14.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Çfarë nuk kupton Trump për Republikën Islamike të Iranit?

Çfarë nuk kupton Trump për Republikën Islamike të Iranit?

0
Bill-board - Trump-Iran

Një billboard në Teheran të shtunën. Arash Khamooshi për The New York Times

Nga Katrin Bennhold, Bota, 6 Maj 2026
Përktheu Arben Çokaj

Mirëmëngjes, botë. Presidenti Trump dëshiron qartë t’i japë fund luftës në Iran. Së pari, ai provoi taktika frikësimi. Por ultimatumet e tij rezultuan fleksibël dhe kërcënimet e tij për të zhdukur një qytetërim të zbrazëta (të paktën deri tani). Tani ai po përpiqet t’i shkaktojë dhimbje financiare udhëheqjes iraniane. Por bllokada e tij nuk po shkon shumë më mirë. Dhe mbrëmë, Trump ndaloi operacionin e SHBA-së për të shoqëruar anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit vetëm pas një dite.

Pamundësia e Trump për të detyruar republikën islamike që të bëjë atë që ai dëshiron, nga hapja e ngushticës deri te heqja dorë nga rezervat e saj bërthamore, tregon një të vërtetë më të madhe: Ndoshta Amerika nuk e kupton Iranin. Sot kolegu im Steven Erlanger, korrespondenti ynë kryesor diplomatik, shkruan përse mund të mos ketë një mënyrë të lehtë për t’i dhënë fund kësaj lufte.

Nga Steven Erlanger

Presidenti Trump vazhdon të kërkojë zgjidhjen e menjëhershme, që do ta ndihmojë të shpallë fitoren në Iran.

Filloi me kërkesën e tij në fund të marsit që vendi të “HAPË PLOTËSISHT” Ngushticën e Hormuzit – mbyllja e saj ka çuar çmimet globale të energjisë dhe plehrave kimike – ose të përballet me shkatërrimin e termocentraleve të tij.

Kur kjo nuk funksionoi, ai e eskaloi situatën, duke kërcënuar të zhdukë “një qytetërim të tërë”, nëse Irani nuk do të bindej.

Kur kjo nuk funksionoi, ai vuri bast për një bllokadë të anijeve iraniane, me të cilën shpresonte se mund të shkaktonte dhimbje të mjaftueshme për regjimin, saqë ai më në fund mund të hiqte dorë nga kontrolli i tij mbi rrugën ujore.

Dhe meqenëse kjo nuk ka dhënë fryte, këtë javë, në një përpjekje të re për të thyer kontrollin e Iranit mbi ngushticën, Trump njoftoi një plan, me pak detaje, për të ndihmuar në nxjerrjen e anijeve të bllokuara nga ngushtica.

Irani u përgjigj me disa raketa dhe dronë. Trump e ndaloi planin pas një dite.

Bindja e Trump se më shumë presion ekonomik apo edhe ushtarak do të sjellë kapitullimin e Iranit është thellësisht e gabuar, thonë zyrtarët dhe analistët. Ata thonë se është një keqinterpretim i strategjisë, psikologjisë dhe aftësisë së republikës islamike për përshtatje.

Qeveria iraniane beson se ka epërsinë për momentin. Mendon se mund t’i rezistojë presionit të ri ekonomik, siç ka bërë në të kaluarën. Dhe – më e rëndësishmja – mendon se mund ta bëjë këtë më gjatë sesa Trump mund të tolerojë rritjen e çmimeve globale dhe amerikane të benzinës, energjisë dhe plehrave kimike.

Lufta është bërë një provë e vullnetit midis Iranit dhe SHBA-së. Por për Iranin, rreziqet janë më të larta – gjë që, në një situatë të vështirë, i jep një avantazh.

Ngushtica e Hormuzit të premten. Reuters

Një provë vullnetesh

Duke vendosur një bllokadë, Trump po vë bast se kapaciteti i Iranit për të ruajtur naftën që po pompon, por që nuk mund ta eksportojë, do të mbarojë së shpejti.

Nëse nuk e vënë naftën në lëvizje, e gjithë infrastruktura e tyre e naftës do të shpërthejë,” tha Trump në fund të muajit të kaluar, duke shtuar: “Ata thonë se kanë vetëm rreth tre ditë të mbetura, para se të ndodhë kjo.

Por ky pohim – tashmë u provua i gabuar – mund të mbështetet në një llogaritje të gabuar.

Ekspertët e naftës besojnë se Irani ka të paktën disa javë para se të duhet të ndalojë pompimin, gjë që mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e tij. Por Irani, i cili eksportonte rreth 1.81 milion fuçi naftë në ditë në prill, mund të zvogëlojë prodhimin e tij ndërsa vazhdon të ruajë naftë në cisterna të zbrazëta ose të vjetra, të cilat mund të mbajnë rreth 2 milion fuçi secila, duke transportuar një pjesë të saj me rrugë dhe hekurudhë për në Pakistan. Gjatë mandatit të parë të Trump, Irani e uli prodhimin në rreth 200,000 fuçi në ditë pa dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e tij të naftës.

Irani nuk është veçanërisht afër fillimit” të mbylljes së puseve të tij, tha Brett Erickson i Obsidian Risk Advisors. Sanksionet dhe bllokada do ta ndryshojnë situatën, por “nuk ka një skenar të mundshëm me anë të të cilit ato do të prodhojnë rezultatin e nevojshëm në një afat kohor të mundshëm” për Trump. Edhe nëse lufta mbaron sot, tha Erickson, “do të duhen disa muaj para se gjërat të kthehen në normalitet”.

Taktikat e Presidentit Trump ndaj Iranit ende nuk kanë dhënë rezultate. Tom Brenner për The New York Times

Një rrotullim i vogël i vidës larg?

Ekspertët dyshojnë se koha do të funksionojë në favor të Trump.

Ne sigurisht që mund t’i bëjmë më shumë dëme ekonomisë iraniane, por ata kanë përballuar më shumë presion se çdo ekonomi tjetër në histori, dhe kjo nuk ka prodhuar rrëzimin e regjimit ose pozicione më të arsyeshme”, tha Suzanne Maloney, një specialiste për Iranin dhe drejtoreshë e programit të politikës së jashtme në Institutin Brookings.

Mendoj se Presidenti Trump nuk e kupton vërtet se çfarë i motivon iranianët”, më tha Sanam Vakil, drejtoreshë e programit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Chatham House. “Ata nuk marrin vendime bazuar në PBB-në e tyre, sepse nëse do të ishte kështu, do të kishin bërë një marrëveshje vite më parë.

Në fund të fundit, qëndrimet e Iranit janë ngurtësuar gjatë rrjedhës së luftës. Por taktikat e Trump nuk kanë ndryshuar. “Në çdo moment kur presioni nuk ka dhënë rezultatin e synuar, ai ka kërkuar një mjet të ri shtrëngimi, që ai besonte se do të sillte fitoren me magji”, tha Ali Vaez, drejtor i projektit të Iranit për Grupin Ndërkombëtar të Krizave. “Ai gjithmonë beson se është një rrotullim i vogël i vidës larg.

Nuk është se strategjitë e SHBA-së nuk po shkaktojnë dhimbje. Ato po e bëjnë. Por Irani është një shtet kaq autoritar, saqë lloji i nxitësve politikë, që mund të shtyjnë kompromisin nuk ekziston, tha Maloney.

Trump, nga ana tjetër, po përballet me zgjedhje të mesit të mandatit në vjeshtë. Dhe ka vetëm njëfarë dhimbjeje që votuesit do të durojnë.

Lexoni historinë time të plotë këtu.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.