ATDHEU – Burrë pa Grua

0
356
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

(Rizgjim)

E hedh një poezi në breg. Nën hije
Ku më mbeti vargu? Gjoku pullali?
Arma që moti e kam varë në degë.

E hedh një varg në zjarr. Flakë
Imzot, ndizem vetë. Një mal…

(Rrëzë malit në Dimër
po digjem Unë
)

Dardha Gorrice te Ara rrëzë Malit,
Të cilës si fëmijë i ngjitesha në majë.
E mbushja gjirin, dhe zbrisja nën hije
Barkun e rrasja. Dhe, i fusja sy gjumë:
Përpara syve të Ujkut: Loçi dhe Unë.

Dardha Gorrice te Ara rrëzë Malit
Nuk është më. E preu Destan Balli për dru.
Zjarrin ta ndezim në Dimër. Ngrohim fëmijët:
Duart. Këmbët. Edhe barkun si lodër.

Dardha Gorrice te Ara rrëzë Malit
Nuk digjet më. Por, digjem Unë…

(ATDHEU Burrë pa Grua)

Vitet e fundit kam filluar t’i dua armiqtë
E përjetshëm. E, t’i urrej „miqtë“. Hadumët.
Që m’lëvdojnë para syve. Shajnë pas shpine
Buçës i lyhen prapa. E lehin në Atdhe.
E shesin veten për një post në Qeveri.

Vitet e fundit kam filluar t’i dua armiqtë,
Që më shajnë kudo. Mbajnë në gojë.
Gjumi nuk i zen nga librat e mi. Poezitë.

Jerm flasin. E hanë veten pasmesnate
Shkaku im. Atdheu, ky burrë pa grua…

(Skënderbeu)
(Me rastin e 600 vjetorit të lindjes)

Vështirë e ke sot, o burrë! Legjendar
Kur “patriotët” presin të ngritesh nga varri.
Hipësh kalit në shpinë. Nxjerrësh shpatën
E, t’i çlirosh nga “Liria”. Që sot e kanë varë
Përqafe, si këmbonë kishe “shqiptarët”.
Dhe, “muslimanët” me: “Allahu Akber”
Nëpër Çajtore. Vite e shekuj. Dhe, Histori.

Vështirë e ke sot, o burrë. Legjendar
Që, në Shkup e fute shpatën në brez.
Dhe, nëpër përvjetore i rehabiliton melezët
Eksponentët e “vëllazërim – bashkimit“.

Vështirë e ke sot, o burrë. Legjendar
Luftë të bësh me Komunistët e arratisur.
Hadumët e “Vëllazërim – bashkimit“…

(Bora ra papritmas Natën)

Bora, ra papritmas Natën. Bardhë
Dhe, më mbuloi me ferexhe në befasi.
Dordoleci ma shtriu dorën. Fshesën
Oborrin ta pastroj nga bora. Hapi rrugë.

Bora, ra papritmas Natën. Erdhi Dimri
Bardhë. Ku ta fsheh Atë Grua. Këtë poezi?

(E dashura ime në lumë
lotët i thanë
)

Moti nuk ka rënë një shi kaq i madh
Uji t’i mbysë rrugët. Edhe lulet.
E pas përmbytjes të dalë Dielli
Jeta. Barin ta ngrejë më këmbë.

Në breg të Lumit. Nën një Shelg lotues
O Imzot! E dashura ime lotët i thanë…

(Hëna e verdhë vdiste
në Kopsht
)

Hëna e verdhë vdiste në Kopsht. Hije
E kishte tradhtuar Dielli. Burri i Botës
Mbrëmë me një grua tjetër. Putane.
Që, i biente lirës. Dhe, hante mollën.

Hëna e verdhë vdiste në Kopsht. Hije
Unë me verë përpiqesha t’ia kthej shpirtin…

(Unë jam Dimër
në këtë Qytet
)

Unë jam Dimër në këtë Qytet të qyqeve
Dhe, e mbuloj me dëborë këmbë e kokë.
E ngrij akull. E shkrij, dikur në Pranverë
E shkund në Vjeshtë. E zgjoj nga gjumi.

Unë jam Dimër në këtë Qytet të qyqeve
E mbuloj me dëborë. E ngrij akull.
Përsëri, lulëzon bërlloku në Pranverë.

Vjeshtë dua të jem, ta djeg me brymë!…

(Shelgjet lotues
më thanë: qaj
)

Në Katundin tim, u ktheva një ditë vetëm
U shtriva nën hijen e Lisit midis Livadhit.
E lexova një libër këndimi që ma dha Vëllai
Një pipizane shelgu, Babai. Nëna ma dha
Një copë buke misri të rreshkur mbi shporet
Qeni im Loçi nga malli m’u hodhë. Përqafoi.

E shkunda Veten nga fëmijëria. Lojërat
Shelgjet lotues, njëzëri më thanë: qaj!…

(Borë, mos bjer mbi
Shtëpinë time!
)

Borë, mos bjer mbi Shtëpinë Time
Dru s’kam. E kam poezi rebele.
Ftohtë. Poezitë mund t’i ndez zjarr
Dimrin ta përzë. E dua Pranverën!

Borë, mos bjer mbi Shtëpinë time
Dru s’kam. E, kam poezi rebele:
Që, po i hudha në zjarr. Ndizen flakë…

(Lulet e qershive shkunden
në Pranverë
)

Lulet e qershive shkunden. Dhe, dihet:
Vdes një Verë. E, Unë te pragu i derës
E pres i vetmuar edhe një Dimër.

Lulet e qershive shkunden. Vdesin
Që, të ma sjellin edhe një Pranverë…

(E di ku lulëzojnë qershitë)

Nisemi! Unë e di ku lulëzojnë qershitë
Katundi im, është Kopsht me lule.
Edhe Çuka. Guri i Zi në Kodrën Tike
Rrëzë, të cilit Dy lisat bineq me vite:
I presin fëmijët t’i përshkojnë gratë.

Nisemi! Unë e di ku lulëzojnë qershitë
Dy lisat e Çukës, ku përshkohen fëmijët…

(Dimri vjen me gunën krahëve)

Gjethet ranë. Dimri po vjen
Vishe struken! Grua, dili para!
Është një mysafir që vjen me tufan
Dëborë. Dhe, përplasje dere.

Dimri po vjen me gunën krahëve
Ndize zjarrin! Grua, dili para!…

(Patjetër pas kufomës time
edhe një Qen
)

Unë nuk mund ta mashtroj Veten. Shpirtin
Me shpërblime. Dhurata në këtë jetë.
Që, nesër të vdes i qetë. Edhe pa një Qen
Pas funeralit tim. Edhe atë, me dy – tre vetë.

Unë nuk mund ta mashtroj Veten në këtë jetë
Vdes. Patjetër, pas kufomës time edhe një Qen!…

Shkup, 15 korrik 2005
Nga libri: ATDHEU KY BURRË PA GRUA (2006).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.