Analizë:
Nga Safet SADIKU
Pas pesëmbëdhjetë ditësh radhazi protestash në Tiranë, pjesëmarrja qytetare jo vetëm që nuk është zbehur, por ka ardhur duke u rritur. Mijëra qytetarë vazhdojnë të dalin në shesh për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes aktuale, duke kërkuar ndryshim politik, forcim të demokracisë, mbrojtje të interesave kombëtare, zhvillim të drejtë ekonomik dhe ruajtjen e pasurive natyrore e turistike të vendit. Vazhdimësia e një proteste për kaq shumë ditë është një tregues i qartë se pakënaqësia nuk është e rastësishme apo momentale. Ajo përfaqëson një zë të qëndrueshëm qytetar, i cili kërkon të dëgjohet dhe të merret seriozisht nga institucionet. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke e kthyer këtë lëvizje në një nga ngjarjet më të rëndësishme të debatit publik në vend.
Historia botërore dhe mendimi politik i shumë përvojave jetësore kanë vlerësuar gjithmonë rolin e protestës si një nga mekanizmat më të fuqishëm të demokracisë. Kur institucionet nuk arrijnë të reflektojnë plotësisht shqetësimet e qytetarëve, protesta shndërrohet në mjetin përmes të cilit shoqëria shpreh vullnetin e saj dhe kërkon ndryshim. Në këtë kontekst merr një domethënie të veçantë thënia e shkrimtarit të madh francez Viktor Hygo: “Nuk ka ushtri që mund të ndalë një ide, koha e së cilës ka ardhur.”Ky mendim është bërë simbol i momenteve historike kur një kërkesë shoqërore apo politike kalon nga faza e debatit në atë të veprimit konkret. Në realitetin shqiptar, kjo thënie ngre një pyetje të rëndësishme: a ka ardhur koha që ideja e realizar tashmë në program të botuar: „Platforma për Referendum Kombëtar“ të kalojë nga diskutimi publik në një proces praktik dhe demokratik?
Mbështetësit e kësaj ideje argumentojnë se organizimi i një referendumi Shqipëri-Kosovë do t’u jepte qytetarëve mundësinë të shprehnin drejtpërdrejt vullnetin e tyre për çështje që lidhen me të ardhmen kombëtare. Ashtu siç argumentonte Hygo, forca e një ideje nuk matet nga kundërshtimi që has, por nga mbështetja që fiton në zemrat dhe ndërgjegjen e qytetarëve. Nëse një ide e formuluar në program arrin të fitojë besimin dhe mbështetjen e gjerë të popullit, ajo fiton gradualisht edhe fuqinë për t’u bërë pjesë e realitetit politik.
Megjithatë, në një demokraci moderne, çdo nismë e tillë duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet demokratike. Vetëm përmes dialogut, pjesëmarrjes qytetare dhe respektimit të institucioneve, (kur të fillon funksionimi i tyre pas renies së qeverisë aktuale) mund të ndërtohen zgjidhje të qëndrueshme dhe legjitime për zgjidhjen e shumë problemeve jetike të grumbulluara edhe gjatë regjimit të poshtetve të tranzicionit. Prandaj, ka ardhur koha për realizimin praktik të programit „Platforma për Referendum Kombëtar“. Ky nuk është më një vlerësim që mund të mbetet në nivelin e diskutimeve teorike, por një domosdoshmëri që duhet t’i nënshtrohet gjykimit dhe vullnetit të sovranit – qytetarëve.
Në një sistem demokratik, vendimet e mëdha nuk i përkasin një individi, një grupi apo një force politike të vetme, por popullit. Historia ka dëshmuar se kur një ide, e cila kalon me sukses provën praktike në publik, fiton ndërgjegjen e një populli, të gjitha pengesat bëhen të përkohshme. Vullneti qytetar mbetet forca më e madhe e ndryshimit, e përparimit dhe e zhvillimit demokratik. Modei i demokracisë direkte është zgjidhja më e mirë për shqiptarët, në tërë Gadishullin Ilirik.
I. Protesta si pasqyrë e zhgënjimit qytetar dhe kriza e besimit politik
Edhe në të gjitha përvojat politike ndërkombëtare gjer më sot, kanë treguar se protestat nuk lindin rastësisht. Ato janë pasojë e një pakënaqësie të grumbulluar, e një ndjenje zhgënjimi që qytetarët ndiejnë kur besojnë se institucionet nuk përfaqësojnë më interesat e tyre. Pikërisht për këtë arsye, mendimet e Thomas Jeffersonit, Abraham Lincolnit, Henry David Thoreau-s dhe Martin Luther King Jr., mbeten aktuale edhe sot, sepse ato flasin për marrëdhënien midis pushtetit dhe qytetarit. Kur Thomas Jefferson shkruante se, “Kur qeveria i trembet popullit ka liri, dhe kur populli i trembet qeverisë, aty ka tirani“. Me këtë mendim ai nënvizonte parimin themelor të demokracisë: „Pushteti buron nga qytetarët dhe duhet të jetë gjithmonë në shërbim të tyre“. Po kështu, Abraham Lincoln e përkufizonte demokracinë si: “Qeveri e popullit nga populli, dhe për popullin”, duke e vendosur qytetarin në qendër të vendimmarrjes politike.
Në Shqipëri, pjesëmarrja e vazhdueshme e qytetarëve në protesta shihet nga shumë njerëz si një shenjë e humbjes së besimit ndaj klasës politike në tërësi. Një pjesë e protestuesve shprehin pakënaqësi ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për politika që favorizojnë interesa të ngushta ekonomike dhe për vendimmarrje që, sipas fatketeve të konfirmuara të tyre, kanë cenuar interesin publik, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e pasurive kombëtare.
Debati rreth Zvërnecit është bërë simbol i kësaj përplasjeje. Për mbështetësit e projekteve zhvillimore, investimet përfaqësojnë mundësi ekonomike dhe rritje të turizmit, ndonëse nga qeveria asnjëherë nuk theksohet se me cilin ligj për investime të huaja futen këto fonde, ose në shumë dokumente kemi hasar VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave)! Ndërkaq, për kundërshtarët ose për shumicën e shoqërisë që po protestojnë me të drejtë, ato ngjallin shqetësime mbi ruajtjen e trashëgimisë natyrore, ekuilibrave mjedisorë dhe interesit afatgjatë të komuniteteve lokale. Pikërisht këtu lind konflikti në mes „vizionit ekonomik“ të qeverisë pa asnjë transparencë dhe perceptimit të një pjese të qytetarëve se pasuritë publike po trajtohen si objekte pazari politik dhe ekonomik. Megjithatë, përgjegjësia për gjendjen politike nuk mund t’i atribuohet vetëm qeverisë.
Një pjesë e madhe e qytetarëve kanë shprehur zhgënjim edhe ndaj opozitës, e cila shpesh është perceptuar si e paaftë për të ndërtuar alternativa bindëse, për të ofruar vizion afatgjatë dhe për të krijuar një kulturë të re politike. Kjo ka sjellë një situatë ku shumë shqiptarë ndihen të papërfaqësuar nga të dyja anët e spektrit politik. Në këtë kuptim, protesta nuk është vetëm kundërshtim ndaj një qeverie të caktuar. Ajo është edhe shprehje e një krize më të thellë besimi ndaj sistemit politik. Kur qytetarët dalin masivisht në rrugë për ditë të tëra me radhë, mesazhi i tyre shkon përtej kërkesave të momentit. Ai flet për nevojën e transparencës, llogaridhënies, drejtësisë dhe pjesëmarrjes reale në vendimmarrje.
Kështu Martin Luther King Jr., paralajmëronte se padrejtësia në një vend përbën kërcënim për drejtësinë kudo. Në këtë këndvështrim, protestat paqësore përbëjnë një mekanizëm demokratik përmes të cilit qytetarët kërkojnë të korrigjojnë gabimet e pushtetit dhe të rikthejnë ekuilibrin midis qeverisjes dhe interesit publik. Prandaj, pjesëmarrja e madhe qytetare në protesta mund të interpretohet si dëshmi e një zhgënjimi të thellë, por njëkohësisht edhe si shenjë se shoqëria shqiptare vazhdon të besojë se ndryshimi është i mundur. Demokracia nuk matet vetëm me zgjedhjet, por edhe me aftësinë e qytetarëve për të ngritur zërin, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të mbrojtur interesat që ata i konsiderojnë jetike për të ardhmen e vendit.









