(Kushtuar Ramadan Govorit, imamit atdhetar, udhëheqës i NDSH-së në rrethin e Llapit,
të dënuar disa herë me burgim të gjatë)
Ishte burrë
me shpirtin si granit,
në kokë çdoherë
mbante maramë dhe plis.
I rreptë,
me zemër çelik,
rrufe mbi armiqtë.
Me profesion
ishte imam,
por kudo që predikonte
thoshte:
“Pa atdhe e liri,
feja është vetëm mallkim.”
Si udhëheqës i NDSH-së
në rrethin e Llapit,
mobilizoi rininë
duke thënë:
“Derisa e kemi Shqipërinë,
pse të jetojmë
nën sundimin serbo-sllav?
Zgjohuni, zgjohuni,
o vëllezër shqiptarë,
se unë, për të gjallë,
s’pranoj të jetoj
nën Serbi,
që të parët e mi
i ka vrarë,
i ka grirë,
shtëpi e tokë
ua ka rrëmbyer
nga Nishi
deri në Sjenicë.”
Këta të pashpirt
e të pabesë,
edhe gjatë Luftës Antifashiste,
në gjak na kanë larë,
edhe pse eshtrat
deri në Srem
i kemi lënë.
Disa herë
e dënuan
me burgim të gjatë,
por deri në vdekje
mbeti skifter,
duke mbrojtur folenë
në shkrepat
dhe pllajat
e Sharrit
dhe Krajës.
Ushqehej
me grurin
dhe misrin
e Fushës së Kosovës,
kurse pushimin e bënte
dhe etjen e shuante
në krojet e Grykës së Rugovës.
Dyshek
e kishte
tokën e Llapit,
jastëk
gurët e Gallapit,
e jorgan
rrasat
e Malësisë së Gjakovës.
Çamërinë
dhe Tivarin
i kishte plagë
të pashëruara.
Mallkonte
Londër e Berlin
dhe të shiturit,
që për kolltuk
Shqipërisë
ia prenë degët
dhe e lanë
vetëm trung.
Arif Ejupi
Gjenevë, 28 Nëntor 1995
Çdo riprodhim, shpërndarje, publikim ose shfrytëzim i paautorizuar i këtij materiali, në çfarëdo forme apo mënyre, përbën shkelje të të drejtave të autorit dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Shkelësit e këtyre të drejtave mund të përballen me masa ligjore përkatëse.











