114 vjet pavarësi, histori, qëndresë dhe dinjitet kombëtar – 1912–2026
Nga Asllan Dibrani – Lluani
Ka data që shënohen në kalendar dhe ka data që gdhenden përjetësisht në shpirtin e një kombi. Për ne shqiptarët, 28 Nëntori është dita kur historia, krenaria, sakrifica dhe ëndrra për liri bashkohen nën madhështinë e flamurit kuqezi.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorën historike, Ismail Qemali ngriti flamurin e pavarësisë, duke i shpallur botës se Shqipëria kishte të drejtën e saj të patjetërsueshme për të jetuar e lirë, e pavarur dhe me dinjitet mes kombeve të botës.
Ai flamur nuk ishte thjesht një copë pëlhure. Në të jetonin amaneti i Skënderbeut, urtësia e rilindësve, gjaku i dëshmorëve, lotët e nënave shqiptare dhe shpresa e brezave që nuk u pajtuan kurrë me robërinë.
Flamuri ynë është kujtesa e një populli që, përballë stuhive të historisë, nuk e humbi gjuhën, identitetin dhe dashurinë për atdheun. Është ura shpirtërore që bashkon shqiptarët përtej kufijve gjeografikë, dallimeve fetare dhe bindjeve politike.
Nga Vlora në Prishtinë, nga Shkupi në Tetovë, nga Ulqini në Preshevë, nga Çamëria e trojet arbëreshe deri në çdo cep të mërgatës shqiptare, shqiponja dykrenare mbetet simboli i përkatësisë, i qëndresës dhe i krenarisë sonë kombëtare.
Në këtë përvjetor madhështor, përulemi me respekt përpara të gjithë atyre që i falën jetën lirisë shqiptare, nga epoka e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut deri te sakrifica sublime e Adem Jasharit dhe e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në pritje të Nëntorit të Tretë – amanetit të papërmbushur kombëtar
Nëntori i Parë i vitit 1443 na riktheu flamurin e Skënderbeut në Krujë.
Nëntori i Dytë i vitit 1912 na solli Pavarësinë e Shqipërisë.
Ndërsa 17 Shkurti i vitit 2008 kurorëzoi me pavarësi sakrificën shumëshekullore të Kosovës.
Pas Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, mbetet ende gjallë aspirata ime për një Nëntor të Tretë – Nëntorin e ribashkimit të të gjitha trojeve shqiptare, përmes vullnetit demokratik, paqes dhe mirëkuptimit.
Le të vijë sa më shpejt ai Nëntor historik, që do të simbolizonte përmbushjen e ëndrrës së rilindësve dhe të amanetit të brezave.
Nuk ia caktojmë datën historisë, por shpresën për të ardhmen nuk ia shuajmë kurrë zemrës.
Sepse kombet që e ruajnë kujtesën, që e kultivojnë identitetin dhe që punojnë për idealet e tyre, nuk e humbin rrugën drejt së ardhmes.
Le t’ua trashëgojmë fëmijëve tanë jo vetëm flamurin, por edhe kuptimin e tij; jo vetëm historinë, por edhe dinjitetin e saj; jo vetëm dashurinë për atdheun, por edhe përgjegjësinë për të ardhmen e kombit.
Kudo që të jetojmë, sado larg vendlindjes të na ketë çuar jeta, rrënjët tona mbeten në tokën e të parëve, ndërsa flamuri kuqezi mbetet adresa e përjetshme e shpirtit tonë shqiptar.
Nga thellësia e zemrës, ua uroj të gjithë shqiptarëve anembanë botës 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!
Gëzuar 114-vjetorin e Pavarësisë!
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Rroftë flamuri kuqezi!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Kosova!
Rroftë kombi shqiptar ndër breza e në përjetësi!
Ardhtë sa më shpejt Nëntori i Tretë – simboli i bashkimit dhe i përmbushjes së aspiratës sonë kombëtare!
Me respekt, dashuri dhe krenari kombëtare,
Asllan Dibrani – Luani
28 Nëntor 2026
Gjermani


