Vendimi i Gjykatës së Hagës për dënimin e krerëve të UÇK-së është absurd dhe i padrejtë. Dënimi me nga 25 vite burg për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, dhe me 18 vite burg për Kadri Veselin dhe 13 vite për Rexhep Selimin, është një dënim i padrejtë dhe i pabazuar në fakte dhe argumente. Unë prisja që të katër të akuzuarit të liroheshin sot. Apo kisha edhe dilema që, kush më shumë apo kush më pak mund të merrte një dënim të lehtë që mund të përkiste me paraburgimin e tyre. Por, jo, dënimi qe makabër dhe i stisur. Me këto vendime drastike dhe pa prova, Gjykata e tregoi se është e shitur tek Serbia dhe tregoi fytyrën e keqe të saj. Me vendimet e tilla absurde që dha gjykata, del në pah edhe fytyra e vërtetë e “drejtësisë” që reklamon Evropa…
Ajo, heshti apo foli me zë të “mekur”, kundër Serbisë, kur ajo përcolli me nderime të larta për në banesën e fundit, kriminelin e luftës, Ratko Mlladiç… E pafalshme kjo për Evropën kur mundohet të barazojë agresorin me viktimën! Jo, Evropë! Serbia ka kryer gjenocid dhe krime lufte në Kosovë, Sebrenicë, etj. Kosova është vetëmbrojtur. Nuk shkon kjo, Evropë, ish-krimineli Mlladiç përcillet nga Serbia me nderime të larta për në banesën e fundit, ndërsa viktima, ish-komandantët dënohen rëndë pa prova konkrete, veç me fabrikimet e Serbisë.
Ndërkohë Evropa neve na bën “apel” të ruajmë “qetësinë”, në rastin kur Gjykata e Hagës, dënon me ndëshkime makabre, luftëtarët e lirisë, komandantët që i dolën zot vendit dhe udhëhoqën luftën e lavdishme të UÇK-së dhe e fituan atë. Më e keqja është se këto u dënuan në “emër” të “popullit” të Kosovës, pasi këtë gjykatë e ka “ngritur” Kosova. Jo Evropë, populli shqiptar nuk i dënon por i mbështet fuqishëm luftëtarët e lirë dhe është për lirimin e tyre nga ky burgim i padrejtë. Unë, në shkrimet e mia, për Kosovën, e kam thënë dhe stërthënë shkoqur, se lufta e UÇK-së ka qenë dhe do të mbetet një luftë e drejtë dhe e lavdishme. UÇK-ja e kreu në formën e saj më të mirë të mundshme misionin e saj, çlirimin e Kosovës.
Në këtë mision atdhetar një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe krerët e saj, Thaçi, Krasniqi, Veseli, Selimi dhe ish- komandantët e tjerë të UCK-së. Lufta e tyre qe e drejtë dhe e imponuar nga armiku shekullor, Serbia. Naturisht ne shpresojmë që ato të dalin të pafajshëm, pas apelimit në Gjykatën e Apelit dhe rigjykimit të tyre… Të dënosh ish-komandantët me akuzën si: “Si pjesmarrës në strukturë të përbashkët kriminale”, është padrejtësia më e madhe e shkullit që i bëhet kauzës shqiptare. Kjo është absurde dhe e papranueshme. Padyshim këtu është dora e fshehur gjakatare e Serbisë…
Për paqen klasa politike e Kosovës, në shumë raste po tregohet e papërgjegjshme. Ajo po bën lojra të pandershme për pushtet dhe krijimin dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe “harron” veprimtarinë armiqësore të Serbisë ndaj saj…
Pavarësish kësaj, unë mendoj se ky vendim është i padrejtë dhe i papranueshëm. Kjo është një ditë e rëndë për familjet e komandantëve të dënuar nga Haga, për popullin Kosovës dhe mbarë kombin shqipëtar. Vendimi i drejtë është pafajësia e tyre…
Nga: Ibrahim Kabili
Tiranë, më 16.09.2026











