Foto nga Justin Sullivan/Getty Images
SARAH TAYLOR, 07 qershor 2022 – TheBlaze.com – Përktheu Arben Çokaj
Një studim i ri i botuar në “The New England Journal of Medicine” ka treguar se të 18 pacientët me kancer rektal, që morën pjesë në një provë eksperimentale të barnave, kaluan në shërim pas një trajtimi gjashtëmujor.
Studimi, raportoi Journal, u drejtua nga mjekët në Memorial Sloan Kettering. Prodhuesi i ilaçeve GlaxoSmithKline, gjithashtu e mbështeti kërkimin.
Cilat janë detajet?
Sipas studimit, 18 pacientë me kancer, të cilëve iu dha ilaçi eksperimental i imunoterapisë dostarlimab çdo tre javë për gjashtë muaj, përfunduan në shërim deri në fund të provës.
Një pjesë e studimit thoshte: “Ne filluam një studim prospektiv të fazës 2, në të cilin dostarlimab me një agjent të vetëm, një antitrup monoklonal anti-PD-1, u administrua çdo 3 javë për 6 muaj në pacientët me fazën II ose III të mungesës së riparimit të mospërputhjes, adenokarcinoma e rektumit. Ky trajtim do të pasohej nga kimioradioterapia standarde dhe kirurgjia.”
Studimi mahnitës zbuloi se të 18 pacientët panë një “përgjigje klinike, pa prova të tumorit në imazhet e rezonancës magnetike“, pas regjimit gjashtëmujor.
“Në kohën e këtij raporti, asnjë pacient nuk kishte marrë kimioterapi apo kishte kryer operacion dhe asnjë rast progresi apo rikthimi nuk ishte raportuar gjatë ndjekjes”, shtoi studimi në gjetjet e tij. “Asnjë ngjarje e padëshiruar e klasës 3 ose më e lartë nuk është raportuar.”
Autori i studimit Dr. Luis A. Diaz Jr tha për New York Times se ai beson se rezultatet janë “hera e parë që ndodh kjo në historinë e kancerit“. Autori i studimit Dr. Andrea Cercek shtoi se gjetjet rezultuan në “shumë lot të lumtur“. Dr. Kimmie Ng me Shkollën Mjekësore të Harvardit i lavdëroi rezultatet, duke i quajtur ato “të paprecedentë” dhe “të shquar“, dhe Dr. Alan P. Venook – i cili nuk ishte i përfshirë në studim – shtoi se një zbulim i tillë ishte “i padëgjuar“.
Sipas raportit të Times, ilaçi kushtonte afërsisht 11,000 dollarë për dozë.