Përsiatje:
Nga Safet Sadiku
Historia nuk është vetëm një kujtesë e së kaluarës, por një pasqyrë ku njeriu përballet me zgjedhjet, gabimet dhe përgjegjësitë e veta. Shprehja “Nëse nuk mësojmë ne nga historia, ajo na mëson neve!” na fton të reflektojmë mbi një të vërtetë të thellë etike, sepse çdo brez trashëgon jo vetëm arritjet, por edhe pasojat e vendimeve të mëparshme. Të mësosh nga historia do të thotë të kuptosh se drejtësia, liria, paqja dhe dinjiteti njerëzor nuk janë vlera të garantuara përgjithmonë, por kërkojnë vetëdije, përgjegjësi dhe zgjedhje të vazhdueshme morale. Kur harrojmë vuajtjet dhe gabimet e së kaluarës, rrezikojmë t’i përsërisim ato, ndërsa kur i analizojmë me ndershmëri, historia shndërrohet nga një varg ngjarjesh në një udhërrëfyes për të ardhmen.
Kur politika ngec, qytetari vendos!
Shqipëria dhe Kosova po përballen me sfida politike që nuk maten vetëm me krizën e radhës, por edhe me humbjen e vizionit, të besimit dhe të përgjegjësisë publike. Kur politika humbet drejtimin, një shoqëri rrezikon të mos ecë përpara, por të rrotullohet rreth të njëjtave plagë, duke i quajtur çdo herë “kriza të reja”. Në këtë kuptim, historia nuk është vetëm një kujtesë e së kaluarës, por një pasqyrë ku njeriu dhe shoqëria përballen me zgjedhjet, gabimet dhe përgjegjësitë e tyre. Kaosi politik nuk është gjithmonë mungesë rruge, por ndonjëherë është tepricë interesash që nuk arrijnë të bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët. Një shoqëri ngec jo vetëm kur mungojnë njerëzit e aftë, por edhe kur ata që mbajnë përgjegjësi harrojnë se historia nuk gjykohet nga zhurma e ditës, por nga ajo që mbetet pas saj. Prandaj, pyetja etike nuk është vetëm se kush e ka fajin për ngecjen, por edhe se kush e mban përgjegjësinë për ta kapërcyer atë.
Në këtë pikë, parimi etik i përgjegjësisë qytetare merr një rëndësi të veçantë. Nëse politika humbet drejtimin, siç mund të ndodhë në kushtet e bllokadave dhe mosfunksionimit të institucioneve shtetërore, vendimmarrja duhet t’i kthehet qytetarit përmes mekanizmave demokratikë që garantojnë pjesëmarrje, transparencë dhe llogaridhënie. Demokracia e drejtpërdrejtë dhe referendumet, kur organizohen në përputhje me standarde të besueshme evropiane, do t’na shërbejnë si mjete për të shprehur vullnetin qytetar dhe për të forcuar përgjegjësinë publike. Megjithatë, vlera e tyre qëndron jo vetëm te vota, por edhe te informimi i drejtë, debati i hapur dhe respektimi i të drejtave të të gjithëve.
Përgjegjësia etike e politikës nuk kufizohet vetëm te mënyra se si ajo sillet me qytetarin brenda vendit, por shtrihet edhe te mënyra se si përfaqëson shtetin në marrëdhëniet me fqinjët. Historia na mëson se paqja nuk ndërtohet mbi harresën, ndërsa fqinjësia e mirë nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e kujtesës, të parimeve apo të kufijve shtetërorë. Kur një shtet përballet me një fqinj që ka lënë pas një histori pushtimi, konflikti ose padrejtësish të rënda, përgjegjësia e përfaqësuesve të tij është të veprojnë me maturi, dinjitet dhe qartësi institucionale. Kjo nuk nënkupton armiqësi ndaj popujve, por një distancë të mirëfilltë shtetërore, të mbështetur në reciprocitet, siguri, interes kombëtar dhe respekt të ndërsjellë.
Nëse politika bashkë me përfaqësuesit e saj nuk mëson se si të sillet me një kundërshtar historik kur përfaqëson shtetin e vet, atëherë çdo tolerancë e pakushtëzuar mund të shndërrohet në një kosto të re për shoqërinë. Toleranca është vlerë kur shoqërohet me drejtësi, reciprocitet dhe përgjegjësi. Ndërkaq, kur ajo bëhet e njëanshme dhe pa kufij, rrezikon të keqpërdoret. Prandaj, një shtet i përgjegjshëm duhet të dijë të dialogojë pa u nënshtruar, të bashkëpunojë pa harruar historinë dhe të ruajë paqen pa cenuar dinjitetin e vet. Mbase politika jonë, më mirë vonë se kurrë, do ta kuptojë se maturia diplomatike nuk matet me lëshimet që bëhen, por me aftësinë për të mbrojtur interesin shtetëror pa e humbur arsyen dhe perspektivën historike.
Ndoshta tragjedia më e madhe e një çështjeje kombëtare nuk është vetëm përballja me kundërshtarë, por edhe shpërdorimi i energjisë së saj në përplasje të brendshme, inate dhe interesa të ngushta. Kur konfliktet politike bëhen të pafundme, kur interesat afatshkurtra zëvendësojnë vizionin dhe kur çdo krizë prodhon një krizë tjetër, ngecja fillon të duket si normalitet. Atëherë një popull rrezikon të humbasë jo vetëm kohën, por edhe besimin se mund ta ndryshojë fatin e vet. Historia, megjithatë, nuk pyet sa zhurmë bëmë, por çfarë ndërtuam.
Nëse nuk mësojmë ne nga historia, ajo na mëson neve. Për shqiptarët, kjo thënie ngre një pyetje të rëndësishme: a po ndërtojmë një të tashme që e meriton historinë tonë? Një e kaluar e pasur me sakrifica dhe përpjekje nuk mjafton, nëse nuk shndërrohet në përgjegjësi për të tashmen. Një komb nuk humbet vetëm kur mposhtet, por mund të humbasë edhe kur, duke pasur mundësinë të ecë përpara, zgjedh të qëndrojë peng i vetvetes. Prandaj, thyerja e rrethit vicioz kërkon jo vetëm ndryshim politik, por edhe një qytetari të vetëdijshme, aktive dhe të gatshme të marrë pjesë në vendimet që përcaktojnë të ardhmen.
Kur historia përsërit pyetjen: Çfarë ndodh me fitoren pas luftës?
Historia nuk përsëritet gjithmonë në të njëjtën formë, por shpesh përsërit të njëjtën pyetje morale: çfarë ndodh me sakrificën e një populli kur pushkët heshtin dhe vendimet kalojnë nga fronti në tryezat politike? Kjo pyetje bëhet edhe më e dhimbshme kur kujtesa familjare bart përvoja të luftës, të çlirimit dhe të zhgënjimit. Gjyshi im, i cili kishte qenë luftëtar në radhët e Shaban Polluzhës dhe kishte marrë pjesë në luftën në Sanxhak, përcillte një kujtim që më ka mbetur në mendje: “Ne e çliruam, por marrëveshjet tinëzare që u bënë atëherë, në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, bënë që Sanxhaku të mbetej nën Serbi.”
Edhe vëllai im i vogël ka qenë ushtar i UÇK-së dhe ka mbetur i plagosur gjatë luftës, çka dëshmon se angazhimi i familjes sonë në përkrahje të luftës për liri nuk ka qenë vetëm një kujtim i trashëguar, por një përvojë e drejtpërdrejtë dhe e dhimbshme e disa brezave. Pavarësisht se një dëshmi e tillë familjare kërkon të vendoset me kujdes përballë dokumenteve dhe rrethanave të ndërlikuara historike, ajo shpreh një ndjenjë të fuqishme: frikën se, fitorja në fushën e betejës mund të mos përkthehet në drejtësi politike.
Në këtë kujtesë mund të shihet një paralele e dhimbshme me historinë e Shaban Polluzhës dhe me luftën e UÇK-së. Polluzha dhe bashkëluftëtarët e tij u përballën me një realitet ku çështja e sigurisë, e mbrojtjes së popullsisë shqiptare dhe e fatit politik të Kosovës nuk mund të ndahej nga rreziku i nënshtrimit ndaj një pushteti që nuk e njihte vullnetin e saj. Në vitin 1945, qëndresa e Drenicës u shtyp nga forcat jugosllave, ndërsa Polluzha ra më 21 shkurt të atij viti. Dekada më vonë, UÇK-ja u përball me forcat serbe në luftën e viteve 1998–1999, e cila përfundoi me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e administrimit ndërkombëtar.
Këto dy periudha nuk janë të njëjta, por në kujtesën historike shqiptare ato lidhen përmes një vazhdimësie të dhimbshme: lufta për mbijetesë, liri dhe të drejtën për të vendosur mbi fatin politik. Megjithatë, krahasimi nuk duhet të mbetet vetëm te heroizmi i ushtarit. Ai duhet të na çojë te përgjegjësia e atyre që vijnë pas tij. Ushtari lufton me bindjen se sakrifica e tij do t’i shërbejë një të ardhmeje më të drejtë. Por, nëse pas luftës mungon vizioni politik, mungon kujtesa institucionale dhe mungon aftësia për të mbrojtur interesin e popullit, atëherë sakrifica rrezikon të mbetet vetëm një kapitull i lavdishëm në libra, pa u shndërruar në siguri, dinjitet dhe drejtësi të qëndrueshme.
Këtu qëndron edhe mësimi etik i historisë: nuk mjafton të fitosh një betejë, nëse nuk di ta mbrosh kuptimin e fitores në paqe. Nuk mjafton guximi i atij që del në front, nëse pas tij mungon përgjegjësia e atij që ulet në tryezën e marrëveshjeve. Luftëtari mund të japë jetën për një ideal, por përfaqësuesi shtetëror ka detyrimin të mos e shpërdorojë atë ideal për interesa të ngushta, për përfitime të çastit apo për marrëveshje që lënë pasiguri për brezat. Prandaj, historia e Sanxhakut, kujtesa e Shaban Polluzhës dhe lufta e UÇK-së na shtyjnë të mendojmë për një rrezik që nuk është vetëm ushtarak, por edhe politik: rrezikun që një popull të luftojë për të dalë nga një histori nënshtrimi, por të mbetet i pambrojtur përballë vendimeve që përcaktojnë të ardhmen e tij.
Nëse historia na mëson diçka, është se marrëdhëniet me fqinjët, sidomos me ata që kanë histori pushtimi dhe konflikti, kërkojnë maturi, kujtesë, reciprocitet dhe një politikë shtetërore të qëndrueshme. Paqja është e domosdoshme, por paqja nuk duhet të ndërtohet mbi harresën e së kaluarës, as mbi tolerancën që cenon sigurinë, dinjitetin ose interesin e shtetit. Kjo nuk do të thotë se historia duhet të përdoret për të ushqyer armiqësi të përhershme. Përkundrazi, mësimi etik është se një shtet duhet të dijë të bashkëpunojë pa u nënshtruar, të dialogojë pa harruar dhe të falë pa hequr dorë nga drejtësia. Fqinjësia e mirë nuk kërkon amnezi historike. Ajo kërkon që e kaluara të pranohet, që marrëdhëniet të ndërtohen mbi barazi dhe që asnjë palë të mos e shohë tjetrën si të drejtë për t’u dominuar.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron paralajmërimi i gjyshit tim dhe i kujtesës së shumë brezave: një popull nuk duhet të mësojë vetëm si të luftojë, por edhe si të ruajë atë për të cilën ka luftuar. Sepse historia mund të përsëritet jo vetëm kur shpërthejnë luftërat, por edhe kur harrohen mësimet e tyre. Dhe nëse nuk mësojmë se sakrifica kërkon përgjegjësi, se paqja kërkon vigjilencë dhe se liria kërkon institucione të forta, atëherë rrezikojmë që brezat e ardhshëm të bëjnë të njëjtat pyetje që kanë bërë gjyshërit tanë: A luftuam vetëm për të fituar, apo luftuam që fitorja të kishte një të ardhme? Në parim, historia nuk na kërkon vetëm të nderojmë të rënët, por edhe të dëshmojmë se kemi qenë të denjë për sakrificën e tyre. Sepse një komb nuk e përmbush detyrimin ndaj historisë vetëm duke kujtuar luftëtarët, por duke ndërtuar një shtet që di të mbrojë paqen, dinjitetin, sigurinë dhe të drejtën e qytetarëve të tij për të vendosur për të ardhmen. Dhe shteti di t’i mbrojë edhe luftëtarët e vet…
Pyetjet e nxënësve: Çfarë shteti ndërtuam dhe çfarë kujtese po ruajmë?
Në biseda me nxënës të shumtë të shkollës fillore, shpesh lindin pyetje të thjeshta në dukje, por shumë të thella në përmbajtje: Çfarë shteti ndërtuam pas gjithë atyre sakrificave, çfarë kujtese po ruajmë dhe kush mban përgjegjësi për mënyrën se si historia u mësohet brezave të rinj?
Fëmijët pyesin sepse duan të kuptojnë nëse historia që mësojnë në libra, përkujtimet që dëgjojnë dhe sakrificat për të cilat flitet janë shndërruar në një shtet të drejtë, të sigurt dhe me mundësi të barabarta për të gjithë. Nëse themi se shteti është ndërtuar mbi sakrificën e luftëtarëve, mbi dhimbjen e familjeve dhe mbi ëndrrën për liri, atëherë duhet të pyesim me ndershmëri: A po ndërtojmë një shtet që e nderon atë sakrificë, apo një shtet që vetëm e përmend atë në ceremonitë përkujtimore? Një shqetësim i veçantë lidhet edhe me mënyrën se si pasqyrohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figura e Komandantit Legjendar Adem Jashari në programet dhe tekstet mësimore të historisë.
Nëse luftës së Adem Jasharit, sakrificës së familjes Jashari dhe rolit të tyre në historinë e lirisë së Kosovës nuk u kushtohet një hapësirë e veçantë, e denjë dhe e argumentuar, atëherë pyetja e nxënësve bëhet edhe më e fortë: Pse një pjesë kaq e rëndësishme e historisë sonë nuk trajtohet në mënyrën që meriton dhe kush mban përgjegjësi për këtë? Historia që u mësohet fëmijëve nuk duhet të jetë e cunguar, e ndërtuar mbi harresë apo e ndikuar nga interesa të çastit të rrethanave politike. Ajo duhet të përfshijë ngjarjet, figurat dhe sakrificat që kanë ndikuar në formësimin e shtetit dhe të lirisë, duke u trajtuar me dokumente, me përgjegjësi akademike dhe me respekt për të vërtetën historike. Kujtesa nuk mund të kufizohet vetëm te emrat në pllaka, te fjalimet solemne apo te ditët përkujtimore.
Por, ajo duhet të jetojë edhe në arsim, në drejtësi, në institucione të përgjegjshme dhe në mënyrën se si brezat e rinj e kuptojnë të kaluarën. Prandaj, pyetja e nxënësve është një thirrje për përgjegjësi institucionale dhe qytetare: Kush e harton kujtesën historike, kush e miraton, kush kujdeset që ajo të përcillet me vërtetësi dhe kush jep llogari kur një pjesë e rëndësishme e historisë së luftës për liri lihet jashtë ose trajtohet në mënyrë të pamjaftueshme? Përgjegjësinë e parë e kanë institucionet shtetërore, veçanërisht ato që hartojnë programet dhe tekstet mësimore, por përgjegjësi kanë edhe historianët, mësuesit, studiuesit, shoqëria civile dhe vetë qytetarët. Sepse kujtesa historike nuk është pronë e një partie, e një institucioni apo e një individi. Ajo është pasuri e përbashkët dhe detyrim ndaj të rënëve, ndaj të mbijetuarve dhe ndaj brezave që do të ndërtojnë të ardhmen.
Fëmijët nuk kërkojnë vetëm të dinë se kush luftoi dhe kush fitoi. Ata duan të dinë nëse ajo luftë solli një të ardhme më të mirë. Dhe kjo është pyetja që duhet t’ua bëjmë edhe vetes: Çfarë kujtese do t’u lëmë fëmijëve tanë: kujtesën e një lufte të fituar, apo dëshminë e një shteti të ndërtuar me drejtësi, përgjegjësi dhe dinjitet?











