
Albert Ramaj
Në historinë e kulturës dhe letërsisë sonë kombëtare, ka figura që punojnë në heshtje, larg zhurmës së përditshme, por që me veprën e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën shpirtërore të kombit. I tillë është edhe poeti, studiuesi, përkthyesi dhe publicisti i palodhur nga Stublla, Isak Ahmeti – një emër që për dekada me radhë ka ndriçuar vlerat e trashëgimisë sonë kulturore e fetare, duke u bërë urë lidhëse mes brezave të krijuesve shqiptarë.
Revista „Drita“ e Ipeshkvisë së Shkup-Prizrenit, qysh prej themelimit të saj më 1970, luajti një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm për katolikët e Kosovës, por për mbarë kulturën kombëtare. Në faqet e saj u botuan shkrime nga autorë të ndryshëm të gjithë hapësirës shqiptare e më gjerë. Përmes kësaj reviste, lexuesi u njoh më mirë me botën arbëreshe, me veprën e Gjergj Fishtës, si dhe me historinë e martirëve të Stubllës, Binçës, Vernakollës e Terziajve (1846–1848).
Në këtë revistë kontribuuan emra të shquar të klerit dhe kulturës sonë, si: Dom Nikollë Mini, Imzot Nikë Prela, Don Gaspër Gjini, Don Damjan Kurti, Don Zef Gashi, Dom Gjergj Gjergji, Dom Nue Gjergji, Dom Lush Gjergji e shumë të tjerë. Ndër ta spikaste edhe emri i Shpend Shpatës, i cili botoi vite me radhë fejtonin „Kleri katolik shqiptar“, duke trajtuar pothuajse të gjithë autorët klerikë të letërsisë së vjetër dhe të re shqipe.
Njohja me autorin “Shpend Shpata”
Një të diel të vitit 1990, pas meshës në Stubëll, mora revistën „Drita“ në dorë dhe, duke e shfletuar, zbulova se prapa pseudonimit Shpend Shpata fshihej bashkëvendasi im, Isak Ahmeti. Po atë ditë shkova te shtëpia e tij. Në oborr më priti bashkëshortja e tij, Sofija, e cila më tregoi se Isaku ishte brenda dhe na shërbeu kafe në bibliotekën e tij.
Që nga ajo ditë, sa herë që kthehem në vendlindje, e takoj rregullisht Isakun. Shumicën e rasteve mblidhemi bashkë me Sarë Gjergjin në restorantin „Jozefi“ në Stubëll, nganjëherë edhe dy herë në ditë – në mëngjes dhe në mbrëmje – duke kaluar orë të tëra në biseda të frytshme, analiza, diskutime e polemika letrare.
Dy vepra themelore të studiuesit
Mbi jetën dhe krijimtarinë e tij, Sarë Gjergji ka botuar së fundmi monografinë „Isak Ahmeti – poet dhe studiues i letërsisë“ (2026). Megjithatë, nga krijimtaria e gjerë e Ahmetit, për mua veçohen dy vepra me peshë të jashtëzakonshme:
• „Kleri katolik shqiptar dhe letërsia“ (1994): Kjo vepër ka vlerë të pazëvendësueshme, pasi përmbledh dhe studion kontributin e klerikëve shqiptarë në letërsinë e vjetër dhe të re. Për kohën kur doli, ajo shërbeu si pikë referimi për shumë studiues shqiptarë e të huaj. Më kujtohet një rast në Shkodër, kur Simon Pepaj më mori nga Kuvendi Françeskan për të shëtitur nëpër qytet. Te Katedralja e Shkodrës më tregoi librarinë dhe, duke shfletuar me ëndje librin e Isakut, më tha: „Këtë libër duhet ta ketë çdo familje shqiptare në shtëpi“. I tregova se e kisha bashkëvendas nga Stublla. Të njëjtin libër e pashë të shitej edhe në kishën e Rrëshenit dhe me Ndue Dedajn biseduam për letërsinë; po ashtu, edhe ai ndante mendim të ngjashëm për këtë vepër.
• „Bibla në letërsinë shqiptare“ (1999): Një vepër tjetër e veçantë që plotëson një boshllëk të madh në kulturën dhe studimet tona letrare. Edhe pse rëndësia e saj analizohet gjerësisht në librin e Sarë Gjergjit, dua të theksoj se kjo vepër ende nuk e ka marrë vlerësimin e merituar nga studiuesit shqiptarë.
Duke ditur rëndësinë e këtyre dy veprave, këto dy vera i kam shpërndarë në biblioteka gjermane e austriake, si dhe te disa miq të mi në këto dy vende.
Një krijimtari gati 60-vjeçare
Stublla është një vendlindje që i ka dhënë kulturës shumë autorë në fusha të ndryshme. Në këtë mes, Isak Ahmeti mban një vend të veçantë: ai është autori i parë nga Stublla që botoi një libër, vëllimin poetik „Gallatea“, të botuar në Prishtinë nga shtëpia botuese „Rilindja“ në vitin 1972. Sot, ai numëron një veprimtari të pasur letrare dhe studimore prej gati 60 vitesh.
Vepra e Isak Ahmetit mbetet një testament i gjallë i përkushtimit ndaj fjalës së shkruar dhe historisë sonë kulturore. Për ne që e njohim nga afër, ai nuk është vetëm studiuesi i respektuar i bibliotekave, por mbi të gjitha miku i çmuar i bisedave të Stubllës, njeriu që me thjeshtësinë dhe dijen e tij vazhdon të na frymëzojë e të pasurojë thesarin e letrave shqipe.











