18.6 C
Tirana
E hënë, 19 Maj 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

POEZI E DHEMBJES DHE E TRAZIMIT SHPIRTËROR

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner
Anton Nikë Berisha
Anton Nikë Berisha

Anton Nikë Berisha

Parathënie

Unë s’e përcjell këngën time me lirë
që të mundë me t’ëmbël melodi
të m’i japë shpirtit pakëz qetësi
andaj dhe e zymtë më rrjedh kënga.
Sa kohë frymëzimi gjallë të jetë
vargje të dhimbshme do t’këndoj, mundimet
me t’cilat fati s’e lë njeriun të qetë[1].
JERONIM DE RADA
(21 qershor 1829)

Shqiptim i anës së errët të jetës

Mikel Gojani
Mikel Gojani

Kur ta lexosh me vëmendje dhe të thellohesh mirëfilli në qenësinë e poezisë së Mikel Gojanit të përfshirë në këtë zgjedhje – Dhimbja e heshtjes, atëherë të kujtohet vetvetiu soneti i poetit, Jeronim De Radës, të vargjet e sjella në krye të këtij punimi, të cilin arbëreshi nga Maqi, në një letër, ia kishte nisur vëllait, Kostantinit, më 21 qershor 1829[2].

Në tekstin e këtij soneti De Rada paralajmëronte se do të shkruante poezi të dhimbshme dhe do t’u këndonte mundimeve dhe vështirësive të jetës, dhe jo të shqiptonte gëzimet dhe harenë që e cilësojnë atë. Ky përcaktim i De Radës, siç ndodhi dhe shumë poetëve të tjerë, nuk është i rastit. Të shprehurit e realitetit të tillë u ka shërbyer atyre edhe si një lloj kundërvënie e realitetit ose si katarsë, ngushëllim e prehje shpirtërore, jo vetëm për ata vetë, po edhe për marrësin e veprave të tyre.

Një frymë e tillë e përshkon pjesën me të madhe të poezive të Mikel Gojanit të botuara deri më tani, sidomos ato të përfshira në këtë zgjedhje, po kjo dëshmohet pandërmjetësisht dhe nga disa pjesë dhe vargje të vetë poezive.

Qasja dhe shqiptimi i një realiteti të tillë, të brendshëm dhe të jashtëm, nuk thuhet me gjuhën e kronikës e të folurit të përditshëm, po me një tekst poetik të ndërtuar me përkushtim dhe nuk mbetet vetëm te poeti, po shtrihet edhe tek tjetri, kudo qoftë dhe cilido qoftë ai. Ky realitet shprehet – ndërtohet në forma të ndryshme.

Diku
Në thellësinë e qenies
I varrosa kujtimet e mia.
(Nata shuhej në vetmi)
* * *
Bota ime mjerake
E nënshtruar para pamëshirësisë
(Brenda universit)
* * *
Jemi Tre zëra të pikëlluar
Një botë,
E bërë për t’u trishtuar!

(Zëra të trishtuar)

* * *

Stinëve të stinëve
U shkruaj këtë baladë:

Nga stinët e dimraveegër
Trishtohen
edhe yjet në qiellin e largët
Dhe
loti i tyre
Pikon mbi varg

(Baladë stinësh)

Vuajtja dhe shqetësimet – pjesë e jetës

Siç u tha, në pjesën dërrmuese të këtij vëllimi me poezie të zgjedhura shqiptohen vuajtjet dhe trazimet, që janë pjesë e pandashme e jetës së poetit; tundimet e shpirtit dhe të mendjes së tij, që pastaj shprehen dhe marrin jetë në tekstet e poezive e në kuptimet shumësore që dalin prej tyre. Kjo vërehet edhe kur autori bën objekt poetik dukuri të ndryshme, qoftë të botës së brendshme, qoftë të botës së jashtme. Ngjet kështu nga se, siç thotë vetë autori ynë:

Secili prej nesh
Është mysafir
I diellit të ëndrrave

(Kohët)

Poeti zbret në rrafshin konkret të pësimeve, të tundimeve dhe të tragjikes, edhe pse e di mirëfilli se, siç do të thoshte Edgar Allan Poe, krijuesi beson fuqimisht se ajo që zakonisht quhet brendi apo subjekt i një poezie, nuk heq peshë, po efektet e pakapshme, imagjinarja dhe magjikja që ajo e përçon duke përdorur këtë apo atë subjekt[3].

Ndjeshmëria shpirtërore e poetit përballë asaj që i ofron jeta dhe e cilëson frymëmarrjen konkrete të tij, bën që ai të përqendrohet, siç thuhet rëndom, në anën e errët të jetës e më pak ana tjetër, e ndritshmja e jetës dhe e veprimit. Poeti vepron në këtë mënyrë nga se kjo i ofron më shumë mundësi ta shprehë shpirtin e tij më thellësisht, të zbresë në pjesët më të ndjeshme e më të fshehtë të asaj që ndien dhe përjeton. Autori Gojani është i bindur se ky realitet i ndërtuar përmes tekstit gjuhësor ndikon më thellësisht edhe në marrësin, siç thoshte V. Hygoja: “Poeti niset nga vetja për të arritur tek ne”[4].

Qasja dhe shqiptimi i dukurive në poezinë e Mikelit të kujton atë që thuhet në Librin e Siracidit (2, 4 – 5): “Prano gjithçka që të ndodhë, pranoje e duroje në dhimbje, ki duresë në përvujtërimin tënd, sepse në zjarr provohet ari e argjendi, po ashtu edhe të zgjedhurit në furrën e përvujtërimit”.

I vetëdijshëm për faktin se vuajtja nuk mund të shmanget nga qenia njerëzore, poeti mendon dhe ndien se të shprehurit e gjithë asaj përmes tekstit poetik shkakton një ngushëllim dhe lehtësinë shpirtërore, jo vetëm për atë vetë, po edhe për lexuesin, pikërisht ashtu siç theksonte Nëna Tereze: “Vuajtja kurrë nuk do të zhduket krejtësisht nga jeta jonë. Pra, mos keni frikë. Vuajtja është një përçues i dashurisë nëse e shfrytëzoni dhe, para së gjithash, ia kushtoni paqes së botës”[5]. A nuk e përligjin këtë edhe fjalët e shkrimtarit të shquar rus, Anton Çehovit, i cili thoshte: “Më jepni dhimbje të forta, ju jap vargje të bukura!”

Në poezinë e vet Mikel Gojani i shpreh dy anët e medaljes së dukurive dhe të jetës (Sokrati thoshte “Kënaqësia e dhimbja janë të pandashme”[6]), po, siç u tha, ana e errët mbisundon.

Poezia si ngushëllim dhe prehje shpirtërore

Brenda botës së vet poetike Mikel Gojani synon të vërë një drejtpeshim mes tundimeve dhe shqetësimeve me të cilat ballafaqohet në jetën e tij dhe nevojës, për të mos thënë, domosdoshmërisë të asaj që thoshte filozofi i shquar gjerman, Hajdegeri: njeriu duhet të bëjë gjithçka që dhunën që i bën jeta, ta zvogëlojë sa më shumë që është e mundur për arsye se “Në shekullin e natës kozmike është e drejtë që humnera e botës të hulumtohet dhe të përballohet. Është e nevojshme që dikush të mbërrijë në fund të humnerës”. Kjo gjendje shtrihet edhe tek zogjtë, me ç’rast autori përfton një metaforë fort të rrallë: Zogjtë e kërkojnë buzëqeshjen e humbur (Prapë në ishullin e dhimbjes).

Meqenëse, siç thotë poeti Gojani, “Gjithçka zhytej në errësirë”, përmes artit synohet që së paku ta zvogëlohet errësira dhe tundimet që e trazojnë; nga se ato nuk mund të zhdukën krejtësisht. Pra, secili duhet të bëjë përpjekje që të ballafaqohet me dinjitet me vështirësitë e tilla. Brenda këtij synimi dhe gjakimi poeti e përdor vargun, e përdor poezinë si formë që ndërmjetëson dhe hedh dritë në atë errësirë për t’i pakësuar e për t’u liruar nga ato tundime. Kështu, hartimi i poezisë e futin në një botë tjetër, atje ku shpirti ndien dhe frymon ndryshe. Në poezinë “Vargu i lodhur” poeti do të thotë:

Çdo gjë jeton në ankth
Përveç vargut të po
etit
Që lind në çdo kohë

dhe

Kam besim në artin,
Te poezia,
Si vazhdimësi e shpirtit.

(Këmbëngulja e kujtesës)

Pra, përmes tekstit poetik dhe kumteve që dalin prej tij, Gojani e ndërton, përmes gjuhës, tekstit, një realitet, realitetin e fjalëve, që na thellon në qenësinë e dukurive dhe të gjallimit të njeriut. Përmes tekstit të poezive shprehet dhe krijohet e bukura, realitetit poetik që bën – përligj vlerën kryesore të çdo vepre letrare e jo vërtetësia, njëjtësia me atë që ekziston në jetë dhe në veprimin konkret, në shoqëri dhe në natyrë. Edgar Allan Poe thoshte: “E në mos rastësisht, s’ka (vepra letrare – v. ime) të bëjë fare me detyrën e as me të vërtetën”[7].

Natyrisht, as ky veprim dhe kjo botë poetike e ndërtuar përmes fjalëve, nuk bëhet lehtë dhe pa dhimbje. Kjo ngjet nga se për ta krijuar artin duhen shumë përpjekje e mundim; së pari dije e përkushtim dhe flijim i vijueshëm:

Kush jeton me artin
Ndjen më shumë dhimbje

(Këmbënguljen e kujtesës)

Duhet thënë se Gojani e përfton atë realitet përmes tekstit, përmes të shprehurit gjuhësor, thjeshtësisë, për arsye se vihet më lehtë komunikim me dukuritë dhe me marrësin, ku gërshetohen konkretja, përfytyruesja dhe ëndërrimi. Kjo mundëson që përmasa artistike të jetë më e pranishme dhe e rëndësishme, dhe natyrisht, me mundësi më të madhe ndikimi estetik[8].

gjitha ato kaluan
u
mbytën

me sëpatën e urrejtjes
fundin e detit tim,
unin e harresës sate.

Tani pastrohen
ujin tënd
si para altarit
se
bjeshkë e lëndinë
janë bërë
agim i skuqur
po
çdo të thuhej
për fatkeqin
që dëshirës ia fal
netët e humbura me yje.

(Derdhja e lumit)

Heshtja si filozofi, ballafaqim dhe qëndresë

Në poezitë ku nuk shqiptohet drejtpërdrejt jeta e rëndë, drama, fati tragjik, pra ana e errët të jetës, poeti e përfton një tekst që më shumë “flet” me heshtjen që e cilëson. Në të vërtetë, krijohet ajo strukturë tekstore, thuhen vetëm ato gjëra që janë të e domosdoshme për t’i mundësuar marrësit të vërë komunikim me dukuritë.

Kjo mënyrë e ndërtimit të tekstit – për t’i lënë gjërat të “flasin” me heshtje, nuk është e rastit. Për këtë dëshmon dhe mendimi i Eli Saby-së që autori Gojani e ka vënë si moto të poezisë “Më flakëruan mejtimet”: “Heshtja është forma më e lartë e fjalës; ta kuptosh atë është forma më e lartë e qenies njerëzore”.

Nisur pikërisht nga rëndësia që heshtja ka dhe i jepet hapësirës dhe funksion në tekstin e poezive, autori e përdor atë në forma e në raste të ndryshme; e lidh (heshtjen) edhe me trazimin, me dhembjen dhe me etjen e tij; ajo u jep gjërave ngjyrim dhe përmasë kuptimore sa të veçantë aq dhe shumësore.

kot e fsheh pasqyrën
xhamin e saj të bardhë
Vjedh buzëqeshjet e hershme
Këngëtoj refrenin
E
këngës së padëgjuar
Që në heshtje flet

(Imazhe të rilindura)

* * *

Heshtja jote
E mbytur
Në pellgun e pikëllimit
Ndez zjarrin,
Që shkrumbon
çdo gjë
Të botës sonë […]

(Heshtja e mbytur në…)

Vetmia si dëshmi e vuajtjes dhe e pësimit

Një dukuri tjetër që lidhet ngushtë me heshtjen dhe me rëndësinë e saj në tekstet e poezive të Mikelit është vetmia. Ajo është rrjedhojë e kushteve të jetës; shenjëzim i tërheqjes në vetvete dhe, para së gjithash, marrja me vetveten. Nga mënyrat se si poeti e shqipton vetminë, t’i kujton vargjet e Fray Luis De Lèon:

Dua të jetoj me veten fillikat
Të shijoj lumturinë që më jep qielli i lartë
Pa dëshmitar, pa njeri pranë,
I lirë nga dashuri dhe mallëngjime,
Nga mëri, shpresë dhe llahtarime.

Në poezinë e Mikelit vetmia ka kuptime të ndryshme; herë lidhet me heshtjen, herë me vuajtjet, herë me pakënaqësinë herë – here dhe kundërvënie, varësisht sipas qasjes dhe poezisë ku ajo është vënë. Kështu, në poezinë “Nëpër labirintet më të thella” vetmia shprehet si krymb që e bren gjithnjë e ma shumë.

E krimbi i vetmisë
na bren çdo ditë e më tepër.

Mirëpo, në poezinë “Nata shuhej në vetmi” ajo përdorët për të përftuar një metaforë të rrallë: edhe nata në errësirën e vet shuhet në pafundësi:

Nata
Në errësirën skëterrë
Shuhej në vetminë e pafund…

Në disa poezi të përfshira në përmbledhjen “Dhimbja e heshtjes” lidhen me dashurinë dhe flijimin, që i përshkon dhimbja dhe tragjika, veçmas ato që shqiptojnë fatin tragjik të gruas së tij. Në to vërehet qartazi përkushtimi i autorit që të hartojë tekste sa më poetike, që cilësohen me ato vlera dhe veçanti që janë në gjendje të vënë një komunikim gjallërik me lexuesin, siç ngjet në poezinë “Vrapim pas dashurisë”, ku kemi një pamje sa tronditëse aq dhe artistikisht të lartësuar.

Kohët e tua
t’i qëndisa

me mrekullitë e engjëjve
me ngjyra të trembura

Në imazh u linde
prapa

ose para kohe
në trarin e kujtimeve
në kornizën e buzëqeshjeve
u vare.

dhe

Në etjen e lumit tim
rritet një dashuri
rreze shkëndijore.
Si dritëz
rri strukur
në thellësinë
e damarëve të ndezur.
Kjo ylberzë
nga largësia
më dërgon diellin
për të më shkrirë dëborën…

(Thellë në mua)

* * *

Po e mbyll këtë parathënie me mendimin e Th. S Elioti: “Poezia nuk është shfrenim emocionesh, por ikje nga emocioni; nuk është shprehje e personalitetit, po ikje nga personaliteti. Po, natyrisht, vetëm ata që kanë personalitete dhe emocione e dinë ç’do të thotë të dëshirosh t’u ikësh këtyre gjërave[9]”. Kjo, në përmasë të dukshme, i cilëson dhe poezitë e zgjedhura të Mikel Gojanit të përfshira në këtë përmbledhje, që janë zëri i tij[10], po si të tilla e nxitin lexuesin të merret me veten dhe me tjetrin, me njeriun, me jetën në mënyrë poetike.

Prishtinë, fund mars 2025


[1] Shih Klara Kodra, Poezia e De Radës. Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë, Tiranë 1988, f. 21. Shih dhe veprën time Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008, f. 124.

Vargjet u morën nga soneti, që mendohet të jetë krijimi i parë i De Radës, shkruar në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, gjetur në një letër të dt. 21 qershor 1829, dërguar vëllait, Kostantinit. Shih Klara Kodra, Poezia e De Radës, vep. e përm., f. 21.

[2] Këto vargje përligjin diçka të rëndësishme për koncept letrar poetik të poetit të madh arbëresh. Shih më gjerësisht për këtë në veprën time Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, vep. e përm., f. 122 – 125 dhe f. 150 – 154.

[3] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 17.

[4] Victor Hugo, Ëilliam Shakespeare. Përktheu nga origjinali frëngjisht. Abdulla Rami& Emira Xhomaqi – Godo, Onufi, Tiranë 2022, f. 292.

[5] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano, 2003, f. 141 – 142.

Nëna Tereze thoshte edhe “Vuajtja është një dhuratë e madhe e Zotit: kush e pranon, kush dashuron me gjithë zemër, kush e ofron vetveten ia njeh vlerën. Shih M. Muggeridge, Samething Beautiful for God. London, 1971, f. 67; shih Madre Teresa con Licinda Vardey, Il cammino semplice. Traduzione di Stefano Castelli e Bruno Osimo, Arnoldo Mondadori editore, Milano 1995, f. XXVIII.

[6] Shih Jorge Luis Borges, Ligjërata. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2013, f. 156.

[7] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse, vep. e përm., f. 101.

[8] Shih veprën e përbashkët ne Labinot Berishën Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. “Faik Konica” 2018.

[9] T. S. Eliot, Ese të zgjedhura. Zgjodhi dhe përktheu nga origjinali Isa Zymberi. Rilindja, Prishtinë 1982, f. 23.

[10] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse, vep. e përm., f. 150.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit