POETI I LIDHUR ME KOHËN DHE ME BOTËN QË I TAKON

0
94
Agim Gjakova - Gërmime në etje

Mikel Gojani Mikel Gojani

Agim Gjakova: Gërmime në etje. Poezi. Botimi i dytë i shtuar. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, SAGA, Prishtinë 2020

Kur flasim për shkrimtarin e mirënjohur të letërsisë sonë, Agim Gjakovën, duhet thënë se ai një pjesë të mirë të jetës e kaloi në Shqipëri, ndërsa një pjesë tjetër në Kosovë dhe se veprat që i krijoi të bindin për një letërsi të tërësishme kombëtare. “Kombi asht nja dhe gjuha nja asht”, do të shprehej liriku ynë i madh, Ndre Mjeda. Kësaj maksime me shumë besnikëri iu përmbajt Agim Gjakova.

Shkrimtari i përndjekur në “dy atdhetë”

Agim Gjakova në vitet ‘50-ta u përndoq nga sigurimi serbojugosllav UDB-a dhe u detyrua të ikë në Shqipëri, ndërsa gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri u përndjek nga sigurimi i shtetit shqiptar.

Për krijimtarinë e tij me tematikë nga Kosova dhe për frymën demokratike që i përshkonte vepra e tij ka qenë gjysmë i injoruar dhe gjysmë i izoluar. Në plenumin e Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë më 1967, diskutoi për trajtimin në letërsi të subjekteve nga jeta e dhunuar e shqiptarëve të Kosovës. U prit shumë keq nga “elita partiake drejtuese”. U akuzua se po ngrinte çështje në kundërshtim me vijën e partisë, ose që nuk i kishte ngritur partia. Madje iu përgatit edhe internimi (apo edhe arrestimi), urdhër që nuk u ekzekutua falë atyre njerëzve objektivë që argumentuan se diskutimi nuk kishte qenë tendencioz.

Për romanin e tij “Në kërkim të së vërtetës” u akuzua në plenumin e Lidhjes së shkrimtarëve si ahistorike dhe që e nxin realitetin. Në këtë vazhdë atij iu ndalua botimi i përmbledhjes me poezi “Rrënjët përtërihen” (“I gjuaj ëndrrat me gurë”). Me porosi të Plenumit të komitetit të partisë së punës të Shqipërisë u akuzua se është kundër ideologjisë së partisë, politikës së partisë, ndërtimit të socializmit edhe për hermetizëm e luftënxitës (se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë).

Nga atëherë emri i tij u vu në listën prej shtatë a tetë vetash si “krijues që është i destinuar të gabojë ideologjikisht” dhe se veprat e tij nuk qenë në përputhje me shijen e regjimit diktatorial. Kështu, u mbajt nën vëzhgim dhe mbikëqyrje nga sigurimi shtetit deri më 1990.

Poezi e krijuar në rrethana të kushtëzuara

Libri me poezi i poetit Agim Gjakova me titull metaforik “Gërmime në etje”, poezi e zgjedhur dhe me parathënie të studiuesit Anton Nikë Berisha, është konceptuar në njëmbëdhjetë njësi strukturore që përbëjnë një koncept tërësor: Drithërimë atdheu, Një shtjellën e dhembjes, Muzgu i durimit, Ujëvarë e prushtë, Dikush ma frymëzon ëndrrën, Shpalim etjesh, Sytë e tu ujëvarë, Vargjet dritëbardhë, Vallëzim ngjyrash, Lulet e vesuara me buzëqeshje, Nëse do të ishte…

Nisur nga ky vëllim me poezi të zgjedhura, mund të thuhet se Agim Gjakova dëshmohet poet me fizionomi dhe individualitet të formuar, i cili përherë mbetet i vetvetes. Në parathënien e librit me poezie të zgjedhur “Rrjedha, pasurimi dhe ngritja e një poezie” theksohet: “Në rrafshin kohor, po edhe të sistemit shprehës, poezia e Agim Gjakovës u takon tri periudhave, përkatësisht mund të vështrohet në tri tablo që sado të shfaqura të mëvetësishme, e ndjekin dhe e plotësojnë njëra tjetrën:

  1. Poezia e krijuar në vendlindje, në Gjakovë, dhe në Beograd (ku studioi);
  2. Poezia e krijuar në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe
  3. Poezia e krijuar në Shqipëri dhe Kosovë pas viti 1992, pas rënies së sistemit komunist.

Duke i vëzhguar më përafërt poezitë e krijuara gjatë këtyre tri periudhave, sidomos në rrafshin e qasjes dhe të shqiptimit poetik, mund të thuhet se ato të dy periudhave të para cilësohen më shumë për strukturën tekstore të rëndomtë, me kufizimin e të shprehurit të lirë të mendimeve, të tablove poetike e të përdorimit të imagjinatës krijuese. Poezia është krijuar në rrethana të kushtëzuara, është një poezi me flatra të shkurtuara, poezi që flet më shumë në heshtje, që i ruhet vetvetes dhe e ruan vetveten, si thuhet në poezinë “Zemërvjeshtë e zhveshur”: pëshpëritje grin e bluan nëpër dhëmbë, ose siç thoshte poeti, Azem Shkreli, mbase s’ishte fjala, ishte heshtja hymën. …

Në qenësi është poezi e shqetësimit, që nuk shprehet pandërmjetësisht dhe në mënyrë retorike, po përmes tablove e mesazheve të veçanta, të gërshetuara shpesh me ironinë , sarkazmin dhe groteskun. Edhe të qeshurit e poetit tonë, siç thuhet ngjet midis lotëve[1].

Mesazhet poetike të ndërliqshme dhe shumësore

Poezia e përftuar në periudhën e tretë, thuhet në parathënie të Berishës, cilësohet me mendime dhe përsiatje thelbësore, me të shprehur të lirë me përfytyrime dhe imagjinatë të pakufizuar, kusht për krijimin e artit të mirëfilltë… Përmes vetvetes dhe në vetvete ai e kërkon tjetrin dhe përmes tjetrit dhe në tjetrin e zbulon dhe e përligj veten dhe fatin e tij… Në krijesat poetike të kësaj periudhe të Agimit s’ka kufizim as shqetësim, as pezmi, as ironia, as tragjikja. Mesazhet poetike janë të ndërliqshme dhe shumësore. Si i tillë teksti kërkon më shumë përpjekje e mund për të vënë komunikim më të[2].

Në poezinë e përfshirë në këtë përmbledhje Agim Gjakova bëhen objekt i vështrimit poetik vendlindja, atdheu, dheu, gurët dhe lumenjtë e trojeve të botës që i përket poetit, me të cilët ai është i lidhur shpirtërisht, po dhe me dukuri të ndryshme të njeriut pa marrë parasysh vendin ku jeton.

Nga kryeqyteti erdha me një thes gënjeshtra
e hidhura më ndiqte mbrapa
më shkrehte në vaj
më shkrinte diell e hënë
më valëviste flokët
buzën më dridhte në vaj
ku jeni kujtimet e mia të sinqerta
që për shtatëdhjetë vjet
nuk më latë të qetë…

(Gjithçka të kam falë qyteti im, f. 34.)

Pra, Agim Gjakova gërmon në plagët e shpirtit dhe të fatit të njeriut të tij, siç thotë shkrimtari Orhan Pamuk: “Të jesh shkrimtar, për mua, domethënë të mbështetesh mbi plagët e fshehta që bartim në vetvete, t’i njohësh, t’i nxjerrësh jashtë dhe t’i bësh këto plagë dhe dhimbjet tona pjesë përbërëse të shkrimit të identitetit tonë”.

Mbarështrimi i poezisë dhe renditja e cikleve në vëllimin me poezi të zgjedhura “Gërmime në etje” mundësojnë të ndiqet rruga e evoluimit të poezisë së tij, pasuria dhe veçantia e profilit të tij krijues. Vërehet sidomos simbolika e etjes dhe e dehjes, e erërave dhe e dhimbjeve, e metamorfozës dhe e fërshëllimës, e lotit dhe e ëndrrave, e fatkeqësisë dhe e trishtimit, e zjarrit dhe e heshtjes, e kambanave dhe e kujtimit etj.. Kemi një realitet të pasur krijuar përmes shprehjes poetike:

Po më shembet kufiri midis realitetit dhe fantazisë
një prodhim i ëndrrës dhe pamundësi e mendjes

po dua të mendoj se e tanishmja bëhet e shkuar
Kur e shkuara po bëhet e ardhme

sinqerisht
ku e ka vendin kujtimi

o mitikë dhe mistikë
botë me frymëzim të trilluar

(Ku e ka vendin kujtimi, f. 121)

Brenda kësaj bote poetike motivi i ëndrrës bëhet shkak për t’i dhënë shfrim imagjinatës, po dhe për të dëshmuar shuarjen e kufijve në kuptimin e kohës dhe hapësirës:

Dikush ma frymëzon ëndrrën
që të më lind vështrimi
përtej vizioneve qiellore

kalëroj nëpër eterin e saj
por kurrë nuk e gjej veten
në mesin e mrekullive
Vetëm piktura në asfaltin e rrugëve
më ndjek me frikën e vetmisë

(Dikush ma frymëzon ëndrrën, f. 135)

Zjarrin e kujtesës dhe të drithërimës e vërejmë, fjala vjen, te poezia “Hiri i shtëpisë së djegur”, që poeti me dufin e thellë shpirtëror e derdh dhimbjen dhe plagomën për shtëpinë e djegur, por edhe lartëson portretin e veteranit “me fytyrë të bronztë”, siç e lartëson figurën e luftëtarit të lirisë:

Fytyra e tij është një arë
Ku janë mbjellë farërat e historisë
Në kokë i ka rënë hiri i shtëpisë së djegur
Në faqe vuajtja vrragët ia ka shkrehur

(Hiri i shtëpisë së djegur)

Të së njëjtës frymë janë dhe poezitë që bëjnë objekt poetik dukuri të ndryshme dhe dallohen për tituj me kuptime të shumta si Për ty kam ca fjalë që më dridhen buzët, Më syrin tënd e shkrep vetëtimën, Nëna, Gjethe e gjelbër në albumin e jetës, Drithërimë, Çabrati, Mos ma sos bukurinë e dheut, Mugëtirë, Hija ime, Vargjet dritëbardhë, Zjarri i ethshëm i lirisë, Emri ruan fuqinë e zjarrit, Në mjegullën e ngjyrosur të mëngjesit etj.

Në mjegullën e ngjyrosur të mëngjesit
Dikush shikon më një sy
E nuk sheh.

(Në mjegullën e ngjyrosur të mëngjesit, f. 252)

Secili që do ta lexojë librin “Gërmime në etje” do të ndjejë kënaqësi të veçantë për mënyrën si poeti i shpreh dukuritë përmes teksti poetikisht të përpunuar e të ngritur, cilësi që mundësojnë komunikim me shtresa të ndryshme të lexuesit.

Poetit Agim Gjakovës i dëshiroj shëndet dhe krijimtari të pasur edhe në të ardhmen, edhe vepra të tjerë me vlera të mirëfillta sikur deri me tani.

Mirënjohje edhe për përzgjedhësin e këtij vëllimi të përgatitur me përkushtim dhe dije, Anton Nikë Berishën, një përzgjedhjet me vlerë të shumëfishtë.

Klinë, prill 2024


[1] Agim Gjakova: Gërmime në etje. Poezi. -Botimi i dytë i shtuar. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, SAGA, Prishtinë 2020, f. 6 – 7.

[2] Po aty, f. 7.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.