(Kushtuar dëshmorëve Hasan Dema dhe Behram Behrami)
I ndershëm dhe me vullnet të çeliktë,
me të përfunduar gjimnazin në Besianë,
udhëtove drejt Zagrebit.
Në auditorët e Fakultetit Ekonomik
kërkoje të ardhmen e ndritur,
siç kërkojnë lulet
ujin dhe rrezet e diellit.
I urtë e i dashur,
shpejt krijove shokë e miq.
Kur mbi Kosovë
u shtrinë retë e zeza,
u ktheve porsi vetëtima.
Veshe uniformën e bukur të UÇK-së,
së bashku me Behram Behramin,
që ju shkëlqente në trup,
dhe u betuat mbi eshtrat
dhe varret e të parëve,
se Atdheut do t’ia bënit jetën dhuratë;
që në tokën e tyre të mileniumeve
të jetojnë të lirë fëmijët,
të rinjtë të rriten pa pranga,
e Llapi të rrjedhë lirshëm;
që malet të mos druhen
nga tymi e zjarri,
që zogjve të mos u ndalet cicërima,
as bilbilave kënga,
nga njerëz kokëkrisur,
shovinistë e racistë të tërbuar.
Gryka e Mavriçit,
nga gjaku juaj rinor,
u mbush me lule bozhure,
që zbukuruan
edhe bjeshkë e gurë.
Shtatoret tuaja,
në bregun e përdiellur,
ngjitas me lisat shekullorë,
si hyjneshat në fron,
përshëndesin madhërishëm
çdo kalimtar.
Emrat tuaj — krenari për fisin,
nder për Atdheun,
si të Fishtës e Filipit,
me Shkodrën dhe Llapin në legjendë.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 25 shkurt 2026











