23 C
Tirana
E enjte, 17 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Ujvara

Ujvara

0
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

  • Tregim

Kur ishim të vegjël, vera përvëlonte gjithçka. Gurët digjnin nën këmbë, bari zverdhej nga dielli, dhe rruga që zbriste drejt përroit dukej sikur merrte flakë. Ne, sapo mbaronim drekën, mezi prisnim të iknim drejt ujvarës.

Ajo binte nga shkëmbi me një zhurmë të pandërprerë dhe, poshtë saj, kishte krijuar një hurdhë me ujë të kulluar. Uji ishte aq i pastër, sa në fund shiheshin gurët e bardhë. Ishte i pastër si loti i një vashe. Aty laheshim, zhyteshim deri në kokë, dilnim duke bërtitur nga të ftohtit dhe pastaj shtriheshim mbi rërën e ngrohtë. Luanim me top, vraponim zbathur, ziheshim e pajtoheshim brenda pak minutash.

Ishte bota jonë. Shpesh, pasditeve, më zinte gjumi sapo kthehesha, i lodhur nga loja dhe dielli.

– Lëreni të flejë, se rritet, – thoshte nëna.

Atëherë nuk e kuptoja mirë atë fjalë. Sot më duket sikur ajo kishte parë shumë më larg se unë.

Sepse u rrita. Dhe bashkë me mua u rrit edhe kujtimi i ujvarës. Në atë hurdhë laheshin edhe vajzat e lagjes. Unë i njihja të gjitha. Por mes tyre ishte njëra që, pa e kuptuar ende çfarë ishte dashuria, më kishte hyrë në zemër.

Nora. Nuk di ta shpjegoj pse. Ndoshta disa njerëz hyjnë në jetën tonë shumë më herët sesa ne arrijmë t’i njohim. Ndoshta zemra i njeh para se mendja të dijë t’i emërtojë.

Vitet kaluan. Fëmijët që dikur vraponin pas topit u rritën. Secili mori udhën e vet. Edhe ne mbaruam shkollën e mesme dhe shkuam në universitet. Por Nora mbeti pranë meje.

Nga fundi i vitit të parë, mes nesh lindi një afërsi tjetër: ditë kur kërkonim njëri-tjetrin, mbrëmje kur rrinim bashkë pa nevojë për shumë fjalë, heshtje që na dukeshin më të bukura se çdo bisedë. E dija se e doja. Por nuk ia thosha. Ndoshta nga frika. Ndoshta sepse dashuria e parë është aq e brishtë, sa njeriu ka frikë ta prekë edhe me fjalë.

Kështu e mbaja brenda vetes atë që ndieja. Dhe prisja.

Një ditë mbaruam provimet. Atë mbrëmje Nora më tha se të nesërmen do të vinte me mua te dajat, siç bënte shpesh.

– Sa do të rrish? – e pyeta, me një farë shtrëngimi që s’e kuptoja mirë as vetë.

– Tre-katër ditë. Pastaj do të filloj punë. Dua të siguroj ca të ardhura.

E dëgjova, mendova pak, pastaj i thashë:

– Do të shkojmë te ujvara.

Ajo qeshi. – Do të vemi të lahemi?

– Po.

Nuk e dinim se po caktonim një takim që do të na kujtohej gjith jetën.

Të nesërmen ishte një ditë e nxehtë korriku. Dielli ishte lart dhe ajri dukej sikur dridhej mbi tokë. U nisëm drejt ujvarës.

Kur arritëm, diçka më bëri përshtypje: nuk kishte njeri. As fëmijë, as vajza, as zëra, as të qeshura. Vetëm ujvara. Uji binte nga shkëmbi me të njëjtën forcë si dikur, por atë ditë zhurma e tij më dukej ndryshe – më e thellë, më e rëndë. Një drojë e pashpjegueshme më pushtoi, një mornicë që m’u përshkua në trup ndonëse korriku digjte. Nora nuk e vuri re.

Ajo u afrua pranë hurdhës, u zhvesh dhe u bë gati të hidhej në ujë. U kthye nga unë dhe buzëqeshi.

– Hajde! Ti vetë the të vinim të laheshim.

E shikova. Për një çast nuk pashë vajzën që kisha përballë. Pashë vajzën e vogël që dikur vraponte nëpër rërë, dhe pashë njëkohësisht vajzën e rritur e aq të bukur që ishte bërë. Në atë çast kuptova se nuk mund ta mbaja më atë që kisha fshehur kaq gjatë.

U afrova. Ajo më pa në sy. Nuk folëm, asnjëri prej nesh. Dhe pastaj ndodhi ajo puthje. Ishte puthja ime e parë. Ndoshta edhe e saj. Nuk di sa zgjati – një sekondë, një minutë, ndoshta një jetë. Por di se pas asaj puthjeje nuk isha më i njëjti njeri. Sikur diçka brenda meje ishte zgjuar. Sikur jeta, deri në atë çast, kishte qenë vetëm një pritje.

Uji binte nga shkëmbi. Nora qeshte. Unë e shikoja. Dhe nuk e dija se po jetoja një nga ato çaste që njeriu do t’i kërkojë ta jetoj gjithë jetën.

U kthyem në fakultet dhe marrëdhënia jonë vazhdoi, e qetë e e sigurt në mënyrën se si dinë të jenë vetëm gjërat e para të vërteta. Mjaftonte një shikim, një buzëqeshje, një dorë mbi dorën e tjetrit e zgjohej ajo ndjenjë që na bente tjetër njerëz. Kalonim mbrëmjet duke folur për gjithçka dhe për asgjë, duke bërë plane që na dukeshin të pashmangshme: një shtëpi, një jetë, një të ardhme që e shihnim njësoj, pa pasur nevojë ta thoshim me zë të lartë.

Jeta dukej e bukur. Dhe siç ndodh gjithmonë kur jemi të lumtur, besonim se ajo lumturi do të zgjaste. Por jeta nuk na pyet.

Një ditë Nora u përplas nga një makinë. Kur ma thanë, nuk desha ta besoja. Nuk mund ta besoja. U shtrua në spital, dhe ditët që pasuan ishin të gjata, të ftohta e pa ngjyrë. Rrija pranë saj, i flisja, i luteshim heshtjes që t’i jepte kohë. Ajo ishte e dobët, por ende më njihte, ende më shikonte, ende më fliste me atë zërin e saj që tani më duket sikur vjen nga shumë larg.

– Të lutem… bëj kurajo.

I thosha se do të bëhesh mirë, ndonëse thellë brenda vetes kisha filluar të kisha frikë. Shumë frikë. Ajo më shikonte dhe pëshpëriste:

– Të lutem… mos më lër vetëm.

Ato fjalë nuk më janë ndarë kurrë.

Bëja gjithçka mundja. Edhe gjakun që i dhuroja e shikoja sikur ishte diçka që po ia ktheja nga vetja. Doja t’i jepja jetë. Doja t’i jepja timen, nëse do të ishte e mundur. Por ka çaste kur dashuria, sado e madhe të jetë, nuk mund ta ndalë vdekjen.

Një ditë Nora u shua. Thjesht u shua. Dhe bota vazhdoi: makinat vazhduan të kalonin, njerëzit vazhduan të flisnin, dielli vazhdoi të lindte. Por për mua diçka kishte ndaluar.

Kur e pashë për herë të fundit, një lot i ngrirë i kishte mbetur në faqe. E kam parë atë lot për vite me radhë. Nuk di nëse ishte loti i saj, apo loti im që nuk kishte arritur të binte.

Vitet kaluan, por disa gjëra nuk plaken. Ujvara është ende atje. Shkëmbi është ende aty. Uji ende bie. Vetëm unë jam tjetër.

Ndonjëherë shkoj atje. Nuk shkoj për t’u larë, as për të kërkuar fëmijërinë. Shkoj për të kërkuar Norën. E di që nuk do ta gjej, por njeriu nuk shkon gjithmonë atje ku shpreson të gjejë dikë – ndonjëherë shkon vetëm për ta dëgjuar kujtimin.

Rri pranë hurdhës dhe dëgjoj ujin. Mbyll sytë, dhe për një çast më duket sikur dëgjoj të qeshurën e saj. Pastaj më kujtohet spitali, dhe ajo fjali që s’më ka lënë kurrë: Të lutem… mos më lër vetëm.

Nuk di çfarë t’i përgjigjem ende sot. Sepse ajo iku. Por unë nuk e lashë vetëm – e mora me vete, në çdo vit që kaloi, në çdo rrugë që bëra, në çdo verë që erdhi, në çdo ujë që pashë të rridhte.

Sot, kur uji bie nga shkëmbi, nuk më duket më si dikur. Dikur ishte i freskët, i kthjellët, plot zëra fëmijësh. Sot më duket i ftohtë, shumë i ftohtë, sikur në çdo pikë uji ka mbetur nga një lot.

Qëndroj gjatë dhe e shikoj. Dhe nganjëherë më duket sikur ujvara më flet – jo me zërin e ujit, por me zërin e saj.

– Mos më lër vetëm…

Atëherë mbyll sytë dhe i përgjigjem në heshtje: Nuk të lashë vetëm, Nora. Ti ike, por unë të mbajta me vete.

Ujvara vazhdon të bjerë. Unë vazhdoj të jetoj. Dhe diku mes ujit dhe kujtesës, ajo mbetet ende aty. Si atëherë.

16 shtator 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.