Ndryshim i mentalitetit qeverisës, jo i emrave në qeveri!

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Shkruan: Florim Zeqa, 09.11.2026

Jo çdo shok mbetët shok për tërë jetën, pasi njerëzit ndryshojnë, përmirësohen apo gabojnë si produkt i ambicieve personale. Politika jo vetëm që i ka përçarë dhe i ka ndarë shqiptarët, i ka përçarë familjet mes tyre, i ka ndarë anëtarët e së njëjtës familje! Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur në një familje katër anëtarëshe futen pesë parti! Kjo ka bërë që anëtarët e së njëjtës familje të përçahen aq keq sa të hyjnë në konflikte verbale dhe fizike mes tyre!

Pa homogjenizimin e vlerave kombëtare nuk kemi ardhmëri

Partitë politike aq shumë dhe aq keq e kanë politizuar dhe polarizuar shoqërinë kosovare, saqë gjithçka është kthyer në urrejtje vëllazërore dhe hakmarrje primitive mes liderëve të subjekteve politike.

Vetëm një subjekt i ri politik mund ta bëjë homogjenizimin e vlerave të pastra kombëtare, mund t’ia kthejë nderin dhe dinjitetin bërthamës së shtetit-Familjes Shqiptare, të ndarë dhe përqarë pamëshirshëm nga të gjitha subjektet politike, të cilat shoqërinë kosovare e përdorin vetëm si numra në prag të fushatave zgjedhore, duke iu premtuar të gjitha mrekullitë e botës derisa t’ua grabisin voten, për t’i harruar më pas deri në zgjedhjet e radhës!

Morali, sinqeriteti dhe mbajtja e fjalës janë tre nga shumë elemente tjerë që e bejnë individin të jetë patriot i mirë. Përfshirja e këtyre elementeve dhe të tjerave si: humanizmi, solidariteti, besa, guximi, durimi, vendosmëria, burrëria, qëndresa, dashuria ndaj atdheut e bëjnë njeriun të jetë i atdhetarë i dinjitetshëm.

Ata që i posedojnë vetitë e sipërcekura me siguri e duan ndryshimin dhe atë do ta arrijnë përmes alternativës së re politike, kurse ata që e duan vazhdimësinë do të mbeten edhe më tutje peng i kusarëve politikë që rropën e ç’rropën çdo gjë në Kosovën e pasluftës.

Me një fjalë, ata që e duan ndryshimin do ta arrijnë përmes alternativës së re politike, kurse ata që e duan vazhdimësinë do të mbetën akoma pengje të mashtruesve ordinerë, që ua premtuan dritën, kurse në vend të saj ua sollën errësirën!

Andaj, qytetar të dashur të vendit tim, në vend të errësirës zgjedhne dritën, në vend të mashtrimit zgjedhne fjalën e dhënë dhe besën shqiptare deri në fitoren e madhe dhe epokale kundër kësaj klase kusarësh politik që ua bën jetën ferr në vendin më të bukur dhe më të pasur në rajon.

Mos u besoni edhe më tutje atyre që ua dhatë votën verbërisht, e të cilët, në vend të mirëqenjes së premtuar, ua sollën zhgënjimin e madh duke i punësuar nëpër institucione publike dhe shtetërore vetëm familjarët e tyre, dajët dhe tezet, miqët dhe farefisin e gjërë, militantët partiak dhe dashnoret e tyre në qeveri dhe staf diplomatik.

Vrasjet makabre brenda shoqërisë sonë nuk janë të reja dhe as të rastësishme, ato tashmë janë kthyer një përditshmëri e hidhur dhe nuk do të ndalen asnjëherë me lutje dhe protesta, por me ndryshimin e mentalitetit qeverisës, forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përmirësimit të sistemit edukativo-arsimor!

Populli i nderon dhe i çmon shumë veprimtarët e të gjitha periudhave historike, luftëtarët e lirisë, ata që i dhanë gjymtyrët e trupit. Me pietet të lartë i kujton të gjithë dëshmorët dhe martirët, i kujton dhe nuk i harron asnjëherë të vrarët e të zhdukurit gjatë luftës, që tashmë janë bërë gurëthemel i fortë i lirisë sonë. Por, populli ynë di t’i nderojë dhe çmojë lartë edhe udhëheqësit e mirë, të përgjegjshëm dhe të dinjitetshëm që punojnë për të mirën e tij!

Florim Zeqa, analist i pavarur politik

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit