënë.
Kështu mendova. Nuk kisha asnjë arsye të mendoja ndryshe. ⸻ Një ditë të ftohtë dimri dola për qejfin tim. Qielli ishte nxirë mavri dhe era sillte atë ftohtësi që të hyn në palcë. Papritur më doli përpara Albani. Në pamje dukej më i madh se mosha e tij. Nuk ishte më shumë se tridhjetë vjeç, por emigracioni kishte lënë gjurmë në fytyrën e tij. Ishte i mbajtur mirë, me flokë të gjatë, i bëshëm dhe i veshur bukur. E pyeta: — Ku ke punuar? Me çfarë je marrë? — Jam kthyer nga Italia. Atje punova dy vjet rresht dhe dola mirë. Folëm për disa djem të fshatit. Pastaj biseda ndryshoi. Albani nisi të më tregonte për realitetin që kishte parë në Itali. Për jetën e emigrantëve. Për vajzat shqiptare që kishin përfunduar në rrugë të errëta. Për prostitucionin, tutorët dhe shfrytëzimin. E dëgjoja.
Derisa ai tha: — Mes tyre kam dalluar edhe vajzën e Nderimit. M’u duk sikur u ftoh edhe më shumë ajo ditë. Në mendje më erdhën fjalët e Nderimit: “Vajzat punojnë në Itali.” “Janë mirë.” “Janë të fejuara.” “Më ndihmojnë.” Dhe unë, pa e ditur çfarë fshihej pas tyre, i thashë: — Ato punojnë dhe ndihmojnë edhe Nderimin. Albani heshti. Nuk më kundërshtoi. Nuk u përpoq të më bindte. Vetëm më pa. Pastaj u largua i mërzitur. Para se të ikte, tha: — Krenaria është në vendin tënd dhe jo në dhe të huaj… pa paragjykime dhe pa afera të poshtra. E pashë të largohej. Dhe mbeta vetëm me mendimet e mia. ⸻ Atë natë më erdhi ndër mend ajo natë tjetër, shumë vite më parë. Hëna.
Qielli i kaltër. Xixëllonjat mes ferrave. Dhe Nderimi, me sytë që i shkëlqenin, duke më treguar për nëntë fëmijët. Mendova për Dëshirën. Për vitet e saj të lodhjes. Për fëmijët që ishin rritur pa babanë pranë. Mendova për Nderimin nëpër male. Në shi. Në borë. Në vapë. Gjithmonë larg shtëpisë. Mendova për atë kafe të vitit 1991. “Se boll kanë vuajtur…” Ndoshta ajo ishte fjalia më e sinqertë që kishte thënë ndonjëherë. Ai kishte dashur t’u jepte fëmijëve një jetë më të mirë. Dhe ndoshta ia kishte dhënë. Por jeta, si gjithmonë, kishte rezervuar një tjetër të vërtetë. Një të vërtetë që mund të kishte ardhur në shtëpinë e tij shumë më herët se lajmi që mora unë. Mbase Nderimi e dinte. Mbase nuk dinte.
Mbase kishte dëgjuar diçka dhe kishte zgjedhur të mos e besonte. Sepse ka raste kur njeriu nuk gënjen të tjerët. Gënjen vetëm veten. Jo nga dobësia. Por nga dashuria. Sepse ka të vërteta që, kur i pranon, nuk ke më ku ta fshehësh dhimbjen. Dhe një baba, pasi ka sakrifikuar gjithë jetën për fëmijët e tij, ndonjëherë zgjedh të jetojë me atë version të së vërtetës që i lejon zemrës të vazhdojë të rrahë. Prandaj, sa herë më vjen ndër mend Nderimi, nuk mendoj më për atë që tha Albani. Mendoj për atë që Nderimi nuk tha. Dhe pyes veten: A e dinte? Ndoshta po. Ndoshta jo. Por një gjë e di.
Në atë natë behari, shumë vite më parë, kur xixëllonjat ndriçonin mes ferrave dhe ai më tregonte për fëmijët e tij, Nderimi nuk kishte frikë nga varfëria. Ai kishte frikë vetëm nga një gjë: që fëmijët e tij të mos vuanin si ai. Dhe ndoshta, pikërisht për këtë arsye, kur erdhi dita të përballej me një të vërtetë të hidhur, ai zgjodhi të mos e shihte. Sepse disa njerëz nuk jetojnë me atë që është. Jetojnë me atë që duan të jetë. Dhe ndoshta kjo ishte e gjithë përgjigjja.
E PAPËRSËRITSHME
- Tregim
Ishte shtator. Një nga ata shtatorët kur vera ende nuk ka ikur plotësisht dhe ajri mbart një ngrohtësi të ëmbël, ndërsa mbrëmjeve fillon të ndihet një fllad i lehtë vjeshtor. Në shtëpinë e fqinjëve bëhej dasmë. Martohej një djalë dy vjet më i madh se unë. Shtëpia ishte mbushur me njerëz. Kishte ardhur gëzimi, siç vjen gjithmonë në dasmat tona: me këngë, valle, të qeshura, urime dhe me atë zhurmën e bukur që vetëm një dasmë di ta krijojë. Mes turmës pashë pleq, fëmijë, të rinj e të reja. Vajza të veshura bukur, që kalonin pranë meje dhe humbnin përsëri në turmë. Por njëra nuk humbi. Ajo mbeti në sytë e mi. Quhej Arjana. Nuk di ta shpjegoj se çfarë ndodhi në atë çast. Ndoshta ishte vetëm një vështrim. Ndoshta një buzëqeshje. Ndoshta ishte ajo ndjenjë e çuditshme që vjen pa trokitur, pa të pyetur nëse je gati. Vetëm di se, kur sytë e mi u ndalën tek ajo, diçka brenda meje u zgjua. Dasma vazhdonte.
Këngët, vallet, zërat dhe të qeshurat më rrethonin, por unë, mes gjithë asaj zhurme, dëgjoja vetëm heshtjen që krijohej sa herë sytë tanë takoheshin. Sa herë e shikoja, ajo më shikonte. Dhe sa herë ajo kthente sytë nga unë, zemra ime bëhej pak më e paduruar. Atëherë e vura re më mirë. Ishte e bukur, simpatike, e hijshme. Kishte diçka në fytyrën e saj që nuk mund ta përshkruaja me fjalë. Diçka që më tërhiqte pa e kuptuar pse. Nuk pata nevojë ta pyesja gjatë. Ajo, me zërin e saj të ëmbël, më tha: — Arjana. Vetëm kaq. Një emër. Por për mua, atë natë, ai emër u bë një botë e tërë. U përpoqa ta largoj shikimin. Një herë. Pastaj një tjetër. Ishte e kotë. Sytë e mi ktheheshin tek ajo sikur të kishin humbur diçka dhe vetëm tek ajo mund ta gjenin. Më në fund e ftova të kërcenim.
Muzika luante, njerëzit kërcenin, por ne të dy sikur nuk e dëgjonim më ritmin. Vallëzonim, por nuk ishte vallëzimi ai që na kishte bashkuar. Ishte diçka tjetër. Një ndjenjë pa emër. Ishim në mes të njerëzve, por sikur ishim vetëm. Sikur rreth nesh të ishte ngritur një mur i padukshëm dhe bota të kishte mbetur përtej tij. Isha në vitin e katërt të gjimnazit. Në atë moshë, zemra është e re dhe beson gjithçka. Një vështrim mund të bëhet premtim, një buzëqeshje mund të duket si fat dhe një takim i rastësishëm mund të të bindë se ke gjetur njeriun që ke pritur gjithë jetën. Atë natë nuk e dija se sa e gabuar dhe sa e bukur mund të ishte kjo bindje. Nata kaloi. Por gjumi nuk erdhi. E kisha humbur veten. Mendoja vetëm për Arjanën. Ajo shoqërohej nga i vëllai, Bardhi, një djalë i pashëm, bjond dhe serioz. Ambienti i dasmës ishte i afërt për mua. Gjeja pretekste për të ndihmuar, lëvizja sa andej-këtej, bëja sikur kisha diçka për të bërë. Në të vërtetë, nuk kërkoja punë. Kërkoja Arjanën.
Dhe, siç dukej, edhe ajo kërkonte mua. Gjenim arsye të vogla për t’u takuar. Pyetnim njëri-tjetrin nëse kishim fjetur, nëse ishim lodhur, si e kishim kaluar natën. Një pyetje e zakonshme. Një përgjigje e pazakontë. — A flete? — e pyeta. Ajo më pa drejt në sy dhe më tha: — Kam dëshirë të bisedoj me ty, jo të fle. Nuk harrohet një fjali e tillë kur je i ri dhe zemra të rreh për herë të parë kaq fort. M’u duk sikur ajo fjali kishte brenda saj një rrëfim të tërë. Orët kalonin. Dhe bashkë me to rritej edhe ajo që ndjeja. Në orën tetë të mbrëmjes, sipas zakonit, të gjithë zunë vendet. Filloi darka. Orkestra shpërtheu në këngë, vallet u ndezën dhe gëzimi mori gjithë oborrin. Por unë nuk kërkoja më muzikën. Kërkoja vetëm atë. Arjanën. Pas disa orësh u ngrita për të çlodhur këmbët. Dhe papritur e pashë pranë meje. Nuk ishte si më parë. Ishte e shqetësuar. E trishtuar. — Çfarë të mundon? — e pyeta. Ajo heshti. Nuk më dha përgjigje. Ishte mesnatë.
Dasma ishte ndezur edhe më shumë. Dritat shkëlqenin në errësirë dhe nata dukej ndryshe, sikur edhe ajo po e kuptonte se mes nesh po ndodhte diçka që nuk do të përsëritej më. Aty pranë ishte një arrë. Nën të takoheshim e flisnim. Herë pas here një gjethe shkëputej nga degët dhe binte pranë nesh. Na dukej sikur pema na shikonte nga lart dhe na pëshpëriste: “Kujdes… unë po ju shikoj.” Por ne ishim të rinj. Dhe kur je i ri, nuk ke frikë nga dashuria. Ke frikë vetëm se mos ajo të ikën. Në një çast i thashë: — Njëzet metra më tutje është shtëpia ime. Do të shkoj pak të çlodhem dhe do të kthehem përsëri në dasmë. Ajo më pa. Heshti një çast. Pastaj tha: — Kam dëshirë të vij edhe unë me ty… por jo tani. Pas pesë minutash. U largova. E prita. Pesë minuta. Pesë minuta që m’u dukën më të gjata se një natë e tërë. Dhe ajo erdhi. Atëherë nuk kishte më nevojë për fjalë. Kishim rënë në dashuri.
Pa ia thënë njëri-tjetrit. Pa e planifikuar. Pa e kuptuar se kur kishte ndodhur. Thjesht kishte ndodhur. I thashë se e doja. Fika dritën e ballkonit. Dhoma ishte ende e ndriçuar dhe drita e saj binte butë mbi ne. U afrova. E putha. Në buzë. Në faqe. Në sy. Një erë e lehtë përshkonte natën. Flokët e saj lëviznin ngadalë dhe ajo u afrua më shumë pranë meje. Krahët e saj u shtrënguan rreth trupit tim. Për një çast m’u duk sikur nuk ishim më dy njerëz. Ishim një frymë. Një rrahje zemre. Një sekret. Koha nuk ekzistonte më. Nuk e dinim sa kishte kaluar. Ndoshta dy orë. Ndoshta vetëm pak minuta. Sepse kur je i dashuruar, koha nuk matet me orë. Matet me rrahje zemre. Më në fund vendosëm të ktheheshim në dasmë. Ajo do të shkonte më parë, unë pas saj. Kështu filluan takimet tona. Ajo banonte në Tiranë. Unë isha konviktor.
Takoheshim pa orar, pa rregull, pa ndonjë marrëveshje të caktuar. Mjaftonte dëshira për t’u parë. Por jeta nuk pyet gjithmonë për dëshirat tona. Pas gjimnazit bëra një vit stazh në kooperativë. Koha filloi të na ndahej. Takimet u rralluan. Dhe pikërisht atëherë, në jetën time hyri një tjetër emër. Nertilda. Ishte rreth pesëmbëdhjetë vjeçe dhe sapo kishte mbaruar klasën e tetë. U njohëm gjatë atij viti dhe filluam të mbanim korrespondencë. Ajo nisi studimet në një qytet bregdetar, ndërsa unë vazhdova universitetin. Letrat vinin. Fjalët vazhdonin. Jeta ecte. Por Arjana nuk ishte larguar. Ajo kishte mbetur diku brenda meje. Si një këngë që nuk e dëgjon çdo ditë, por që mjafton një tingull i vetëm për ta kujtuar të tërën. Më dukej sikur më ndiqte. Në rrugë. Në auditorë. Në netët e gjata.
Në çdo vajzë që shihja. Në çdo shtator. Një ditë po studioja në një auditor pranë bibliotekës. U afrua një student që e kisha në kurs, por jo në grup. — Si je? Si ndihesh? — më pyeti. Pastaj më tregoi se vinte nga Tirana. Kishte takuar një vajzë me emrin Arjana. Ajo më njihte. Dhe i kishte lënë porosi të më gjente. M’u duk sikur dikush kishte hapur papritur një derë të së kaluarës. Arjana. Vetëm emri i saj më mjaftoi që zemra të më rrihte përsëri si atë natë shtatori. Të nesërmen, pasi mbarova leksionin, u nisa drejt adresës. Ishte një ditë e bukur. Dielli ndriçonte në një qiell të kaltër dhe gjithçka dukej e pastër, e qartë, pothuajse e gëzuar. Sikur edhe dita po më shtynte drejt një kujtimi. Arrita te porta. Hyra. Dhe e pashë. Arjanën. Në ballkon. Për një çast m’u duk sikur koha ishte kthyer pas.
Sikur të isha përsëri në atë dasmë. Sikur të dëgjoja përsëri muzikën. Sikur arra të ishte ende mbi kokat tona. Sikur ajo të më thoshte përsëri: “Kam dëshirë të bisedoj me ty, jo të fle.” U afrova. Por pastaj ndodhi diçka që nuk e prisja. Ajo nuk ishte më Arjana që ruaja në kujtesë. Ndoshta kishte ndryshuar ajo. Ndoshta kisha ndryshuar unë. Ndoshta bukuria që kisha dashur nuk kishte qenë vetëm në fytyrën e saj, por në sytë e mi të rinj. Sepse atë ditë nuk pashë vajzën e asaj nate. Pashë vetëm një kujtim që kishte marrë formë njerëzore. Dhe kujtimi nuk ishte më i njëjti. Shikimi im u largua. Nuk i ktheva përgjigje. U largova. I zhgënjyer. I lodhur. Jo aq prej saj, sa prej vetes. Sepse kuptova diçka të dhimbshme: Ndonjëherë nuk na mungon njeriu.
Na mungon mënyra se si e kemi dashur atë. Dhe kjo është një mungesë që nuk mund të shërohet duke u kthyer pas. Vazhdova të ecja nëpër rrugicat e vogla nga kisha ardhur. Ecja shpejt, pothuajse vrapoja. Doja të largohesha. Nga ajo shtëpi. Nga ai ballkon. Nga ajo pamje. Nga ajo pjesë e jetës sime që për një çast mendova se mund ta riktheja. Doja të takoja Nertildën. Dola në rrugën kryesore. Ndalova. Mora frymë thellë. Qielli ishte ende i kaltër. Dielli ende ndriçonte. Por brenda meje kishte ndryshuar diçka. Dhe, ndërsa qëndroja aty, i lodhur nga kujtimet dhe nga vetvetja, i thashë: — Njeriu gabon, por nuk duhet të gabojë për së dyti. Pastaj vazhdova rrugën. Pa u kthyer pas. Pas meje mbeti Arjana. Mbeti ballkoni. Mbeti ajo natë shtatori. Mbetën këngët e dasmës. Mbetën dritat.
Mbeti arra që dikur na shikonte nga lart. Mbetën dy palë sy që dikur besonin se dashuria do të zgjaste përgjithmonë. Por mbi të gjitha, mbeti një kujtim. Një kujtim që koha nuk mundi ta përsëriste. Sepse disa dashuri nuk vijnë për të qëndruar. Vijnë vetëm një herë. Për të na mësuar se si rreh zemra. Për të na treguar sa të brishtë jemi. Për të na lënë një plagë që nuk dhemb gjithmonë, por që zgjohet sa herë vjen shtatori. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ajo mbeti në kujtesën time siç ishte atë natë: e bukur, e largët, e paarritshme. Sepse disa njerëz nuk mbeten në jetën tonë. Mbeten në kujtesën tonë. Dhe ndonjëherë kujtesa është më besnike se vetë jeta. Arjana nuk u kthye më. Por ajo natë shtatori… ajo nuk iku kurrë. Ishte një dashuri e papërsëritshme.











