
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
“Serbia e humbi Kosovën” – por kur e pati atë?
Shpesh në mënyrë të pavullnetshme më rikthehet në kujtesë një formulim që e kam dëgjuar pafundësisht në vokabularin politik, mediatik dhe publik serb: pohimi se Serbia “e ka humbur Kosovën”, një fjali që në pamje të parë mund të tingëllojë si pranim i një realiteti historik e politik, por që, kur shqyrtohet më thellë, bart brenda vetes një ngarkesë shumë më të madhe ideologjike, sepse vetë nocioni i “humbjes” nënkupton se Kosova dikur paska qenë një pronë e padiskutueshme e Serbisë, një territor që asaj i përkiste natyrshëm dhe përgjithmonë, e që më pas, për shkak të rrethanave historike, ndërhyrjeve ndërkombëtare apo rezistencës shqiptare, i qenka marrë dhe i qenka shkëputur.
Pikërisht këtu qëndron një prej problemeve themelore të narrativës politike serbe për Kosovën: Serbia vazhdon ta artikulojë raportin e saj me Kosovën përmes gjuhës së pronësisë, humbjes dhe rikthimit, ndërsa shumë më rrallë e shtron pyetjen historike që do të duhej të ishte në themel të çdo reflektimi serioz politik: çfarë humbi në të vërtetë Serbia në Kosovë dhe, para së gjithash, si e kishte vendosur dhe si e kishte ushtruar pushtetin e saj mbi Kosovën dhe mbi shumicën shqiptare që jetonte aty? Sepse ndërmjet pohimit “e humbëm Kosovën” dhe pyetjes “pse e humbëm Kosovën” ekziston një dallim i jashtëzakonshëm politik, moral dhe historik; e para ndërton mitin e viktimës, ndërsa e dyta do të kërkonte ballafaqim me historinë, me politikat shtetërore, me represionin, me përjashtimin politik dhe me konfliktet që e përcaktuan marrëdhënien ndërmjet shtetit serb dhe shqiptarëve të Kosovës në periudha të ndryshme.
Në diskursin politik dhe nacionalist serb, Kosova është paraqitur vazhdimisht përmes formulës së thjeshtuar se Serbia e ka “pasur” dhe më pas e ka “humbur”. Një interpretim i tillë e redukton një çështje komplekse historike, politike dhe kombëtare në konceptin e posedimit territorial, sikur territori të ishte një hapësirë e zbrazët që mund të fitohet, zotërohet apo humbet pavarësisht nga popullsia që jeton në të. Mirëpo, Kosova nuk mund të trajtohet vetëm si kategori territoriale. Ajo është një hapësirë historike dhe shoqërore në të cilën janë formësuar dhe trashëguar ndër breza popullsi, gjuhë, kulturë, kujtesë kolektive, identitete dhe aspirata politike.
Pikërisht për këtë arsye, teza se “Serbia e humbi Kosovën” kërkon një rishqyrtim kritik. Pyetja historikisht më thelbësore nuk është vetëm kur dhe si Serbia e humbi kontrollin mbi Kosovën, por edhe si e vendosi atë kontroll, mbi çfarë baze politike e ushtarake u ndërtua dhe deri në çfarë mase ai gëzonte legjitimitet në raport me vullnetin e popullsisë shumicë shqiptare. Në këtë këndvështrim, historia e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk duhet të lexohet vetëm përmes narrativës së “humbjes së territorit”, por edhe përmes proceseve të pushtimit, aneksimit, administrimit shtetëror dhe përpjekjeve për ndryshimin e realitetit politik e demografik të Kosovës.
Prandaj, një nga tezat qendrore të këtij punimi është se kontrolli i Serbisë mbi Kosovën nuk duhet barazuar automatikisht me një të drejtë historike të pakontestueshme mbi të. Veçanërisht periudha që fillon me Luftërat Ballkanike të viteve 1912–1913 duhet analizuar në kontekstin e hyrjes së ushtrisë serbe në Kosovë, ndryshimeve territoriale të miratuara ndërkombëtarisht pas luftërave dhe faktit se popullsia shqiptare e Kosovës nuk ishte subjekt vendimmarrës në përcaktimin e statusit të saj politik. Kjo e zhvendos analizën nga pyetja se “kujt i përkiste territori” drejt pyetjes më thelbësore: me çfarë mjetesh u vendos pushteti dhe cili ishte raporti i tij me vullnetin politik të popullsisë vendëse?
Në këtë kuptim, formulimi se “Serbia e humbi Kosovën” mund të jetë edhe konceptualisht çorientues, sepse nënkupton se bëhej fjalë për humbjen e një posedimi historikisht të natyrshëm dhe politikisht të pakontestueshëm. Një analizë kritike kërkon të shqyrtojë pikërisht këtë premisë. Shteti mund ta ushtrojë kontrollin mbi një territor pa e shndërruar domosdoshmërisht atë kontroll në legjitimitet historik dhe politik. Prania e institucioneve shtetërore, e administratës, e ushtrisë apo e policisë dëshmon ushtrimin e pushtetit, por nuk mjafton, në vetvete, për të dëshmuar pranimin e atij pushteti nga popullsia mbi të cilën ushtrohet.
Madje, gjatë shekullit XX, politikat shtetërore serbe dhe jugosllave ndaj shqiptarëve të Kosovës — të cilat duhen analizuar sipas periudhave dhe regjimeve përkatëse — krijuan dhe thelluan një hendek të vazhdueshëm ndërmjet pushtetit dhe popullsisë shqiptare. Represioni politik, politikat e kolonizimit në periudha të caktuara, shpërnguljet, kufizimi i të drejtave dhe, në fund të viteve 1980 dhe gjatë viteve 1990, suprimimi i autonomisë dhe represioni sistematik, e bënë gjithnjë e më të pamundur ndërtimin e një raporti politik të bazuar në barazi, besim dhe pëlqim.
Për këtë arsye, mund të argumentohet se, shumë përpara se Serbia të humbiste kontrollin efektiv mbi Kosovën në vitin 1999, ajo kishte konsumuar në masë të madhe mundësinë për ta legjitimuar atë kontroll përmes bashkëjetesës demokratike, barazisë politike dhe respektimit të vullnetit të popullsisë shumicë shqiptare. Në këtë perspektivë, Kosova nuk duhet trajtuar si një pronë që Serbia “e kishte” dhe më pas “e humbi”, por si një çështje historike e karakterizuar nga përplasja ndërmjet pretendimit shtetëror për sovranitet dhe kërkesës së një popullsie për liri, barazi dhe vetëvendosje.
Kështu, pyetja që duhet të shtrohet nuk është thjesht “Si e humbi Serbia Kosovën?”, por një pyetje shumë më themelore: “Si u vendos pushteti i Serbisë mbi Kosovën, si u ushtrua ai dhe mbi çfarë baze mund të pretendohej legjitimiteti i tij përballë vullnetit të popullsisë së Kosovës?” Pikërisht përgjigjja historike, dokumentare dhe juridiko-politike ndaj kësaj pyetjeje mund ta zhvendosë debatin nga miti i “territorit të humbur” drejt analizës së pushtetit, pushtimit, legjitimitetit dhe të drejtës së popujve për të përcaktuar fatin e tyre politik.
Edhe lumi Ibër, për fat të keq, është ngarkuar me këtë histori të rëndë simbolesh dhe ndarjesh. Një lumë që në natyrën e vet nuk njeh kufij etnikë, nuk njeh ideologji dhe nuk pyet se cilës kombësi i përkasin brigjet e tij, në diskursin politik është shndërruar në vijë psikologjike dhe politike ndarjeje, veçanërisht në Mitrovicë. Kjo është ndoshta një nga ironitë më të dhimbshme të historisë sonë të afërt: pushteti serbë mundohet t’u jap lumenjve kufij që natyra nuk ua ka dhënë kurrë, t’i shndërrojnë urat nga mjete bashkimi në simbole konfrontimi dhe të ndërtojnë mbi gjeografinë e zakonshme të një qyteti të tërë arkitekturën e frikës, mosbesimit dhe konfliktit politik.
Prandaj, debati për Ibrin nuk është dhe nuk duhet të mbetet vetëm debat për një lumë, një urë apo një hapësirë urbane; ai është debat për mënyrën se si e konceptojmë sovranitetin, bashkëjetesën dhe normalitetin në Kosovën e pasluftës, por njëkohësisht edhe për mënyrën se si Serbia vazhdon ta interpretojë humbjen e kontrollit mbi Kosovën. Përderisa në Beograd mbijeton ideja se Kosova është një territor që duhet “rikthyer”, çdo urë, çdo komunë, çdo institucion dhe pothuajse çdo çështje administrative mund të ngarkohet me domethënie gjeopolitike shumë më të madhe sesa ka në realitet.
Në fund, ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është se kur dhe si “Serbia e humbi Kosovën”, por kur filloi ta humbiste mundësinë për ta parë Kosovën jashtë kategorive të pronësisë territoriale dhe për t’i parë shqiptarët e Kosovës si subjekt politik me vullnet, histori dhe aspirata të veta. Sepse shtetet mund të humbin kontrollin mbi territore në momente të caktuara historike, por humbjet më të thella politike ndodhin shumë më herët: atëherë kur pushteti humbet legjitimitetin, kur qytetari shndërrohet në të dyshuar, kur dallimi etnik bëhet kriter politik dhe kur forca zë vendin e marrëveshjes.
Dhe pikërisht për këtë arsye, sa herë që dëgjoj të përsëritet fjalia “Serbia e humbi Kosovën”, mendoj se historia do të kuptohej shumë më drejt sikur pyetja të shtrohej ndryshe: jo vetëm kur e humbi Serbia Kosovën, por kur e pati Serbia Kosovën, pastaj çfarë bëri politika serbe për shqiptarët e Kosovës? Në përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje gjendet një pjesë e madhe e së vërtetës historike që retorika nacionaliste përpiqet ta mbulojë me mite, me metafora territoriale dhe me nostalgjinë e një sovraniteti të humbur.
Dhe sa herë që në diskursin politik serb thuhej, me një lloj pikëllimi të fabrikuar kombëtar, se Serbia “e paska humbur Kosovën”, vetë mënyra e formulimit të kësaj fjalie e zbulonte një pretendim shumë më të thellë sesa dukej në sipërfaqe, sepse të thuash se ke humbur diçka do të thotë, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, të pretendosh se ajo gjë më parë të ka takuar, se ka qenë e jotja, se ke pasur mbi të një të drejtë të natyrshme dhe të pakontestueshme pronësie, ndërsa tani, për shkak të një padrejtësie, të një disfate apo të ndërhyrjes së dikujt tjetër, ajo të është marrë nga duart. Pikërisht këtu fillon lajthitja e madhe politike mbi të cilën është ndërtuar për dekada një pjesë e rëndësishme e narrativës serbe për Kosovën: ngatërrimi i sundimit me pronësinë, i pushtimit me të drejtën historike, i kontrollit shtetëror me përkatësinë e përjetshme dhe, mbi të gjitha, përpjekja për ta paraqitur një raport të krijuar e të ndryshuar nëpër periudha historike si një e drejtë e pandryshueshme që qëndron mbi vullnetin e njerëzve që jetojnë në atë hapësirë.
Çfarë lajthitjeje politike është të besohet se një vend mund të trajtohet si pronë e trashëguar, sikur toka, qytetet, lumenjtë, malet dhe, mbi të gjitha, njerëzit që jetojnë aty të mund të futeshin në inventarin historik të një shteti dhe të kalonin nga një brez në tjetrin si një pasuri e patundshme! Kjo mënyrë e të menduarit nuk është vetëm problem gjuhësor; ajo zbulon një filozofi politike të territorit, sipas së cilës fuqia e ushtruar dikur shndërrohet, në retrospektivë, në argument pronësie, ndërsa sundimi politik paraqitet si dëshmi e një të drejte të përhershme. Mirëpo historia e Ballkanit, më shumë se historia e shumë hapësirave të tjera evropiane, na mëson pikërisht të kundërtën: kufijtë kanë ndryshuar, perandoritë janë ngritur dhe janë shembur, administratat janë zëvendësuar, territoret kanë kaluar nën pushtete të ndryshme dhe asnjë periudhë sundimi, vetëm për faktin se ka ekzistuar, nuk mund të shpallet automatikisht dëshmi e pronësisë së përjetshme mbi një vend.
Prandaj, kur thuhet se Serbia “e humbi Kosovën”, pyetja që duhet të pasojë nuk është vetëm se kur dhe në çfarë rrethanash e humbi kontrollin mbi të, por një pyetje shumë më e parehatshme për narrativën tradicionale nacionaliste: mbi çfarë baze ndërtohet pretendimi se Kosova duhej konsideruar diçka që Serbia mund ta “humbiste” sikur të ishte pronë e saj? Sepse ekziston një dallim thelbësor ndërmjet faktit se një shtet ka ushtruar pushtet mbi një territor në një periudhë historike dhe pretendimit se ai territor i përket atij shteti përgjithmonë, pavarësisht zhvillimeve historike, përbërjes së popullsisë, vullnetit politik të banorëve dhe transformimeve që kanë ndodhur ndërkohë.
Këtu qëndron edhe paradoksi i madh i retorikës së “Kosovës së humbur”: ajo kërkon të na bindë të mendojmë për historinë duke filluar nga momenti i humbjes, por jo nga historia e mënyrës se si është vendosur dhe ushtruar pushteti. Flet për fundin e kontrollit serb, por shumë më pak për proceset historike që i paraprinë atij; flet për plagën serbe, por jo gjithmonë me të njëjtën gatishmëri për përvojën historike të shqiptarëve; flet për territorin, por shumë më pak për njerëzit; flet për hartën, por jo mjaftueshëm për vullnetin politik të popullsisë që jetonte brenda asaj harte. Dhe pikërisht kjo përzgjedhje e kujtesës është mekanizmi përmes të cilit historia mund të shndërrohet nga fushë e kërkimit dhe e ballafaqimit me faktet në instrument të legjitimimit politik.
Në këtë kuptim, nocioni se Serbia “e humbi Kosovën” nuk është një formulim i pafajshëm. Ai bart brenda vetes një mënyrë të të menduarit që e vendos territorin përpara njeriut dhe mitin përpara realitetit politik, duke e reduktuar një histori komplekse marrëdhëniesh, konfliktesh, represioni, rezistence dhe aspiratash kombëtare në tregimin e thjeshtuar të një pronari që një ditë zgjohet dhe zbulon se i është marrë prona. Por Kosova nuk ishte një send që mund të humbej në rrugë, as një pronë që mund të regjistrohej përgjithmonë në emër të një shteti; ajo ishte dhe mbetet një hapësirë shqiptare, e banuar nga njerëz me kujtesë historike, identitet, përvojë politike dhe vullnet për ta përcaktuar të ardhmen e tyre.
Ndoshta pikërisht këtu duhet përmbysur krejtësisht pyetja që për dekada është përsëritur në diskursin serb. Në vend që të pyetet vazhdimisht “Si e humbi Serbia Kosovën?”, historia kërkon të shtrohet edhe pyetja shumë më themelore: si u krijua dhe u legjitimua pushteti serb mbi Kosovën në periudha të ndryshme, me çfarë mjetesh u mbajt ai pushtet dhe si e përjetoi atë popullsia shqiptare? Vetëm atëherë debati largohet nga mitologjia e pronësisë dhe hyn në territorin shumë më serioz të historisë politike.
Sepse ndoshta lajthitja më e madhe e një politike aneksionuese nuk qëndron vetëm në dëshirën për ta zgjeruar ose ruajtur territorin, por në aftësinë për ta bindur veten, brez pas brezi, se ajo që është marrë ose sunduar në një moment të historisë ka qenë gjithmonë dhe duhet të mbetet përgjithmonë “e jotja”. Kur një konstruksion i tillë përsëritet për dekada në politikë, historiografi, media dhe kulturën publike, ai gradualisht pushon së perceptuari si pretendim politik dhe fillon të paraqitet si e vërtetë e vetëkuptueshme. Dhe pikërisht aty lind rreziku: kur miti nuk paraqitet më si mit, por si fakt; kur pretendimi shndërrohet në “të drejtë”; dhe kur humbja e pushtetit mbi një popull interpretohet jo si përfundim i një raporti historik sundimi, por si amputim i një prone që duhet, një ditë, të rikthehet.
Ndoshta pikërisht këtu duhet të ndalemi për një çast dhe, në vend që t’i pranojmë si të mirëqena formulimet e përsëritura për dekada nga politika, historiografia dhe propaganda shtetërore serbe, të lëshohemi ngadalë shkallëve të historisë, jo për të kërkuar në të atë që dëshirojmë të gjejmë, por për të parë se çfarë na dëshmojnë proceset, dokumentet, ndryshimet politike dhe raportet e pushtetit që kanë kaluar mbi Kosovën ndër shekuj. Duhet të zbresim nëpër shtresat e kohës dhe të shtrojmë një pyetje në dukje të thjeshtë, por politikisht jashtëzakonisht të rëndësishme: si, kur dhe mbi çfarë baze historike Kosova “paska qenë” e Serbisë, në kuptimin absolut dhe të përhershëm që përpiqet t’i japë kësaj marrëdhënieje narrativa nacionaliste serbe?
Sepse historia nuk mund të lexohet si një dokument pronësie, ku mjafton të gjesh një periudhë sundimi, një mbretëri mesjetare, një betejë, një monument fetar apo një administratë shtetërore dhe, mbi atë fragment të së kaluarës, të ndërtosh të drejtën e përjetshme mbi një territor. Po të përdorej një logjikë e tillë si parim universal i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe popujve, atëherë e gjithë harta politike e Evropës dhe e botës do të mund të hapej çdo mëngjes për rishikim, sepse pothuajse nuk ekziston një hapësirë historike që, në periudha të ndryshme, të mos ketë qenë nën sundime, mbretëri, perandori dhe administrata të ndryshme. Historia dëshmon se kush ka sunduar në një kohë të caktuar; ajo nuk lëshon çertifikata pronësie për përjetësinë.
Prandaj duhet të ecim më thellë nëpër këto shkallë të historisë dhe të dallojmë me kujdes atë që propaganda shpesh e bashkon qëllimisht: praninë historike nga pronësia politike, trashëgiminë kulturore nga sovraniteti shtetëror, kujtesën fetare nga e drejta territoriale dhe sundimin e një periudhe nga pretendimi për zotërim të përhershëm. Askush nuk ka nevojë ta mohojë praninë historike serbe në Kosovë, monumentet mesjetare serbe apo rëndësinë që Kosova ka në kujtesën kulturore dhe fetare serbe, për të kundërshtuar përfundimin se prej këtyre fakteve rrjedh automatikisht një e drejtë e pakufizuar dhe e përjetshme shtetërore mbi Kosovën. Pikërisht këtu kërkohet ndarja ndërmjet historisë si shkencë dhe historisë së përdorur si instrument i politikës territoriale.
Duke zbritur shkallëve të historisë, duhet të pyesim jo vetëm se cilët sundimtarë kanë kaluar mbi Kosovën, por edhe kush ka jetuar aty, si kanë ndryshuar strukturat shoqërore dhe demografike, si janë krijuar raportet ndërmjet komuniteteve dhe, veçanërisht, në çfarë rrethanash moderne politike Kosova është përfshirë nën pushtetin e shtetit serb. Duhet të shohim periudhat jo si fotografi të ngrira, të zgjedhura sipas nevojave të politikës së sotme, por si pjesë të një procesi të gjatë, kontradiktor dhe shpesh tragjik, në të cilin pushtetet kanë ardhur e kanë ikur, kufijtë janë zhvendosur dhe popullsitë kanë mbijetuar nën sisteme të ndryshme politike.
Vijon


