Shkruan: Florim Zeqa, 17.10.2026
Ngjarjet e vitit 1997 mbetën një nga më të dhimbshmet të historisë së Shqipërisë. Shteti pothuajse u shkatërrua tërësisht dhe i gjithë populli u ngrit në protesta masive. Ngjarjet u provokuan nga rënia e skemave piramidale të kohës, të cilat sollën me vete një shkatërrim të paparë deri atëherë me mijëra viktima, si pasojë e marrjes së armëve nga depot e ushtrisë shqiptare.
Protesta me fytyra të hapura
Si gazetarë dhe analist i pavarur politik, e mbështes të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të kërkuar nga shteti të drejtat që ju mungojnë. Por dhuna nuk është mjet i zgjidhjes së problemeve në një shoqëri të civilizuar dhe demokratike të kohës!
Nuk mund të quhet protestë e lirë dhe demokratike, ku në mesin e protestueve paqesor futen njerëz me maska që godasin policinë e shtetit dhe piroman që iu vënë flakën institucioneve shtetërore!
Ngase, mes zërit që kërkon drejtësi dhe dorës që godet është një vijë e gjatë ndarëse, është një dallim i madh dhe substancial, parimor dhe njerëzor në radhë të parë!
Njerëzit me fytyra të mbuluara që përdorin dhunën, ndezin zjarre dhe shkatërrojnë hapësira publike nuk ia duan të mirën vendit, andaj duhet t’u çirren maskat, pasi ata mbajnë përgjegjësi morale dhe juridike për veprimet e tyre, ngase gjithçka e ndërtuar është arritur me mundin dhe djersën e qytetarëve të ndershëm të Shqipërisë!
Sa është e rrezikshme dhuna për jetën e qytetarëve, po aq është e rrezikshme zjarrvënja e objekteve dhe hapësirave publike që janë në shërbim dhe dobi të të gjithëve pavarësisht bindjeve politike apo ideologjike!
Protesta është test qytetarie
Nëse protesta e ruan paqen dhe qetësinë publike, dinjitetin dhe qëllimin e saj mund të shndërrohet në një dritare shprese dhe “armë e fuqishme drejt ndryshimit epokal, dhe e kundërta, nëse kthehet në mjet për të rrënuar gjithçka që është ndërtuar për vite dhe dekada pa e ditur çfarë do të ndërtohet në vend të saj!
Kritikat ndaj qeverisë janë qëllim dhe detyrë e opozitës, por jo edhe dhuna dhe shkatërrimi i gjithçkaje në emër të ndryshimit!
Kundërshtimi i një qeverisje të vendit pa ofruar alternativa është pak më tepër se utopike për qytetarët e vendit!
Shqipëria sot nuk ka nevojë për një garë se kush e përshkruan më zi e më keq vendin në sytë e botës demokratike, por për një garë idesh dhe programesh politike se kush mund t’i zgjidhë më mirë dhe më shpejt problemet e saj!
Në anën tjetër, shteti duhet të garantoj të drejtën e tubimeve paqësore pa përdorim të dhunës fizike!
Nëse vie në shprehje dhuna e protestuesve, edhe policia duhet ta përdorë atë në mënyrë proporcionale pa e rrezikuar jetën e protestuesve!
Era e ndryshimeve të vrullshme
Një gjë është e pakontestueshme, sot era e ndryshimeve politike është po aq aktuale sa ishte në vitin 1990. Por është një erë që duhet të bëjë ndryshime paqesore pa dhunë fizike!
Ata që po iu fryjnë zjarreve, prej të cilave atdheu ynë është djegur aq shpesh përgjatë historisë deri në vitin 1997, janë përgjegjësit kryesor të çdo trazire në bulevard, shesh apo rrugë!
Opozitarët le të dalin në ballë të protestës, por ju lutem që ta ndalin gjuhën e urrejtjes mes njëri-tjetrit dhe të mos i përdorni qytetarët e pafajshëm, nxënësit dhe studentët si instrumente të betejave të tyre për pushtet.
Problemet e akumuluara ndër vite dhe dekada zgjidhen në tryezën e dialogut mes forcave politike në pushtet dhe opozitë e jo në rrugë.
Bashkatdhetarë të dashur të Shqipërisë natyrale, kemi paguar çmime të larta për lirinë dhe demokracinë, nuk kemi nevojë të paguajmë përseri me gjakun tonë për liritë dhe të drejtat elementare, përfshirë sigurinë dhe barazinë shoqërore.
Nuk duhet lejuar që të nxjerret nga rruga Shqipëria Jonë në pragë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian! Këtë e duan vetëm armiqtë tonë! Të mos e paguajë Shqipëria një çmim kaq të lartë për ambiciet karrieriste dhe as të bie pre e politikave ditore!
Pas Flamurit Kuq e Zi duhet të rreshtohemi të gjithë njësoj sikurse protestuesi, polici, qeveritari dhe qytetari që mendon ndryshe, pa lën anash politikanët në pushtet apo opozitë që e urrejnë njëri-tjetrin. Ngase pa shtet as ekzistenca e politikanit nuk ka kuptim!
“Në politikë njeriu për njeriun është ujk”. (Zigmund Frojd)
Florim Zeqa, analist i pavarur politik











