MUSTAFA SPAHIU, POETI QË PREDIKONTE PAQE TE FËMIJËT

1
1159
Mustafa Spahiu

Ndërsa lexoja librin e autorit Mustafa Spahiu, me titull “Me buzëqeshje ju dal përballë”

I ndjeri Riza Lahi me shumë të drejtë e ka quajtur Mustafanë “një park i madh dhe plot hare nga bota e fëmijëve”. Dhe në këtë park me larmi ngjyrash, vendin më të dukshëm, pa tjetër që e zë “Lulja e Paqes”. Në këtë këndvështrim, poezia e Spahiut, mund të quhet edhe poezia e Paqes

Nga SHPENDI TOPOLLAJ

Ndërsa lexoja librin e autorit Mustafa Spahiu, me titull “Me buzëqeshje ju dal përballë”, m`u shfaq para sysh një thënje e Persi Bishi Shellit, poetit dhe eseistit romantik e jetëshkurtër, se “Poezia përjetëson gjithçka është më e mirë dhe më e bukur në botë”. Dhe besoj se të tërë pajtohemi në këtë pikë: se nuk ka gjë më të mirë dhe më të bukur në botë se fëmijët, për të cilët shkroi prej rreth gjysmë shekulli Mustafai.

Te një libër tjetër, që titullohet “Fëmija është bilbili i shtëpisë”, ai në vend të parathënies, ka vënë një poezi të mrekullueshme të H. U. Llongfellout, ku ndër të tjera, për fëmijët thuhet:

Oh, ju jeni më të bukurit
Nga balladat më në zë…
Jeni poemat e gjalla
Dhe… poemat që s`janë më.

Kur vite më parë, promovuam një përmbledhje poetike të Mustafait që quhej “Më ka marrë malli”, e konsideruam atë një mik e vëlla, gjithsesi të ardhur nga larg, nga trojet tona jashtë kufijve tanë shtetëror. Por gjatë tërë kësaj kohe, ai ka qëne prezent si fizikisht, ashtu dhe me ngrohtësinë e veprës së tij.

I ndjeri Riza Lahi me shumë të drejtë e ka quajtur Mustafanë “një park i madh dhe plot hare nga bota e fëmijëve”. Dhe në këtë park me larmi ngjyrash, vendin më të dukshëm, pa tjetër që e zë “Lulja e Paqes”. Në këtë këndvështrim, poezia e Spahiut, mund të quhet edhe poezia e Paqes. Ja se si shprehet për këtë lule ai:

Fara e lules është në çdo zemër
Në atë zemër që s`ka fare inat…
Urrejtjen duke shtrydhur me thembër
Lulja e paqes vrik do lëshon shtat…
Sa njerëz për të vajtën të etur
Me shpresë shpirtin e mbanin ngrohtë,
Duke ngrysur netët fare pa fjetur
Dhe ëndërruar lulen e paqes në këtë botë.

Ai dhe vetë e kishte të qartë misionin si poet, ndaj te “Moj kënga ime” thosh:
Moj kënga ime bimë malore
Me frytet e pjekura të dashurisë!…
Flatro kënga ime me rreze diellore
Hapi zemrat me çelës të mirësisë!…

Në një shkrim timin, të botuar shumë vite më parë, me titull “Përherë mes fëmijëve”, shkruaja: “(Mustafa Spahiu) ka krijuar një klimë paqeje, ashtu siç janë paqësorë edhe vetë fëmijët. Mesazhi i Spahiut u kumtohet edhe të rriturve: përpiquni e mbrojeni paqen e të vegjëlve!

T`i fyesh ata, t`i trembësh apo t`i helmosh, është mëkati më i madh që mund të bëhet. Ata kanë nevojë t`i gëzohen jetës, bukurive të saj, dashurive që ajo ofron. Ata duhet të rriten dinjitozë, të vlefshëm për vete, për familjen e për Atdhe. Dhe të tillë ata do të bëhen, kur të gjithë të mendojnë për ta e t`u kultivojnë atyre…: dashurinë për virtytin e vendin e tyre. Dhe kjo është deviza e shkruar në flamurin që shkrimtari M. Spahiu nguli, pas një marrshimi të gjatë e gjithsesi të këndshëm, në majën që synonte të pushtonte.”

Por me sa duket, po me këtë flamur, e po me këtë devizë, ai vazhdoi të synojë e pushtojë të tjera maja të larta. Hapat e tij ishin të sigurtë. Ai për t’u shlodhur e për të marrë forca të reja, ndalej te Qershori:

Urojnë laureshat: “Pastë begati shumë!”
– Lamtumirë shkollë, tungjatjeta lumë!…
te dallëndyshet:
Ylberi tashmë nuk shfaqet!
Mollëkuqet me fustane kanë halle!
Dallëndyshet tundin bajraqet,
Harkojnë sfondeve nëpër valle.
te vjeshta:
E kam shaluar kalin e vjeshtës
Jam bërë kalorës vjeshtarak
– Ngjitur jam në majë të kreshtës-
Me rreze po ngrohem- bubulak
te deti:
që ankohet si kur trazohet, si kur qetësohet,
te balonat:
Kur fluturojnë a mbahen në fluturimin e
tyre
E kur humbin, mos humbin pas ndonjë
ngjyre?!
te qeshja:
Qeshja është paradë dielli pas shiu
Qeshja është livadh brenda çdo dëshire
Qeshja është ngrohtësi kur ngrohet veriu
Qeshja është prill e maj me xhevahire.
te vreshta:
ku: Rishtas hardhia ngeli lakuriqe
a në bostanishte:
ku: gjyshi dhe qenushi Murë, duhet t`i
bëjnë sytë katër, pasi:
hajnat nga fshati Magurë,
rrëshqanë afrohen si dhelpra,
sepse i njohin
në ato vise, brigje
të gjitha grykat
tok me shtigje!…

Rastësisht, një natë plot poezi, nga ato që vetëm Struga i ka, u njoha me një gjimnazist nga Gostivari, i cili quhej Selim Çerkezi dhe që e donte shumë poezinë. Pasi më tregoi për dëshirën e tij të madhe për të studiuar për mjekësi në Tiranë, më foli për poetin e zemrës Mustafa Spahiun nga Shkupi. U gëzua kur mësoi se po aq i dashur ishte ai edhe për mua dhe plot pasion më tregonte për impresionet që i kishte shkaktuar ai me poezitë e tij.

Unë gati po ato fjalë i gjeta si pasthënie te një libër i Mustafait i botuar më pas, prandaj për të qenë sa më i saktë po i shkëpus prej tij:
Atë çka nuk arrita ta shoh në ëndërr, unë e gjeta në vargun e Mustafa Spahiut. Ai më ktheu në ditët më të ëmbla të jetës sime. Vargjet më morën për dore dhe më çuan në kopshtin ku kalova ditët e para me shokët e me shoqet, më çuan nëpër buzëqeshjet e tërë fëmijëve të botës, më çuan te zogjtë, te merimanga, te lejleku, te lopa, te ujku, te banesa me ashensor dhe ma treguan edhe qiellin plot re.

Në këtë libër të Mustafait, janë përfshirë edhe tetë tregime të shkurtra. Disa prej tyre si “Ikja e verës”, “Misrat kukulla”, “Vjeshta në treg” e “Fjalët e vjeshtës”, me mënyrën se si janë shkruar të sjellin ndërmend pikturat aq të zgjuara të Xhuzepe Arcimboldos. Të them të drejtën, duke i lexuar ato, pra prozën e Mustafa Spahiut, më lindi ideja t`i sugjeroja seriozisht:

E di se bota e fëmijëve është e pa fund. Ajo nuk ka as fillim e as mbarim. Por ti ke bërë shumë për ta, me atë mori librash aq të bukur me poezi. Pa shkruaj edhe për rriturit. Se unë jam i bindur se edhe në vargmalin e kësaj lloj letërsie, ke për të pushtuar me sukses maja te reja. Ti i do shumë njerëzit. Edhe të rriturit ti i do si fëmijët. Pastaj te poezia “Ç`jam unë…” ti vetë e thua:

Unë jam liman-
Poet i mijra vargjeve ndjenja – zjarri…

Me punën e deritanishme dhe me përvojën që ke edhe ty të përshtaten fjalët e asaj odes së Horacit “Audax Japetes genus”, pra “Pjella e guximshme e Japetit” Dhe mos harro: Japeti babai i katër djemve, kishte lindur Prometeun.

Por ky Promete i shqiptarizmës, që përherë ishte mik i pranishëm si me poezinë, ashtu dhe me prozën e tij të arrirrë, në faqet e gazetës tonë “Nacional”, pasi provoi hidhërimin e humbjes së gruas së tij besnike, u nda nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të madh si te lexuesit e shumtë, si te ne që patëm fatin ta njohim nga afër si njeri dhe krijues me vlera të veçanta.

Marrë nga “Nacional”

1 KOMENT

  1. Poetët që shkruajnë poezi janë shkrimtarë të mëdhenj. Unë kam respekt të jashtëzakonshëm për të gjith ata që shkruajn poezi, tregime e romane për fëmijë. Bota e fëmijve është e pastër pa hile si loti i syrit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.