Nga Gjon Marku
- tregim
Sytë i hodhi përmbi zabel dhe vështroi diku thellë në të, sikur të donte të zbulonte ndonjë të fshehtë. Pastaj vështrimin e hodhi drejt fushave, në fund të të cilave gjendej njëri nga plepat shekullorë, në majë të të cilit ishte një çerdhe lejleku që, edhe pse tundej bashkë me degët, nuk i ndahej dot atij vendi, dhe çdo pranverë vinte i zoti i saj e meremetonte shtëpizën e tij mbretërore. Mjegulla endej nëpër përrenj, duke treguar se po afronte dimri. Dy-tri re notonin në qiell, si të ishin bletë pa mëmë, që kishin humbur orientimin. Vjeshta, tutje ndër rrafshina, zverdhte gjithçka pa ngut, si dikush që di se koha e vet do të vijë përsëri.
Flokënaja e degëve të shelgut, që ai vetë e kishte mbjellë në fund të kopshtit, iu duk e shkretuar dhe kjo ia bëri zemrën t’i dridhej. E kishte mbjellë atë shelg tamam sipas dëshirës së saj. Një thëllëzë fluturoi nga rrëza e tij dhe u fsheh ndër dëllinja. Sikur zemra iu mbush me akull. Kishte rënë bryma, dhe kur i hodhi sytë mbi pelerinën e vet, pa se vesa e kishte lagur sipërfaqen dhe disa pika uji kishin nisur të rrëshqisnin, duke krijuar vija të holla si gjarpërinj që kërkojnë të struken nga dimri.
Ai, si një shpend udhëtar, kishte fluturuar dhjetëra herë në vende të ndryshme, dhe ishte kthyer gjithnjë si lejleku në çerdhen mbi plep. Por këtë herë kishte ndodhur krejt ndryshe: kishte ikur në pranverë dhe po kthehej në vjeshtë, dhe shkak i këtij kthimi ishte e shoqja, e shtruar në spital, që luftonte me vdekjen.
Nëpër mendje i erdhën statujat e hirta, të panumërta, të Budëve në qytetin e vjetër, ku murgj mjekërbardhë luteshin pa fund, duke ngjizur një rit të veçantë. Kishte vështruar pllakat e pafundme të gurëve të shkruar prej tyre dhe qytetin e tyre të ngritur në atë pjerrësi, sikur nuk u mjaftonin fushat e pafundme përreth.
Si një plagosje mbante me vete kujtimin e saj, dhe shpesh i dukej se dëgjonte gulçimin e saj. Si pikturë e magjishme, imazhi i saj shkonte kudo bashkë me të. Në kujtesën e vet ziente e tërë e shkuara. Dhe ashtu po ndodhte edhe tani, edhe pse pa dashje, ndërsa gjithçka brenda tij po vyshkej, po zverdhej më keq se fushat në vjeshtë.
Ndjeu ftohtë, dhe në kujtesën e tij u ngulën sytë e saj, si dy qelqe të lodhur që sikur kërkonin ndihmën e tij në atë përballje me jetën.
Flokënaja e shelgut iu duk krejt si një ujëvarë dhembjeje. Kishte ngulur vështrimin mbi atë shelg, por në përfytyrim i vinte një shelg tjetër, i ngjashëm, diku më larg, në kohën kur ishte një djalosh i pashëm, plot vrull, që kishte njohur dashurinë e tij të parë. Ai shelg lotues ishte bërë strehë e degëve të tij, plot gjallëri, sikur kishte marrë përsipër të fshihte e të ruante dashurinë e tyre. Ishte dëshmitari i vetëm i asaj të fshehte.
Humbisnin veten nën degët e tij orë të tëra, derisa mbrëmja binte në honin e natës dhe hëna endej mes reve. Ajo hije shelgu, për të, ishte si një mriz zanash. Në hijen e tij kishte kërkuar, nëpër ëndrra, të bukurën e dheut.
Por shelgu që kishte tani përpara iu duk i plakur dhe i shkretë, i lënë në vetminë e mospërfilljes së askujt. Kujtimet ishin bërë thërrime, si copat e një gote të thyer, prej së cilës kishte frikë se mos gjakosej.
Kushedi sa gjatë do të kishte qëndruar atje, mbërthyer nga kujtimet e së shkuarës, po qe se në oborrin e shtëpisë nuk do të shfaqej e ëma, plakur dhe mezi e mbajtur në këmbë, sikur miku i vetëm që i kishte mbetur ishte hija e saj, me të cilën fliste gjithë ditën, derisa ajo humbte bashkë me natën dhe rikthehej me diellin. Ajo që në jetën e saj kishte ligjëruar qindra vaje, si këngë zie, tashmë vajtonte pa pushim vetminë e tij dhe jo vuajtjet e veta, të cilat i ngjanin një gërmadhe të madhe; lutej që ai t’i shpëtonte kthetrave të frikshme të vdekjes. Nuk fliste, por gjithnjë kishte mbajtur brenda një trishtim që e kishte bërë të përlotej pa e treguar.
Vështrimin e hodhi te rrafshinat, ku në anën tjetër të përroit qëndronte i vetëm plepi shekullor, që tundej bashkë me çerdhen e lejlekut mbi të, e që pa shokun pranë iu duk se nuk kishte më kuptim. Dikur atje kishin qenë dy plepa, si dy vëllezër binjakë, që rriteshin njësoj, zgjateshin drejt qiellit, në një barazi të përkryer moshe e shtati. I ati kishte vendosur ta priste njërin, edhe pse i donte të dy njësoj, në fund të arës. E kishte prerë atë plep për një gjë të shtrenjtë – ndoshta për ëndrrën më të shtrenjtë të jetës së tij. Ndoshta për shumë gjëra të tjera nuk do ta kishte rrëzuar përtokë, si një dinosaur të ngordhur.
Por donte ta gdhendte me duart e veta djepin ku do të përkundej nipi që pritej të lindte – pra i biri – i cili tani gjendej në spital, ku e ëma luftonte t’i shpëtonte kthetrave të vdekjes që, si kthetra kuçedre, e kishin ngërthyer, duke dashur ta bëjnë të sajën. Kështu që e preu plepin dhe, ngadalë-ngadalë, gdhendi djepin e nipit të tij. Pastaj ndërtoi një dollap ku do të viheshin rrobat e fëmijës. Edhe kalorësin hipur mbi kalë e kishte gdhendur me drurin e po atij plepi, edhe pse druri nuk ishte fort i përshtatshëm për kësi pune. Gjithë atë plep ia kishte kushtuar nipit që akoma nuk kishte lindur. Pas lindjes së tij, duket se i kishte kushtuar gjithë pjesën tjetër të jetës: i kishte premtuar edhe çibukun që kishte gdhendur me dorën e vet, kutinë e vogël prej argjendi ku mbante brisqet me të cilat rruhej, madje edhe kullën e vjetër – gjithçka që dukej se tashmë i përkiste atij, nipit të vogël, të birit të Mark Viganit. Por fati nuk kishte dashur; Zoti kishte sjellë një fat të keq, dhe ai kishte ndërruar jetë pa e parë nipin të rritej e të burrërohej.
Ata dy plepa, për Mark Viganin, kishin qenë si dy prindërit e tij – si e ëma me të atin, që udhën e jetës e kishin bërë bashkë për shumë vite, derisa njëri u shkëput në mes dhe e la tjetrin fill vetëm. Në shtëpinë e tij kishte mbetur vetëm e ëma, ashtu si në fund të arës kishte mbetur vetëm njëri plep. Nga plepi tjetër kishte mbetur djepi i të birit, i cili tani ishte në fund të studimeve universitare, dhe kalorësi mbi kalë, gdhendur nga dora e të atit. Nuk gjente dot diçka të mirë për t’u kujtuar, se mendimet i hidheshin herë në një kohë, herë në një tjetër – herë te plepi, që gjithnjë e çonte te kujtimi i të atit, herë te shelgu lotues, që e kthente në kujtimet e së shkuarës së tij, në rininë e vet, pra në moshën e të birit, i cili, edhe pse në fund të studimeve, akoma s’i kishte treguar ndonjë histori me hije shelgu lotues, nën degët e të cilit fshihej gjithmonë ndonjë histori dashurie. Ai s’ia kishte kërkuar këtë të birit, të pashëm, me trup të drejtë si një lis i ri.
Në moshën e tij, ishte i ngarkuar me një jetë të pasur, dhe pjesën më të madhe të kohës ia zinte ajo, e cila sikur kishte pushtuar jo vetëm ëndrrat e tij, por çdo qelizë të trupit të tij. Tani ajo gjendej në prag të fatit të plepit apo të të atit, të cilët kishin ikur nga kjo botë para kohe, sikur për ta lënë vetëm plepin tjetër, apo të ëmën e kërrusur, që fliste vetëm me hijen e saj. Po i biri, vallë, si do të kalonte ditët e veta i vetmuar, si plepi?
Ecte udhës drejt spitalit, mbështjellë në copëra mendimesh nga e shkuara, të cilat nuk po arrinte t’i sistemonte dot. Nuk gjente dot asnjë rreze dielli të ngrohtë që të ngrohte shpirtin, tashmë kthyer në një copë akulli.
E shoqja dergjej në krevat, në reanimacionin e spitalit, ku i bënte roje i biri, me numrin e rruazave të bardha të gjakut rënë drejt minimumit – pra afër vdekjes. Nuk fliste gjatë, veç ndonjë fjalë të rrallë. Mjekët nuk po e gjenin dot shkakun; njëri prej tyre kishte mërmëritur ndër dhëmbë se vdekja e saj ndoshta do të vinte pas muajsh a javësh, ndoshta pas ditësh a orësh. Mendoi kështu me vete dhe ndjeu ftohtë. I mori mall për puthjen e saj të ngrohtë e të prushtë, si dikur, në hijen e atij shelgu lotues. Sa më shumë i afrohej spitalit, aq më shumë ndjente ftohtë. I ngjiti shkallët drejt katit të tretë, ku ndodhej salla e reanimacionit, sikur mbante mbi shpinë një mal të tërë. Në shtëpi kishte lënë vetëm të ëmën, që i lutej Zotit t’ia merrte dhembjen e t’ia shpëtonte të renë.
Tetëdhjetë e gjashtë vjetët e jetës së saj kërkonin që dikush t’i gjendej pranë, po sikur t’i ndalej zemra. “Mjaft,” desh britma, sikur donte të çlirohej nga këto mendime të trishta. Pa e kuptuar as vetë, u gjend ballë për ballë me derën e reanimacionit. E uli dorezën pa trokitur dhe e shtyu të hapej. Priste që i biri t’i jepte ndonjë lajm të kobshëm nga përgjigjja e analizave, që kishin shkuar për t’u analizuar në një prej laboratorëve më të mirë. Nuk pati kurajë të futej brenda; u ndal në paradhomë. Nuk e dinte a mund të përballonte ndonjë lajm…
Nga brenda dëgjoi zëra, që flisnin e mërmëritnin në një mënyrë të pazakontë. E hapi derën dhe pa se e shoqja, sikur të mos ishte ajo që kishte lënë një ditë më parë, dukej e gjallëruar; i biri, mbështetur pas një vajze të bukur, vështronte nga e ëma dhe tregonte një histori, të cilën e ndërpreu në mes, si i zënë në faj, dhe hoqi dorën që i qarkonte qafën e vajzës.
Mark Vigani u hutua fare, nuk e dinte se për çfarë të pyeste më parë. Mbi komodinë ishte përgjigjja e analizave. E mori në duar, por s’kuptoi asgjë.
– Përgjigjjen e solli Fatjona, dhe kanë dalë shumë mirë, – mërmëriti i biri, duke vështruar nga i ati, pa mundur t’i thoshte kush ishte Fatjona.
Mark Vigani u përkul dhe puthi lehtë ballin e së shoqes, pastaj u kthye nga ata dhe i vështroi disa çaste.
– Ejani, të dalim e të pimë një kafe.
Dolën, por asnjëra palë nuk tha ndonjë fjalë që të çlironte tjetrën.
– Jeni të lirë, bijtë e mi, – u drejtua ai atyre, – tani mund të shkoni, – dhe heshti.
– Mund të shkoni drejt shelgut tuaj lotues, – mërmëriti me vete.
– Baba, mos deshe gjë? – pyeti i biri.
– Jo, biri im, – por, pa hedhur hapin e parë, u kujtua: – Altin.
Ata të dy u kthyen dhe e vështruan.
– Çfarë, baba?
Ai kishte nxjerrë disa kartmonedha, që ua zgjati.
– Merri, Altin.
– Jo, baba, kam para.
– Merri, s’e i ke për shkollën këto.
U vështruan sy më sy, dhe pasi i buzëqeshi ëmbël, i mërmëriti në vesh vargun e fundit të njërës nga poezitë e tij, atë që i kishte thënë se ia kishte kushtuar së ëmës:
Aty do të më gjesh, sa herë të më duash…
I biri i rrëmbeu kartmonedhat dhe, si një kaproll i lehtë, u sul drejt drenushës së vet, ndërsa Mark Vigani mezi priste të ngjiste shkallët e ta puthte ngrohtë të shoqen.


