34.6 C
Tirana
E hënë, 24 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ARMIQËSI EDHE MES KELMENDËVE (?)

ARMIQËSI EDHE MES KELMENDËVE (?)

0
Jusuf Buxhovi

Ibrahim-Miran Kelmendi

[Paralajmërim për titistët dhe enveristët: është bërë goxha kohë që e kam minimizuar censurën të cilën praktikoja më parë në raport me titistët dhe enveristët. Kur zbrita në Portin e Durrësit më 30 dhjetor 1990, u traumatizova nga ballafaqimi me kasollet mjerane ku kishin zyrat policia kufitare dhe doganierët. Më 31 dhjetor na ndaloi policia në postbllokun në dalje të Tiranës, kur grupi ynë turistik u nis drejt Shëngjinit, sepse Albturizmi kishte prenotuar pritjen e Vitit të Ri 1991 në Hotel “Gjuetia”. Na kthyen mbrapsht sepse na u tha që nuk kishim vizë daljeje nga Tirana. Që nga ajo kohë nuk më vinte më keq ta kritikoja Shqipërinë enveriste. Megjithatë nuk e kam mënjanuar krejtësisht vetë-censurimin përkatës.

Ndërsa ndaj titistëve, të cilët i respektoja goxha, e reduktova censurën që e praktikoja, kur “rastisi” ta kishim mysafir për disa javë në Gjermani akademiku Mark Krasniqi. Kishte ardhur për t’u konsultuar për botimin e një libri të tij. Ndihesha shumë i nderuar që më zgjodhi mua si botues. Bacin Mark e kisha idol në vitet ’70, jo vetëm për faktin se ishim fqinj në fshatrat tanë, por edhe për respektin e ndërsjellë që gëzonte me babain dhe xhaxhain tim – sepse Marku i Gllaviçicës frekuentonte shpesh Odën e Vuthjanëve në Llabjan.
Nuk ia dija biografinë politike e as atë akademike. Dija vetëm që e lavdëronin gjithandej si sfidues të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe të sistemit monist titist. E lavdëronin gjithashtu për vlerat profesionale si ligjërues në Fakultetin Ekonomik, por edhe si shkrimtar.

Materialin për botim në format libri e kishte paketuar në formë dosjeje. Ishin korrespondencat e tij me institucione të larta shtetërore të Jugosllavisë, fragmente kujtimesh, artikuj shtypi, reagime, etj. E bëmë pazarin “si për mace në thes”: 4.000 DM paradhënie dhe 60% nga fitimit neto nga shitja e librit.

Marku kërkoi ql etnologia Andromaqi Gjergji t’i redaktonte librin. Ajo pranoi. Pas disa ditësh e ktheu dosjen me arsyetimin se nuk pranonte të redaktonte atë veprimtari antishqiptare që kishte hasur në disa letra të Markut. Shfletova disa që Andromaqi i kishte ndarë mënjanë. Rezultoi se Marku kishte qenë kryetar komune në Strellc në kuadër të pushtetit kuisling nazist gjerman dhe se, në mbarim të Luftës – kur Kosova ripushtohet nga Jugosllavia titiste – ishte konvertuar në titist për hir të mbijetesës dhe karrierës, për të mos thënë ishte bërë marionetë e nacionalizmit rankoviçian.

U grinda veçanërisht me Bacin Mark kur lexova një rrëfim për përplasjen që e kishte pasur në Kuvendin e RS të Serbisë me një kolege serbe nga Prizreni, deputete edhe ajo – që përfaqësonte Kosovën në atë Kuvend (njësoj si Marku). Deputetja serbe atëherë kishte kërkuar statusin e Republikës për Kosovën. Marku ishte alarmuar: “Neve shqiptarëve nuk na duhet republika, prandaj nuk ke të drejtë ta kërkosh këtu si deputete e Kosovës!” (perifrazim). Ajo ia kishte kthyer Markut: “Këtu përfaqësojmë bashkëqytetarët e Kosovës. Nuk i përfaqëson ti vetëm shqiptarët e unë vetëm serbët. Të gjithë duam barazimin e Kosovës me republikat tjera.” (Edhe Jusufi e përmend atë deputete, Cica Paternagiq (në minutën e 46-të të intervistës), e cila në gusht të vitit 1968 paskësh bërë publike kërkesën për republikë për Kosovën.

Dhe kupa u mbush kur dëgjova nga vetë Marku se dhëndri i tij, burri i vajzës Drita (emri zyrtar Svetlana), inxhinier në Beograd, ishte militant agresiv i Millosheviqit dhe Markut i duhej të grindej me te sa herë që e vizitonte vajzën atje.

Më në fund refuzova t’ia botoja librin, por 4.000 DM nuk ia kërkova t’i kthente. Më erdhi keq nga vetja që m’u shkërmoq aq keq idoli im – Baca Mark – sepse më doli të kishte qenë një lake edhe i nacionalizmit rankoviçian.
Pra, edhe Baca Mark u bë shkak, të mos praktikoj më vetë-censur ndaj titistëve.]

Rëndom, kuadrot shqiptarë të nomenklaturës bashkë-sundimtare titiste do të duhej t’i definoja vetëm si kundërshtarë ideopolitikë. Fatkeqësisht nuk ishin vetëm aq, sepse edhe nomenklatura e titistëve shqiptarë e Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës (KSAK) u pozicionua armiqësisht kundër meje. Sidomos nga viti 1979, kur për shkakun tim u dhunuan fizikisht nëna dhe vëllazëria ime – edhe pse këtë nuk e kishin të paraparë ligjet jugosllave të asaj kohe. Përndryshe, do të duhej të përcaktohesha vetëm për definimin: “kundërshtarë ideopolitikë”.

Njëri nga armiqtë ishte edhe Jusuf Buxhovi (në vazhdim të teksti do përdor akronimin JB), e jo vetëm UDB-ashët Bajram Dreshaj, Mehmet Loci, Mehmet Hasku, Demë Muja, Sherif Bala, e të tjerë UDBashë të Komunës se Pejës. Për konceptin tim, edhe JB, Ibrahim Rugova, e deri te Ukshin Hoti, atë vit ishin të ranguar më lart se secili UDB-ash në hierarkinë e sistemit titist. JB në këtë intervistë e lavdëron edhe Jusuf Gërvallën, si koleg gazetar në “Rilindje” dhe si poet, por nuk reflekton për bashkëfajësinë për vrasjen e Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, më 17 janar 1982. Tangent plason se vrasja mund të kishte qenë pasoj e grindjeve mes grupeve. Ky sepkulim është përdor e vazhdon të përdoret nga titistët. Nuk kemi pas grindje mes grupeve “ilegale”, por kishim grindje me gupe që i formonte UDB-ja – në kuadër të luftës diversioniste që na bënin.

Pra, të ishe gazetar në “Rilindje”, sekretar partie në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë (LKJ), apo anëtar i Këshillit Ekzekutiv (qeverisë), kishte tjetër peshë. Gazetarët e punësuar në organin e Lidhjes Socialiste të Popullit Punues (LSPP) – siç quhej organizata e masave që komandohej nga LKJ-ja – ishin misionarë të indoktrinimit titist. Prandaj edhe paguheshin disa herë më mirë se mësuesit, siç e informon edhe vetë JB në këtë intervistë: “Unë merrja pagë dy-tre herë më të madhe se babai im mësues.”

UDB-ashët ekzistonin për t’i mbikëqyrur ata që nuk arrinin t’i indoktrinonin gazetarët e “Rilindjes” dhe LKJ-ja. Prandaj unë përherë jam shprehur që të mos i kemi tabelë qitjeje vetëm UDB-ashët, sepse ata ishin vetëm një hallkë në sistemin titist – siç ishin mësuesit, arsimtarët, profesorët, gazetarët e deri te qeveritarët. Edhe vëllazërinë i këshilloja të mos i damkosin UDB-ashët vetëm pse kishin qenë torturues të tyre, por t’i damkosin UDBashët që kanë bërë dhunime të kundërligjshme fizike. Ta zëmë, siç ka ndodh edhe me demaskosje të mësuesëve Musa Hoti në Drenicë apo arsimtari Sadik Blakaj, i punësuar në Malishevë të Gjilanit, për abuzim me nxënëse minorene…

Po e potencoi edhe njëherë: erdhi keq që JB e glorifikoi me zell emocional organin e LSPP-së “Rilindja” dhe gazetarët e saj. Besoj se nëse do të pyetej për organin e Frontit Demokratik të Shqipërisë “Bashkimi” dhe gazetarët e tij, do t’i diskualifikonte si dogmatë marksistë-leninistë, enveristë, duke heshtur faktin se ishte një simotër e LSPP-së dhe e sivëllezërve gazetarë të “Rilindjes”, pasi ishin në të njëjtin rangim në sistemet moniste të shteteve socialiste.

Besoj se mjafton me kaq sqarimi pse ishim armiq. Ata, titistët, ishin përherë të dhunshëm gjatë gjithë ekzistencës së Jugosllavisë socialiste kundër nesh, kundërshtarëve ideopolitikë dhe veprimtarëve çlirimtarë. Ndërsa ne ishim vetëm kundërshtarë ideopolitikë, meqë asnjëherë nuk kemi ushtruar dhunë fizike kundër tyre (ndoshta për shkak të frikës, e jo se ishim domosdo paqësorë).

Me JB kisha njohje qysh në vitin 1978, kur u angazhova në konsolidimin e Klubit Shqiptar në Dyseldorf të Gjermanisë. U takonim dy “fronteve”. Ai insistonte ta quanim “Klub i punëtorëve jugosllavë”, siç urdhëronte konsullata e Jugosllavisë në Dyseldorf, ndërsa ne anëtarët këmbëngulnim ta quanim “Klub Shqiptar”. Fatmirësisht, në anën tonë u pozicionua Shefqet Hashani, njëri nga 5 ish-krye-UDB-ashët e 5 drejtorive të UDB-së së KSAK-së, i emëruar sekretar i parë në Ambasadën e RSFJ-së në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1977.

UDB-ashi Shefqet Hashani na trimëroi në një mbledhje vendimtare në ambientet e Klubit, duke thënë në prani të konsullit jugosllav, stafit të tij dhe “gazetarit” JB, se shqiptarëve të Jugosllavisë u takon e drejta kushtetuese të prezantohen si shqiptarë edhe në Gjermani.

Megjithatë, me JB asnjëherë nuk jemi grindur as kur i frekuentonte konferencat e shtypit në Bindesprresehaus në Bonn; kishim respekt të ndërsjellë, “diplomatik” do të thosha. Të paktën një herë më ka ftuar mysafir në shtëpi dhe ma ka dhuruar albumin e baletit “Halili dhe Hajria”, libretin e të cilit e kishte shkruar.

E futa në thonjëza profesionin e JB në Gjermani, sepse ai nuk ishte thjesht vetëm gazetar. Atë dyshim të atëhershëm ma vërtetoi vetë JB, të cilit në një intervistë para pak javësh aksidentalisht i shpëtoi informacioni se Rexhai Surroi (zëvendësministër i Jashtëm i RSFJ-së) në vitin 1975 ia kishte mundësuar angazhimin në Gjermani. JB me atë rast nuk e konkretizoi se mos ndoshta e kishte angazhuar si diplomat, sepse nuk ishte në kompetencën e Ministrisë së Jashtme të RSFJ-së të angazhonte gazetarë korrespondentë. (Vetëm atëherë u informova se Rexhai Surroi, babai i Vetonit dhe Flakës, kishte qenë edhe zëvendësministër i Jashtëm i RSFJ-së).

Nuk e kam ndryshuar mirësjelljen “diplomatike” ndaj JB as kur në Panairin e Librit në Frankfurt (në tetor 1978 apo 1979) u takuam te standi i “Rilindjes”. Aty Shefqet Hashani, me ton humoristik e në prani të JB, tha: “Kujdes ju iredentistët, mos flisni gjë që ju dëmton në prani të Jusufit, sepse ky është i detyruar të më raportojë mua, e unë jam i detyruar t’ia përcjell Ministrisë së Jashtme në Beograd” (perifrazim). JB nuk reagoi me zë. [UDBashi Shefqet Hashani në maj 1981 është arrestuar në aeroport të Beogradit dhe është dënuar nga gjykata në Beograd 8,5 vite burg; ka statusin zyrtar të të burgosurit politik në Kosovë dhe është kompensuar financiarisht.]

Nuk e kam ndryshuar mirësjelljen “diplomatike” as kur bashkëveprimtari Hysen Gega, në vitin 1990, pasi kreu dënimin, u paraqit në kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe informoi: “Jusuf Buxhovi në vitin 1981 ka qenë i pranishëm kur më kanë marrë në pyetje UDB-ashët në burgun hetues në Prizren.” Në të dyja rastet e vlerësoja JB me pozicion më të lartë se të një UDB-ashi në sistemin monist titist; në asnjërin rast nuk ka ushtruar dhunë, por ka zbatuar ligjet dhe rregulloret përkatëse të atij sistemi.

Për JB si shkrimtar e si gazetar, e tashmë edhe si historian, përherë kam pasur dhe kam respekt, sepse volumi i veprimtarisë së tij është aq i madh sa ngjan me një institut të terë.

Tani sqarimi se pse “armiqësi mes Kelmendëve”:

JB kësaj radhe na tregoi se babai i tij ishte lindur në fshatin Reka e Allagës në Rugovë të Pejës, por e anashkaloi konkretizimin se ishte Kelmend. Biografia e babait të tij më impresionoi, meqë edhe ai, si Ali Kelmendi, ishte arsimuar në Elbasan dhe kishte bërë karrierë si mësues në Kosovën e ripushtuar nga Jugosllavia titiste.

Fisi Kelmend është “nënë e vaktive”, thoshin moti pleqtë Kelmendë kur bënin humor ironik kundër fisit të tyre. Edhe tani, kur duan të më shajnë në rrjete sociale, më quajnë kushëri të Karagjorgjit (Gjergji i Zi në osmanisht), udhëheqësit të Kryengritjes së Parë Serbe (1804–1813). Thonë se edhe ai kishte prejardhje nga Kelmendi.

Edhe për Miladin Popoviqin flitej se ishte pinjoll Kelmend – bile nga një kushëri i Miladinit, intelektual i afirmuar në Gjermani jam informuar se janë pinjollë të djalit të Norës së Kelmendit, meqë Nora, kur është arratisur pas vrasjes së Vuqo Pashës, ka qenë shtatzënë katërmuajsh. Ka kërkuar azil në kishë në Cetinë dhe për djalin që i lindi aty është përkujdes popi (prift ortodoks malazez). Besimtarët e asaj kishe e thërrisnin djalin e Norës “Popoviq”, prandaj i kishte mbetur emri Popoviq, ndërsa pasardhësve të tij mbiemri Popoviq.

Ali Kelmendi u bë protagonist me rëndësi në Shqipëri për frymëzimin e lëvizjes komuniste.
Shkrimtarët Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi, Azem Shkreli dhe shumë Kelmendë të tjerë janë protagonistë të afirmuar edhe në sferën e krijimtarisë letrare.

Sadik Bekteshi, Kelmend nga Vuthajt, ishte protagonist në LANÇ-in e Shqipërisë dhe në Ushtrinë Shqiptare, si dhe protagonist në organizimin e përfaqësimin në Konferencën LNÇ të Kosovës, mbajtur në Bujan në vitin 1944.

Edhe Rexhep Rama, vjehrri i Sali Berishës, i emigruar nga Martinajt e Plavës në Shqipëri, fatkeqësisht ishte Kelmend.
Bashkim Ulaj, gjithashtu Kelmend, tashmë po përflitet si oligark në Shqipëri, edhe pse në vitin 1991 ishte varfanjak si shumica e madhe e shqiptarëve atje, por me ndihmë financiare nga kushërinjtë në SHBA e filloi biznesin e ndërtimit në Tiranë.

Ibrahim Rugova, po ashtu Kelmend, është “qershia mbi tortë”, sepse është glorifikuesi më grotesk i Josip Broz Titos – eprorit të tij ideologjik, ndoshta edhe shpirtëror. Vazhdoi me dyshua se ishte kuisling klandestin i Millosheviqit…
Etj., etj. Pra, edhe Fisi Kelmend kishte turlifarë Kelmendësh, deri edhe armiq mes tyre.

Po i rikthehem tematikës:

JB për mua vazhdon të jetë bashkëfajtor për shkak të angazhimeve të tij në sistemin titisto-jugosllav. Kjo ka vazhduar deri në fund të vitit 1989, kur ai themeloi LDK-në. Vazhdoj të dyshoj se ajo nuk ka qenë ide autentike, por e komanduar. Ai tani mund të shfrytëzojë amerikanët, si këshilltarë të tij për themelim të LDK-së, sepse pushtetarët amerikanë nga viti 1950 e deri më 24 mars 1999 ishin përkrahësit më të fuqishëm në botë ndaj Jugosllavinë e Serbinë, ndoshta më shumë se edhe ndaj Izraelit…

Paragjykimet urrejtëse kundër nesh të Lëvizjes JB vazhdon t’i ketë, edhe pse i shfaq me taktizim titist.
Uroj të reagojë kundër këtij “reagimi” tim – që të bëjmë debat, sepse kështu ndihmojmë të sqarohet pse kanë ndodhur armiqësitë mes nesh, çfarë përmasash kishin, pse ia dolëm t’i sfidojmë, etj.

Shëndet, mbarësi e respekt për Jusuf Buxhovin, duke e falënderuar për këtë intervistë!

PS.:
Mund që do i rikthehem intervistës për ca “cikërrime”, sidomos për puçet që na i kanë bërë LDK-ucët, ndaj Kuvendit të Tretë të Lëvizjes, mbajtur në tetor 1991, duke e josh kryesinë e sapo zgjedhur të Lëvizjes (Gani Syla, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni…) për të dezertuar, meqë në LDK ju ofruan favore ekstra, deri të komploti në Oslo, më 22 maj 1998, ku u morën vesh uçk-ja e Xhavit Halitit dhe Adem Demaçit me FARK-un e Ahmet Krasniqit dhe Bujar Bukoshit – për ta komplotuar bashkarish Kryengritje e UÇK-së të Vegjëlisë çlirimtare të Kosovës…

Fatmirësisht i sfiduam!

Ndiqni intervistën në youtube:

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.