Nga Gjon Marku
Ç’është ky varg që vjen pa nda,
Me flamuj valë mbi makina?
Rend e rend, pa u përçarë,
Si vetëtima mbi kodrina.
Si shqiponjat lart në qiell,
Drejt Shqipërisë vijnë si rrufe;
Amaneti sot thonë po sjell
Nga çdo anë për në atdhe.
E s’ua ndal turrin si stuhi,
Bëjnë çudi yjet mbi re;
Marrin malet hijeshi,
“Priti bijtë e tu, o mëmëdhe!”
I përgjigjen zërit të nënës,
në kraharor u vlon vullkani;
U ndrit udhën drita e hënës,
Prej plagëve rënkon vatani.
Rendin nipat e Gjergj Kastriotit,
Drejt atdheut, veshur me nur;
Thua kthehen trimat e motit,
Krushqit e lirisë, veshur me flamur.
Jo, atdheu s’është plaçkë tregu,
As nuk shitet besa kurrë;
Si ndal shiu e si ndal zhegu,
Asnjë tradhtar s’mund ti përkulë.
Duan besën ta përçajnë,
T’i ndalin e t’i mashtrojnë;
T’i poshtërojnë e t’i përzënë,
Dhe fashistë t’i etiketojnë.
Por mbi troje rron përjetë,
S’e shuan as zjarri, as stuhia:
Kur atdheu thërret bijtë e vet,
Ngrihet në këmbë mbarë shqiptaria.
Sa herë ka nevojë atdheu,
e sa të rrahë zemra shqiptare,
u thërret bijve Skënderbeu:
“Rroftë Shqipëria legjendare!”











