Shkruan: Florim Zeqa, 01.05.2026
Duke qenë dëshmitar që të gjitha partitë pa dallim, nuk e dhanë as më të voglën provë për ndryshimet premtuara, subjektet e ç’akordura opozitare, pa ide dhe pa platformë të përbashkët opozitare për qytetarët, atëherë nuk mbetët shpresë tjetër përpos krijimit të një alternative të re, e cila do të sjellë ndryshime substanciale dhe përmbajtësore në qeverisjen e vendit.
Intelegjenca e anashkaluar nga politikbërja
Kosova ka njerëz të pastër e të guximshëm, që do të përbënin bërthamën e një alternative të re, për të bërë luftën e fortë dhe të hapur kundër korrupsionit dhe nepotizmit, mashtruesve dhe maskarenjëve politik.
Gjendja e pashpresë e krijuar në vend, si pasojë e papjekurisë politike dhe mungesës së transparencës së veprimeve, e përcjellur me skandale të njëpasnjëshme korruptive.
Si pasojë e kësaj, në mendjen e popullit është krijuar bindja se kush më pak e kush më shumë, të gjithë që merren me politikë, janë mashtrues e intrigantë, janë hajdut dhe kusarë politikë, derisa inteligjenca e pastër ka mbetur e anashkaluar tërësisht!
Padrejtësisht është krijuar bindja tek një pjesë e opinionit publik, se nuk kemi njerëz më të mirë për politikë nga këta që i kemi aktualisht!
Kjo klasë politike pa dallim, pushtet dhe opozitë, elektoratin e tyre po e përdorin vetëm si numra përgjatë fushatave zgjedhore, sa për t’ua grabitur besimin (votën) ndërsa të gjitha pazarllëqet i bëjnë mes vete në kurriz të popullit.
Një fillim i ri për shtetin e Kosovës
Kasta aktuale politike e vendit, në veçanti liderët e partive tona politike, para opinionit publik, në veçanti para elektoratit të tyre, shpesh përlahen mes vete, por asnjëherë nuk mund t’i shkojnë deri në fund “konfliktit”, shkaku i interesave të përbashkëta, apo thënë më kjartë, shkaku i bizneseve të përbashkëta, tenderëve që i ndajnë me njëri-tjetrin, e deri të aferat korruptive.
Të gjithë liderët e subjekteve politike, pa dallim, janë shndërruar në uzurpatorë të shtetit dhe varrmihës së ardhmërisë së qytetarëve të këtij vendi, janë bërë sinonim i së keqes, i korrupsionit, krimit të organizuar, zhvatjes së pasurisë shoqërore (shtetërore), duke e shndërruar Kosovën e pasur me resurse të shumta natyrore një vend të varfër dhe të pashpresë për të jetuar në të.
Kosova ka njerëz të aftë, të pastër dhe të guximshëm, prapa të cilëve do të rreshtoheshin shumica e qytetarëve pa asnjë hezitim, por dikush ndër më të guximshmit duhet ta merrë stafetën në dorë dhe të nisemi përpara për arritjen e ktheses së madhe me njerëz të rinjë të cilët do ta ndërtojnë një mentalitet të ri qeverisës.
Vullneti i qytetarëve të Kosovës për kthesë pozitive, jo vetëm që ekziston, është duke thirrur si kushtrim në ndërgjegjen e atdhetarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë.
Mjafton vetëm iniciativa e shëndoshë e bazuar në vlera njerëzore, në atdhedashuri e moral njerëzor, për ta ndryshuar mentalitetin kancerogjen të keq-qeverisjes tash e sa vite ne Kosovë.
Secili mund të japim diçka nga vetja jonë për Republikën e Kosovës. Secili me takatin e me zanatin e vet, mund ta bëjmë ndryshimin e nevojshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, për kthimin e identitetit dhe shpirtit humanitar të shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj.
Prandaj, vendit urgjentisht i duhet një fillim i ri, një organizim i ri, një alternativë e re politike për largimin e këtyre kusarëve nga skena politike .Kot do të mbajmë zgjedhje në çdo 6 muaj pa një alternativë të re politike, rezultatin do ta kemi përafërsisht të njëjtë, por gjithnjë me numër më të vogël të votuesve në zgjedhje!
Shqiptarët, hiqen patriot dhe dhe demokratë, por në realitet nuk i respektojnë rregullat demokratike dhe kodin patriotik. Sillen si autoritarë ose diktatorë në demokraci. Shtetin duhet ta drejtojnë atdhetarët e vërtetë, ata që e duan me shpirtë dhe zemër atdheun e tyre e jo mashtruesit dhe përfituesit e luftës e të paqes!











