Me administratorin e palodhur, Genc Sita

0
1618

Ibrahim Kabili Ka kohë që pamja e Zall-Bastarit ka marrë një fytyrë të re. Kush vjen si vizitor e ndjen sapo hyn në territorin e tij. Rruga e re e asfaltuar deri në qendër, Rruga e Arbërit, rikonstruksioni i Qendrës Administrative, pamja madhështore e relievit me; vargmalet Krujë-Dajt, ujëmbledhësin e Bovillës, Lugun e Vilzës, Vargmalet e Skënderbej e Malin me Gropa, Çajret e Selitës dhe Fekeni i’a shtojnë bukurinë natyrore kësaj krahine.

Shtuar këtu edhe elementin njeri e ndërhyrjen e shtetit mendoj se krahina çdo ditë e më shumë po merr një pamje të re dhe do jetë një atraksion i lakmueshëm në të ardhmen.

Më në fund pas 30 vjetëve demokraci, krahina jonë u vlerësua nga Qeveria dhe Bashkia Tiranë. Ajo po merr një fytyrë krejtësisht të re. Rruga dhe komunikacioni janë një bazë e fuqishme për zhvillimin ekonomik, aq më shumë për kushtet tona edhe mundësinë e zhvillimit të turizminit. Unë kisha kohë që doja të bëj një shkrim për ndryshimet këtu, dhe administratorin Genc Sita. Ndryshimi ka filluar! Ai do vazhdojë më tej dhe fundi i tij do jetë i gjatë në kohë. Biseda me të, me datën 21.05.2022 qe miqësore dhe zgjati në kohë…

Genc Riza Sita lindi në Zall-Bastar më 25.06. 1982 në një familje të thjeshtë, punëtore dhe me tradita. Tre ciklet e shkollimit i mbaron në Shkollën e Mesme Zall-Bastar. Shkollën e mesme e përfundon me rezultate të mira në vitin shkollir 1999-2000. Genci për shkollën e Zall-Bastarit kujton: “Vitet e shkollës dhe kolektivin pedagogjik e kujtoj me shumë nostalgji. Shkolla ka qenë e kompletuar, kolektivi pedagogjik i përkushtuar, drejtuesit e shkollës qenë serioz, mësimi qe mësim dhe veprimtaritë e tjera na kanë shoqëruar vit pas viti.

Shkolla pati arritje në treguesit e saj dhe në mjaft olimpiada ku ajo mori pjesë. Kujtoj me shumë respekt mësuesit; Astrit Çelmeta, Luan Nelaj, Sajmir Xhafo, Islam Selmani, etj. Mbresat më të mira kam për stafin pedagogjik dhe jam krenar që kam qenë nxënës i kësaj shkolle”.

Falë rezultateve në shkollën e mesme në vitin 2000 vazhdon arsimin e larë në Universitetin Bujqësor të Tiranës në degën Ekonomi dhe Politikë Agrare. E përfundon atë me rezultate të mira. Për periudhën e shkollimit, ai shton: “Dega jonë qe shumë e mirë por kërkonte shumë punë gjatë studimeve. Në UBT, patëm një staf pedagogësh shumë të përgatitur të cilët na ndihmuan në ecurinë tonë në shkollën e lartë.

Ata qenë autor tekstesh dhe me grada shkencore, shumë kërkues dhe human. Midis tyre veçoj rektorin Velesin Peçuli dhe profesoreshën Parashqevi Rrapo. Fakullteti kishte edhe laboratorët përkatëse, të fizikës, kimisë, etj. Shkolla e lartë qe një sfidë e vështirë, por njëkohësisht edhe e bukur për mua”.

Në vitin 2004 kryen praktikën mësimore prej 5.5 muaj në Angli, në biznese të ndryshme private. Nga kjo praktikë e re në një nga vendet më të zhvilluara në Evropën Perendimore, studentët përfituan shumë nga ana profesionale. Për këtë Genci, pohon: “Kursi jonë përbëhej nga 16 studentë shqiptar. Te vendbanimi jonë në qytetin Ipsuiç, krahas nesh kishte studentë edhe nga Rusia, Ukraina, Bjellorusia, Bullgaria dhe Polonia.

Këtu qe kontakti i parë i joni me botën e qytetëruar. Krahas aftësimit profesional ku njohuritë tona teorike prekën gjithë zinxhirin e prodhimit, përfituam shumë edhe nga kultura reciproke e studentëve të tjerë me kombësi të ndryshme. Një muaj praktikë e bëmë në Londër. Praktika që bëmë në Angli për mua mbetet një përvojë e mirë me shumë vlera”.

Në vitin 2005 ai ka punuar si Asistent në një Studio Kontabiliteti.
Nga viti 2006-2013 ka punuar si ekonomist i brendshëm dhe i jashtëm në këto biznese private, si: “BIZGO” shpk; Hause-klima shpk; “REI 2000” shpk; “Orient” shpk, etj. Për këtë periudhë, ai shprehet: “Për mua këto vite qenë një eksperiencë e re në profesion. Njohuritë teorike i zbatonim në praktikë, shkëmbyem e fituam përvojë në zanatin tonë”.

Në vitet 2013-2014 punon në OSHEE, në Njësinë Nr.3 Tiranë, me detyrën e zevendës drejtorit dhe shefit të burimeve njerëzore. Për këtë, ai shton: “Këtu përballova një punë voluminoze. Pata një bashkëpunim shumë të mirë me eprorët, bashkëpunëtorët dhe vartësit. Qe një eksperiencë e bukur për mua”.

Më 31 korrik 2015 emërohet Përgjegjës i Zyrës së Sektorit të Financës D.R.OSHEE-së, Tiranë.

Nga 3 gushti 2015 dhe në vazhdim është emëruar, nga Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Administrator i Njësisë Administrative Zall-Bastar. Për këtë, Genci thotë: “Kjo detyrë qe për mua një vlerësim, privilegj, dhe mbi të gjitha sfidë dhe përgjegjësi. Qe e tillë pasi realiteti në ish komunën vlente për të dëshiruar. Për tu përballuar me sfidat vendosa disa objektiva. Fillova gradualisht punën për realizimin e tyre dhe deri tani kemi arritur:

● Përmirësimim e cilësisë së shërbimit nga ana e stafit.
● Një angazhim më të madh për tu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.
● Përmirësim e infrastrukturës së rrugëve që lidhin fshatrat me Njësinë Administrative.
● Sistemimin, rehabilitimim dhe asfaltimin e qendrës së Njësisë Administrative Zall-Bastar.
● Asfaltimin e Rrugës Zall-Dajt, Zall-Bastar
● Ndërhyrjen e vazhdueshme në rrugët që kalojnë në shtratin e përrenjëve.
● Sistemimin e rrugës së Fshatit Vilëz, ndërhyrjen te ura dhe sistemimin e argjinaturës mbrojtëse të saj.
● Ndërhyrjen te ura e Fshatit Mëner i Sipërm dhe ndryshimin e gjurmës së rrugës në Lagjen Fezaj.
● Ndërtimin e urës në Fshatin Bastar i Mesëm dhe rregullimi i argjinaturës pranë saj.
● Ndërtimin e Ujësjellësit të Ri të Fshatit Vilëz.
● Rikonstruksionin total të Ujësjellësit ekzistues të Zall-Bastarit dhe furnizimin me ujë të bollshëm pothuajse gjatë gjithë ditës.
● Hapjen e kopështit të ri në Zall-Dajt ku e vijojnë rregullisht atë,15-20 fëmijë.
● Të bëjmë rikonstruksionin e Qendrës Shëndetsore Zall-Bastar, ku është përmirësuar edhe cilësia e shërbimit.

Kemi patur një bashkëpunim të vazhdueshëm me disa shoqata dhe fondacione të ndryshme të cilat kanë bërë të mundur që të ndihmohen në vijimësi familjet në nevojë. Shumë aktiv në këtë aspekt ka qenë dhe është Bashkim Fejza me fonfacionet ku ka punuar. Po kështu edhe imami i Xhamisë “Dine Hoxha”, Ahmet Kalaja. Gjej rastin ti falenderoj këto të dy, po edhe të tjerët për ndihmën e dhënë”.

Në aspektin familiar ai është martuar me Nertilën dhe kanë një vajzë.Nertila ka mbaruar arsimin e lartë në Universitetin Mjeksor të Tiranës, dega Laborante e Lartë dhe punon në Spitalin “Shefqet Ndroqi” Tiranë.

Sfidat e tij nuk mbarojnë këtu. Ai mbi tavolinë ka edhe disa projekte dhe kërkesa të tjera, që duan miratimin e tyre në Këshillin Bashkiak e presin firmën dhe vulën e Kryetarit të Bashkisë. Me mbeshtetjen që ka nga Kryetari i Bashkise së Tiranës, dhe përkushtimin e tij, Genci ka shumë mundësi që të raalizoj edhe projekte të tjera. Kështu Zona jonë do të zhvillohet edhe më shumë. Ajo do të bëhet edhe më atraktive dhe do rritet edhe më shume mirëqenja e banorëve të saj. Me këtë ndihmë dhe mbështetje Zona do të arrij të prodhojë edhe më shumë produkte bujqësore dhe blegtorale bio. Gjithashtu zona ka shanse të mëdha për zhvillimin e turizmit liqenor dhe malor. Le të shpresojme…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 02.06.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.