KUALFIKIMIT TË KOMBËTARES KROATE TË FUTBOLLIT NË TË TETËN E FINALES “QATAR 2022” I GËZOHET EDHE NDERIM REXHAJ, FIZIOTERAPEUT SHUMËVJEÇAR I SAJ

0
217
Nderim Rexhaj

Ciklet migruese të shqiptarëve të Kosovës, gjatë shekullit të kaluar dhe gjatë këtij fillim shekulli janë zhvilluar me intensitet të lartë.
Shkaktarë kryesorë i këtyre migrimeve masive ka qenë politika diskriminuese e ish -Jugosllavisë, komuniste karshi shqiptarëve.

Sistemi monist e totalitar i këtij shteti i dirigjuar nga serbët vazhdimisht i ka trajtuar shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë.

Si pasojë e kësaj shtypje të egër shqiptarët e Kosovës, përbëjnë numrin më të madh në Evropë të të shpërngulurve nga trojet e tyre etnike.

Ata përveç migrimit në kontinente të ndryshme kanë migruar edhe brenda hapësirave të ish-republikave jugosllave, si në Kroaci, Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë e aty-këtu edhe në Maqedoni e Vojvodinë. Shqiptarët në këto republika kanë shkuar në fund të viteve të 60-ta për të kërkuar punën që në vendin e tyre u mungonte.

Mungesa e perspektivës dhe e planeve të përgjithshme zhvillimore e veçanërisht politika e segregacionit në sferën e shkollimit dhe të punësimit sikur mijëra qytetarë të tjerë e kanë detyruar edhe z. Ali Rexhaj, nga Cërca e Burimit (ish-Istogu) që së bashku me të shoqen Sofë Ademaj Rexhaj të migrojë në Varazhdin të Kroacisë.

Ky qytet në veriperëndim të këtij vendi sikur në të kaluarën edhe tani njihet me kështjellat dhe katedralet e bukura të stilit barok të ndërtuara që në mesjetë.

Po ashtu Varazhdini konsiderohet si bazë e formimit të institucioneve të para kroate.
Shquhet edhe me industrinë jashtëzakonisht të zhvilluar të përpunim drurit, të galanterisë së lëkurës së këpucëve dhe fabrikën e modelimit, e të qepjes së rrobave “VARTEKS”

Me gjithë dëmet e pësuara gjatë përpjekjeve serbe të viteve 1991-1995 për invadim të Kroacisë, kjo qendër industriale dhe kulturore shpejt e ka rimarrë veten, duke kthyer pamjen e dikurshme.

Gati gjysmë shekulli jete dhe pune të përbashkët me qytetarët e Varazhdinit dhe të Kroacisë, i ka ndarë edhe familja e Ali Rexhajt.
Dashurinë për këtë vend Rexhajt e kanë kultivuar natyrshëm dhe pakurrfarë imponimi.
Ata gjatë konfliktit serbo- kroat me të gjitha mjetet janë vënë në mbrojtje të Kroacisë.

Gatishmërinë për mbrojtjen e vlerave qytetare të këtij vendi e tregon edhe aktivizimi i Nderimit, djalit të vetëm të Aliut në armatën kroate.
Familja Rexhaj edhe pse gjatë këtyre trazirave ka pasur mundësi kalimi në ndonjë vend të Evropës Perëndimore, për as një çast nuk ka lëvizur nga Varazhdini.

Kjo familje mikpritjen e ditëve të para në mërgim e ka cilësuar si të paharruar, andaj sakrificat qofshin edhe me jetë në mbrojtje të Kroacisë, i ka marrë si të zakonshme.

Aliu dyzet vjet me radhë ka qëndruar me timon në duar duke bërë punën e shoferit të autobusit në linjat ndërkombëtare. Falë njohjes së shkëlqyer të gjuhës gjermane ai ndërkohë ka udhëhequr edhe një agjencionin të pavarur nëpërmjet të cilit janë organizuar udhëtime në tërë Evropën.

Ai gjithmonë është dalluar me sjelljet e tij korrekte ndaj pasagjerëve pa pasur asnjëherë paragjykime në përkatësi, ngjyrë apo religjion.
Duke qenë i tillë edhe sot me pietet kujtohet nga miq e shokë të shumtë. Aliu edhe pse ka shkuar në pension të merituar më 2009, prapëseprapë nuk rri duarkryq.

Ai është ende aktiv në Kryesinë e Unionit Shqiptar të Kroacisë. Mallin e pashuar për bjeshkët e Podgurit dhe burimet e tyre kohëve të fundit ai po e kompenson duke vizituar shumë shpesh Kosovën.

Me nostalgji e emocion të papërshkruar po shkel çdo pëllëmbë të fushave dhe të bjeshkëve, nëpër të cilat dikur kishte kaluar rinë e tij të hershme.

Tiparet pozitive të Aliut për të qenë i dashur dhe respektuar nga të gjithë i kanë trashëguar edhe dy fëmijët e tij Linda dhe Nderimi.
Të edukuar nën mbikëqyrjen e Aliut dhe Sofës ata gjithmonë kanë qenë shembull për të mirë si në shkollë ashtu edhe në punë.

Linda e pasionuar pas drejtësisë ka studiuar në Universitetin e Zagrebit,ku edhe i ka përfunduar me mjaft sukses studimet në Jurisprudencë.
Ajo tani profesionin e juristes e praktikon në një zyrë ligjore në Gjenevë të Zvicrës, ku kohë më parë ka përfunduar edhe studimet në Gjuhë dhe Letërsi Frënge.

Ndërkaq, Nderimi pas përfundimit të shkollimit të detyrueshëm ëndrrën e tij të kahmotshme për fushën e mjekësisë e sendërton duke u regjistruar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Varazhdin. Nga dëshira e flaktë që t’u vije sa më parë në ndihmë njerëzve me nevoja të veçanta Nderimi mësimet në këtë shkollë i kryen më 1993 me sukses të dalluar.

Në kuadër të formimit profesional Nderimi i thellon njohurit duke bërë edhe hulumtime shtesë në këtë fushë e cila kryesisht merret me trajtimin e komplikimeve muskulore të trupit të njeriut.

Aftësitë, disiplina dhe serioziteti i tij në punë u bien në sy mësimdhënësve të cilët të bindur që në një të ardhme të afërt Nderimi do të jetë njeriu i duhur në lëmin e fizioterapisë u sugjerojnë udhëheqësve të Klubit Futbollistik “Varteks” nga Varazhdini angazhimin e tij në radhët e personelit mjekësor të kësaj skuadre.

FC Varteks me traditë mbi tetëdhjetëvjeçare në futbollin kroat e atë jugosllav njihet si skuadër tejet serioze e ish- Ligës së Dytë Federative të Jugosllavisë, grupi i Veriut.

Nderimi i pushtuar nga dashuria për këtë profesion pothuajse pjesën më të madhe të kohës e kalon me futbollistët e klubit “Varteks”.

Punës profesionale të Nderimit shpejt i bien në gjurmë ekspertët mjekësor të kombëtares kroate të futbollit dhe pa hezituar fare e plotësojnë katërshen e fizioterapeutëve të kombëtares së tyre edhe me kosovarin Nderim Rexhaj.

Personeli mjekësor i kombëtares kroate të futbollit, i katërti në të majtë në këtë përbërje Nderim Rexhaj, me origjinë nga Cërca e Burimit (ish- Istogu) i Republikës së Kosovës

Nderimi punën e fizioterapeutit në kombëtaren e parë të futbollit kroat e kryen me shumë sukses tash njëzet e pesë vjet.

Në mes ish-Kryetari i Federarës së Futbollit të Kroacisë, Davor Shuker me fizioterapeutët e kësaj kombëtarje Bojan Radanoviq dhe Nderim Rexhaj

Falë duarve të tij magjike ai së bashku me përfaqësuesit e kombëtares kroate të futbollit ka shijuar atmosferën impozante të dy Kampionateve Botërore të Futbollit, të zhvilluara më 2006 në Gjermani dhe më 2014 në Brazil.

Gjithashtu Rexhaj ka qenë pjesë e shërbimit mjekësor të kësaj kombëtareje edhe në Kampionatet Evropiane të organizuara në Portugali, Zvicër-Austri, dhe Poloni.

Ëndrrën për ta shkelur tokën e Afrikës së Jugut, të Kinës, Izraelit dhe të vendeve të tjera të botës Rexhaj e ka realizuar duke qenë ndërvite pjesë e stafit mjekësor të kësaj kombëtareje.

Prandaj me të drejtë ndihet i privilegjuar dhe krenar që kontributin e tij e jep në një seleksion cilësor çfarë është ai i Kroacisë, i cili shpeshherë ua ka shuar shpresat për triumf skuadrave me famë botërore siç janë: Brazili, Argjentina, Gjermania, Spanja, Italia,Anglia, Franca etj.

Z. Rexhaj sukseset e kombëtares kroate të futbollit i lidhë drejtpërsëdrejti me harmoninë që mbretëron në të gjitha nivelet dhe me punën profesionale të secilit pjesëtarë qoftë ai zyrtar i lartë i Federatës së futbollit kroat, përzgjedhës, lojtarë, apo edhe personel mjekësor.

Nderim Rexhaj, Kroacinë e konsideron si burim të pashtershëm të talenteve të futbollit. Futbollistët e këtij vendi sikur në të kaluarën edhe sot gjenden në klubet më eminente të botës .

Nga e majta Ivica Oliq, dikur reprezentues kroatë dhe ish-lojtar i njohur i FC. Hamburg, dhe Luka Modriq, truri i kombëtares kroate dhe njëri nga lojtarët më të frytshëm të Real Madrid-it, së bashku me fizioterapeutin e tyre Rexhaj

Gati çdo skuadër e Evropës, që përfaqëson vlera të futbollit modern ka në radhët e veta të paktën një futbollistë kroatë. Të jesh në shërbim të këtyre djemve që përmes lojës krijojnë ura miqësie me qytetërimet me të lashta të botës, me të vërtetë është një kënaqësi e veçantë jo vetëm për mua por, për të gjithë qytetarët e Kroacisë thotë Rexhaj.

Me gjithë këto avantazhe të krijuara Nderim Rexhaj i ka ngelur besnik prejardhjes së tij puro shqiptare. Ai ka kohë që është martuar me zonjën Njomëza Gërguri Rexhaj, e cila po ashtu është me rrënjë nga Rrafshi i Dukagjinit.

Nderimi dhe Njomëza çdoherë shihen të hareshëm. Ata plotësisht të lumtur nga jeta në bashkëshortësi kanë edhe fëmijët: Vesën, Rionin dhe Tarën. Për shkak të natyrës së punës së Nderimit me fëmijët më tepër preokupohet zonja Njomëza Gërguri Rexhaj.

Rrëfimin mbi sagën e familjes së tij z. Rexhaj e mbyll me konstatimin se rënia e komunizmit ka qenë rilindje e vërtetë për popullin kroat dhe atë shqiptar.

Ai mendon se me ardhjen e demokracisë dhe shkëputjen e Kroacisë nga ish-Jugosllavia, ka nisur një epokë e re bashkëpunimi dhe miqësie ndërmjet kroatëve dhe shqiptarëve.

Dikur një bashkëpunim i tillë ishte i paimagjinueshëm, ngase hegjemonizmi serbomadh me çdo kusht mundohej që nëpërmjet të disa kundërshtarëve për ndryshime dhe përparim këta dy popuj t’i konfrontoj në mes veti

ARIF EJUPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.