16 shtotor 2026 – Emisioni i ri i pullave postare kushtuar heronjve të UÇK-se

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Besnik Fishta Besnik Fishta

Historia e shqiptarëve në shekullin XX është ndër më të veçantat dhe më të dhimbshmet në Evropë. Asnjë popull tjetër në këtë kontinent nuk e nisi dhe nuk e mbylli shekullin me luftë për liri e ekzistencë, duke kaluar pothuajse çdo dekadë në përpjekje të pandërprera për çlirim. Në këtë hark njëqindvjeçar, epopeja e fundit, ajo për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb, u shndërrua në kulmin e guximit dhe të sakrificës.

Bijtë dhe bijat e këtij populli, të bashkuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan faqe që do të mbeten përherë ndër më të lavdishmet e historisë moderne shqiptare. Gjaku i tyre i derdhur nuk ishte i kotë: ai hodhi themelet dhe forcoi shtetin më të ri të Evropës, Kosovën e pavarur.

Ky realitet i lavdishëm nuk mbetet vetëm në faqet e librave të historisë. Filatelia kosovare, që nga viti 2000 e deri më sot, ka ngritur një homazh të qëndrueshëm për heronjtë e UÇK-së, duke i përjetësuar ata në pulla postare. Portretet e komandantëve dhe dëshmorëve janë kthyer në simbole që udhëtojnë nga një cep i botës në tjetrin, duke shpërndarë kujtesë, respekt e krenari. Çdo pullë është një fletë historie, një dëshmi e gjallë e sakrificës së brezit që solli lirinë.

Më 16 shtator 2026, në ditën kur Tribunali i Hagës pritet të japë vendimin për komandantët e UÇK-së, Posta e Kosovës lëshoi emisionin e ri postar kushtuar tre dëshmorëve të rënë në luftë kundër okupatorit serb: Indrit Cara, Bylbyl Breçani dhe Tahir Sinani. Të tre këta heronj ishin nga Shqipëria, por luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e Kosovës. Ky fakt është një dëshmi e qartë se Kosova dhe Shqipëria janë një, të bashkuar në gjak, në ideal dhe në sakrificë.

• Indrit Cara (1971–1999), i njohur si “Ushtari i Kavajës”, ra dëshmor në betejën e Gallushës. Ai la emigrimin në Londër për t’u bashkuar me UÇK-në dhe u bë simbol i guximit të rinisë shqiptare.

• Bylbyl Breçani (1974–1999) nga Tropoja, luftëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, u dallua në Epopën e Koshares, ku ngriti flamurin shqiptar mbi postën kufitare të Kamenicës. Ra dëshmor më 25 qershor 1999, duke u bërë një figurë emblematike e luftës.

• Tahir Sinani (1964–2001), gjithashtu nga Tropoja, ishte komandant i Zonës Operative të Pashtrikut dhe më pas i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Ai luftoi në tri fronte çlirimtare – Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni – duke u shndërruar në simbol të bashkimit kombëtar.

Ky emision i ri i pullave postare nuk është thjesht një akt ceremonial. Ai është një mesazh i fuqishëm politik e kulturor: se gjaku i derdhur për lirinë e Kosovës nuk njeh kufij shtetërorë, se sakrifica e shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova është një dhe e pandarë. Pullat postare, të shpërndara në mbarë botën, bartin këtë mesazh të unitetit kombëtar dhe të krenarisë së përbashkët.

Në këtë ditë të rëndësishme, kur populli ynë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në diasporë pret një vendim të drejtë nga Gjykata e Hagës, filatelia kosovare na kujton se historia nuk mund të gjykohet me paragjykime. Ajo na kujton se liria e Kosovës është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve, mbi sakrificën e brezit që nuk pranoi robërinë.

Pullat e reja janë një testament i gjallë i kësaj historie, një kujtesë që udhëton nga një letër në tjetrën, nga një vend në tjetrin, duke shpërndarë të vërtetën e një populli që luftoi për ekzistencë. Ky emision postar është më shumë se një koleksion filatelik: është një akt kujtese, një thirrje për drejtësi dhe një dëshmi e përjetshme se Kosova dhe Shqipëria janë një.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit