Harta qe pershkruan Adriatikun ne kohen pararomake, duke treguar shtrirjen dhe territorin e disa fisave ilire
Besnik Fishta
Në hartën filatelike të Ballkanit Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina paraqet një rast të veçantë dhe tejet interesant për studiuesit e historisë dhe të pullave postare. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, ky shtet funksionon me tre operatorë publikë postarë: BH Pošta me seli në Sarajevë, HP Mostar në Mostar dhe Pošte Srpske në Banja Lukë. Kjo ndarje institucionale bën që në të njëjtin shtet të bashkëjetojnë tri narrativa të ndryshme filatelike, ku secila prej tyre e lexon të kaluarën përmes prizmit të vet kulturor e historik. Megjithatë, kur bëhet fjalë për shtresën më të lashtë të qytetërimit — antikitetin ilir — emetimet postare dëshmojnë një realitet të pamohueshëm historik.
Daorsoni dhe fisi ilir i Daorsëve në pullat e Bosnjë-Hercegovinës
Një nga shembujt më domethënës se si trashëgimia ilire trajtohet me respekt në filatelinë boshnjake është qyteti antik megalitik i Daorsonit, i ndodhur në luginën e lumit Neretva. Daorsoni ishte kryeqendra e fisit të njohur ilir të Daorsëve (shek. IV–I p.e.s.), të cilët njiheshin për muret e tyre ciklopike, tregtinë e zhvilluar me botën mesdhetare dhe prerjen e monedhave të tyre autonome me mbishkrimin DAORSON dhe portretin e mbretit ilir Ballaios.
Muret e qytetit te Daorsonit antik
Ky monument i jashtëzakonshëm i qytetërimit ilir ka zënë vend të merituar në emetimet e dy prej operatorëve postarë të vendit. Më 31 mars 1997, në kuadër të serisë “Arkeologjia”, posta shtetërore BH Pošta (Sarajevë) emetoi një bllok me dy pulla postare dhe zarfin e ditës së parë (FDC) me titullin e qartë dhe të drejtpërdrejtë: “Arkeologjia – Qyteti ilir Daorson”.
Data e lëshimit: 31.03.1997 Bllok me 2 pulla
Shembulli i dyte eshte më 31 tetor 2012, me rastin e Ditës Botërore të Kursimeve, HP Mostar emetoi dy pulla përkujtimore të kushtuara “Monedhave nga Daorsoni” (Novac iz Daorsona). Në tekstin zyrtar shoqërues të katalogut, studiuesit boshnjakë e përcaktojnë pa asnjë mëdyshje këtë trashëgimi si vepër të fisit ilir të Daorsëve, duke vënë në dukje se këto janë monedhat e para të prera në territorin e Bosnjë-Hercegovinës pas rënies së mbretit ilir Ballaios në vitin 168 p.e.s..
Data leshimit 31.10.2012
Ndryshe nga disa narrativa të tjera në rajon që përpiqen ta anashkalojnë emrin “ilir” nën petkun e përgjithshëm “antik” apo “romak”, filatelia në Bosnjë dhe Hercegovinë e pranon hapur substratin ilir (si Daorsët, Desidiatët e Kryengritjes së Batonit dhe Japodët) si themelin e parë historik të këtyre trevave. Shembulli i tretë që vlerëson figurat ilire është emetimi i pullës kushtuar mbretëreshës ilire Teuta. Ajo sundoi Mbretërinë Ilire në shekullin III para erës sonë dhe mbetet simbol i një periudhe kur ilirët kishin një organizim të mirëfilltë shtetëror, fuqi detare dhe një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të rajonit.
Data leshimit 20 maj 2026
Mesjeta dhe simbolet e ndërthurura ballkanike
Përtej antikitetit, periudha mesjetare në filatelinë e Bosnjës pasqyron një botë të ndërlikuar fisnikësh dhe simbolesh që shpesh kryqëzohen me hapësirën arbërore. Gjatë shekujve XIV–XV, oborret e mbretërve dhe fisnikëve boshnjakë mbajtën lidhje të ngushta politike, tregtare dhe krushqie me principatat arbërore të Balshajve, Topiajve dhe Kastriotëve.
Në pullat postare boshnjake shfaqen rregullisht gurët monumentale mesjetarë (stećci) dhe emblemat heraldike me zambakë (ljiljan). Duhet thene qe këto simbole në katalogët filatelikë trajtohen ekskluzivisht brenda kornizës së mbretërisë mesjetare boshnjake, por për syrin e historianit ato dëshmojnë një hapësirë të përbashkët kulturore ballkanike, ku heraldika, arkitektura e kështjellave dhe rrugët tregtare nga bregdeti i Adriatikut (Raguza, Kotorri, Tivari, Shkodra) drejt brendësisë së Bosnjës formonin një arterie të vetme jetësore.
Kontributi shqiptar dhe mundësitë për bashkëpunim filatelik.
Një aspekt tjetër që meriton vëmendje në raportet kulturore boshnjako-shqiptare është prania dhe kontributi i figurave me origjinë shqiptare në jetën akademike, artistike dhe shoqërore të Bosnjë-Hercegovinës gjatë shekullit XX, nga studiues dhe historianë të ballkanologjisë në Sarajevë e deri te artistë të skenës dhe filmit (si familja e shquar e aktorëve Fehmiu, e lidhur ngushtë me Sarajevën). Po ashtu, komuniteti shqiptar në Bosnjë ka qenë historikisht një urë miqësie mes dy popujve.
Në aspektin institucional, BH Pošta ka dëshmuar një traditë të shkëlqyer në realizimin e emetimeve të përbashkëta filatelike me administrata postare të vendeve mike (si Turqia, Kuvajti etj.). Kjo përvojë e gatshme hap një mundësi të shkëlqyer që në të ardhmen edhe Posta Shqiptare e Posta e Kosovës, dhe administratat postare të Bosnjë-Hercegovinës të ndërmarrin nisma të përbashkëta filatelike.
Tema të tilla si: Trashëgimia e përbashkët ilire (një seri e përbashkët kushtuar mbretit Ballaios dhe monedhave të tij të prera si në Rizon, Lisus, ashtu edhe në Daorson); rrugët e vjetra tregtare dhe kulturore mes bregdetit arbëror dhe Bosnjës mesjetare, ose personalitetet e përbashkëta të kulturës dhe artit do të shërbenin si dëshmi konkrete se filatelia e shekullit XXI mund të bashkojë kujtesën historike të rajonit me ndershmëri shkencore dhe respekt të ndërsjellë. Sepse kur historia lexohet pa paragjykime, çdo pullë postare kthehet në një ftesë për dialog dhe mirëkuptim mes popujve.











