Besnik Fishta
Një nga aspektet më domethënëse të filatelisë së ish Jugosllavisë Socialiste(1945-1990), është mënyra se si ajo trajtoi Kosovën. Ndërsa republikat federale gjenin vend rregullisht në emetimet postare përmes figurave historike, monumenteve, qyteteve dhe trashëgimisë kulturore, Kosova mbeti dukshëm më pak e përfaqësuar. Kjo pabarazi nuk shfaqej vetëm në numrin e kufizuar të pullave kushtuar Kosovës, por edhe në mënyrën se si paraqiteshin motivet e saj.
Në shumicën e rasteve, elementet që lidhen me Kosovën paraqiteshin pa identifikimin e qartë të karakterit të tyre shqiptar. Kur në pulla shfaqeshin qytete ose peizazhe të Kosovës, zakonisht përmendej vetëm emri gjeografik. Kështu, paraqitja e Prizrenit, Pejës apo Grykës së Rugovës kufizohej në dimensionin e tyre turistik ose natyror, pa asnjë referencë ndaj popullsisë shqiptare që përbënte shumicën dërrmuese të banorëve të këtyre trevave. Për pasojë, shikuesi informohej për ekzistencën e një vendi, por jo për identitetin kulturor të tij.

Kanioni i Rugovës 1981
Një dukuri e ngjashme vërehet edhe në paraqitjen e trashëgimisë kulturore. Në emetimet federale gjetën vend relativisht të shpeshtë monumente fetare ortodokse me rëndësi për historinë serbe, si manastiri i Graçanicës apo objekte të tjera të trashëgimisë mesjetare serbe në Kosovë. Këto monumente paraqiteshin si pjesë e trashëgimisë kulturore serbe, duke marrë një dukshmëri të konsiderueshme në raport me elementët e kulturës shqiptare, të cilët mbeteshin pothuajse të padukshëm.

Manastiri i Gracanicës 1975
Edhe më domethënës është rasti i kostumeve popullore. Në disa emetime kushtuar folklorit jugosllav u përfshinë veshje tradicionale nga Kosova, por pa theksuar qartë përkatësinë e tyre shqiptare. Në raste të caktuara, motive të njohura të kulturës materiale shqiptare u paraqitën si pjesë e një folklori rajonal ose jugosllav(Mali i Zi) të paidentifikuar etnikisht. Shembulli më i njohur është ai i xhubletës, një prej veshjeve më të lashta të kulturës shqiptare në Ballkan, e cila në paraqitje të tilla humbte lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me traditën shqiptare. Në vend që të njihej autorësia kulturore e komunitetit që e kishte ruajtur ndër shekuj, objekti paraqitej në një kontekst më të përgjithshem.
Kjo nuk do të thotë se në filatelinë jugosllave mungonin plotësisht shembujt e një qasjeje më të balancuar. Një rast interesant përbën zarfi i Ditës së Parë i emetuar me rastin e 10-vjetorit të Universitetit të Prishtinës. I përgatitur në Zagreb-Kroaci, ai e trajtonte Universitetin e Prishtinës si një institucion të rëndësishëm arsimor dhe shkencor të federatës, pa e reduktuar rëndësinë e tij në një kontekst lokal.

10 vjetori i Universitetit të Prishtinës, emetuar në Zagreb 1979
Kjo mënyrë përfaqësimi ngre pyetje mbi shkallën e pluralizmit kulturor që reflektonte filatelia federale. Në një shtet që synon të përfaqësojë në mënyrë të barabartë komunitetet dhe identitetet e tij, filatelia do të pritej të pasqyronte me të njëjtën qartësi origjinën historike dhe kulturore të të gjitha traditave që përfshinte. Në këtë kuptim, elementet shqiptare të Kosovës nuk do të duhej të paraqiteshin thjesht si motive rajonale apo si pjesë e një trashëgimie të përgjithshme jugosllave, por edhe me identitetin e tyre kulturor të dallueshëm. Analiza e materialit filatelik sugjeron se kjo nuk ndodhte.
Motivet shqiptare integroheshin në një kornizë më të gjerë federale pa u identifikuar qartë, ndërsa monumentet dhe traditat e lidhura me identitetin serb paraqiteshin me referenca më të drejtpërdrejta historike e kulturore. Kjo krijon përshtypjen e një përfaqësimi të pabalancuar të trashëgimisë së popujve dhe komuniteteve që përbënin federatën.

Prizreni në artet pamore 1965
Pikërisht këtu qëndron një nga kontradiktat e filatelisë jugosllave. Ndërsa ideologjia zyrtare fliste për barazinë e popujve dhe të njësive federale, komunikimi vizual i shtetit nuk pasqyronte këtë parim. Kosova ishte plotësisht e munguar nga filatelia federale, dhe shpesh paraqitej në mënyrë të tillë që karakteri shqiptar i saj të mbetej në plan të dytë. Kjo krijoi një formë të përjashtimit simbolik, ku jo vetëm hapësira, por edhe identiteti kulturor i shumicës së popullsisë së saj mbeti i pa preprezentuar.











