20.5 C
Tirana
E enjte, 14 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj EKUILIBRISTI ME SHKOP TË ZJARRTË

EKUILIBRISTI ME SHKOP TË ZJARRTË

0
Liderët e Kosovës për pavarësi

Ora e Madhe Shqiptare

Shaip Beqiri
Shaip Beqiri

Shaip Beqiri

Qenë ngjarjet e përmasave të mëdha të fundit të dhjetëvjetëshit të kaluar, midis të cilave pa dyshim shquhet Greva e Minatorëve Shqiptarë, ato që krijuan një klimë shpresëdhënëse se fryma e rezistencës shqiptare, pas gjithë atyre burgosjeve e masakrimeve të regjimit serb, nuk ishte shuar. Dhe brenda një kohe të shkurtë, në një klimë politike të ashpërsuar e të përmbysur plotësisht, zunë të krijoheshin partitë dhe organizimet e tjerë të parë alternativë shqiptarë, ku u shqua sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës. Kishte ardhur dita kur shqiptarët po hiqnin një zgjedhë të mbajtur me përdhunë afër gjysmë shekulli të regjimit komunist jugosllav. Pra, shqiptarët po i ktheheshin identitetit të vet politik-kombëtar në mënyrë burimore e të hapur, duke e shprehur faqe botës një aspiratë për të cilën kishin dhënë prova dhe flijime të shumtë në çdo kohë. Pikërisht këtu zë fill manipulimi i udhëheqjes kryesore të LDK-së, i cili do të shpërthejë në formën e vet tragjikomike më vonë.

Themeluesit kryesorë të LDK-së, duke mos pasur midis tyre ndonjë figurë që kishte një shkëlqim më të madh tërheqës, së pari herë provuan të vinin Akademik Qosen në krye të kësaj partie (deri vonë e konsideronin lëvizje kombëtare dhe e quanin Alternativë Kosovare). Pasi ai nuk pranoi, e vunë Dr. Rugovën si një zgjidhje të pranueshme. Turma të mëdha njerëzish në atë kohë po ktheheshin drejt kësaj lëvizjeje, sa menjëherë nisën edhe spekulimet e panevojshëm me numrin e anëtarësisë së LDK-së. Përmendeshin 500.000, 600.000, 700.000 etj. Kjo edhe mund të ketë qenë e të jetë e vërtetë, por nuk u shtrua kurrë problemi themelor: ç`të bëhet me një potencial kaq të madh njerëzor? Këta ishin shqiptarë që për të parën herë po viheshin pas një kreu udhëheqës, i cili i kishte vënë vetes për detyrë misionin e madh që të vepronte legalisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Për të mos u ndalur tepër gjatë te këto hollësi, duhet thënë se Dr. Rugova shpejt e përftoi profilin e një udhëheqësi të pranueshëm nga shumica absolute shqiptare, gjë që ai profilizim iu bë i pranueshëm pothuaj në të njëjtën masë edhe në kontaktet politikë-diplomatikë ndërkombëtarë. Nga kjo pikë ai bëri një politikë në dy binarë: brenda lëvizjes shqiptare zuri pozicionin sipëran, duke i lejuar njëkohësisht ndeshjet e vogla të brendshme dhe një klimë të përhershme mospajtimesh disi të pranueshëm; ndërkaq kontaktet e jashtëm i la pothuaj gjithnjë pas një velloje misterioziteti, duke e mbajtur të hapur qarkun e spekulimeve me gjoja rezultatet e atyre kontakteve, pra duke vënë në përdorim përherë improvizimet dhe ekzagjerimet, sidomos atë se gjoja Kosova ishte vazhdimisht në krye të agjendave të politikës ndërkombëtare.

Dr. Rugova në planin e brendshëm bëri politikë të kalkuluar me saktësi në përshtatje me mentalitetin primitiv politik, i cili, prapa krekosjeve e fjalëve kumbuese, as që lodhet shumë të fshehë ambiciet e sëmura karrieriste. Për t`i bërë të plota pamjet e kësaj komedie, Dr. Rugova i futi brenda të së njëjtës lëvizje rrymat e papajtueshme. Kjo “bashkëjetesë” rrymash atij ia krijoi endirën e një ekuilibristi, stabiliteti i të cilit mbështetej në njëlloj naiviteti djallëzor nga të gjithë, duke pasur si pikë kryesore mbështetëse gjoja përkrahjen ndërkombëtare që gëzonte Dr. Rugova. Ndërkaq ai vazhdonte të bënte lojën e kombinacioneve të përçudnuar: mbështetej në mjegullën e krijuar artificialisht ndërkombëtare duke mbajtur në duar shkopin e zjarrtë para atyre që me thika pas shpine i çanin kurrizin njëri tjetrit. Kjo stërkeqje pushtetare kaq e shpejtë, ende pa vënë një gur në vend të vet, është më shumë se mashtrim dhe keqpërdorim i atij pushteti të mjerë të ashtuquajtur moral nga ana e Dr. Rugovës.

Që të jenë më të qarta këto pamje, mjafton t`u hidhet një vështrim sipërfaqësor tre kuvendeve të LDK-së. Në të parin Dr. Rugova mënjanoi nga udhëheqja e ngushtë themeluesit e LDK-së. Duke e njohur natyrën e tyre karrieriste, ata në një mënyrë i mbajti jo larg vetes si rezervë për përdorim të çdokohshëm, duke ua hedhur herë pas here ndonjë asht, sa për të mos i lënë të vdisnin për së gjalli. Në kuvendin e dytë, jashta çdo parimi demokratik të votimit, ai e vendosi ekuilibrin midis dy rrymave të papajtueshme, duke i lënë ato në grindje të përhershme. Pas këtyre pamjeve të komedisë pushtetare të Dr. Rugovës shtrihet shkretëtira e pafund e politikës shqiptare të Kosovës, sidomos në vjetët 1993 – 1996. Është i tmerrshëm fakti që kjo komedi politike u ndërtua mbi tragjedinë e jetës kombëtare shqiptare.

Me këso andrallash në kokë, në përpjekje për të fshehur e mbrojtur paudhësitë, Dr. Rugova erdhi deri te kuvendi i fundit i LDK-së, ku iu desh t`i nxirrte edhe vetë kthetrat. Duke e parë se terreni politik i kishte rrëshqitur larg këmbëve, ai u detyrua të merrte kthesën me kurs vërvitës. Krahas kthetrave të veta, ai tashmë kishte edhe një armë tjetër: dhëmbët e mprehur të atyre që i kishte vërtitur rrotull vetes prej kohësh, një pjese të të cilëve tashmë u ishte bërë pjesë e ëmbëlsuar së tepërmi e jetës pushteti i mjerë që kishin marrë në dorë nga sovrani i padiskutueshëm. Kurse atë vetë po vazhdonte ta ndiqte ende hija e vetmisë dhe e braktisjes së pabesë, të cilën e kishte provuar pikërisht nga largimi prej tij i këtij llumi jo më shumë se para një dhjetëvjetëshi. Në këtë situatë të ashpërsuar së tepërmi nga rrethanat e reja politike, kur LDK nuk kishte mbetur më e vetmja forcë politike e Kosovës, Dr. Rugova me “elegancë” dinake i vuri në përdorim të fundit të dy rrymat e papajtueshme në udhëheqjen më të lartë të partisë së tij: i flaku që të dyjat përnjëherë në theqafje, madje pa i falënderuar fare për shërbimet e verbër që i kishin bërë politikës së tij dhe atij vetë me një naivitet Jude!

Këtë veprim po e bënte i trimëruar nga dhëmbët e mprehur të atyre që ishin përgatitur me kohë të mos e linin më të vetmuar Presidentin, sepse ai tashmë mund t`i përballonte me durimin e vet mitik të gjitha përveç vetmisë së përjetuar me aq ankth një herë në një kohë leçitjeje. Krahas dhëmbëmprehurve të vjetër që po bëheshin gati të merrnin role të rinj të besueshëm, natyrisht që kishte edhe të manipuluar të tjerë që u mjaftonte argumenti i quajtur Dr. Rugova për të kryer spastrimin e nevojshëm për Presidentin. Kështu, ta zëmë, zhurmaxhinjtë e stafit të Dr. Rugovës qenë në gjendje që për muaj të tërë t`i nxitnin mësimdhënësit shqiptarë të punonin edhe pa i marrë ato të ardhura të mjera që më shumë nuk i merrnin, kurse për një mungesë të vet të vogël (që më parë ishte kërkesë e Qeverisë së Kosovës për të pasur prej tyre një dëshmi të qartë me shkrim), e cila mund t`ua vriste paksa kurrizin, i qitën sytë në breg duke dhënë alarmin sikur të jepnin lajmin për fundin e botës. Kulmi i gjithë kësaj pafytyrësie është përpjekja që vazhdon për t`u mbajtur të mbyllura nga ana e Dr. Rugovës dy afera nga më të ndyrat e keqpërdorimit të mjeteve të arsimit të Kosovës. Ndërkaq protagonistët e atyre aferave, Rexhep Osmani dhe Zejnullah Rrahmani, pikërisht në këtë kohë afrohen së tepërmi tek fotelja e aferëbllokuesit të tyre.

Një aspekt tjetër ilustrues për këtë gjendje është edhe ajo që ndodhi para një kohe në Degën e LDK-së në Zvicër. Pas përpjekjes së dështuar të misionarëve të Dr. Rugovës për ta vendosur aty gjendjen sipas nevojave dhe njerëzve të klanit të vet, ata vetëkurdisën një spekulim të tipit agjenturor sllavo-komunist. Pra, shkruan vetë një letër të ndyrë drejtuar Qeverisë Nano të Shqipërisë në emër të kryetarit të sapozgjedhur, z. Gani Sylaj, ndaj së cilës zunë të bënin kopeisht reagime të sinkronizuar në paçavuret kryesore të shtypit shqiptar. Duket se ata reagime të fëlliqur ishin bërë në të njëjtën kohë me shkrimin e letrës së inkriminuar! Pjesa më e madhe e atyre fëlliqësive doli me javë të tëra pas sqarimeve të bërë me kohë. Gjithë kjo doli sipas natyrës së përgjithshme të kanalizimeve: stërngarkimi i tyre i nxjerr shpejt të palarat në sipërfaqe…

Në rrethanat e reja të Kosovës, të cilat po bëhen gjithnjë më të ashpërsuara nga trysnia e regjimit serb, është një fakt që po bëhet përditë më i fortë e shpresëdhënës: në skenën e jetës politike e kombëtare të Kosovës ndërkaq nuk po mbetet më vetëm lëvizja e drejtuar nga Dr. Rugova me ndonjë satelit të parëndësishëm rrotull vetes. Atë që e kishte bërë rezistenca e fundit të dhjetëvjetëshit të kaluar Greva e Minatorëve dhe protestat e tjera të gjera shqiptare, me përmasa shumë më dinamike zuri ta bënte në dy vjetët e fundit Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Poashtu Lëvizja Studentore e Kosovës e bëri një hap të ri përtej mjegullës rrotull Dr. Rugovës, prapa së cilës u pa qartë pozicioni i turpshëm i të strehuarve aty.

Vetëm kur u ndodh midis kudhrës e çekanit, sado që ishte me një sasi të palejueshme droge pushtetare në gjak, Dr. Rugovës iu kujtua se kishte fjetur tepër gjatë; se që nga vjeti 1992 nuk kishte konstituuar Parlamentin e Kosovës, se ia kishte zgjatur atij Parlamenti dhe vetvetes mandatin në mënyrë antikushtetuese dhe se këtë gjë s`do të mund ta bënte më; se kishte pritur më kot që pavarësinë e Kosovës do t´ia sillnin euroamerikanët të mbështjellë me celofan një ditë me diell në selinë e tij dhe se ai nuk do të kishte nevojë të ballafaqohej fare me regjimin gjakatar serb, madje as të ulej ballë për ballë në tryezë bisedimesh me përfaqësuesit e tij kriminalë; se, në anën tjetër, kishte mjaft “tradhtarë” të tjerë të moderuar që po punonin prapa shpinës së tij për të vënë kësi kontaktesh të dyshimtë!

Mirëpo faktet janë tepër kryeneçë. Një prej këtyre fakteve flet qartë se në çfarë leckash pa vlerë është në gjendje të vërë firmën Dr. Rugova krahas me atë të “Predsednik” Millosheviqit: marrëveshja poshtëruese e arsimit të Kosovës e 1 shtatorit 1996, të cilën Dr. Rugova për kaq kohë ia la në dorë si alibi të demokratizimit kryegjakatarit të regjimit serb. Ndërkaq ai e harroi këtë mjerim me majë dhe në kulmin e masakrës serbe në krahinën shqiptare të Drenisë, pikërisht atëherë kur gjithë bota i kishte kthyer sytë andej, Presidenti i 2 milionë shqiptarëve (të cilin e mbështetnin edhe 5 milionë të tjerë gjithandej), klithte nga fundi i humnerës së mjerimit njerëzor: Nuk kemi udhë tjetër, përveç të bëjmë vetëvrasje kolektive; brenda dy ditëve do të mund të na shkatërronin të gjithëve!!! A mund të zbresë poshtërimi e ligështimi më poshtë!? A mund të merrte Dr. Rugova për një çast të vetëm diçka nga forca shpirërore e morale e urtarit të Drenisë, z. Shaban Jashari, i cili, edhe pas gjithë atij sulmi që i bënë hordhitë serbe, nuk u ligështua e as nuk e humbi drejtpeshimin burrëror kurrë, por çdoherë deklaroi me qartësi e vendosmëri faqe botës: Unë do të luftoj deri në frymën e fundit për të mbrojtur dinjitetin e vatrës dhe nderin e familjes? Kurse Dr. Rugova, lukunia e të cilit aq shumë i referohet verdiktit të popullit, në momentet më tragjikë të fatit të atij populli bën gjeste komikë dhe vajton në mënyrë qyqare duke mbajtur lidhje telefonike me ata që pret se do t`ia sjellin lirinë të mbështjellë me celofan…

Duke i ushqyer këta iluzione kaq gjatë, në të cilët në fund të fundit as vetë nuk ka si të besojë, Dr. Rugova gjatë gjithë kësaj kohe nuk bën tjetër përveç që mat pulsin e mjerimit shqiptar. Mjeshtëria e njeriut të shquar të letrave tek ai u kthye shpejt në aftësi të një udhëheqësi karikatural. Ndërkaq ai i kishte tepër reale të gjitha gjasat më të mira të bëhej një nga mbajtësit e flamurit shqiptar lart e pastër. Një udhe të tillë Dr. Rugova edhe qe nisur, atëherë kur të gjithë shqiptarët e Kosovës pa kurrfarë hamendje e vunë në ballë të vendit, kurse gjithë kombi shqiptar ia la vendin e nderit. Prapa vetes ai i pati edhe ata që gjithë jetën e tyre e kishin flijuar për lirinë kombëtare, që nga Adem Demaçi e deri tek bashkëpunëtorët e vet që i përbuzi së fundi në mënyrën më të pacipë, kur iu desh të afronte llumin e vet me të cilin duket se po përpiqet ta mbyllë me turp udhën e madhe të lirisë. Rasti i Dr. Rugovës dëfton më së miri se ç`prijës i duhet një populli dhe vendi të robëruar. Pra, rasti thotë qartë se i duhet një prijës që, përveç mendjes së ndritur, ka edhe një zemër tepër të madhe, brenda së cilës qyqaria nuk mund të zërë vend. Më në fund kjo nuk është e vetmja e as më e madhja fatkeqësi të thuash natyrale e përvojës së shqiptarëve në historinë e tyre shekullore me udhëheqësit e vet. Që nga koha e Kastriotit shqiptarët pothuaj vetëm këtë hall kanë.

Duke e shfrytëzuar mjeshtërisht dhe pabesisht mjerimin shqiptar, Dr. Rugova diti të rrijë disi mënjanë duke ndërsyer tërë atë lukuni të zezë propaganduese, shumëfish më të fëlliqur se ajo serbe, kundër gjithkujt dhe për gjithçka. Kjo propagandë me kohë u bë e nëpërdukshme, duke vënë në shënjestër të vet pikësëpari të gjithë ata që nuk mendonin se duhej pritur vetëmashtrueshëm siç thoshte Dr. Rugova. Duke e hedhur farën e saj të zezë gjithandej, përhapësit e kësaj propagande vazhdojnë të agjitojnë mashtrueshëm për pavarësinë e Kosovës pa bërë asgjë për të, duke krijuar njëkohësisht gogolin e regjimit serb, shëmbëllyeshëm me autorin e tyre të vetëvrasjes kolektive, sa edhe arritën që një pjesë jo të vogël shqiptarësh për një kohë vërtet të gjatë t`i futnin në vrimën e miut!

Tash është mesi i javës së dytë të marsit, kurse në fund të së tretës javë të këtij muaji të përgjakshëm të Kosovës pritet të mbahen zgjedhjet e dyta pluraliste parlamentare e presidenciale. Pas çfarë rezultatesh në ndërtimin institucional do të dalin të kërkojnë verdiktin famoz të popullit këta njerëz, të cilin e mbajtën së koti gjashtë vjetët e fundit si kërcënim ndaj çdo kundërshtari të tyre, që duket se nuk janë të paktë? Nëse nuk mundën të bëjnë konstituimin e Parlamentit të Kosovës për shkak të kërcënimit të regjimit serb gjatë gjashtë vjetëve, me ç`fytyrë mund të nxjerrin në zgjedhje një popull të tërë pa pasë bërë asgjë pas zgjedhjeve të përdhunuara të paragjashtëvjetëve. Mund të jetë edhe kjo një lojë e rëndë cinike në kohën kur Dr. Rugovës i kanë mbetur kompetenca të pakufizuara vetëm për të shpallur ditë zie në Kosovë!

Për të mos u marrë me përfolje të mërzitshme të kësaj propagande, krahas këtij shkrimi, po jap vetëm disa pamje të saj të kohëve të fundit (bashkë me një fragment vështrimi të redaktorit të “Zërit shqiptar”), ku shihet qartë synimi i kësaj propagande në një fushatë kobtare, të drejtuar nga të paturpshmit në mënyrën më të turpshme.

Megjithatë, gjithë ky vështrim jep vetëm një anë të pamjes së jetës politike shqiptare, e cila natyrisht që i ka defektet e vet edhe nga anët e tjera. Me një fjalë, sado që dalin në role kryesorë, nuk janë Dr. Rugova dhe LDK të vetmit protagonistë të kësaj tragjedie komike shqiptare. Pra, është mirë që ajo të shihet pak më gjerë dhe më thellë!

Nëntë Fusnota dhe një Koment

1.

Ky është kuvend i një organizimi politik, apo një institucion politik, më i njohur e më i respektuar në Kosovë i shqiptarëve të të gjitha kohërave, është një institucion politik që ka arritur shqiptarët t`i bashkojë në një bazë të gjerë që quhet Lidhje Demokratike e Kosovës. Kjo parti apo institucion i shqiptarëve ka arritur që aspiratat t´i bëjë vetëdije nacionale e kombëtare të organizuara, duke vepruar haptas me metodat që i zgjedh vetë. Ky organizim nuk është pa autor, është organizim të cilit i ka pri dhe i prin Dr. Ibrahim Rugova dhe ky organizim e ka bërë çështjen e Kosovës çështje ndërkombëtare dhe kombëtare.

Sabri Hamiti: “Rilindja”, 22 dhjetor 1997, f.4

2.

Partia Parlamentare e Kosovës një kohë të gjatë është dalluar për një zhurmë të madhe mediale, duke e shtruar nevojën e “dinamizimit” të jetës politike. Adem Demaçi pati lansuar mundësinë e përdorimit të 200 metodave të rezistencës paqësore. Që nga 26 dhjetori i vitit të kaluar Partia Parlamentare e Kosovës ka qenë distribuesja më e zëshme e kumtesave dhe e deklaratave lidhur me UÇK-në, përfshirë këtu edhe një letër që zoti Demaçi i pati drejtuar shtabit të saj me kërkesën për një moratorium tremujor mbi veprimtarinë e tyre. Në një ballafaqim televiziv në TVSH, Demaçi pati folur me frymëzim për UÇK-në, për të udhëtuar të nesërmen e atij emisioni në takim me Riçard Majlsin në Beograd dhe për të heshtur prej asaj dite e deri sot lidhur me këtë temë.
(…)
Kryetari i kësaj Dege, Gani Sylaj, i shkruan Nanos, me të kërkuar faljeje për mosreagimin e Degës së LDK-së së Zvicrës, kur e patën burgosur Nanon për shpërdorim detyre. E habitshme dhe e dhembshme në këtë mes është se për ç`arsye e ngarkon veten me barrën e fajit Gani Sylaj për veprimet e dikurshme të Degës së LDK-së, kur, me sa dimë, ai në atë kohë ka qenë vetëm mësues në vendlindjen e tij, në Nekoc të Drenicës, pa e parë madje as në ëndërr se udha jetësore dhe politike do ta shpinte në Konfederatën e Zvicrës, si azilkërkues e lëre më në karrigen e njeriut të parë të LDK-së në atë vend.

Milazim Krasniqi: “Bota sot”, 28 janar 1998, f. 2

3.

Ai (fjala është për G. Sylajn – vërejtje jona) thotë se ka pasur një polemikë me mua, thotë se unë kërkuakam dhe grumbulluakam mjete nga mërgimtarët në emër të kryetarit, pa dijen e tij. Këtë e argumenton duke thënë se e paskam penguar një takim të tij me kryetarin në lidhje me këtë gjë. Përndryshe, sipas tij, ai do të grumbullonte para, por me dijen e kryetarit.
(…)
Gjatë udhëtimit të fundit kemi biseduar lirshëm me shumë mërgimtarë për shumë çështje e edhe për problemet që i shkaktohen zyrës në Prishtinë nga mungesa e mjeteve financiare. Kam thënë se është mirë të tejkalohet gjendja pa zhurmë, pa komente për shkaktarët apo përgjegjësit. As nuk dua e as që më takon mua kjo punë. Por kam thënë se problemi është praktik. Punëtorët e Presidencës (të gjithë mbajtës të familjeve pa burime të tjera financiare) nga gjysma e vitit 1997 kanë pasur probleme me marrjen e 171 DM mujore.

Adnan Merovci: “Zëri shqiptar”, 31 janar 1998, f.21

4.

Vetë ecuria e ndërmjetësimit në problemin e Kosovës po zhvillohet sipas një skenari të njohur nga themelimi i shtetit shqiptar. Zoti Nano bën testin e parë përmes Degës së LDK-së në Zvicër, duke e trumbetuar në shtyp një telegram përkrahjeje për politikën e tij nga vetë kryetari i kësaj Dege, Gani Sylaj, i cili në emër të Degës së tij kërkon ndjesë për politikën e gabueshme të vetë partisë së tij në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Mirëpo në Kosovë funksionon një logjikë e pakuptueshme për ish-komunistët, atje zhvillohet politikë që ka dalë nga vetë ndërgjegjja e të gjitha shtresave shoqërore të Kosovës dhe që është ndërgjegje shtetformuese. Simbol i kësaj ndërgjegjeje është vetëm presidenti Rugova dhe askush tjetër.

Ramadan Musliu: “Rilindja”, 9 shkurt 1998, f.1

5.

Edita Tahiri demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës i cilësoi si demonstrata anti-pavarësi dhe se shkojnë ndesh me rrugën e pavarësisë dhe, si të tilla, kanë dëmtuar çështjen e pavarësimit të Kosovës. Ndërkaq për Adem Demaçin ajo tha se pas paraqitjes së kandidaturës presidenciale, atë e ka tërhequr i bindur se nuk ka gjasa t`i kundërvihet Dr. Rugovës. Për Bakallin tha gjithashtu se ka tërhequr kandidaturën me të njëjtin motiv dhe se me aktivitetin e vet politik po bie ndesh me politikën e LDK-së.

Edita Tahiri, sipas KI të Bashkësisë Shqiptare në Austri: “Bota sot”, 13 shkurt 1998, f.10

6.

Le të kujtohen përpjekjet e pareshtura disavjeçare të kryeministrit të Kosovës dhe të ministrit të tij për informata për të futur grindje e konflikte në mes të institucioneve kryesore: kryetarit të Republikës së Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht tri forcave kryesore politike shqiptare në Kosovë. Në këtë plan, kësaj përpjekjeje i është bashkangjitur Partia Parlamentare e Kosovës, sidomos pas ardhjes së Adem Demaçit në krye të saj, ardhje që lidhej edhe me ndërrimin e politikës së ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, ndaj Kosovës.
(…)
Në skenën politike dominon një luftë politike, në të cilën janë të inkuadruar me ose pa dashje kryesia e LDK-së, kryetari i Republikës që është njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partitë më të rëndësishme politike e drejtuesit e institucioneve. Ka një përçarje edhe në opinion, kështu që për herë të parë, pas vitit 1990, ka rrezik që të destabilizohet deri në themel shoqëria shqiptare në Kosovë, e me këtë edhe lëvizja politike e programi për pavarësinë e Kosovës.

Enver Maloku: “Bota sot”, 18 shkurt 1998, f.20

7.

Qeveria i bën shantazh politik Presidencës dhe personalisht Presidentit Rugova, i cili jashtë dhe brenda Kosovës është bërë sinonim i pavarësisë së Kosovës. Rrjedhimisht, me këtë veprim Qeveria e Republikës së Kosovës i bën shantazh edhe projektit të pavarësisë së Kosovës.
(…)
Askush në Kosovë nuk mund ta rrezikojë pozicionin e Dr. Rugovës si president i Republikës, përderisa ai me aq këmbëngulësi mbron opcionin e pavarësisë së Kosovës. Dr. Rugova vetëm duhet të jetë më energjik në zbatimin e kompetencave të veta kushtetuese dhe të vendosë rend në shtetin e Kosovës.

Rexhep Gjergji:”Bota sot”, 23 shkurt 1998, f.14

8.

E shfrytëzojnë pakënaqësinë dhe kritikën e Bukoshit vetëm për të krijuar hutesë në opinion, për të topitur veprimin politik. Mandej e lënë punën e Qeverisë, nuk e përmendin fare, sikur ta kishte lëshuar toka. Me të njëjtën taktikë e kanë përdorur, në muajt e fundit, ish nënkryetarin e LDK-së, Hydajet Hysenin. E kanë botuar pothuaj çdo fjalë të tij të pakënaqësisë së shprehur, i kanë përcjellë mbledhjet e Degëve ku është theksuar linja e përçarjes, i kanë stimuluar zërat se gjoja pritet që Hydajet Hyseni do të zgjedhet kryetar i LDK-së etj. Me shkrimet e gazetës “Koha Ditore” është bërë njëfarë diferencimi i ish të burgosurve politikë, si njerëz që janë kundër Rugovës. Kjo linjë mori epilogun e padëshirueshëm në Kuvendin e Tretë Zgjedhor të LDK-së, ku ky grup vërtet doli haptas dhe me akuza të rënda kundër kryetarit Rugova dhe një numri të madh të personaliteteve politike dhe intelektuale, që kanë rol të rëndësishëm në jetën politike dhe publike në Kosovë.

Milazim Krasniq: “Bota sot”, 1 mars 1998, f.4

9.

Mirëpo, Kuvendi nuk mundi të eliminonte të gjitha dëmet që i kishte paramenduar t`i shkaktonte ky klan këtij kuvendi dhe LDK-së në përgjithësi. Viktimë e parë e këtij shantazhi të tyre ishin disa anëtarë të Kryesisë së LDK-së dhe bashkëpunëtorë të Kryetarit Rugova. Shumica e anëtarëve të Kryesisë hoqën vetë dorë nga kandidaturat për organet e LDK-së me qëllim që të tejkalohej një situatë e pakëndshme që u shkatua me paramendim dhe në sy të diplomatëve të huaj nga klani i z. Hyseni.
(…)
Kjo është e kuptueshme kur të kihen parasysh angazhimet e deritashme të anëtarëve të këtij klani si edhe të drejtuesve të PPK-së kundër zgjedhjeve të lira. Nuk është i rastësishëm fakti se tentimi për të shkaktuar krizë në LDK dhe në rendin e krijuar në Kosovë vjen pak ditë pas deklaratave të qarta të zyrtarëve amerikanë në favor të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Kosovës dhe në favor të politikës së Dr. Rugovës.

Enver Maloku: “Bota sot”, 2 mars 1998, f. 5

10.

Diskutimet mund të ndahen në dy pjesë (ose tri, nëse llogariten aplauzet!). Në ata që kritikonin mënyrën e përpilimit të listës, kandidatët e përmendur në listë dhe në ata që thoshin se ja, më në fund, po shihet se kush është kundër Rugovës dhe se kush po do ta marrë kalanë nga brenda, diskutime këto që u sublimuan me shprehjen e gjakovarit Aqif Shehu, i cili na shpuri në lartësi të çuditshme religjioze kur tha se “trupi dhe shpirti ynë është president”, duke dashur të thoshte diçka fare tokësore: se do të votonte për propozimet e kryetarit të partisë. Ndërsa argumenti kryesor dhe i vetëm i përdorur në debat nga ana e rugovistëve ishte vetë Dr. Rugova, kur kritikët flisnin ose aludonin në Rexhep Osmanin, Zejnullah Rrahmanin dhe Sabri Hamitin, të cilët, në skemat e intrigave të deritashme të LDK-së ka kohë që janë identifikuar si njerëzit më të besueshëm të kryetarit Rugova.

Përderisa Zejnullah Rrahmanit i përmendej dekanimi i tij në Fakultetin Filologjik, prej ku shkoi me bagazhin e parave të tretura, për të cilat e akuzojnë kolegët e tij, Rexhep Osmani fiksohej si njeriu të cilit ish të burgosurit i kishin dalë në krah kur ka vendosur kontrollin në arsimin fillor e të mesëm nëpërmjet nënshkrimeve të ministrit Bicaj, nënshkrime të cilat Osmani më nuk i njeh, e Sabri Hamiti u përmend si shkas pse nuk u konstituua Parlamenti i Kosovës, sepse, sipas asaj që morëm vesh në këtë kuvend, ai ka qenë dashur të jetë kryetar i Parlamentit, por pasi që Rugova është informuar se ai nuk do të kalonte në zgjedhje në përbërjen aktuale të Parlamentit, është stopuar vetë konstituimi i Parlamentit.

Mufail Limani: “Kuvendi i LDK-së – KUVENDI I TURPIT!”, “Zëri shqiptar”, Prishtinë, nr.22, 28 shkurt 1998, f.12-15

Cyrih, 5 Mars 1998

Botimi i parë te e përjavshmja “Eurozëri”, nr. 12, 20.III.1998, f. 12-17
Te libri “Përulja e Elitës”, SHB “Faik Konica”, Prishtinë, 2024, f. 234-243

Dërgoi për publikim, Ibrahim Miran Kelmendi, veprimtar politik

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.