TË MBIJETUARIT I DHANË EMRIN

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Nga Llesh NDOJ

Persiatje mendimesh, dëshirash e shpresash

Kishte mbijetuar në këmbët e Munellës, një Zot e di qyshkurë! Egërsia e jetës e kishte çuar në të sosur, jo vetëm njëherë dhe fati e kishte bartur në krahë shqiponje po aq herë, për t’a larguar nga rreziku dhe sapo furtuna kishte kaluar, e kishte lëshuar atë në të njëjtin vend: “…dallgët janë të përkohëshme, bir, kurse mbijetesa është ngadhnjimtarja e përjetshme”. Jetën e jetesën e nisën jo në fusha e në brigje lumenjsh, aty ku gjithçka bëhet me e mundur e më pak e mundimshme, por në këmbët e një mali rreth dy mijë metra të lartë, ku zbritën nga krahët e shqiponjës. Ndoshta, është për këtë arësye që njerëzit aty u matën vetëm me malet, mbetën të fuqishëm, kryenaltë, por mundarë të përjetshëm. U ushqyen duke shkrirë gurin, një gur ia ngjeshnin barkut sa herë i mundonte zija e bukës, e një gur i vunë dhimbjes sa herë ajo i pllakosi. Dhe nuk ishin pak herë. Ata jetuan me mundin, jetuan dhe luftuan me urinë, jetuan me dhimbjen, por e ruajtën krenarinë, krenari e cila i bëri gjithnjë të mbijetuarit e atij vendi të lashtë.

Zbritën pastaj nga Qafa e Livadhit në Qytezë, nga Qyteza në Kodër e prej aty u përhapën kudo, por kurrë s’e haruan zanatin e vjetër, atë “të zbutjes” së gurit, gërmuan me thonj duke kërkuar derisa e gjetën ujin, ndërtuan shtëpi e gjithçka të bukur për jetesë, ndryshuan edhe emrin e shumëçka tjetër, por jo identitetin, të mbijetuarit. As zanatin e vjetër, atë të matjes me malin. Ju desh të përlesheshin me egërsirat, t’a bëjnë gurin tu bindej atyre, u lutën në kishë, i kënduan vdekjes dhe e lotuan jetën, por mbijetuan, herë si mundarë, herë si barnabas, herë si domgjonas herë… Gjithnjë si të mbijetur.

Të mbijetuar në versionin e tyre më të mirë, atë të krenarisë e të matjes me malin, në këmbët e të cilit kishin derdh mundë, kishin luftuar e kishin fituar, i ishin drejtuar qiellit me lutje e kishin marrë bekimin e tij. Kohërat ua kufizuan frymën, kohërat u gërryen shtatin, kohërat ua dhuruan lotin, por jo, kohërat s’ua shuan ekzistencën, e ata gjithnjë i dhanë emrin e tyre kohës. Edhe pamja e fshatit i ngjanë fort një oktapodi, tentakulat e të cilit janë të ngulitura në shkëmb, garanci kjo se edhe e nesërmja e atij vendi të njetën fytyrë do të ketë.

Më duket se shpirti do të më shembet sa herë shkoj në atë vend, tek shoh kullat dy e tri podëshe që rrënohen, pemët që thajnë nga të lotuarit për të ikurit, pyjet që pushtojnë arnajët, përrenjtë që ndryshojnë shtratin, egërsirat që zbresin nga malet e bujnë ndër odat, ku dikur lindte e zhvillohej jeta, nuk di të them si dënim për të larguarit, apo si besë ndaj atij mali se të paktën ato nuk do t’a braktisnin kurrë.

Mirëpo sikur gjallërohem kur takoj ende njerëz, kur shoh tek – tuk kulla të restaurara nga e para, e veçanërisht ku dëgjoj se në to, ndonëse ende janë pak, mundet të bujsh si turist, apo shtegëtar. Kjo do te jetë e ardhmja e atij vendi të bekuar, e të mbijetuarit, krenaria e tij, njerëzit që e kanë kuptuar të parët e që do ta zhvillojnë shpejt këtë ide mbijetese dhe jo biznesi, duke ia ndryshuar emrin vendit, për herë të katërt ndoshta.

Si do të jetë emri i ri?
Shpejt të them e të parashikoj, por jam i sigurtë se ai do të vijë, ndoshta duke përsëritur ciklet e mëparshme të emrave të ndryshuar, ndoshta ndonjë rinovim i tyre, ndoshta edhe si një emër krejt i ri. Por cilido qoftë ky emër, emri i vijimësisë së jetës, tashmë në kushte krejt të reja, ai do të ketë emrin e të mbijetuarëve, të cilët edhe pse të paktë, një ditë do të triumfojnë në variante të reja jetese, gjithnjë me sytë nga mali e me kreninë e tij të ligjshme.

Zefi, një djalë i ri, ende pa i mbush të tridhjetat, me të atin e të cilin dikur punoja pushimeve verore në gjeologji, më duket njëra nga gonxhet në shpërthim. Çdo ditë ai nuk mungon në rrjetet sociale duke falenderuar një palë turistë që ikin e duke ftuar të tjerë t’a eksplorojnë këtë hapësirë magjike, ku në pak metra shtrihen e bashkëjetojnë e shkuara historike, e djeshmja plot gjallëri, e sotmja e zvenitur dhe e ardhmja… ndoshta e ndritur.

Zefi ka qenë emigrant në Gjermani. Nuk e di se kush “ia mbushi mendjen”, pse jo ndoshta ndonjë thirrje hyjnore si ajo e Barnabës apo e priftit Gjon në lashtësi, por ai u rikthye. U rikthye për t’u dhënë gjallëri trojeve të gjyshit e babës, por përmes tyre e vizitorëve të shumtë, edhe krej fshatit, duke vizatuar edhe të ardhmen e tij.

Çdo ditë duket se bën nga një ndryshim në trojet e babë Prengës, një njeri i mrekullueshëm që ia pushkatuan vëllezërit, duke e lënë atë bimën e vetme të vijimësisë. Prengës në martesën e parë Zoti i fali vetëm vajza, por ai gjithë jetën punoi pa e humbur shpresën. E shpresa e tij sot ripërtërihet, mbase si një goxhe mbijetese edhe në shpresën e të nesërmes, për fshatin e bukur e piktoresk në rrëzë të Munellës. A është ky rast përfaqësuesi tipik i të mbijetuarit në ato anë? Ndoshta. Koha do flasë, me gjasë, në favor të kësaj teze.

U rimartua me mirëkuptimin e vajzave dhe të gruas, pa e ndarë atë përveçse formalisht, dhe lindi djem e vajza. Djemtë u martuan e lindën vajza e djem e trojet e tyre po lulëzojnë nga e para. Kjo është mbijetesa. Vetë Prenga jetoi gjatë derisa e pa mrekullinë të rritej ne sytë e tij: djemtë lindën djem e vajza e ai lindi fëmijë, moshatarë me fëmijët e fëmijëve të vet. A ka mrekulli më të madhe? Zefin e pyes disa herë: – Kur do të vij turist në Domgjon? -Mirë se të vish!, – më thotë, por dua edhe pak kohë. E unë do t’a pres atë.

Nuk është i mbijetuari i vetëm! Lek Çuni e ka tashmë një bujtinë funksionale, Gjin Pjetër Deda ka ngritur një kullë – bujtinë që nga larg të mahnit. Thanat, manat, qershiat autoktone domgjonase, arrat, lajthitë, lulëzojnë, frutifikojnë, piqen dhe e ruajnë ekzistencën aty, duke konkuruar me bimësinë e egër që ka marr hov deri në arat, dikur të mbjellura me misër, grurë, patate e fasule..

Pak më tej Martini, është biznesmeni që “edhe me humbje” e mban gjallë një biznes atje, duke qenë mikpritësi për vendas e të ardhur. Ai ka shtëpija e dyqane në Tiranë e mundësi jetese kudo, por qëndron aty tek trojet e vjetra, ndoshta duke prit një klimë më të përshtatshme që gonxhja e turizmit të shpërthejë e t’i japë identitet vendit, po aq sa kreni e mundësi jetese vendasve.

Gjakëza ka banorë e shihet gjithnjë e lulëzuar, si ndër kohëra ka qenë. Kulla e bukur e familjes Kaza shkëlqen përballë Rrugës së Kombit, ashtu siç lulëzojnë trojet e kolpepajve të pasardhësve të Pjetër Gjonit, Likajt, Zefi i Gjet Prengës e të tjerë.

Edhe në Va ka ende jetë. Trojet e Gëzimit Pjetrit t’a bëjnë këtë me dije sapo hyn në Brrenë, pastaj tek – tuk e rrallë gjenden shtëpia të pa braktisura, deri tek i mirënjohuri Zef Marka Deda, blegtori ikonë, i identifikuari i përjetshëm me Munellën, që qëndron si legjendë në krye të lagjes.

Kodra po ashtu, me familjen e Pacit, me Lalajt, disa familje Gjokazaj e Përlleshaj, që kulmon në qendër me banesën e biznesin e Martinit.
Në Arat e Gjata po ashtu ka jetë. Që nga Preng Gjergji, Vitor Paci dhe ku bien në sy kullat e reja të pasardhësve të Llesh Gjinit, mjeshtër duarartë.

Plani me Çunajt, Laskajt, disa Kolaj e të tjerë, ende gjallëron.
Molla e Kuqe, Hebja e Arusha, thuajse i kanë mbyllur dyert përkohësisht, por nuk mungojnë rikthimet, sidomos gjatë verës, e Sangu, ballë Udhës së Kombit, nuk e ka humbur ende bukurinë e jetës.

Janë këta filizat e mbijetesës, por ende jo bima pjellore e saj. Munella si gjithnjë është shtrati ku duhet të zgjerohet e ardhmja. Një udhë, një teleferik, disa bujtina, disa tufë me blegtori dhe mbijetesa jep frutet e saj.

Shpresoj, që sikur dilja dikur tek stani, të dal e të kaloj disa ditë si turist në Hurdhëdushe, Publiq, Krratull, a Këputzë, Drushtë e kudo tjetër në atë vend perlë, gju më gju me ata që ndoshta gjuhën s’kam me ua ditë, por historinë e mbijetesës së atij vendi, si në përralla, kam me ua treguar me pasionin e birit të këtyre anëve.

Kulla e ringritur e bajraktarit në kodrinën mbi Rrugjë, duket se të thotë: – Mirë se vjen!, që për vendasit duhet përkthyer: Domgjoni ju pret! Jo në luftë e për të mbrojt Flamurin, por për jetesë e për të ruajtur emrin, bashkë me krenarinë e kryenaltësinë, që njeh për ekuivalent vetëm malin legjendar të Munellës.

Lezhë, shtator 2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit