25.1 C
Tirana
E shtunë, 3 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj TRUALLI NË TË DREJTËN DOKËSORE SHQIPTARE

TRUALLI NË TË DREJTËN DOKËSORE SHQIPTARE

0
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

1. Trualli si institut i së drejtës pasurore

Në të drejtën dokësore shqiptare, trualli nuk është thjesht një sipërfaqe toke ose një parcelë e caktuar, por një hapësirë juridike, ekonomike dhe shoqërore mbi të cilën mbështetet familja, shtëpia dhe një pjesë e rëndësishme e jetës së bashkësisë. Ai është njëkohësisht vendbanim, burim prodhimi, bazë e pronës familjare, fushë e ushtrimit të të drejtave dhe detyrimeve dhe pikë referimi për caktimin e kufijve ndërmjet familjeve, shtëpive, lagjeve dhe bashkësive. Për këtë arsye, ai duhet parë si një nga bazat materiale të organizimit të shoqërisë tradicionale shqiptare.

Kanuni i Lekë Dukagjinit, në Librin IV, “Shpi, gjâ e prone”, e vë pronën në raport të drejtpërdrejtë me shtëpinë. Sipas §213, çdo shtëpi që “qet tym” duhet të ketë pronat e veta, ndërsa §214 përcakton përmbajtjen e “plangut të shpisë”, që përfshin oborrin, kopshtin, vreshtin, arën, livadhin, xânën, udhën, shtegun dhe kufijtë.¹ Kjo dispozitë ka rëndësi të veçantë për historinë e së drejtës, sepse tregon se prona familjare nuk konceptohej si pasuri e izoluar, por si një tërësi pasurore e lidhur organikisht me shtëpinë. Prandaj “plangu” duhet kuptuar si një nga konceptet themelore të sistemit pasuror kanunor.

2. Kuptimi juridik i truallit dhe i “plangut”

Termi “truall” në kuptimin e përgjithshëm lidhet me tokën mbi të cilën ngrihet një ndërtesë ose zhvillohet një veprimtari e caktuar. Në terminologjinë e Kanunit haset më shpesh fjala “plang”, me përmbajtje më të gjerë. Sipas §214, “plangu i shpisë” përfshin jo vetëm vendin ku qëndron shtëpia, por edhe pasuritë dhe të drejtat që lidhen me të: oborrin, kopshtin, vreshtin, arën, livadhin, xânën, rrugën, shtegun dhe kufijtë.²

Në këtë kuptim, plangu mund të konsiderohet njësia themelore territoriale e pronës familjare, ndërsa trualli është një nga elementet e kësaj njësie. Dallimi ka rëndësi metodologjike, sepse shmang barazimin mekanik të termave juridikë të sotëm me termat e një sistemi zakonor të lashtë.

3. Trualli dhe shtëpia

Lidhja ndërmjet truallit dhe shtëpisë është themelore në Kanun. Shtëpia nuk qëndron e shkëputur nga toka; ajo është qendra e një njësie pasurore që përfshin truallin dhe pasuritë e tjera që e rrethojnë. Kështu krijohet një lidhje e trefishtë: shtëpia – plangu – familja. Shtëpia përfaqëson njësinë shoqërore, plangu bazën e saj territoriale e pasurore, ndërsa familja është bashkësia njerëzore që e përdor dhe e trashëgon atë.

Kjo shpjegon pse Kanuni e fillon përcaktimin e pronave me formulën: “Shkaf â’shpi, qi qet tym, do të két pronet e veta.”³ Pronësia nuk konceptohet vetëm si e drejtë individuale e një personi, por si atribut i shtëpisë, dhe ky është një nga dallimet themelore ndërmjet konceptit kanunor dhe atij modern të pronës.

4. Trualli si bazë e vazhdimësisë familjare

Familja nuk ishte vetëm një bashkësi njerëzish nën të njëjtën çati, por edhe një bashkësi e lidhur me një tokë, një shtëpi dhe një pasuri të trashëguar. Kjo shpjegon rëndësinë që Kanuni i jep ruajtjes së “plangut”. Në sistemin kanunor, toka nuk qarkullonte lirisht sipas vullnetit individual të çdo pjesëtari të familjes; në shumë raste ajo lidhej me trungun dhe duhej të ruhej brenda tij. Në këtë kuptim, trualli ishte pasuri e së tashmes, por edhe amanet i së kaluarës për brezat e ardhshëm.

Kjo lidhje shfaqet qartë në rregullat e trashëgimisë: toka e të parëve ndahet ndërmjet vëllezërve sipas pjesëve të tyre, ndërsa pasuria e përbashkët e disa kategorive mbetet e pandarë.⁴

5. Toka e të parëve dhe toka e fituar

Sistemi pasuror kanunor dallon tokën e trashëguar nga të parët nga toka e fituar më vonë. Sipas §66: “Toka e të parve do të dahet me terkuzë – per vllà.” Toka e blerë nga djemtë pas vdekjes së prindërve ndahet sipas një rregulli tjetër. Në të njëjtin nen përcaktohet se arat, vreshtat, livadhet, xânat, ograjat, prozhmet dhe zabelet ndahen ndërmjet vëllezërve, ndërsa kujria, mali dhe bjeshka nuk ndahen, por mbahen bashkë.⁵

Kjo dispozitë tregon se e drejta dokësore dallonte pronën individuale familjare, që mund të ndahej, nga pasuria e përbashkët e bashkësisë, që mbetej e pandarë. Dallimi është thelbësor për të kuptuar strukturën ekonomike të bashkësive tradicionale shqiptare.

6. Trualli privat dhe pasuria e përbashkët

Kanuni nuk ndërton një sistem ku e gjithë toka është private. Ai njeh bashkëjetesën e tri shtresave: pronës së shtëpisë, pronës së familjes ose vëllazërisë dhe pasurisë së përbashkët të katundit ose të flamurit. Sipas §215, të gjitha “tymet” kanë pjesë në kujri, ndërsa §217 përcakton se kujria, mali dhe bjeshka janë të përbashkëta për nguljen e stanëve, për lëndë, almise dhe dru.⁶

Kjo formë pronësie shpreh një parim të rëndësishëm: disa burime natyrore nuk mund të monopolizoheshin nga një familje e vetme, sepse shërbenin për ekzistencën e gjithë bashkësisë. Sistemi kanunor nuk është as thjesht individualist, as plotësisht kolektiv, por ndërton një ekuilibër ndërmjet pronës familjare dhe përdorimit të përbashkët të pasurive natyrore.

7. Trualli i ri dhe e drejta e zënies

Një nga dispozitat më të rëndësishme për mënyrën e krijimit të së drejtës mbi truallin është §219. Sipas saj, kush shkon në bjeshkë dhe ngul aty vathë ose stan, së bashku me truall, kopsht ose copë arë, dhe e çel tokën me punën e vet, e fiton atë dhe nuk mund të ndalohet apo të nxirret prej saj.⁷

Kjo është një formë e zënies dhe e përpunimit si burim i njohjes së së drejtës mbi truallin. E drejta nuk buron vetëm nga trashëgimia, por edhe nga fakti që një person vendoset në një vend, hap tokën, e punon dhe krijon një pasuri të dobishme. Në këtë mënyrë shfaqet roli i punës si themel i legjitimimit të së drejtës zakonore.

8. Trualli dhe përdorimi i burimeve natyrore

Trualli në të drejtën dokësore nuk kufizohet te toka e punueshme; ai lidhet edhe me pemët, kullotat, ujin, pyjet dhe burimet e tjera të hapësirës përkatëse. Kanuni parashikon, për shembull, se mrizat dhe lisat që dikush i ka lënë për të pushuar gjënë nuk mund t’i presë askush, sepse i përkasin atij që i ka ngulur i pari në atë vend.⁸

Megjithatë, nuk kemi një koncept absolut të pronësisë mbi gjithçka që ndodhet në tokë. Duhet dalluar ndërmjet pronësisë, përdorimit, shfrytëzimit dhe të drejtave të përbashkëta, dhe ky dallim është karakteristikë e rëndësishme e sistemit dokësor.

9. Kufiri si element i truallit

Trualli nuk mund të kuptohet pa institutin e kufirit. Kanuni i kushton kufirit një kapitull të posaçëm dhe vendos parimin themelor: “Kufijt e tokës nuk luhen.”⁹ Sipas §238, kufiri shënohej me gurë të mëdhenj, të ngulur thellë në tokë, që shërbenin si shenja të qëndrueshme; rreth gurit të kufirit vendoseshin edhe gurë të tjerë, më të vegjël, që shërbenin si dëshmitarë.¹⁰

Kjo është një formë e materializimit fizik të së drejtës së pronësisë. Kufiri nuk ishte vetëm vijë imagjinare në hapësirë, por mishërohej në gur, pemë ose shenja të tjera të dukshme dhe ruhej nga kujtesa e bashkësisë.

10. Kufiri si kujtesë kolektive

Kanuni kujdesej që kufiri të mos harrohej. Sipas §240, në vendosjen e kufijve, përveç pjesëtarëve të familjeve, duhet të ishin të pranishëm pleqtë e katundit dhe të flamurit, sa më shumë të rinj e fëmijë, madje edhe njerëz nga katundet përreth, në mënyrë që kufiri të mbahej mend.¹¹

Kjo dispozitë ka rëndësi të veçantë për historinë e së drejtës, sepse tregon se kujtesa kolektive përdorej si instrument juridik. Në mungesë të regjistrit kadastral, të dokumentit shtetëror dhe të hartës teknike, bashkësia shërbente si “arkiv njerëzor” i pronës. Fëmijët dhe të rinjtë nuk ishin thjesht spektatorë; ata merrnin pjesë në krijimin e kujtesës së kufirit dhe bëheshin bartës të saj për brezat e ardhshëm. Kufiri përbënte kështu njëkohësisht shenjë fizike, dëshmi njerëzore, kujtesë familjare dhe garanci komunitare.

11. Parimi i pandryshueshmërisë së kufirit

Kanuni vendos një parim të prerë: “Kufini i ngulun nji herë, nuk luhet mâ.”¹² Ky parim është garanci për stabilitetin e pronës. Ndryshimi arbitrar i kufirit do të sillte jo vetëm dëm ekonomik, por edhe prishje të marrëdhënieve ndërmjet familjeve. Prandaj kufiri mbrohej me autoritet të shumëfishtë: shenjën materiale, dëshmitarët dhe pleqësinë.

Këtu duket qartë karakteri vetëqeverisës i sistemit: konflikti mbi tokën nuk zgjidhej vetëm nga individët, por i nënshtrohej një mekanizmi shoqëror të njohjes së kufirit.

12. Trualli dhe kujria

Një vend të veçantë në sistemin pasuror zë kujria. Ndryshe nga trualli i shtëpisë, që lidhet me një familje të caktuar, kujria është pasuri e përbashkët e bashkësisë. Kanuni përcakton se ajo nuk ndahet dhe se familjet e katundit ose të flamurit kanë të drejtë ta përdorin.¹³ Kjo krijon dallim të qartë ndërmjet pronës private familjare dhe pasurisë së përbashkët komunitare.

Kujria shërbente për kullotë, dru dhe veprimtari të tjera jetike. Në këtë mënyrë e drejta dokësore krijonte një sistem të menaxhimit të burimeve natyrore që kërkonte bashkëpunimin e të gjithë pjesëtarëve.

13. Të drejtat individuale në kujri

Edhe pse e përbashkët, kujria lejonte disa të drejta individuale që buronin nga përdorimi i saj. Nëse dikush mbillte një pemë në kujri, ai kishte të drejtë mbi drurin e pemës dhe mund ta priste kur ta shihte të arsyeshme, ndërsa frutat mund t’i merrte kushdo.¹⁴

Norma dallon të drejtën mbi pemën, të drejtën mbi frutin dhe të drejtën mbi tokën ku ndodhet pema. Kjo tregon se një pronësi ose e drejtë përdorimi mund të ndahej në elemente të veçanta dhe dëshmon sofistikimin e së drejtës dokësore në rregullimin e marrëdhënieve konkrete pasurore.

14. Trualli dhe uji

Në një shoqëri bujqësore dhe blegtorale, e drejta mbi tokën nuk mund të shkëputej nga e drejta mbi ujin. Kanuni përcakton rregulla për vadën dhe për rendin e ujit, me qëllim që përdorimi i ujit nga një familje të mos dëmtonte tokën dhe prodhimin e familjeve të tjera. Kush e ndryshon rrjedhën e ujit për interesin e vet duhet të marrë përsipër punën dhe përgjegjësinë për ta kthyer atë, që të mos dëmtohen të tjerët.¹⁵

Norma mbron kështu jo vetëm një burim natyror, por edhe ekuilibrin ndërmjet pronave. Ajo tregon se e drejta mbi truallin kishte kufij: pronari nuk mund ta përdorte pronën e vet në mënyrë që të dëmtonte pronën e fqinjit.

1. Trualli dhe marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve

Në të drejtën dokësore prona nuk ekziston në izolim: çdo truall ka fqinj dhe çdo përdorim i tokës mund të ketë pasoja mbi tokën tjetër. Rregullat mbi kufirin, ujin, rrugën, shtegun, kullotën dhe pemët krijojnë një sistem të plotë marrëdhëniesh ndërmjet pronarëve. E drejta dokësore kërkonte që ushtrimi i së drejtës mbi truallin të mos bëhej burim dëmi për tjetrin. Kufiri nuk ishte vetëm ndarja e pronës, por edhe pika ku fillonin detyrimet ndaj fqinjit.

16. Trashëgimia dhe kufizimet në tjetërsim

Trualli ishte nga pasuritë më të rëndësishme që trashëgoheshin brenda familjes, në përputhje me parimin e vazhdimësisë së trungut dhe me sistemin kanunor të trashëgimisë. Në ndarjen e vëllezërve, toka e të parëve ndahej ndërmjet tyre, ndërsa disa pasuri mbeteshin të përbashkëta.¹⁶ Sistemi krijonte kështu ekuilibër ndërmjet ndarjes së pasurisë ndërmjet degëve familjare dhe ruajtjes së pasurive të përbashkëta të bashkësisë. Kjo duket sidomos te mali, bjeshka dhe kujria, që nuk ndaheshin sipas modelit të tokës bujqësore.

Për të njëjtën arsye, trualli nuk ishte gjithmonë i lirë për t’u tjetërsuar sipas dëshirës individuale. Kanuni ka norma të veçanta mbi shitjen e tokës dhe kushtet që duhet të respektohen para se ajo t’i kalojë një blerësi; në disa raste, mosrespektimi i tyre ndikonte drejtpërdrejt në fuqinë e blerësit për ta rishitur tokën.¹⁷ Toka nuk ishte pra mall i zakonshëm, por kishte status të veçantë ekonomik dhe familjar.

17. Trualli si pasuri me vlerë ekonomike

Megjithë vlerën shoqërore dhe familjare, Kanuni njihte edhe vlerën ekonomike të truallit. Në listën e çmimeve kanunore, §484 përcakton vlerën e “plangut a trollit të shpis” prej 500 grosh dhe, për tokën, jep edhe raportin ndërmjet prodhimit dhe vlerës së saj.¹⁸ Kjo është dëshmi e drejtpërdrejtë se trualli ishte objekt i një vlerësimi ekonomik të njohur nga e drejta dokësore. Ai kishte njëkohësisht vlerë territoriale, familjare, ekonomike, trashëgimore dhe shoqërore, shumësi që e bën një nga institucionet më të rëndësishme të së drejtës pasurore kanunore.

18. Trualli në marrëdhëniet kontraktore

Trualli lidhej edhe me kontratat dhe veprimet juridike: shitjen, shkëmbimin, huanë, qiranë dhe pengun. Duhet bërë dallimi ndërmjet pronësisë mbi truallin dhe së drejtës së përdorimit të tij. Shitja synon kalimin e së drejtës mbi pasurinë, qiraja lidhet me përdorimin, pengu me sigurimin e një detyrimi, ndërsa marrëdhënie të tjera mund të krijonin të drejta të kufizuara mbi tokën.

Kanuni i trajton këto marrëdhënie në një sistem ku fjala e dhënë, dëshmitarët, pleqësia dhe njohja nga bashkësia kishin vlerë juridike. Prandaj kontrata pasurore nuk ishte veprim thjesht privat, por pjesë e një rendi shoqëror që garantonte njohjen dhe respektimin e marrëveshjes.

1. Trualli, kufiri dhe vetëqeverisja e bashkësisë

Në kuadrin e kësaj vepre, ky është ndoshta aspekti më i rëndësishëm: trualli nuk duhet parë vetëm si çështje pronësie, por edhe si bazë territoriale e vetëqeverisjes. Bashkësia duhej të përcaktonte kush e zotëronte një tokë, ku fillonte dhe ku mbaronte ajo, kush kishte të drejtë mbi kullotën, pyllin dhe ujin, si administrohej kujria, si ndaheshin pronat dhe si zgjidheshin konfliktet. Këto çështje kërkonin një autoritet rregullues. Në mungesë të administratës shtetërore moderne, këtë funksion e kryente vetë bashkësia përmes pleqve, dëshmitarëve, kuvendit dhe institucioneve të tjera të rendit dokësor.¹⁹

Mosmarrëveshjet për truallin dhe kufirin mund të ishin shumë të rënda, prandaj Kanuni ofron mekanizma për përcaktimin e së drejtës dhe zgjidhjen e konfliktit. Prania e pleqve në vendosjen e kufijve nuk është rastësi: ata shërbenin si garantë të kujtesës dhe të së drejtës së bashkësisë. Kufiri nuk ishte vetëm fakt gjeografik, por fakt juridik i njohur nga komuniteti. Kjo mënyrë rregullimi e afron sistemin kanunor me një formë të vetëadministrimit juridik, ku komuniteti prodhon, ruan dhe zbaton normën, dhe është një nga dëshmitë më të forta të karakterit vetëqeverisës të Kanunit.

20. Trualli në sistemin e së drejtës dokësore dhe në raport me pronësinë moderne

Nga analiza e normave del se trualli është pjesë e një sistemi më të gjerë, ku ndërthuren familja, prona, trualli, kufiri, trashëgimia, kontrata dhe bashkësia. Asnjë prej këtyre elementeve nuk kuptohet plotësisht i shkëputur nga të tjerët: familja zotëron dhe përdor truallin, trualli trashëgohet, kufiri e mbron, kontrata mund t’i ndryshojë ose kufizojë të drejtat mbi të, bashkësia garanton respektimin e kufijve dhe pleqësia zgjidh konfliktet.

Krahasimi me të drejtën moderne duhet bërë me kujdes. Pronësia moderne është e drejtë subjektive që i jep pronarit kompetenca të përcaktuara nga ligji për ta përdorur, gëzuar dhe disponuar pasurinë. Në të drejtën dokësore, pronësia mbi truallin ishte shumë më e ndërthurur me familjen, trungun, farefisninë, bashkësinë, kujtesën e kufirit dhe detyrimet ndaj fqinjëve. Ajo ishte kështu një e drejtë individuale e kufizuar nga detyrimet familjare dhe komunitare dhe jo plotësisht individualiste, dhe pikërisht kjo e dallon sistemin kanunor nga koncepti modern i pronësisë.

21. Trualli si kujtesë historike

Përtej vlerës juridike dhe ekonomike, trualli kishte edhe funksion të fuqishëm simbolik: ai përfaqësonte tokën e të parëve. Kufiri, guri, pema, shtëpia, ara, livadhi dhe bjeshka formonin një hartë të kujtesës familjare. Humbja e truallit nuk përjetohej vetëm si humbje ekonomike, por edhe si humbje e një pjese të historisë së familjes. Kjo shpjegon pse në traditën shqiptare prona lidhej kaq ngushtë me emrin, nderin dhe vazhdimësinë e shtëpisë.

Trualli përbën një nga institucionet themelore të sistemit pasuror të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ai nuk ishte thjesht një copë tokë, por hapësira juridike dhe materiale e familjes, baza e shtëpisë, burimi i jetesës, objekt i trashëgimisë, pikë referimi e kufijve dhe element kryesor i vazhdimësisë së trungut.

Koncepti i “plangut të shpisë” e dëshmon qartë këtë: plangu përfshinte oborrin, kopshtin, vreshtin, arën, livadhin, xânën, udhën, shtegun dhe kufijtë.²⁰ Kemi pra një kompleks pasuror territorial dhe jo një sipërfaqe toke të izoluar. Njëkohësisht, Kanuni njihte pasuri të përbashkëta, si kujria, mali dhe bjeshka, që tregon se sistemi dokësor nuk mbështetej vetëm te prona individuale, por ndërtonte ekuilibër ndërmjet pronës së shtëpisë dhe pasurisë së bashkësisë.

Një vend të veçantë zë sistemi i kufijve. Gurët e kufirit, gurët dëshmitarë, prania e pleqve, e burrave të katundit, e të rinjve dhe madje e fëmijëve tregojnë se e drejta mbi truallin mbështetej jo vetëm në shenjën materiale, por edhe në kujtesën kolektive.²¹ Bashkësia shërbente kështu si një “arkiv i gjallë” i pronës. Rregullat mbi trashëgiminë, ndarjen e vëllezërve, ruajtjen e plangut, përdorimin e ujit, kullotat dhe pyjet tregojnë se trualli ishte pjesë e një sistemi shumë më të gjerë marrëdhëniesh juridike.

Prandaj, në kuadrin e kësaj vepre, mund të përfundohet se trualli ishte një nga themelet materiale mbi të cilat ngrihej rendi familjar, ekonomik dhe vetëqeverisës i shoqërisë së Shqipërisë së Epërme. Nëse familja ishte njësia themelore e organizimit shoqëror, trualli ishte hapësira ku ajo ekzistonte; kufiri e mbronte atë hapësirë, trashëgimia e transmetonte dhe bashkësia garantonte respektimin e saj. Në këtë mënyrë, institucioni i truallit lidhet drejtpërdrejt me tezën qendrore të veprës: Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk ishte vetëm sistem normash mbi marrëdhëniet private, por edhe mekanizëm organizimi dhe vetëqeverisjeje të bashkësisë, ku toka, prona dhe kufiri përbënin bazën materiale të këtij rendi.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.