PABESIA

0
951
Fadil Bekteshi

(Monodramë për Ditën e Nesërme. Ditëlindje,
mikut të Penës rebele, Fadil Bekteshi).

NGA KALOSH ҪELIKU

Fadil Bekteshi lindi më 23 mars 1955 nё fshatin Muhoc të komunës së Bujanocit në Kosovën Lindore. Familja e tij në vitin 1960 u shpërngul nga ky fshat dhe u vendos në fshatin Llopat të komunës së Kumanovës, në IRJ tё Maqedonisё.

Mёsimet e para i mori nё sh. f. “Jeta e Re” nё fshatin Sllupçan, pastaj shkollën fillore e kreu në Llopat dhe Kumanovë, të mesmen në Kumanovë. Ndërsa, Fakultetin filologjik, Dega për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe e kreu në Prishtinë, nё vitin 1979. Punoi në Televizionin e Prishtinës në redaksinë për fëmijë, e pastaj në Shkup si lektor në revistat për fëmijë. U pёrjashtua nga puna, i etiketuar si “armik i shoqёrisё”, si pasojё e ndjekjes permamente nga UDB -ja, iu montua procesi gjuqёsor nё Shkup nga prokurorё gjakpirёs ushtarak dhe u dёnua me 2,5 vjet burg, tё cilin e vuajti nё burgun famёkeq tё Idrizovёs (IRJ e Maqedonisё) nё vitet 1984 – 1986.

Hovin mё tё vrullshёm letrar e publicistik ia ndёrpreu mё 1981 dora e zgjatur e UDB -sё nё redaksinё e gazetёs “Flaka e vёllazёrimit”, kur iu botua libri i parё (tregime pёr fёmijё) “Baloni”, por pas njё muaji botimi, ende pa dalё nga depoja e kёsaj redaksie, edhe libri iu anatemua, u pёrndoq si vetё autori dhe nuk u lejua tё lexohet dhe tё vlerёsohet nga lexuesit. Mё pastaj pёr nёntё vjet me radhё e kishte tё ndaluar me dekret tё policёsё letrare botimin nёpёr revista letrare e gazeta shkrimet e tija letrare – publicistike, kurse pёr tё botuar ndonjё libёr tё ri, autori as qё mund tё ёndёrronte nё atё kohё.

Mё 1991 arriti disi tё punёsohet nё redaksinё e gazetёs “Flaka e vёllazёrimit”, ku konkuroi pёr tё ushtruar detyrёn e gazetarit nё rubrikёn e kulturёs, porse u hodh, pa dёshirёn e tij, nё detyrёn e punёs sё lektorit qё tё neutralizohej me çdo kusht dhe, qё tё mos mjaftonte kjo, redaksia nё fjalё e kushtёzoi me punё “provuese”, pёr ta suspenduar pas gjashtё muajsh me etiketat mё tё paskrupullta dhe kriminale si “i rrezikshёm” pёr kolektivin e redaksisё!… Ndёrkaq pas pesё muajsh, u rikthye nё punё me rrugё gjuqёsore dhe prapё ushtroi detyrёn e lektorit nё kёtё gazetё tё pёrditshme.

Fadil Bekteshi qe edhe kryeredaktor i revistёs “Doruntina”, revista e parё e pavarur ndёr shqiptarёt nё IRJ tё Maqedonisё. Gjithashtu, ishte edhe kryetar i Klubit tё Shkrimtarёve tё Kumanovёs: “Jehona e Karadakut”. Iku nga mesi ynё papritmas, mё 30 maj 1998 nё katundin Llopat tё komunёs sё Kumanovёs.

Fadil Bekteshi pas vetes la kёto vepra letrare: Baloni – tregime (1981), Udhëtim nëpër skëterrë – reportazhe letrare (1993), Na ishte njëherë një gjeneral – publicistikë (1995), Filxhan i dashurisë – poezi (1995) dhe Dashni qyqare – përzgjedhje poetike (2001).

Letёrsia shqipe edhe sot e kёsaj dite e ndjen shpraztёsinё qё e la papritmas autori nё luftёn me penё. Pena e tij prej kaçaku sa qe gjallё pa mёshirё i goditi Rrospitё Meshkuj. Librat e tij edhe sot u shtinё frikёn dhe tmerrin kulturofagёve qё janё strukur nёpёr redaksi, kabinete e parti politike duke dhёnё shpirt. Vargu i tij fshikulloi dhe goditi pёr vdekje.

Zёri i kryengritёsve e ngriti nga varri…

Akuza nga Tabuti

Skena: (Rezidenca te “Pazari Grave”. Errësirë. Zëra nëpër natë. Ulërima e ujqve: ulu-lu-luuu… kënga e Zogut të keq: Hu… Hu… Huuu… Krrokatja e sorrave: krrau, krrau… Krrauuuu… Lehja e qenve: Ham-ham… Haaam… Një pushkë: kauuu… Drita ndizet ngadalë në skenë dhe ndriçon një tabut, në të cilin shihet një gjenaze… Dikur përqendrohet, ndalet në fytyrë… )

ZËRI NGA AUTOPARLANTI

Fadil Bekteshi

Tash pse hesht.
Goja ç’t’u mshel?
(T’u mbylltë!)
T’shushatën, t’rrafshuan përtokë
Tërmetet e Mallit tim!

Kasabë!
Seç po flasin
Ç’po thonë mbi kokën time?!
Mos m’bëhet veçse ëndërr
Sall një Ankth
Një Lemeri?
Me ty
A do t’jem zhgëndërr?…
Ç’po rritet Gjëma!
Zëra mahmur zëra funebër
Të ndërprerë zëra gulçima…
Oh, plagët
Po m’terin
Bre
Plagët!

Mos më qani me kuje mbi Varr
Po me këngë Dashnie më nderoni!

ZËRI NGA TABUTI:

Hi-hi-hiii… Qenë… Këlyshë me zgjebe të Buçës… Më vratë pas shpine… Në terr… Nuk menduat se mua nuk më zë plumbi. Me Zonjën Vdekje natë për natë kemi ngritur dolli… Deri në agim kemi shkruar poezi… E dikur para agimit kemi bërë dashuri… Gjithë “Pazarin e Grave” e kemi ngritur në këmbë.. Luftë kemi bërë si burrat. Luftë. Përderisa, ju e keni lëvizur bishtin sa herë që ua kanë hudhur nga një asht shpërblim. Një torbë taxhi.

Edhe atë, vetëm e vetëm që të më ndërseheni pas shpine me gjuhën jashtë dy pëllëmbë. Eh, sa më dhimbseni që ende i vazhdoni lehjet pas shpine. E mashtruat veten kur menduat se shpëtuat nga unë te “Pazari Grave”. Vetëm, gabuat keq kur më shpallët se mua më vrau dashuria… Jo. Jo, ore të mjerë me bishtin ndër këmbë. Jo, nuk më vrau dashuria, po pabesia…

E dini se unë jamë gjallë te “Pazari Grave”. E vazhdoj luftën me penë. Në çdo librari ju kam vënë pusi… Bibliotekë… Në një tavolinë ngrej dolli me motrën Doruntinë… E solli Vëllai i Vogël nga varret. E shpiu amanetin e Nënës në vend. Ju, do të thoni, e solla unë motrën! E di unë, ju jeni të poshtër. Qenё… Këlyshë me zgjebe… Por jo, e keni gabim. Motrën Doruntinë e solli Vëllai i Vogël… U ngrit nga varret… Vetëm e vetëm që ta shpie në vend amanetin e Nënës…

Vështirë e kam mes këtyre dërrasave, në këtë tabut. Dita-ditës ngushtohen, më shtrëngojnë në errësirë. M‟i mbyllin veshët të mos dëgjoj zëra… Sytë të mos jua shoh, lehjet, marrëzitë… Tradhtinë… E dini ju se, unë të gjitha i hedh në libra. E dini. Edhe dashurinë edhe pabesinë. Vallë, a nuk ua thashë të gjitha te libri: “Filxhan i dashurisë?! Por, kot. Ju, posa e morët librin në dorë, i mbyllët sytë… Veshët… Mua më shpallët të marrë te “Pazari Grave”. Ndërseheni pas shpine. E keni shitur veten për një asht shpërblim.

Gjuhën e keni nxjerrë dy pёllёmbё nga vapa… Përjargeni… E zvarritni veten me gjithë zgjebe në shpinë me vite e vite. Vetëm pak ta lëpini ashtin. Vetëm pak ta lëkundni bishtin pas ndonjë porte. E kokën? kokën kurrë nuk do ta nxirrni nga kontinierët e bërllokut. Ja, edhe pse i keni sytë e lidhur.

Gojën me jargë… Bythën e shitur te Vetëshërbimi kukullave…Hi-hi-hiii… Edhe këtu në tabut ju dëgjoj, përmes dërrasave, që më thoni: Është i çmendur. E kanë hallakatur librat… Poezia… Dashuria… E ka zënë gjumi në një faqe. Natën e ka bërë ditë. E ditën natë. Por, e keni kot. Unë e di rrugën për në Baba Tomorr. Vendin e perëndive. Majën ku pihet vera, shkruhet poezia dhe bëhet dashuri… E doni t‟jua them edhe këtë: Unë sytë nuk i kam të lidhur me shami. Unë nuk jam i mençur si ju, që ta shes veten… Atdheun… Ja, edhe pse e pëlqeva Varrin… Parajsën… Xhehnemin ua lash juve te Pazari Grave… Lugatin e Koçeve… Dexhallin… Doruntinën nga varret e solli Vëllai i Vogël… Sa herë doni t‟jua them nga ky tabut?! Njëqind herë. Po, mua kush më solli këtu në skenë?! Kush e hoqi kapakun e Tabutit që t‟ju flas marrëzira, t’jua mbush mendjen se nuk më vrau dashuria, po pabesia…

Heshtni! Ja, vjen Doruntina. Hapat ia dëgjoj nëpër errësirë. E shoh si e hap derën, këndon këngë. Në dorë ka një qiri. Rrugë të gjatë ka bërë për të ma vënë mbi kokë njё qiri. (Dera hapet dhe hyn një grua me një qiri të ndezur në dorë. Ngadalë i afrohet Tabutit, duke vajtuar):

Të vranë natën, o vëlla të vranë
E mbi varr ditën të qanë:
Ca rrufjanë e ca xhandarë!
Po, ty s’të vrau dashuria
Ty të vrau Pabesia…

O vëlla, o trim me fletë
Hakun do të ta marr vetë!…

O Imzot, si do ta bëj copë-copë Tabutin! Vetëm edhe një herë të ngrihem në këmbë. Penën ta rrok përsëri në dorë. Gjokun ta lidh te Rrapi. Armët t’i var në degë. Edhe pse tashti e shoh se gati të gjithë më harruat mes varreve. Edhe miqtё… Edhe armiqtë… Vetëm Doruntina e ka mbajtur fjalën. E hapi derën e Tabutit dhe ma ndezi një qiri mbi kokё. Ju të tjerët i keni ngarkuar këmbët në shpinë. Ikni sa mundeni, me të katra nga Atdheu. Nuk e dini ku e keni kokën, ku bythën. Sytë ua kanë lidhur me shami. Zingjirin ua kanë vënë në qafë. Zgjeben në shpinë…

E kuptuat tashti si hyri Doruntina te “Filxhan i dashurisë“. E hapi derën mes atyre faqeve, ndezi një qiri. E varrosi veten mes vargjeve. Vetëm e vetëm, që unë të ngrihem nga Varri me gjithë tabut në shpinë. E dini tashti se, ne gjithmonë kemi pasur dikend në shpinë. Me të katra na ka kalëruar përmes “Pazarit të Grave”. Na ka mëshuar sa ka mundur me kamxhik. E ne, jemi turrur sokaqeve duke kënduar këngë. Vetëm se, dihet, nuk kemi guxuar ta hedhim me gjithë samar në mes të rrugës. E dini pse?! Ngaqë, kemi qenë të dëgjueshëm dhe na ka pëqlyer robëria. Kemi pasur shpinë të butë, tamam për samar. Ja, pse gjithmonë të tjerët na kanë hipur në shpinë…

E di se do të më thoni: po ti, pse e hudhe samarin?! Pse nuk e vazhdove rrugën, po e zgjodhe tabutin. Një samar edhe më të rëndë, me dërrasa. Edhe këtu do t‟ju përgjigjem: Shpinën ma kishte bërë varrë. Këmbët më ngatërroheshin për në Baba Tomorr. E me këmbë të ngatërruara e me samarё në shpinë, nuk hipet në majë. Rruga për në Baba Tomorr është larg… Larg… Vendi i perëndive ku pihet vera, shkruhet poezi e bëhet dashuri edhe më larg… Larg këtyre varreve… Kontinierёve të bërllokut… Këlyshëve që t’i ndërsejnë pas shpine…

Natë për natë me anë të zërave ju dërgoj porosi nga varret. Nuk e di pse, nuk i dëgjoni matanë hekurave. Nuk u përgjigjeni. Vallë, thua ende i keni sytë të lidhur e veshët të shurdhuar, apo nuk ju lë bërlloku. Megjithatë, është dashur t’i dëgjoni cicërrimat e Ciu Ciut. Sqepin e tij në dritare, se është afër agimi. Dielli që është varë në një lis. Dy Motrat në të cilat është dashuruar Ciu Ciu, që udhëtojnë me tren. Nuk i shihni dhe dëgjoni gjithë këto shenja, që jua përcjell me anë të zërave?! Hiqeni shaminë! Mos i shtuponi veshët me copa gazetash! Zgjidhni këmbët! Hidheni samarin! Dëgjoni porositë që jua përcjell me anë të zërave dhe shenjave të dritës: Dielli zbret matanë maleve…

Ende asgjë nuk shihni në lëmë. nuk dëgjoni në errësirë. Edhe nuk më besoni në këtë Tabut. Po, deri kur unë mes këtyre dërrasave do të pëlcas për ju para derës së Xhehnemit?! Nuk e dini se, te dera e kam të lidhur një Qen me zgjebe. Ndërsehet pas meje. Leh. Nuk më le të hyj nё Xhehnem. Brenda te kazani. Frikë kam, thotë se ty nuk të mban Ura e Xhehnemit. E dini sa është e gjerë, sa një qime floku… Ti, thotë, je plot mëkate. Ndodh të këputet e bie në mes të Zjarrit të Xhehnemit. Qesh. Ngase, nuk besoj të ketë mbetur gjallё ende kjo Urë Xhehnemi.

Përpara meje kanë kaluar nëpër atë urë Hoxha i Çelojcës… Haxhi Deputeti… Doktorziu… Faqekuqi… Daudija pa dimia… Këlyshi i Llagut… Këlyshi i Sharrit… Këlyshi me zgjebe… E dini sa janë të ngarkuar ata me mëkate?! Nuk e dini. Edhe më mirë që nuk e dini. Fundi i fundit edhe çka ju duhet kjo urë, kur ju e meritoni Xhehnemin… Zjarrin… Nëntë muaj janë dimër, i ka thёnё Xha Deralla hoxhës, kur e ka pyetur pse nuk vjen në xhami t’i lutet Allahut. Dhe, se: në atë dynja do ta djeg Zjarri i Xhehnemit.

Plaku me mjekër të bardhë i është përgjigjur: Vetëm tre muaj janë verë. Dimrit, do të vish të më lutesh të të jap pak zjarr, por nuk të jap. Rri, mërdhihu në Xhehnet! Edhe, përderisa të vij unë në Xhehnem, ti veç më do ta kesh shuar zjarrin. Megjithatë, ju jeni të mençur. Nuk doni të mërdhiheni gjithë dimrin…

Edhe shumë gjëra dua t’ju them nga Tabuti. Vetëm se, ju nuk keni nevojë për fjalë… Vargje… Libra… Jeta është luftë. E lufta kërkon heronj. Ju nuk dini t’i rrokni armët… Samarin ta hudhni nga shpina në përrua. Zotëriun… Ja, edhe pse ju pëlqen robëria… Samari… Zotëriu, që ju ka hipur në shpinë… Nuk e dini rrugën për në shtëpi… Dhiaret pёr nё Baba Tomorr…

Qerrja moti ju është thyer në rrugë. Zgjedhën e keni në qafë… Zgjedhën… E tërhiqni njëri-tjetrin zvarrë nëpër ara… E shtyni nëpër ugarë… Po zgjedhën, kur do ta thyeni?! Zgjedhën…

Një ditë edhe Lopa ju kërceu në shpinë… Hiç shenjë e mirë. Lopa i kërceu Kaut. Kurrë, Mëzatit… Kurrë… Mëzati e bën na kaq, në mes të livadhit. Gjithë këto nuk janë tjetër, përveç se shenja të Kiametit. Dita kur do të bëhet Përmbytja e madhe. Bota do të pastrohet nga mëkatet. Të vdekurit do të dalin mbi varre…

Dexhalli me Varkën e Noes do t’ju ngarkojë si kunguj të kalbur dhe do t’ju hedhë në mes të peshqve. Bota do pastruar nga këto bërlloqe. Peshqit nuk e zgjedhin ushqimin. Ndodh të mendojnë se jeni krimba. Fundi i fundit çka mund të jeni përveçse: qenë, këlyshë me zgjebe, krimba… Kafshë të buta, që vetëm përdridhni bythët, lëvizni bishtin dhe hapni sytë naaa, si Lopa kur i kërcen Mëzati…

Hi-hi-hiii… Çka nuk e keni këtu të qartë?! Edhe Lopa kur i hap këmbët krenohet në Livadh. E dini pse, Cufa ia mban bishtin me dorë?! Nuk e dini. Punë e madhe. Po, edhe ta dini, çka ju duhet juve që bëni jetën e kafshëve të buta… Edhe njëherë t’jua them: nuk meritoni jetë tjetër. Vazhdoni të jetoni si kafshë!… Kullotni në livadh… Fusni kokat nëpër kontinierët e bërllokut… E shitni veten për një torbë taxhi…

Doruntina që ma ndezi këtë qiri, është profete. Doruntina. Doruntina fluturoi nga minarja e xhamisë në qiell… E mori me vete Babashehu… Profeti ynë i ndritur dhe e dërgoi të ma ndez këtë qiri. Ju kurrë nuk i keni dashur lartësitë, por plehërat. Majë tyre keni dashur të fluturoni në qiell. E kur keni rënë në xheriz, ia keni thёnë këngës. Ndonjëri nga ju edhe ka shkruar vjersha. E ka hequr veten si poet, i ka kënduar Mbretit… Oborrit… Nënës Parti… Këlyshçe është ndërsyer pas shpine. E kanë shpërblyer me një asht për “poezi patriotike”… E kanë lidhur te Vetëshërbimi kukullave, në “Bit-Pazar”… E kanë stërvitur t’u ndërsehet rebelëve. Mirëpo, rebelët me vjershat e tilla “patriotike” nuk e kanë fshirë as bythën…

Tjetër, çka t’ju them sonte tjetër, kur çkado që ju them është vonë. Edhe pse më merr gjumi. Ju do të thoni: Po edhe ti vuan për gjumë?! E di, ama nuk shoh ëndrra. E kam ditur se Këlyshi me zjgebe e ka futur kokën në një kontinierё bërlloku. Bythën e ka qitur në hava… Bishtin nën këmbë… Buça e Katundit është rrotulluar pas shpërblimit. Edhe ajo e ka lëvizur bishtin. E ka përdredhur bythën, i ka nxjerrë jashtë cicat. Vetëm e vetëm për një shpërblim. I kam ditur të gjitha. Të gjitha. Po, nuk kam dashur t’ua them për së gjalli. E kam ditur edhe pse ti, Këlyshi me zgjebe, na fute në grevë urie. Kush të kishte kërcyer në shpinë. Ç’do të thuash për ndryshimet demokratike…

Patriotizmin… Kulturën shqiptare… Apo, për gazetarinë pa censurë… Hi-hi-hiii.. E pranoj, një gjë nuk e kam ditur: me cilin je shkërdhyer në politikë… Kush ta ka rrasur deri në herdhe, që ti sot të na shesësh kulturë e patriotizëm. ti, që nuk di t’i fshish as qyrrat. Ti, që nuk di t’i lidhësh brekët. Ti, që ec rrugës me brekë mbi pantallona. O Imzot, si do ta nxjerr dhe do t‟i pëshurr shkarravinat nëpër gazeta policore. Ku di ti ç’është arti, kultura… Kur gjithë jetën je zvarritur pas bishtit të Lopës. Ose për ndonjë kalemi të Mëzatit me brirë. Në ndonjë bajgë e ke futur kokën. Ashtu me kokë të përlyer e ke rrokur fyellin në dorë. Por, nuk ke ditur t’i ndërrosh gishtat, ore i mjerë.

Vite e vite ke nxjerrë vetëm tinguj të pakuptueshëm. E këndej ke dashur ta heqësh veten si kalemxhi. Nuk e ke ditur se art kanë bërë bejlerët dhe aristokratët… Elita… Kopeja me zgjebe ka bërë bajga… Pordhë e piskamë… Hi-hi-hiii… Vallë, nuk e ke diur se deri në majë nuk ngjiten këlyshët me gjithë asht në gojë. Atëherë, pse na more më qafë?! Vetëm e vetëm që “gazdallarët” të të lënë pasardhës. Kulturës sonë t’i vësh censure policore. Këlysh buçe, që kurrë nuk do të rritesh qen, po do ta vazhdosh jetën me një asht në gojë. I tërbuar do të ndërsehesh me të katra pas Mikut tim rebel. E di pse, ë? Nuk e di. Ja, po të tregoj: pjellë vjen nga soji i qenve. Edhe atë, me zgjebe…

Hi-hi-hiii… Doktorziu të ka lidhur me zinxhirë, një asht ta ka hudhur shpërblim dhe të ndërsen pas mikut tim Poet. Vetëm, se: e ke kot, o i mjerë! Kot. Ai është Ujk. E ujku nuk e qan kokën për këlyshë me zgjebe që i lehin pas shpine. E lëvizin bishtin… Bythën… Kokën kurrë nuk e nxjerrin nga kontinierët e bërllokut. E kanë shitur veten për një asht. Natë e ditë shkoni pas Buçës në ndonjë park, që t’i kërceni në shpinë. Por, kot. Buçës i turren përmbrapa qindra qenё me zgjebe që t’ia bëjnë atë punë pas ndonjë gërmushe… Këlyshë… E lëviz bishtin ajo kuçkё. E lëviz, por nuk ka qen Sharri që t‟i kërcej në shpinë.

Jo. Ju nuk dini t’ia bëni atë punë… E keni të lidhur nyje… Bishtin jua kanë futur në gojë… Frikën në bythë, e vazhdoni rrugën. Dhiareve as nuk hyni, ngase keni frikë mos e zhveshni lëkurën mes ferrave. E dini se, pa lëkurë nuk mund të hyni në vathë. E keni frikë Bariun. Bariu që i bie fyellit dhe i ruan dhentë. Ose keni frikë mos t’ju mjelë me kusi Tata e Madhe… Hi-hi-hiii…

E di, tashti të gjithë derdhni lot. Edhe Qikllopi… Edhe Daudia… Edhe Këlyshi i Llagut… Edhe Këlyshi i Sharrit… Edhe Këlyshi me Zgjebe… Edhe Hadum Somuni… Edhe Faqekuqi… Edhe … Edhe… Vetëm, mos i harxhoni fjalët!… Mos e lodhni veten. Ruani lotët për përurimin e ndonjë partie. Vetëm Nëna Parti ju do si këlyshë me zgjebe. Rebelët, mund t’ju lidhim nga një teneqe për bishti. E keni merituar. Nesër, mund të shtriheni para ndonjë dere, porte me gjuhën dy pëllëmbë. Çka, doni të thoni se e keni nga vapa?! Jo. E keni nga teneqja… Ashti që e keni në gojë… Torba me taxhi për qafe…

Vallë, mendoni se i kam harruar të gjitha. Jo. Jo, ngase edhe sot jua dëgjoj lehjet. Ende keni ashtin në gojë… Dhe, sa herë që jua bëjnë me gisht, më ndërseheni pas shpine. E njhni mirë artin e lehjes. Për këtë edhe keni marrë shpërblime. Nuk ju kujtohet, sa herë më keni paraqitur në polici?! Pastaj, sa herë më keni kurdisur linçe intelektuale e fizike?!… Kërcënime telefonike… Dënime partiake… Nuk ju kujtohet?!… Po, edhe sa herë më keni përzënë me polici nga puna, sa herë e keni ngrënë kafshatën e fëmijëve të mi në Katund.

E di unë, me dy qese bonbone më keni detyruar t’jua uroj Vitin e Ri. Nuk ju kujtohet, kur ato dy qese bonbone ia përplasa shefit në fytyrë. Ë? Ju këlyshë të Buçës me zgjebe, që sot më bëni kulturë, letërsi, politikë “madhore”… E hiqni veten patriotë. Edhe atë në kurriz të shqiptarëve. Popullit që i prijnë para poetët, udhёheqsit shpirtёror. Qiririt tё Naimit, që digjet e tretet përditë. Vetëm e vetëm, që të na “japë pakëz dritë”, ta njohim njëri-tjetin në errësirë…

Heshtni! Ja, vjen përsëri Druntina. Qiririn e ka në dorë… Ndizet… Ndizet… Digjet… Tretet… Na bën dritë… Po, kush jeni ju, ore të mjerë?! Që, doni ta shuani, të na lini në errësirë?! Vallë, nuk e dini se ju nuk e keni ndezur këtë qiri?! Atëherë, pse i fryni me gojë? Nuke shihni se si tretet në kët dritë të vërtetë. Përpiqet të na ndrijë sa më mirë, natën të na e bëjë ditë…

Çka?! Doni të thoni se, e doni errësirën.?! Nuk ma merr mendja. Ju e doni ashtin… Taxhinë… Kontinierët e bërllokut… Buçën e katundit, që një ditë të rriteni në qen me zgjebe. Tashti e kuptoj se, kishte të drejtë Miku im, edhe ai i vdekur, kur pati thënë për Buçën se shkon pas qenit e kurrë pas luanit. Eh, miku im poet. Të gjithë ne, gati të thuash kemi një fat mes këtij bërlloku. Këlyshët me zgjebe, gjithmonë na janë ndërsyer pas shpine. Buça e katundit na ka tradhtuar me ndonjë qen me zjgebe.

Megjithatë, ne nuk i kemi dorëzuar armët. E kemi vazhduar luftën me penë. Edhe nga varret kemi ditur të godasim në kokë. Lufta vazhdon me penë, thotë një mik imi poet. E di ai se pena është ajo që godet për vdekje. Ja, edhe pse i është ndërsyer pas shpine Kopeja me zgjebe… Këlyshi i Sharrit… Këlyshi i Llagut… Këlyshi me zgjebe… Buça e Katundit… DokturZiu… Faqekuqi… Daudija pa dimia… Hadum Somuni…

Ë? Thoni se duhet dorëzuar armët?!… Penën. Jo. Jo, ngase nuk i ka dorëzuar strëgjyshi… Gjyshi… Babai… Brez pas brezi jemi në luftë… Herë me Kral e herë me Mbret… Në një betejë të Dervish Carës edhe i kemi prirë luftës… Armikut, kurrë nuk i kemi zënë besë. Kurrë. E kemi ditur se me të gjithë jetën bëjmë luftë. Vetëm se, nuk e kemi ditur se kemi kaq shumë këlyshë me zgjebe… Qenё me zgjebe… Edhe aq më keq, që shiten për një asht shpëblim…

O Imzot, si do t’i thyej dërrasat?… Ose me gjithë Tabut të dal nëpër Qytet. Edhe një herë të më ndërseheni pas shpine. Moti nuk jua kam dëgjuar lehjet. Zvarritjet nëpër kontinierët e bërllokut. Ose, si i kërceni njëri-tjetrit në shpinë…

Hi-hi-hiii… Buça e Katundit e ka fajin… E lëviz bishtin… Qentë i turren përmbrapa t’i kërcejnë në shpinë. Mbyten njëri me tjetrin, kush i pari t‟ia bëjë atë punë. E ajo, vetëm njërit ia kthen bythën. E nxjerr gjuhën dy pëllëmbë. Ulëron në mes të rrugës. E thirr Doktorziun. Kërkon ndihmë. Por kot, Askush nuk e lëviz këmbën. E kanë frikë Buçën e Katundit, se mund t’u bëjë ndonjë sherr. Ku ta dimë ne, për shembull, se e kanë dhunuar në ndonjë kontinierё bërlloku. Ose, se i kanë kërcyer në shpinë pa i zbritur fare plot një javë… E kuptuat tashti, pse u ngrita nga varret? Jo.

Erdha edhe një herë me gjithë Tabut në shpinë në mesin e të gjallëve. Edhe një herë jua thashë të gjitha të mirat e të këqijat në sy. Vetëm se, asgjë nuk keni bërë me çifteli… Ende e doni robërinë… Frikë e keni lirinë… Frikë… Shkurt, nuk jua kam për asgjë lakmi. Ama, hiç, për asgjë, Miku im shkrimtar, rroke dhe një herë penën, zgjohu në mesin e të vdekurve!… Varreve, ku nuk të vret pabesia, po dashuria…

(Errësira ngadalë lëshohet në skenë. Një reflektor ndalet mbi Tabut. Dikur shtegton te fotografia e shkrimtarit, autoit të librit “E përcolla Natën”. e hap librin dhe papritmas dëgjohet zëri nga altoparlanti.)

Kalosh Çeliku

PROTESTË TE PAZARI GRAVE

(Mikut tim të Penës: Fadil Bekteshi)

Miku im, të vdiqën të Ri
Para kohe se linde Poet.
Të çmendën me dashuri
Pse e ngrite nga varret Doruntinën.
E shkrove “Filxhanin e Dashurisë”:
Për ta shpënë në vend amanetin
E Vëllait të Vogël në LUMELOT.

Miku im, të vdiqën të Ri
Rrospitë Meshkuj në Shtëpinë Publike:
Që, shkërdhehen si qentë te “Pazari Grave”
Për një karrierë të sëmurë politike.
Dhe, i shkruajnë Qeverisë letra dashurie
Në rolin e Patriotit melez:
Në kurriz të viktimave të Idrizovës
E dëshmorëve të Atdheut në Drenicë.

O Imzot, më pështyhet, më villet
Kur i shoh si e tërheqin veten zvarrë:
Rrospitë Meshkuj. Rrospitë.
Që, gjithë jetën ta hëngrën shpirtin
He, hëngshin veten, AMEN!…

Erë e stuhishme… Fishkëllimë dhe përplasje dere… Vetëtimë… Dikur, shtie rrufeja… Doruntina hyn dhe e merr Tabutin… Edhe një vetëtimë. Edhe një herë shtie rrufeja… Errësira e plotë bie në skenë…

(Fund)

Shkup, 7 qershor 1999

Nga libri: Kopeja me zgjebe ndjek Autorin (2000).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.