I DASHUR ARMIK ! – reagim për filmin ‘Sophia’ të Eduard Grishaj

0
238
Sophia nga Eduard Grishaj
Arben Çokaj - gazetar
Arben Çokaj – gazetar

Arben Çokaj

Regjisori malësor Eduard Grishaj ka bërë një film “SOPHIA“, që trajton një temë mjaft delikate dhe të ndërlikuar, mes shqiptarëve dhe serbëve. Historinë fillestare dhe shtytjen, ai thotë se e ka marrë nga një tregim i vërtetë, nga At Zef Pllumi, në librin e tij interesant: “Rrno vetëm për me tregue“.

Filmin nuk e kam parë ende, besoj se do të jetë një film i mirë, kam parë trailerin dhe disa histori që lidhen me filmin, por kam lexuar edhe historinë e treguar nga At Zef Pllumi, dhe po fokusohem vetëm te historia e marrëzisë shqiptare në shekuj, të treguar edhe nga At Zef Pllumi si fisnikëri.

Filmi “Sophia” me sa duket e thuhet, bazohet në disa histori të vërteta, mes shqiptarëve e serbëve, që regjizori Grishaj i ka vënë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, ku në kohët e sotme, një vajzë serbe dashurohet me një djalë shqiptar… Filli ideologjik që përshkon filmin është pikërisht dashuria, e cila duhet të dominojë edhe marrëdhëniet shqiptare-serbe. Gjë që duket paksa utopike, duke parë historitë e armiqësisë mes serbëve e shqiptarëve në shekuj. Se sllavët erdhën në fakt në Iliri dhe na i zaptuan trojet tona, duke përfituar nga marrëzia e padija jonë… E sllavo-serbët nuk ndryshojnë taktikë, sado dëshirë të kemi ne.

Grishaj e ka marrë shtysën për filmin “Sophia” (dituria) nga një tregim i At Zef Pllumit, ku ai tregon në fakt, marrëzinë e një gruaje të paditur, por fisnike malësore, dhe aty e kupton edhe paradigmën e fatkeqësisë së shqiptarëve në shekuj, pse kanë humbur ata në histori me serbët, dhe pse serbët kanë fituar territore në Ilirinë tonë të lashtë, sa na kanë shtrydhur e tkurrur kaq keq. E shqiptari ‘nacionalist’ inatin më shumë me shqiptarët e ka!

Shiko Trailerin e filmit “Sophia”:

At Zef Pllumi në librin e tij mjaft tërheqës dhe intrigues, tregon ndër tjera një histori, që ka të bëjë me zakonet fisnike shqiptare, ku shtëpia e malësorit (shqiptarit) konsiderohet si “shtëpi e Zotit dhe e mikut“. Ka të bëjë me ligjet e Malësisë, me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ngjarja zhvillohet në Malësi, ku në një luftë me serbo-malazezët, një gruaje malësore i vritet burri e djali, dhe në atë përpjekje, një shkie serb mbetet i plagosur, por ai arrin të largohet dhe futet në shtëpinë e kësaj gruas malësore, ku kërkon ndihmë. Dhe për çudi, ndihma i jepet, nuk i kursehet, madje ai ‘miku’ serb merret edhe në mbrojtje…

Gruaja fisnike malësore (mos u habisni nëse fisnikëria në këtë rast, është edhe marrëzia më e madhe e shqiptarëve, nga e cila i humbëm gjithë këto troje të Ilirisë së lashtë) i hapë derën “mikut” të paftuar serb, e futë brenda dhe e ushqen e fillon t’i mjekojë edhe plagët. Kur lufta mbaron, vijnë malësorët dhe i tregojnë kësaj sojnikes, se ky serbi i plagosur është vrasësi i djalit të saj, dhe kjo ua kthen: “Mos më bëni tani edhe me turp, që ta pres në besë ‘mikun’ serb… pasi djalin e humba…“, pak a shumë kështu e sqaron pozitën e saj aspak komode, gruaja sojnike malësore në këtë rast.

Pra, për këtë malësore me zemër të madhe, siç thotë Milaim Zeka, ligji i Kanunit është ligji i Zotit, ajo nuk di më shumë se kaq, është genuine, e trashë sa s’ka, se nuk ka pasë ku me e marrë dijen atje majë maleve, pak fe e pak zakone dhe kaq. Dhe luan si të duash me të. Por zemrën e ka të madhe e të bardhë, kjo ka rëndësi, është zemërbardhë, e shqiptarët përkulen të gjithë me respekt para kësaj marrëzie, magjepsen, ndër ta edhe At Zef Pllumi dhe regjizori Grishaj, duke mos e kuptuar ndjenjën e inferioritetit kaq të madhe, që transmetohet me këtë akt, ndjenjën vetëvrasëse që ka ky komb, dhe nuk e vrasin serbin e plagosur, siç mund të kishte bërë çdo grua amerikane etj., por për të mos ia marrë nderin e erzën kësaj gruaje sojnike, ata e falin ‘miku’ serb, se ka hyrë në shtëpinë e saj. O Tempera, o Mores!

E miku në besë ka qenë kaq i rëndësishëm për shqiptarët, aq sa e ke dhënë edhe jetën për të. Ma mirë me dhanë jetën, se me u turpërua…

Këto kanë qenë edhe zakonet e Malësisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi, që i çuan ata nga humbja në humbje përgjatë historisë…

Prandaj po fokusohem këtu, te ky fenomen, mos vallë Kanuni i Lekës ka ardhur duke u tjetërsuar me pushtimet e gjata të shqiptarëve dhe modifikimi i tij, ka ndodhur pikërisht në atë mënyrë, që këto kode zakonore të lashta, të kthehen në varr-mihëset e shqiptarëve, që i adhurojnë ato?! Pra, ne kemi humbur në histori, se edhe armiqtë i kemi trajtuar si miq, e ata kanë ardhur, na kanë vrarë e na kanë marrë pronat e tokat…

E keqja më e madhe është, se edhe sot shumica e shqiptarëve janë folklorikë, e lehtë të bie në sy fakti se dija nuk hyn lehtë në kaptinën kockore të shqiptarit të trashë, që nga njëra anë i bën vetes në sy se kush m. është, por nga ana tjetër është një budalla i madh, që nuk kupton sa duhet, dhe preket, i vjen keq kur ia thua këtë.

Edhe At Zef Pllumin, që e mbajmë për mendje-ndritur, e vëmë re se i erren sytë nga kjo fisnikëri e marrëzisë shqiptare, se kot nuk e adhuron ai aktin sojnik të malësores ‘Sophia’ (dituria), që bën një marrëzi kaq emblematike, strehon e shëron armikun e vet, atë që i vrau djalin e saj. A ka budallallëk më të masdh se kaq, që edhe të adhurohet?! A mos vjen kjo ndjenjë ndoshta nga principi i krishterë, duaje armikun si të afërmin tënd?! Pse nuk kanë serbët këtë ndjenjë, por vëtëm shqiptarët? Kjo është pyetja.

Se shqiptarët i hanë llokum ideologjitë e tjerëve, i marrin për hyjnore. Fetë, komunizmin, demokracitë… etj. etj. Nisur nga ndjenja inferiore, shqiptarët i shohin të huajt me adhurim, pra, e vlerësojnë më shumë atë që nuk e njohin, e kjo nuk përbën zgjuarsi në fakt, por padije, mungesë përvoje! Fillon dhe i tregon shqiptarit gjëra që ti i di mirë, e ai mëzitet shpejt, duke të dëgjuar, i duket vetja më i zgjuar se ti, dhe do që t’i mësojë gjërat vetë, në mënyrën e vet, duke bërë edhe ai gabmet e tua, apo edhe më keq. Pra, sillet si racë e ulët, dhe nuk mëson lehtë nga përvoja!

Po nëse Kanuni e ka që mikun prite si mik, dhe shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, kur të vjen armiku si mik, ti duhet ta kuptosh dhe ta bësh diferencën. Kushdo popull në botë do e kishte vrarë vrasësin e djalit të saj, në atë rast, por jo sojnikja shqiptare përmbi gur, që e ushqen dhe e shëron vrasësin e djalit të saj. Kjo nga pikëpamja racionale.

Sa i përket marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ato dihet se kanë një armiqësi të thellë e gjenetike brenda dhe sado t’i falim ne serbët, instinkti i tyre është të kapin territore, ata nuk na falin ne. Por ne duhet të kemi marrëdhënie të mira me fqinjët, ndër ta edhe me serbët, duke i njohur ata se kush janë. Historitë mes popujve kështu kanë qenë, histori luftërash e konfliktesh, në këto kohët e reja, ne duhet të përpiqemi të ndërtojmë paqe, se ato që kanë ndodhur deri sot, nuk i zhbëjmë më. E për shqiptarët, të ruhen, të kenë kujdes dhe mend në kokë… dhe të mësojnë nga përvoja, të mos e mbyllin kaptinën për dije!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.