FERDINAND LAHOLLI
Ese për serialin “Zakonet e maleve”
Ka histori që nuk rrëfejnë thjesht një kohë të shkuar, por e sjellin të shkuarën përpara nesh si një pasqyrë, ku befas mund të dallojmë fytyrën tonë. “Zakonet e maleve”, seriali i ri filmik me skenar dhe regji të Dibran Fyllit, i cili është njëkohësisht edhe pjesë e kastit të aktorëve, i përket pikërisht kësaj kategorie. Ai nuk është vetëm një kthim në botën e malësisë shqiptare, në një kohë kur zakoni ishte ligj dhe nderi kishte peshën e një besëlidhjeje të shenjtë, por është edhe një përpjekje për të hyrë në atë hapësirë të errët të kujtesës sonë, ku jeta njerëzore shpesh vihej në peshore me zakonet, gjakun dhe emrin e familjes. Por çfarë është një zakon kur pushon së qeni thjesht zakon? Kur shndërrohet në ligj? Dhe çfarë ndodh me njeriun kur ligji nuk shkruhet në letër, por në ndërgjegje, në gjak, në frikë dhe në kujtesën e brezave? Pikërisht këtu nis udhëtimi tek “Zakonet e maleve”.
Seriali hapet me një muzikë kumbonjëse të dalë nga shpirti i kohës, e ëmbël dhe njëherësh rrëqethëse, sikur prej së largu të dëgjohej një himn për jetën, por që nën tingujt e tij të fshihej që në fillim kori i një tragjedie. Është një muzikë që nuk e shoqëron thjesht pamjen, por duket sikur i jep zë një bote të tërë, një bote ku bukuria dhe vdekja kanë mësuar të ecin pranë njëra-tjetrës.
Pastaj shfaqet djali. I fshehur pas një gardhi përpiqet të kapërcejë me fishkëllimën e tij një largësi të vogël fizike, por të pafundme shoqërore. “Hej, hej!” Një thirrje e shkurtër, gati fëmijërore, një fjalë që duket se nuk kërkon asgjë tjetër përveç një përgjigjeje. Përtej gardhit është vajza. Ajo ndodhet brenda kufirit të shtëpisë së saj, brenda asaj hapësire ku familja, zakoni dhe autoriteti mashkullor kanë ngritur muret e padukshme të jetës së saj.
Gardhi është aty. Por gardhi nuk është vetëm një gardh. Ai bëhet që në fillim një nga simbolet qendrore të serialit: kufiri midis dy të rinjve, midis dëshirës dhe ndalimit, midis asaj që zemra kërkon dhe asaj që shoqëria lejon. Është një vijë e hollë prej druri që ndan dy hapësira, por në kuptimin simbolik ndan dy botë, botën e dashurisë dhe botën e zakonit. Në atë çast kthehet i ati i vajzës, Zuka, me kosën mbi sup. Ai nuk sheh një djalë të dashuruar. Ai sheh një cenim. Nuk dëgjon një fishkëllimë dashurie, dëgjon një kërcënim nderi. Dhe në atë botë nderi është më shumë se pronë individi. Ai është pasuri familjare. Është emri i oxhakut.
Një gjest i pafajshëm i rinisë shndërrohet kësisoj në çështje nderi. Ngjarjet zhvillohen me një ritëm që nuk i lë shikuesit kohë të rehatohet në një gjykim të parë. Djali shfaqet rishtazi pas gardhit. Përsëri fishkëllen. Përsëri thërret: “Hej, hej!”. Vajza mbledh rrobat e ndera në telat e oborrit. Është një veprim i zakonshëm, i përditshëm. Por kinemaja e kthen këtë përditshmëri në një çast të ngarkuar me parandjenjë. Ajo mbledh rrobat. Pastaj hyn në shtëpi. Dhe bashkë me rrobat duket sikur merr me vete edhe një frikë që ende nuk e di se çfarë forme do të marrë.
Zuka del në dritare. Pushka bëhet zgjatimi i një ligji të vjetër. Krismat e saj nuk vrasin vetëm djalin e Bilalit, por njëherazi duket sikur qëllojnë edhe mbi mundësinë e brezit të ri.
Djali bie. Dhe bashkë me të bie edhe iluzioni se dashuria mund të kalojë pa u vënë re nëpër hapësirat e kontrolluara nga zakoni. Dhe pikërisht këtu seriali refuzon të na japë një përgjigje të thjeshtë morale. Në pamje të parë, fabula duket e qartë dhe e thjeshtë: dikush ka cenuar nderin e dikujt dhe e ka merituar ndëshkimin. Vrasja mund të duket si përmbushje e një detyrimi. Por filmi e çon shikuesin përtej këtij gjykimi të parë. Befas, për një çast, shikuesi gjendet në anën e vrasësit. Jo sepse vrasja bëhet e drejtë. Por sepse fillojmë të kuptojmë se edhe vrasësi është rob. Rob i një ligji më të vjetër se vetë ndërgjegjja e tij. Dhe këtu lind tragjedia e vërtetë.
Zuka nuk është thjesht njeriu që qëllon. Ai është njeriu që ka trashëguar një mënyrë të menduari. Vret për të shpëtuar nderin, pa e kuptuar se në të njëjtin çast e fut veten në një tjetër rreth tragjedie. Sepse gjaku nuk e mbyll historinë. Gjaku e fillon atë.
Në bisedën me pleqësinë e fshatit Zuka kërkon që Bilali të lajmërohet menjëherë. Ai e di se nuk ka shpëtuar. Ka mundur të “shpëtojë” nderin e familjes, por nuk ka shpëtuar nga ligji i gjakut. Përballë tij qëndron Bilali, i cili ka humbur të birin. Njëri ka vrarë për nder, tjetri ka humbur birin për shkak të po atij nderi. Dhe kështu, nderi shfaqet në trajtën e tij më tragjike: si një vlerë që duke kërkuar të ruhet, fillon të ushqehet me jetën e atyre që betohen për të.
Në këtë pikë, dramaciteti i serialit merr përmasat e një tragjedie të mirëfilltë. Ligji kanunor kërkon që gjaku të shlyhet me gjak. Një vdekje lind një tjetër, pastaj një tjetër, derisa hakmarrja bëhet një zinxhir që nuk di më se ku e ka fillimin dhe ku mund ta ketë fundin. Mençuria fisnore, e cila përpiqet të shoshitë mosmarrëveshjet dhe të mbajë ekuilibrin mes familjeve, mbart brenda vetes edhe plagën e epokës: sado që kërkon drejtësi, ajo rrezikon të mbetet e burgosur në logjikën e hakmarrjes.
Por ja që pikërisht aty ku ligji i gjakut kërkon të sundojë mbi jetën, shfaqet dashuria. Lidhja e Elirës me Albanin nuk është thjesht një histori dashurie. Ajo është një sfidë ndaj kujtesës së hakmarrjes. Të rinjtë janë trashëgimtarë të një të shkuare që nuk e kanë zgjedhur vetë. Ata kanë lindur në familje me histori, me konflikte, me plagë dhe me emra që mbartin kujtesën e gjakut. Por ata nuk duan të jenë vetëm vazhdim i asaj që ka ndodhur. Duan të besojnë se njeriu mund të jetë më shumë se trashëgimia e tij. Se mund të zgjedhë. Se mund ta ndërpresë zinxhirin. Se mund të thotë: mjaft! Në këtë kuptim, dashuria e tyre bëhet një akt rebelimi. Jo një rebelim me armë, por një rebelim i zemrës. Një kryengritje e heshtur kundër fatit të parashkruar.
“Nëse dashuria asht mëkat, atëherë le të bahemi mëkatarë.”
Kjo fjali e Albanit nuk është thjesht një deklaratë dashurie. Ajo mund të lexohet si një manifest i të rinjve kundër një bote ku normat shoqërore janë bërë më të shenjta se vetë jeta. Nëse dashuria është mëkat, atëherë mëkati bëhet liri. Nëse bindja kërkon vdekjen, mosbindja bëhet jetë. Nëse e shkuara kërkon përsëritjen e vetvetes, dashuria bëhet mundësia e parë për ta ndërprerë atë përsëritje. Këtu seriali kalon nga historia në filozofi. Sepse çfarë është më në fund fati? Është ajo që na kanë lënë të parët, apo ajo që guxojmë të ndryshojmë? Ndoshta tragjedia njerëzore fillon pikërisht atëherë kur e ngatërrojmë trashëgiminë me fatin.
“Zakonet e maleve” e vendos këtë pyetje në qendër të një bote ku individi është pothuajse gjithmonë i vogël përballë familjes, fisit, emrit dhe zakonit. Njeriu lind me një histori që nuk e ka shkruar. Por drama e vërtetë është nëse do të pranojë të jetojë deri në fund si personazh i një historie të shkruar nga të tjerët. Në këtë pikë brishtësia e jetës merr një kuptim tjetër dhe jeta mund të kthehet në një tjetër drejtim.
Kjo është ajo që seriali e bën të ndjeshme: se tragjedia nuk lind gjithmonë nga ngjarjet e mëdha. Shpesh ajo lind nga gjërat më të vogla, nga ato që në një ditë të zakonshme mund të kalonin pa u vënë re. Gjesti më i vogël mund të marrë përmasat e një krimi. Gardhi i parë i serialit nuk është vetëm gardhi i një oborri, por gardhi i një epoke. Njëra anë ka dashurinë, tjetra ka zakonin. Njëra anë ka të ardhmen, tjetra ka kujtesën. Dhe midis tyre qëndron njeriu, kjo qenie e brishtë që përpiqet të jetojë edhe atëherë kur zakonet i kërkojnë të vdesë për të. Gjaku trashëgohet, urrejtja trashëgohet. Por këtu duhet përmendur trashëgimnia më më vlerë e shqiptarit: besëlidhja. Ajo vjen nga thellësitë e historisë jo thjesht si duarshtrëngim, por si përqafim shpirti, dhe si e tillë mban të bashkuara jo vetëm familjet, por një komb të tërë.
Edhe frika trashëgohet. Por dashuria nuk trashëgohet si një detyrim. Ajo zgjidhet. Në këtë kontekst “Zakonet e maleve” nuk mbetet vetëm një rrëfim për një kohë të shkuar. Ai bëhet një meditim mbi njeriun dhe mbi pushtetin që kanë mbi të ligjet e pashkruara të shoqërisë. Pyetja që ngre seriali nuk është vetëm se kush ka të drejtë dhe kush ka faj. Pyetja është më e vjetër dhe më e dhimbshme: a mundet njeriu të çlirohet nga e shkuara pa e mohuar atë? Ndoshta përgjigjja gjendet pikërisht te të rinjtë që zgjedhin dashurinë mbi hakmarrjen. Sepse aty ku brezat e mëparshëm trashëguan gjakun, ata kërkojnë të trashëgojnë jetën. Dhe aty ku dikur një fishkëllimë mund të sillte vdekjen, dashuria përpiqet të kthejë zërin e njeriut.











