VEPËR QË DUHET TA NJOHIM MIRËFILLI

0
247
Anton Nikë Berisha - Dy kryevepra lirike të Fishtës

Anton Nikë Berisha Këto ditë doli nga shtypi libri i Anton Nikë BerishësDy kryevepra lirike të Fishtës”, ku autori ka përfshirë dy interpretime të veprave të Fishtës: “Jerina ase Mbretëresha e Luleve” dhe “Kënga e Vizitorit”, kënga e 24 e “Lahutës së Malcís”.

Është libri i parë i kësaj natyre i botuar tek ne.

Me rastin e botimit, po sjellim Fjalën parapake, që i prin këtij libri studimor të Anton Nikë Berishës.

– Fjalë paraprake –

Vepra letrare e Fishtës, me një pjesë të mirë të saj, u bë e njohur dhe u vlerësua lart qysh me të gjallë të poetit.

Pak kohë mbas vdekjes së tij u botuan dy vëllime të rëndësishme[1], me punime të autorëve të shquar, ku u vështrua dhe u ndriçua vepra letrare e tij nga kënde e aspekte të ndryshme.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet në botën tonë vepra e Fishtës u ndalua për arsye se ajo binte ndesh me ideologjinë e kuqe, që dëshmoi zhveshjen shpirtërore dhe kombëtare të individit, duke vënë në jetë konceptin e proletariatit, që synonte të krijonte njeriun e zhveshur nga rrënjët dhe nga trashëgimia.

Për fat ky ndalim dhe kjo urrejtje ndaj Fishtës dhe veprës së tij nuk ndodhi në diasporën shqiptare. Kështu, shkrimtarë dhe studiues tanë të njohur, të cilët jetonin jashtë Shqipërisë dhe jashtë Kosovës, si Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Tahir Kolgjini, atë Daniel Gjeçaj, Martin Camaj etj. vazhduan ta shqyrtojnë dhe t’i ndriçojnë vlerat e mëdha poetike e kombëtare të veprës së Fishtës dhe të dëshmojnë se sa dëm i bëhej letërsisë sonë me ndalimin e komunikimit të saj me lexuesin. Ky qëndrim i sistemit të komunistëve përligjte një nga paradokset më të mëdhenj: një nga shkrimtarët dhe atdhetarët më të shquar, për gati gjysmë shekulli mbeti jashtë jetës letrare në Atdheun e tij, për të mirën e të cilit nuk kurseu asgjë!

Pas rënies së sistemit komunist në botën shqiptare studiuesit dhe shkrimtarët iu kthyen veprës së Fishtës, duke botuar një varg punimesh e studimesh të ndryshme për veprën e tij poetike dhe për rëndësinë e figurës të tij[2].

Sa më ka rënë të vërej nga veprat që i kam pasur në dorë dhe shumë prej tyre i kam lexuar, nuk e kam ndeshur një punim – një interpretim të mirëfilltë kushtuar melodramës së Fishtës “Jerina ase Mbretëresha e Luleve” dhe “Këngës së Vizitorit”, këngës së 24 të “Lahutës së Malcís” së Fishtës si një kryevepër lirike.

Përmes këtyre dy studimeve – interpretimeve të këtyre dy kryeveprave të Fishtës, që po botohen si libër më vete, kam gjakuar të ndriçoj disa nga vlerat më të qenësishme letrare poetike të tyre, sidomos në rrafshin lirik.

Uroj që ky libër t’i nxisë shkrimtarët dhe studiuesit që t’i kthehen veprës së Fishtës për shumëçka të rëndësishme dhe ta bëjnë pjesë të komunikimit poetik dhe estetik, siç e meritojnë veprat e mëdha letrare.

Prishtinë, gusht 2022

[1] At Gjergj Fishta. Shkëndija, 1941.
Át Gjergj Fishta 1871 – 1940. Botim Distaptur, Tiranë 1943.

[2] Shih më gjerësisht në librin tim Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë. Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës. Shpresa & Faik Konica, Prishtinë 2003.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.